DYMBËDHJETË DEPUTETËT “MË TË PRIVILEGJUAR”: SHTETI UA PAGUAN EDHE QIRANË EDHE SHPENZIMET E UDHËTIMIT

Shkruan: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

Edhe pse u përkasin kampeve të kundërshtuara politike, deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, i lidh një privilegj që u jepet atyre si deputetë: të dytë shfrytëzojnë edhe banesë shtetërore edhe marrin para për shpenzimet e udhëtimit.

Kiracovski deri pak kohë më parë kryente edhe funksionin e sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, por u shkarkua pasi u gjet në qendrën e reagimeve të opinionit për shkak të punësimeve të të afërmve të tij të ngushtë, për të cilën gjë Komisioni kundër Korrupsionit hapi procedura. Shteti në vitin e kaluar ia ka paguar Kiracovskit qiranë në vlerë prej 390 eurosh, ndërsa ai në katër muajt e fundit të vitit 2018 derisa ka qëndruar në banesë në Shkup, në emër të shpenzimeve të udhëtimit ka marrë diçka më shumë se 1000 euro.

Kundërshtarit të tij politik, Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja, shteti i paguan diçka më pak për qira, përkatësisht 370 euro, por edhe ai ka marrë shumën e njëzet mijë denarëve në emër të shpenzimeve të udhëtimit.

 

DEPUTETË TË CILËT SHFRYTËZOJNË PRIVILEGJE TË DYFISHTA

Përveç Kiracovskit dhe Dimovskit, privilegjet e dyfishta vitin e kaluar i kanë shfrytëzuar edhe 10 deputetë të tjerë në Kuvendin e Republikës. Të gjithë dymbëdhjetë deputetë, përveç që kanë marrë para për shpenzimet e udhëtimit, kanë shfrytëzuar në llogari të shtetit edhe qira për banesa të cilat i kanë përdorur në zëvendësim të asaj që të mos udhëtojnë deri në qytetin e lindjes. Gjithsej shtatë janë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, katër janë nga LSDM-ja dhe një nga BDI-ja.

Nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në listën e shpenzimeve të dyfishta janë deputetet nga Manastiri – Liljana Zaturoska dhe Liljana Kuzmanovska, deputetja nga Prilepi, Ane Leshkoska, deputetja nga Shtipi, Bllagica Llasovska, deputetja nga Koçani, Magdalena Manaskova dhe deputetja nga Radovishi, Nada Cipusheva.

Atyre u bashkohen edhe koleget e LSDM-së – deputetja nga Strumica, Katerina Kuzmanovska, deputetja nga Prilepi, Keti Smileska dhe deputetja nga Kavadari, Meri Llazarova.

Në llogari të shtetit është edhe deputeti më i vjetër, Branko Manoillovski nga BDI-ja, i lindur në fshatin Kiçinicë.

Kuvendi vitin e kaluar ka marrë një vendim sipas të cilit deputetët mund të përdorin makinën e vet për qëllime zyrtare për të cilën gjë do të marrin më pak para se më parë, ose të marrin banesë me qira me vlerë më së shumti deri në 400 euro, me ç’rast do të mund të udhëtojnë vetëm gjatë vikendeve ose festave. Sipas të dhënave të cilat i mori SCOOP-i duke përdorur Ligjin për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik, të drejtën e këtillë të qirasë aktualisht e shfrytëzojnë gjithsej 14 deputetë.

DY DEPUTETË SHFRYTËZOJNË VETËM QIRA

Në listën që e morëm nga Kuvendi janë edhe dy deputetë, deputeti nga Velesi nga VMRO-DPMNE-ja, Kërsto Jovanovski dhe deputeti nga Struga nga Partia për Progres Ekonomik dhe Shoqëror (PPESH), Rubin Zemon, të cilët shfrytëzojnë vetëm qira, por jo edhe shpenzime të udhëtimit.

 

TASEVA: NËSE SHFRYTËZON BANESË, NUK MUND TË MARRË SHPENZIME TË UDHËTIMIT

“Deputetëve, përveç kompensimit për marrjen e banesës me qira, u pranohet vetëm e drejta e shpenzimeve reale për shërbime komunale për shfrytëzimin e banesës, më së shumti deri në 100 euro”, thonë nga Kuvendi.  

Kryetarja e shoqatës “Transparency International”, Sllagjana Taseva konsideron se shpenzimet e udhëtimit nuk mund të lidhen me mjetet për qira.

“Nëse personi përdor banesë të cilën ia paguan shteti, ai nuk mund të marrë edhe shpenzime të udhëtimit. Ose njëra ose tjetra. Nëse dëshiron të shfrytëzojë banesë që ua paguan shteti, atëherë kur udhëton deri në shtëpi do të paguajë vetë, e nëse dëshiron të marrë shpenzime të udhëtimit, atëherë do të rri në shtëpi dhe do të udhëtojë deri në punë”, na tha Taseva.  

DISA ME SHPENZIME TË DYFISHTA, NDËRSA PËR TË SËMURËT AUTOMJETE QË JANË TË VJETRA 11 VJET

Derisa të zgjedhurit e popullit kanë privilegjin të marrin para edhe për qira edhe për shpenzimet e udhëtimit, qytetarët voziten me autoambulanca që janë të vjetra mesatarisht 11 vjet. Këtë e tregoi hulumtimi i Qendrës për komunikime qytetare, të cilët në muajin korrik të këtij viti publikuan  bazën e të dhënave për të gjitha autoambulanca në vend. Sipas të dhënave, shteti ka gjithsej 183 autoambulanca, prej të cilave më shumë se gjysma janë marrë si donacion.

Misha Popoviq nga Instituti për demokraci thotë se të gjithë deputetët nuk e keqpërdorin këtë të drejtë, përkatësisht se ka raste të cilat duhet të marrin emër dhe mbiemër para se të mund të flitet për to si të tilla.

Konsideroj se çdo rast duhet të shihet në mënyrë individuale, e jo si një praktikë e përgjithshme”, shton Popoviq.

GJYSMË MILION EURO SHPENZIME TË UDHËTIMIT PËR VITIN 2018

Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar SCOOP-i, 76 deputetë kanë harxhuar 496 mijë euro për shpenzimet e udhëtimit vitin e kaluar. Kjo do të thotë se mesatarisht, për vitin 2018, secili deputet ka marrë rreth 6 mijë eurosh për shpenzimet e udhëtimit. Më shumë nga ata ka harxhuar deputeti i cili udhëton nga Struga, Alija Kamberoski, gjithsej 18.156 euro, ndërsa më pak deputeti Kërsto Mukoski, vetëm 96 euro.

Burim: Të dhëna për vitin 2018 të marra nga Kuvendi i RMV-së 

Deputetët kanë marrë më shumë para për shpenzimet e udhëtimit në qershor, ndërsa më pak në shtator.

Burim: Të dhëna për vitin 2018 të marra nga Kuvendi i RMV-së

SCOOP-i edhe më parë ka shkruar për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve, përkatësisht se ata janë liderë në rajon për marrjen e parave për këtë lloj të shpenzimeve.

Në listën e deputetëve të cilët marrin para për shpenzimet e udhëtimit përmenden emrat e njëjtë. Kështu, sipas hulumtimit të Makfaks-it, Alija Kamberoski është rekorder sipas shpenzimeve të arkëtuara të udhëtimit në Kuvend për vitin 2017. Ai nga muaji mars deri në muajin nëntor të vitit 2017, vetëm për nëntë muaj ka marrë nga Kuvendi 12.847 euro për shpenzimet e udhëtimit. Ndërsa, nga muaji dhjetor i vitit 2017 deri në muajin maj të vitit 2018 ka bërë shpenzime të udhëtimit në vlerë prej 10.355 eurosh. Vitin e kaluar, e dyta sipas shumës së arkëtuar të parave për shpenzimet e udhëtimit është Mira Stojçevska nga Delçeva. Emri i saj nuk përmendet për herë të parë kur bëhet fjalë për shpenzimet e udhëtimit. Në fakt, Stojçevska në vitin 2017 ka harxhuar 11.736 euro. Ndërsa, vetëm në periudhën nga muaji dhjetor i vitit 2017 deri në muajin maj të vitit 2018, ajo ka harxhuar 10.396 euro.

Shpenzimet e udhëtimit për periudhën mars – nëntor të vitit 2017

Alija Kamberoski – 12.847 euro

Liljana Zaturoska – 11.435 euro

Mira Stojçevska – 11.736 euro

Aleksandar Kiracovski – 11.065 euro

Sasho Vasilevski – 9.850 euro

Kërsto Mukoski – 9.563 euro

Katerina Kuzmanovska – 9.326 euro

Në muajin qershor të vitit 2018, Ligji kaloi procedurat parlamentare dhe me këtë pësoi edhe ndryshimin, sipas të cilit deputetët në vend se 30 për qind në të ardhmen do të marrin 20 për qind për çdo kilometër të kaluar nga çmimi i shitjes së një litri karburanti. Por, edhe pas ndryshimit të ligjit, deputetët përsëri i marrin të njëjtat shuma për të udhëtuar nga shtëpia deri në punë dhe anasjelltas.

Vegla e llogaridhënies “ngeci” në vitin 2018

Kaloi gjysma e vitit, por në faqen e internetit të Qeverisë, e cila publikoi Veglën e llogaridhënies për shpenzimet e bartësve të funksioneve publike, nuk ka asnjë të dhënë për shpenzimet e funksionarëve për vitin 2019. Të gjitha të dhënat janë për vitet e mëparshme, përkatësisht për vitin 2014, 2015, 2017 dhe 2018. Me vetë hapjen e faqes, gjëja e parë që mund të shihet është se ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka pasur më shumë shpenzime si funksionar, ndërsa kryeministri aktual është në vendin e katërt. Të vjetra janë edhe të dhënat në pjesën “Marrja e banesës me qira (për personat që banojnë jashtë Shkupit)”, ku në vendin e parë sipas shpenzimeve është ish-ministri pa resor, Xheri Naumof.

Shkruaj një koment

Koment(e)