Në vend për qytetarët, komunat funksionojnë vetëm për pagat e administratës

Në vend që pushteti të jetë më i afërt me qytetarët, komunat gjithnjë e më shumë bëhen institucione që funksionojnë vetëm për pagat e administratës. Hulumtimi i Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedonia ka treguar se rritja e numrit të të punësuarve në pushtetin lokal para çdo cikli të zgjedhjeve (linku nga hulumtimi i mëparshëm) ka shkaktuar një situatë ku shumicat e komunave inkasojnë tatime dhe realizojnë të ardhura vetëm për pagat e të punësuarve. Shumë pak mjete mbeten për asfaltimin e rrugëve, mirëmbajtjen e parqeve, për shkollat ​​apo për fusha të tjera që janë të rëndësishme për qytetarët.

Pagat i “hanë” paratë për realizimin e kompetencave

Madje 71 për qind e buxhetit të Komunës së Dollnenit shkojnë për pagat e administratës. Në listën e pagave të kësaj komune të vogël, e cila gjendet në Rajonin e Pelagonisë, janë regjistruar 31 persona, nga të cilët 27 janë me një periudhë të papërcaktuar kohore dhe 4 me një periudhë të përcaktuar kohore. Për atë se si funksionon komuna në kushte të këtilla, jemi përpjekur për ta kontaktuar kryetarin e komunës Boshe Milloshevski, por ai nuk ishte i qasshëm në telefonin celular, por edhe në telefonin fiks në kabinetin e tij nuk përgjigjej askush.

Komuna që vijon në listën e komunave me buxhet të mbingarkuar është Llozova. Atje 50 për qind të buxhetit të saj, komuna e harxhon për paga. Kryetari i komunës Orce Cvetkovski thekson se është e vështirë të menaxhohet me një komunë, e cila si shkallë më të madhe në buxhet i ka pagat.

orce cvetkovski

Orce Cvetkovski

Buxheti këtu te ne është vetëm për të ndarë pagat dhe për të përgatitur dokumentacionin teknik për ndonjë objekt infrastrukturor. Për realizimin e këtij objekti nuk kemi mjete. Prandaj na ndihmon qeveria. Në komunën time asfaltohen dy rrugica me një gjatësi prej 1 kilometri në periudhën e kaluar pasi që jam kryetar komune. Tani kemi marrë një milion dinarë (16.000 Euro) për dokumentacionin teknik“, thotë Cvetkovski.

Ai shton se, edhe pse është e madhe shkalla për pagat, megjithatë është mirë që rreth dymijë e gjysmë banorë nga fshatrat përreth kanë administratën komunale dhe nuk duhet të shkojnë deri në Sveti Nikollë për të kryer ndonjë punë.

Një problem të ngjashëm si Cvetkovski ka edhe kryetari e komunës së Kriva Pallankës, Arsenço Aleksovski. Ai që nga viti 2009, kur ka ardhur në pushtet ka qenë i detyruar ta reduktojë numrin e të punësuarve për rreth 20 për qind.

arsenco

Arsenço Aleksovski

Kur erdha në postin kryetar komune nga rreth 80 nëpunësish, e kam reduktuar numrin e të punësuarve për 18 njerëz që janë punësuar nga pushteti i mëparshëm. Por, për të punuar komuna në mënyrë efikase, është dashur të punësoj edhe disa njerëz dhe tani komuna ka 64 të punësuar. Vështirë mbijetohet në komunë ku gjysma e buxhetit shkon për paga“, thotë Aleksovski.

Ai shton se për fat të mirë komuna e Kriva Pallankës është një komunë kufitare dhe përdorin të holla nga fondet evropiane për bashkëpunim me partnerë nga Republika e Bullgarisë. Përparësi është që marrin para nga koncesioni e resurseve minerale nga miniera Toranicë.

Qyteti që vijon në listë është Tetova, ku rreth 42 për qind e buxhetit shkon për pagat. Kryetarja e komunës, Teuta Arifi nuk i është përgjigjur kërkesës sonë për të dhënë një deklaratë. Qytetarët e këtij qyteti janë ankuar se për shkak të mbi-punësimit, komuna nuk mund të ofrojë shërbime për qytetarët.

Të gjitha mjetet që do të mblidhen në buxhet do të shpenzohen për pagat. Çdo kryetar komune që do të vijë vetëm e rrit numrin e njerëzve të punësuar në administratë. Rrugët janë shumë të këqija, gjatë dimrit ra borë dhe e gjithë Tetova me rrethinë u bllokua sepse nuk kishte para për të pastruar qytetin“, thotë 45-vjeçari Jovan nga Tetova.

Shteti i ka stërmbushur komunat me administratë

Shteti i vë në të njëjtën shportë edhe komunat e mëdha të fuqishme të Shkupit edhe komunat e vogla rurale të pjesës së brendshme të vendit. Me çdo ligj i obligon me detyra të reja për përmbushje dhe me obligime të reja për punësim, ankohet një kryetar komune nga partia qeverisëse në Maqedoninë lindore, i cili dëshironte të mbetet anonim.

Maqedonia ka sistemin e gabuar të komunave. Një komunë e Shkupit me 60.000 banorë dhe komuna ime me 7-8.000 banorë jemi të barabartë para ligjit. Ne duhet të kemi një inspektor komunal dhe ata në Shkup duhet të kenë një inspektor komunal dhe një pyetje tjetër është se sa punë ka ai inspektor komunal në Shkup, e sa në komunën time“, thotë ai.

Sipas ligjit, ai thotë se si komunë janë të detyruar të kenë disa vende pune, edhe pse realisht nuk ka aq shumë punë për atë punonjës.

Një shembull tipik është vendi i punës, udhëheqësi i auditimit të brendshëm. Por, për një komunë me një buxhet prej 200-300 mijë eurosh dhe një komunë me një buxhet prej 2-3 milionë eurosh, vëllimi i punës është i ndryshëm, por sipas ligjit ke obligim të punësosh dikë atje. Në Maqedoni shihet pjesa politike për përmbushjen e administratës komunale“, thotë burimi ynë, duke shtuar se me ligj janë të mbingarkuar me administratë edhe pse nuk ka nevojë për ta.

Për probleme të ngjashme ankohet edhe Arian Ibrahimi, kryetari i komunës Qendra Zhupë.

Unë nuk do të kisha nevojë për një kontabilist tipik i cili do të arkivojë një raport bankar në ditë”, thotë ai dhe shton se “është e kundërligjshme që një personi të tillë t’i japësh obligime shtesë ose t’i japësh plotësim të vendit të punës”. “Një kontabilist tipik për një raport bankar me 5 virmanë në ditë ka 15 minuta kohë efektive pune. Për këtë kontabilist duhet të punësoj edhe një auditor të autorizuar, kështu që duhet të ketë një departament tatimor me të paktën dy të punësuar“, thotë Ibrahimi.

Ai thotë se për shkak të këtyre obligimeve ligjore, në fund, kur do të shohësh gjendjen e të punësuarve, vetëm në departamentin e financave duhet të kesh 7-8 njerëz, sipas sistematizimit.

Ibrahimi ankohet se është shumë e vështirë të menaxhohet me një komunë që është e mbingarkuar me punësime ku nuk ka të ardhura.

Kam gjetur një sistematizim në një komunë me 65 punësime. Njeriu që e ka bërë këtë sistematizim, tani është gjyqtar në Gjykatën e Apelit. E pyeta, sipas cilës bazë e ke bërë këtë sistematizim? Ai ishte jurist dhe ma tha se sipas këtij ligji je i detyruar të punësosh, sipas një ligji tjetër po ashtu je i detyruar të punësosh, sipas një ligji të tretë je i detyruar të punësosh dhe kështu mblidhen 65 njerëz. Ai arsyetonte se deri më 70 për qind e vendeve të punës janë të parashikuara me ligj. Dhe prandaj shumë komuna në vend janë të bllokuara dhe kanë borxhe të mëdha“, thotë Ibrahim.

Situata është e ngjashme edhe në Komunën e Krivogashtanit.

Nga 70 vende, sa është paraparë në sistematizimin për Komunën e Krivogashtanit, ne kemi punësuar vetëm 30%. Punësojmë në bazë të aftësive tona financiare“, thotë Toni Zatkoski, Kryetari i Komunës së Krivogashtani.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)