Nëpërmjet skemave misterioze offshore deri në aksione të vlefshme dhe lokacione ekskluzive (Pjesa e tretë)

Аutor: Vllatko Stojanovski

Në listë janë mbi 400 kompani  në vendin tonë (bashkë)pronësi të subjekteve të huaja me  seli në juridiksione specifike, përveç firmave qtë lidhura me tajkunë, politikanë, të dënuar, madje edhe me parti, ka edhe kompani offshore misterioze me strukturë konspirative pronësore.  

Sipas të dhënave dhe dokumenteve zyrtare që i kemi siguruar prej disa organeve kompetente, ato në vitet e fundit kanë ndërruar shumë pronarë  të destinacioneve të ndryshme offshore, ndërsa njëkohësisht kanë realizuar të ardhura milionëshe, kanë tregtuar me pjesë dhe aksione të vlefshme dhe kanë krijuar pasuri atraktive të paluajtshme.

Në këtë drejtim, shembulli më eklatant është e mirënjohura “Exico”, e cili deri më tani ka ndërruar tre pronarë nga Belize, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara. Gjatë ekzistencës së saj dy dekadëshe në vendin tonë, kjo kompani e famshme me një pronar të panjohur ka bërë fitim milionësh.

Paralel me këtë ka përvetësuar me mijëra metra katrorë pasuri të patundshme në lokacione ekskluzive, të cilat i zotëron deri më sot. Asokohe, kompania ka poseduar edhe aksione në kompani të mëdha aksionare, të cilat më pas kaluan në pronësi të familjes Mijallkov.

Përveç “Exico”, në shumë rrjete të shitblerjes, tregtisë dhe biznesit në vendin tonë, ishte edhe “O.T.E. Invest”. Me kalimin e viteve, në strukturën pronësore të “O.T.E. Invest” ka kaluar edhe “Exico”, por edhe tre kompani të tjera offshore nga Panama, Albani dhe Belize.

Megjithatë, para a do kohe, “O.T.E. Invest” pushoi së ekzistuari pasi u shkri në një kompani tjetër, pronarët e së cilës kohët e fundit u bënë “TIM” e Pandeleskit dhe “ORKA” e Kamçevit, duke zënë vendin e KB “Pellagonia”.

Sipas informacioneve me të cilat disponojmë, nuk ka pothuajse asnjë biznesmen të madh që të mos ketë lidhje me një apo disa kompani offshore në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Para së gjithash, në këtë kontekst duhet të përmendim Minço Jordanovin, i cili lidhet me një kompani nga Ishujt e Virgjër Britanik.

Përveç kësaj, familja e Shterjo Nakovit, para do kohe e shiti njërën prej kompanive të shoqërisë nga juridiksioni elitar i Singaporit, pronar i së cilës, është një ish politkam. Në një kohë, në vendin tonë vepronte edhe një shoqëri nga Qiproja, e cila vihet në relacion me  Svetozar Janevskin.

Në kuadër të këtij seriali paraprakisht kemi publikuar dy histori për praninë e kompanive offshore (HISTORIA 1) dhe (HISTORIA 2), kurse në këtë pjesë të tretë zbulojmë se si përmes skemave të ndërthurura offshore, janë blerë dhe janë shitur pjesë dhe aksione të vlefshme në më shumë persona juridikë dhe njëkohësisht është përfituar pasuri e patundshme në Vodno të Shkupit, buzë Liqenit të Ohrit, deri në kufirin grek etj.  lokacione ekskluzive.

LIDHJA ÇEKE NDËRMJET MIJALLKOVIT DHE “EKSIKO”, SELI TË NJËJTË ME “MOBIKO”

Prej të gjitha kompanitë anonime offshore, më aktuale në publik ishte “Eksiko”, për shkak se ajo ishte e përfshirë në marrëveshje të shumta biznesi. Të dhënat nga Regjistri Qendror tregojnë se ajo është themeluar në vitin 2001 nga “Delta Investment LTD” me seli në Belize.

Por në vitin 2008 vjen deri te një ndryshim, kështu që pronar i ri bëhet “Calvus LLS” nga SHBA. Në vitin 2011, pronar i tretë dhe i fundit i kompanisë bëhet “TMJ Investment SA” nga Lugano, Zvicër. Gjatë gjithë periudhës, pandërprerë menaxher është Todor Mirçeski.

Bazuar në inspektimin që kemi kryer në portfolion e regjistrimit të kompanisë, rezulton se para institucioneve të Maqedonisë si “drejtor i parë” i pronarit të parë të “Exico” – “Delta Investment LTD”, paraqitet shtetasi çek Miroslav Havlik, i cili në të vërtetë fuqizon shtetas/avokatë maqedonas ta përfaqësojnë kompaninë në vendin tonë.

Së këndejmi, Havlik ka pasur relacione afariste me vëllezërit Sparavalo, të cilët nga ana tjetër kishin marrëdhënie biznesi me ish-shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov. Sipas regjistrit tregtar të Çekisë, Havlik dhe vëllezërit Vojislav Sparavalo dhe Dejan Sparavalo kanë qenë anëtarë të Bordit të Drejtorëve të “Credit Finance Group”, e themeluar me seli në Pragë në vitin 2000 për tregti, patundshmëri dhe këshillim.

Në të njëjtën kohë, vëllezërit Sparavalo kanë poseduar gjysmën (secili nga një çerek) të aksioneve në “Service Point MM” tashmë të likuiduar, ku 50 përqindët e mbetur i ka poseduar pikërisht Mijallkovi.

Më pak se një vit pas themelimit të “Exico”-s, në strukturën e saj të pronësisë hyn ish-drejtori operativ i “Telekom”-it, i ndjeri Zharko Lukovski. Më saktë, “Delta Investment LTD” nga Belize mbetet partneri dominant me 51%, por 49% të aksioneve ia transferon Lukovskit.

Në atë kohë, dmth. në fillim të vitit 2001, menaxher i kompanisë bëhet Nebojsha Stajkoviq, i cili, nga ana tjetër, vjen në një pozitë menaxheriale në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim në një kohë kur Mijalkov u bë drejtor.

Sidoqoftë, “Exico” e zhvendos selinë e saj në bulevardin “Aradhat partizane”, ku edhe sot e kësaj

dite ndodhet kompania për tregti me pajisje elektronike dhe telekomunikuese “Mobiko”.

Deri në vitin 2018, menaxher i kësaj kompanie ka qenë vëllai i të sipërpërmendurit Nebojsha Stajkoviq – Vladislav Stajkoviq, i cili gjithashtu zotëron kompaninë e konsulencës “NVSP” dhe kompaninë farmaceutike “Neokor Medika”.

Për më tepër, në të njëjtën adresë ka qenë e regjistruar edhe “Data Loging”, pronari dhe menaxheri i së cilës, para se të likuidohej, ishte i përmenduri Nebojsha Stajkoviq.

DIKUR PROFIT VJETOR PREJ 9 MILION EURO, NDËRSA TANI BORXH PËR TATIM DHE PAGA

Një vit pas ndërrimit të selisë, pronar i ri i “Exico”-s, në vend të “Delta Investment LTD” bëhet “Calvus LLS”, me seli në Albany, SHBA.

Në dokumentet zyrtare, si menaxherë të kësaj kompanie shfaqen Annie Jaap dhe Shane Charalambous, ndërsa në aktin themelues si themelues-nënshkrues ceket Janet M. Karuzio.

Kështu, në vitin 2011, “Exico” e fitoi pronarin e tretë, i cili e posedon kompaninë deri më sot. Ajo është kompania “TMJ Investment SA” me seli në Lugano, Zvicër, në emër të së cilës shfaqen Emilio Binda dhe Fabio Armati.

Në vendimin dhe kontratën për transfero të pjesës, si nënshkrues përsëri paraqitet Mirçevski. Në fakt, ai bëhet menaxher edhe pas të gjitha “ndryshimeve“ të pronësisë.

Lidhur me italianin Binda, duhet të theksohet se ai ka qenë drejtor i “Tasiga Corp” nga Panama, që e bleu kompaninë çeke “Mirtlanis“. Kjo kompani ishte në pronësi të Mijalkovit, i cili vendosi ta shiste atë pasi LSDM si opozitë në vitin 2013 e akuzoi atë se nuk e kishte raportuar atë në lsitën anketuese.

Momentalisht, sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, “Exico” aktualisht paraqitet si pronare e ndërmarrjes ndërtimore të themeluar në vitin 2012 “Bet Com Co”, ku partneri i dytë është biznesmeni Aleksandar Ivanovski.

Në të njëjtën kohë, Ivanovski, është bashkëpronar i “Divelop Group”, e cila e posedon hotelin “Marriott” në zemër të Shkupit, por edhe një tokë të vlefshme ndërtimore përskaj Liqenit të Ohrit, pranë “Inex Gorica”.

Me këtë rast, partneri i dytë në “Develop Group” është “Best Way Investment” në pronësi të djalit të Mijallkovit – Jordan Mijallkov.

Raportet financiare të “Exico”-s zbulojnë se kompania ka pasur një periudhë jashtëzakonisht produktive nga viti 2007 deri në vitin 2013, kur kompania ka gjeneruar të ardhura prej mbi 16 milion euro, ndërsa fitimi ka qenë 12.5 milion euro.

Në fund të kësaj periudhe, respektivisht në vitin 2013, ajo bën një fitim rekord prej gati 9 milion euro, duke përfunduar kështu në vendin e 14-të në listën e kompanive më të suksesshme.

Megjithatë, me kalimin e viteve aktiviteti i ndërmarrjes fillon të bjerë. Dhe, nëse deri në vitin 2018 “Exico” ka 13 të punësuar, në vitin 2019 bie në një punonjës, kur shënohet edhe një rënie drastike e të ardhurave.

Që nga viti 2016, kur ndërmarrja grumbullon të hyra prej 2.2 milion denarë, vazhdimisht shënon trend rënës, kështu që në vitin 2019 hyrjet arrijnë në vetëm 574 mijë denarë.

Se ndërmarrja ngadalë po shuhet, flet edhe informacioni nga Drejtoria e të Ardhurave Publike se kompania ka një borxh të maturuar prej 3.8 milion denarë në bazë të tatimit të papaguar mbi fitimin, si dhe plus  2.5 milion denarë për pagat dhe kontributet .

KOMPLEKSI NË VODNO ME ÇUKIQ, TOKË KAH GREQIA ME TERANOVA

Të dhënat që i siguruam nga Kadastra e Pasurive të Paluajtshme tregojnë se “Exico” posedon pasuri të paluajtshme në Vodno të Shkupit, që shtrihet në dy parcela kadastrale fqinje (2424/23 dhe 2424/24).

Bëhet fjalë për tokë ndërtimore me një sipërfaqe totale prej 1.636 metra katrorë, në të cilën është ndërtuar një objekt me dedikim B5-2 (hotele) dhe një objekt me dedikim A4-7 (banim i përkohshëm).

Në kuadër të këtyre dy objekteve, “Exico” përmes IL 16375 merr të drejtën e pronësisë mbi një sipërfaqe të brendshme prej 2.350 metra katrorë, ndërsa përmes IL 55344 ka para-shënjimin e një sipërfaqe të brendshme shtesë prej 781 metra katrorë.

Krahas “Exico”-s, 812 metra katrorë sipërfaqe të brendshme të këtyre objekteve, përmes IL 58087, i posedon kompania “Business Properties Investment” e avokatit Serjozha Markov.

Partneri i tij në shoqërinë e avokatisë “Çukiq dhe Markov” – Llazar Çukiq, ngaana tjetër, e posedon parcelën në afërsi të drejtpërdrejtë me numër (2424/21) me një sipërfaqe prej 648 metra katrorë, ku është ndërtuar një objekt prej 173 metrash katrorë.

Në lagjen më të afërt në Vodno, “Exico” përmes FP 58751 posedon një pjesë të një objekti tjetër. Ndodhet në KP 2424/28 me një sipërfaqe totale prej 1.605 metra katrorë.

Edhe këtu është ndërtuar një objekt me dedikim hotele, sipërfaqja e të cilit tejkalon  3.000 metra katrorë, prej të cilave “Exico” posedon 343 metra katrorë së bashku me “Ventil Trade International“, Jana Markova dhe Suzana Kotovçevska.

Më tutje, “Exico” përmes FP 56312 posedon tokë ndërtimore të pandërtuar në pyllin e Vodnos (1309/13), me një sipërfaqe totale prej 3.880 metra katrorë, ndërsa ndërmarrja përmes të njëjtës fletë-pronësi zotëron KP fqinje me nr. 1309/16 për dedikim pyje, sipërfaqja e së cilës është 634 metra katrorë.

Gjithashtu në dosjen pronësore të kompanisë hyjnë edhe apartamentet në objektin “Gorica” përskaj Liqenit të Ohrit ​​me sipërfaqe prej 179 metra katrorë, si dhe një tokë ndërtimore e pandërtuar me një sipërfaqe prej 322 metra katrorë në fshatin Radnja, në segmentin midis Demir Kapisë dhe Kavadarcit.

Sa i përket ndërmarrjes-bijë të “Exico” – “Betcom”, ajo zotëron tokë me një sipërfaqe prej 15.004 metra katrorë afër Gjevgjelisë në dalje nga shteti drejt kufirit me Greqinë.

Në të njëjtën kohë, kompania zotëron edhe një tokë tjetër ndërtimore të pandërtuar në parcela të ndryshme me një sipërfaqe totale prej rreth 3.500 metra katrorë.

TRANSFERIMI I AKSIONEVE NË KB “PELLAGONIJA” DHE “ZHITO-POLOG”

Më parë, “Exico” ka poseduar edhe aksione në KB “Pellagonija – Manastir”. Sipas informacioneve nga Depozituesi Qendror i Letrave me Vlerë, kompania hyn në strukturën pronësore së kombinatit në fund të vitit 2011, kur blen 10% të aksioneve.

Në të njëjtën kohë, në KB “Pellagonia” hyn “ORKA” e Orce Kamçevit (18%), si dhe “Timoh” e familjes së Cvetan Pandeleskit (9%), i cili përmes një kompanie tjetër – “CIP Product”, e posedon SHA “Pelisterka”.

Në atë periudhë të kalimit nga viti 2011 në vitin 2012, KB “Pellagonia”, respektivisht të punësuarit janë akoma aksionarë dominues me pronësi mbi 25 përqind të aksioneve, ndërsa  SHA “Zhito Pollog” nga Tetova zotëron 12 përqind.

Por me kalimin e viteve, bashkëpronarët e rinj kanë fituar më shumë aksione dhe kanë marrë kontrollin, kështu që hapi i parë i rëndësishëm në atë drejtim zhvillohet kah mesi i vitit 2012, kur “Exico”, “Timoh” dhe “ORKA” bëhen pronarë të nga 19.9 përqind të aksioneve .

Mirëpo, kah mesi i vitit 2014, në mesin e aksionarëve të KB “Pellagonia” të cilët posedojnë mbi 5% të aksioneve hyn edhe një kompani tjetër offshore – “O.T.E. Invest”, me 6% të aksioneve.

Gjatë vitit 2015, “O.T.E. Invest” rriti kapitalin e saj aksionar në 7%, të cilat në fund të të njëjtit vit kalojnë në pronësi të kompanisë “Sofija-Gradba”.

Kah mesi i vitit 2018, “Sofija-Gradba” arrin deri një total prej 22.6 përqind të aksioneve, ndërsa në të njëjtën kohë nga lista e aksionarëve zhduket “Exico”.

Lidhur me “OTE Invest”, në të njëjtën kohë kur hyn në KB “Pellagonija”, dmth. në vitin 2014, ngjitet edhe në listën e aksionarëve të “Zhito Pollog” të Tetovës, ku fillimisht posedonte 15.4 përqind të aksioneve.

Në fund të vitit të ardhshëm 2015, aksionet e kompanisë së huaj offshore në “Zhito Pollog” do të transferohen në “Sofija-Gradba”, njëlloj siç është rasti me KB “Pellagonija”.

Nëse “Sofija-Gradba” i mban të gjitha aksionet në KB “Pellagonija” deri më sot, në “Zhito Pollog” kah mesi i vitit 2016 bie nga 15 në 5 përqind, ndërsa 10 të tjerat shkuan te Nenad Josifoviq dhe Zllatko Piruze.

Prandaj, aksionet në KB “Pellagonija” dhe “Zhito Polog” të dy kompanive offshore – “Exico” dhe “O.T.E. Invest” kryesisht kalojnë në “Sofija-Gradba”, e cila këtë proces të marrjes përsipër e fillon në fund të vitit 2015, kurse e përfundon në mes të vitit 2018.

Në atë periudhë të ndërmjetme, respektivisht në mes të vitit 2017, “Sofija-Gradba” kalon në pronësi të “Best Way Investment” të familjes Mijallkov, pasi që pas  themelimit të saj në vitin 2011 ndërroi disa perosna fizikë si pronarë.

“O.T.E.” – RIEMËRTIM, MË PAS SHUARJE PËRMES BASHKIMIT

Përndryshe, “O.T.E. Invest” është themeluar në vitin 2006 me emrin “Pellagonija – Pollog” nga ana e KB “Pellagonija” dhe “Zhito Pollog”.

Historiati i ndryshimeve zbulon se në vitin 2012 partnerë të rinj në të atëhershmen “Pellagonija Pollog” bëhen “ORKA”, “Timoh”, si dhe i famshmi “Exico”.

Qysh në vitin e ardhshëm 2013, “Zhito Pollog” ia dorëzon pjesën e saj “Euro Land”-it (“Skopsko Pole” e stome, pronari i së cilës është KB “Pellagonia”), me çka “Euro Land” qysh në vitin 2014 del nga “Pellagonia Pollog”, së bashku me KB “Pellagonia”.

Historiati i ndryshimeve zbulon se në vitin 2012 partnerë të rinj në të atëhershmen “Pellagonija Pollog” bëhen “ORKA”, “Timoh”, si dhe i famshmi “Exico”.

Qysh në vitin e ardhshëm 2013, “Zhito Pollog” ia dorëzon pjesën e saj “Euro Land” (“Skopsko Pole” e stome, pronari i së cilës është KB “Pellagonia”), me çka “Euro Land” qysh në vitin 2014 del nga “Pellagonia Pollog”, së bashku me KB “Pellagonia”.

Gjatë këtij viti, 2014, “ORKA”, “Timoh” dhe “Exico” i shesin aksionet e kompanisë offshore kompanisë “Trainov Corporation”, dhe në të njëjtën kohë kompania riemërohet në “O.T.E. Invest”.

Dokumentet të cilat i posedojmë tregojnë se “Trainov Corporation” u themelua në vitin 2013 me seli në Panama, ndërsa si drejtorë dhe nëpunës formalë figurojnë Eftimula Hristofi, Antonios Lakotripis dhe Hristala Menelau, kurse si aksioner/pronar i vetëm përmendet “Treks Limited”.

Ndërkaq, si i autorizuar i kompanisë, emërohet avokati nga Shkupi Bogoljub Sofronievski.

Mirë ama, në vitin 2016, në vend të “Trainov Corp.”, përsëri pronarë të kompanisë bëhen “ORKA”, “Timoh” dhe “Exico”. Mirëpo, këta tre persona juridikë, shumë shpejt e braktisin kompaninë dhe në vend të tyre si ortak i vetëm kthehet KB “Pellagonia”, respektivisht (bashkë)pronari i parë i kompanisë.

Gjatë asaj periudhe, kompania shënon rënie të të hyrave prej mbi 500 milion denarë në v. 2013 dhe v. 2014, në 80 milion denarë në vitin 2015, ashtu që vitin 2016 e mbyll me pothuajse asnjë të ardhur dhe një deficit prej 5 milion denarë.

Në kushte të tilla, “O.T.E. Invest “në vitin 2017 pushoi së ekzistuari, respektivisht i bashkëngjitet një kompanie tjetër të quajtur “Complex Alexandria“, e cila kur është themeluar në vitin 2007ka mbajtur emrin “Iskra MM”.

Në vitin 2009, pronar i shoqërisë bëhet Cvetan Pandelevski, i cili në vitin 2011 e transferon hisen në “Consulting Group” Bllagoja Georgievit dhe përsëri “Exico”-ja e pashmangshme. Vetëm pak më vonë, vendin e “Consulting Group” e zë kompania offshore “Delegate LLC”, e regjistruar në Albany dhe Shtetet e Bashkuara në të njëjtin vit, 2011.

Në emër të kësaj kompanie, si menaxherë shfaqen Teano Kristofi dhe Niki Stilianu. Në Qipro, tek noteri Vrahimis Skordis, ata lidhin një rezolutë me të cilën si person i autorizuar në vendin tonë e caktojnë të përmendurin  paraprakisht Bogoljub Sofronievskin, i cili ishte person i autorizuar edhe për “Trainov Corporation”.

Prapëseprapë, vetëm disa muaj më vonë, aksionet e “Delegate LCC”, por edhe të “Exico”-s, i merr mbi vete një kompani tjetër offshore me seli në Belize – “Baziki Limited”, e cila kishte seli në të njëjtën adresë me “Iresine Limited”, ish pronar i “Republika”

HUAZIM MILIONËSH I TRANSFERUAR NË INVESTIMIN THEMELUES

Si drejtor i “Baziki Limited”, e themeluar në vitin 2011, shfaqet personi Hermioni Kenkin. Me një aktvendim të vërtetuar nga noteri qipriot i përmendur më sipër Skordis,  si person i autorizuar në vend edhe për këtë kompani, përsëri është emëruar Sofronievski.

Si aksionerë të barabartë në kompaninë, me pronësi të 3.000 aksioneve, figurojnë subjektet “Atnid Limited” dhe “Trex Limited”, ku këtë të dytën paraprakisht e përmendëm si pronar nominal i “Trainov Corporation”.

Megjithatë, në vitin 2012 edhe “Baziki Limited” është fshirë nga lista e pronarëve të “Iskra MM”, ndërsa në kompani sërish kthehet Pandelevski si person fizik, këtë herë së bashku edhe me “Zip Product” të tij.

Dy vjet më vonë, gjegjësisht në fillim të vitit 2014, pronar i kompanisë bëhet “O.T.E. Invest”.  Njëkohësisht, emri i subjektit nga “Iskra MM” ndryshohet në “Complex Alexandria”.

Pasi “O.T.E. Invest” është bë pronar i “Iskra MM”/”Complex Alexandria”, me një kontratë për hua kompanisë së tij-vajzë i ka dhënë një borxh prej 22 milion denarë, nga të cilat vetëm 30.000 denarë janë kthyen, ndërsa 99.9 përqind të tjerat nga mjetet e huazuara janë transformuar në investim themelues.

Dy vjet më vonë, respektivisht në vitin 2016, në vendin e “O.T.E. Invest” pronar i ri i “Complex Alexandria” bëhet KB “Pellagonia “, e cila për më shumë se 200 milion euro e merr mbi vete hisen me të njëjtën vlerë nominale.

Kah fundi i të njëjtit vit, 2015, në vendin e “O.T.E. Invest” pronari i ri i “Complx Alexandria” b;het KB “Pellagonija “.

Sipas Vendimit dhe Kontratës për transferim të pjesës, ky transaksion ka kushtuar mbi 4.7 milion euro, aq sa KB “Pellagonija” i ka paguar “O.T.E. Invest”-it për pjesën e saj në” Complex Alexandria” prej 3.4 milion euro.

Siç dihet, dhjetë vjet më parë, “Iskra MM” e atëhershme e udhëhequr nga Pandeleski bleu një pjesë të pronës në Keramidnica të “Fas 11 Tetori” për mbi 3 milion euro, duke njoftuar se do të ndërtonte një kompleks luksoz banimi. Deri më tani, një projekt i tillë ndërtimi nuk ka filluar ende dhe nuk ka njoftime se kur do të ndodhte një gjë e tillë.

Nga të dhënat nga Kadastri i Pasurive të Paluajtshme mund të shihet se “Complex Alexandria”, në suaza të komunës kadastrale të Gazi Babës, përmes FP 44691 zotëron tokë ndërtimore me një sipërfaqe totale prej 26.877 metra katrorë, në të cilën ka ndërtuar disa objekte me dedikim G2-1 – kapacitete më të vogla të prodhimit.

Po ashtu, ndërmarrja posedon objekte për të njëjtin dedikim me një sipërfaqe totale prej 14,182 metra katrorë në një komplot tjetër të madh ngjitur, ku toka është ende në pronësi të shtetit. 

Me një urdhër për përmbarim, në vitin 2018 është sekuestruar pjesa prej mbi 200 milion denarë të “KB Pellagonia” në “Kompleksin Aleksandria” në favor të disa kreditorëve, ndër të cilët “NLB Tututnska Banka” dhe “Komercijalna Banka“, si dhe kompania ndërtimore nga Manastiri “Stenton-Gradba”.

Në çdo rast, KB “Pellagonia”  të njëjtin vit nxori në shtije “Kompleksin Aleksandria” për një çmim prej mbi 10 milion euro, për këtë periudhë Kuvendi i shoqërisë aksionare përfundimisht të miratojë shitjen e “ORKA”-s të Kamçevit dhe të “TIM”-it të Pandelevskit.

“REPRO ONE” NË “BETON”, “DUFERKO SKOP” NË “MAKSTIL”

Përveç në “KB Pellagonia” dhe “Zhito Pollog”, kompani offshore kanë qenë ose ende janë  të pranishme edhe në shoqëritë tjera të mëdha aksionare, të cilat sillen në realcion me biznesmenë të tjerë të mëdhenj në vendin tonë.

I tillë është rasti me rrjetin e ndërmarrjeve të krijuara pas ristrukturimit dhe privatizimit të gjigandit “Minierat dhe Hekurishtja“, të cilat në publik perceptohen dhe prezantohen si kompani të biznesmenit Minço Jordanov, megjithëse emri i tij rallë gjendet në letër.

Konkretisht, në këtë grupacion hyn shoqëria për prodhimin e konstruksioneve dhe pjesëve  metalike “Fakom“, e cila është pothuajse tërësisht në pronësi të “Repro One Limited”, një kompani offshore me seli në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Njëherit, “Repro One Limited” është aksioneri më i madh në ndërmarrjen ndërtimore “IBeton-Shkup” ku Jordanov është anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të drejtorëve së bashku me bijat e tija Ana Jordanova dhe Natasha Jordanova-Maurovska, ndërsa dhëndri i tij Goran Maurovski është drejtor gjeneral.

Më saktë, kompania e BDI-së posedon 22,2 përqind të aksioneve në “Beton-Shkup“. Dy kompani tjera offshore – “Аroucrest Limited“ dhe “Wallace Trading Corp”, posedojnë 19,9, respektivisht 21,3 përqind të aksioneve.

Në një kohë, “Repro One Limited” zotëronte një kapital aksionar në kompaninë e shkrirjes së çelikut “Makstil”, ku deri vonë Jordanov ishte anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve.

Respektivisht në vitin 2006, aksioneri më i madh në “Makstil” ishte “Duferko Skop Investment Limited” me 62% të aksioneve, gjatë të njëjtit vit, në kompani hyn edhe “Repro One Limited”, e cila deri në vitin 2009 kishte siguruar rreth 20 përqind të aksioneve.  

Mirë ama, këto aksione deri në fund të vitit kalojnë në një kompani tjetër offshore – “Minyork Overseas Inc”. Kjo kompani, nga ana tjetër, në fillim të vitit 2015 ia shet/ ia lë aksionet kompanisë “Duferko Skop Ltd” nga Qiproja, e cila sot është aksioneri më i madh me 81,7%, që do të thotë se i ka marrë mbi vete edhe ato 62% të aksioneve të “Duferko Skop Investment Limited”.

Pjesa e mbetur diç më pak se 20 përqind e kapitalit aksionar është shpërndarë në 6 kompani të tjera dhe mbi 5 mijë persona fizikë. Por asnjë prej tyre nuk zotëron më shumë se 5% të aksioneve, që do të thotë se identiteti i tyre nuk paraqet informacion publik.

VETËM NJË PARCELË KA MBI 12 MIJË METRA KATRORË

Përveç që posedon aksione në në “Fakom”, “Beton Shkupi”, “Minierat dhe Hekurishtja – Instituti”, ndërsa më herët ka poseduar aksione edhe në “Makstil”, “Repro One Limited” paraqitet edhe si pronar i disa shoqërive me përgjegjësi të kufizuar.

Ndër të tjera, kjo kompani offshore nga Ishujt e Virgjër Birtanikë e posedon edhe shoqërinë për ndërmjetësim “Permindeks”.

Si menaxher i kësaj kompanie paraqitet Nikolla Derebanov, i cili njëherit është anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve edhe të SHA për kultivimin ee rrushit “Vardar”, ku “Viridi Invest” i tij posedon 76% të aksioneve, ndërsa 23% i posedon “Repro One Limited”.

Ndër të tjera, kompania nga IVB e posedon edhe shoqërinë për qiradhënie dhe shitje të pronës së paluajtshme “Repro 21”, e cila sipas të dhënave zyrtare deri tek të cilat erdhëm, posedon një pasuri shumë të madhe të prezantuar përmes 13 fletë-pronësive.

Në kuadër të kësaj  prone hyjnë mbi 200 metra katrorë në kompleksin banesor-afarist “Porta Bunjakovec” dhe mbi 80 metra katrorë në “Murin e Qytetit”, përballë “Pishinës Olimpike”.

Më tej, kjo kompani posedon tokë ndërtimore prej mbi 2.500 metra katrorë në Vodnjanska, shumë pranë shkollës “Koço Racin”, si dhe apartamente me një sipërfaqe totale prej 845 metra katrorë në një nga komplekset e fundit banesore-hoteliere në pyll-park.

Gjithashtu, “Repro 21” është pronar i një parcele të madhe në lagjen Hrkurana të Shkupit me një sipërfaqe prej 12,141 metra katrorë, dedikimi i së cilës tani për tani është pylli.

Në afërsi të kësaj parcele, ekziston një objekt biznesor në të cilin e njëjta kompani posedon një hapësirë ​​biznesi prej gjithsej 1.635 metra katrorë.

Kompania posedon gjithashtu një hapësirë ​​biznesi në qendrën tregtare në lagjen prej 150 metrash katrorë.

Dokumentacioni me të cilin disponojmë  kompaninë-nënë të këtyre shoqërive – “Repro One Limited”, zbulon se ajo është themeluar në tetor të vitit 1999 sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare Ndërkombëtare të IVB.

Fillimisht, shoqëria është përfaqësuar nga Shona Lewis White, e cila menjëherë e ka autorizuar Minço Jordanovin të ishte një përfaqësues i vërtetë dhe ligjor i kompanisë.

Megjithatë, si person fizik, Jordanov paraqitet vetëm si pronar i kompanisë me një emër të ngjashëm “Repro Trust” për çëshjte kontabiliteti dhe revizioni, dhe si bashkëpronar i “Luminari Media” për prodhim të filmave dhe programeve.

Poashtu posedon thuajse 19 përqind të aksioneve në shoqërinë për transportit rrugor të mallrave “RZH Intertransped”

INVESTIM I SINGAPORIT NË KANTINËN E VERËS “STOBI”

Lista e gjatë “Repro One Limited” përfshin gazetat “Nova Makedonija” dhe “Kapital”, si dhe kantinën e verës “Stobi”, ku Minço Jordanov dhe Ana Jordanova janë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës.

Ashtu si shumica e kompanive të tjera që janë pjesë e këtij kompleksi të ndërmarrjeve të ndërlidhura, edhe “Stobi” operon me humbje prej rreth 100 milion denarë në 5 vitet e fundit, megjithëse gjeneron të ardhura prej mbi 300 milion denarë.

Përveç “Stobi”-t, edhe një tjetër kantinë e njohur vere paraqet bashkim midis një oligarku vendas dhe një kompanie offshore. Bëhet fjalë për kantinën e verës “Skovin”, e cila ishte në pronësi të shoqërisë për transportin e mallrave “Fershped”, ku familja e biznesmenit Shterjo Nakov ka pjesë dominuese.

Por, në fund të vitit 2019, “Fershped” vendosi të shesë asetet, rezervat dhe brednet e “Skovin”-it për rreth 3.5 milion dollarë një kompanie nga Singapori. Epilogu i këtillë pason pasi “Skovin”-i në vitin e kaluar 2018 ka gjeneruar humbje prej 117 milion denarë.

Në një situatë të tillë, pronën e verarisë e bleu ndërmarrja “Grupi Veraria Skovin” nga Shkupi, pronari i së cilës është “Balkan Holding PTE” me seli në shtetin prestigjioz offshore, Singapor. Së pari, menaxher i kompanisë ishte Zvonko Pejçiq, por më vonë ai u zëvendësua nga drejtori i sotëm Aleksandar Trençevski.

Sa i përket markave tregtare, gjegjësisht 20 brendeve të verës dhe alkoolit të fortë që tani i prodhon “Skovin”-i, ato ia kalojnë “Siak PTE LTD”, gjithashtu nga Singapori.

Në këtë mënyrë, bosët e rinj jo vetëm që morën përsipër bizneset dhe rezervat e verës, por gjithashtu fituan një sasi të madhe të pasurive të patundshme. Sipas Kadastrës së Pasurive të Patundshme, “Skovin”-i, respektivisht “Grupi Veraria Skovin” më së shumti pronë në Maxhari.

Pra së gjithash, bëhet fjalë për tokë ndërtimore me një sipërfaqe prej mbi 15.000 metra katrorë, obejkte afariste dhe pjesë të objekteve me një sipërfaqe prej mbi 5.000 metra katrorë, si dhe një rezervuar mbitokësor me vëllim prej 200 metra kub.

Kontrollet që kemi kryer zbulojnë se “Balkan Holdings PTE LTD” është regjistruar në të njohurin “Ocean Financial Center”. Me këtë rast, pronësia është shprehur përmes një kapitali aksionar të 2 aksioneve në pronësi të shtetasve Singaporian.

I pari është Sin Boon Ann, një ish deputet nga Singapori i cili tani është zëvendës drejtor në një nga firmat kryesore të shërbimeve financiare, këshilluese dhe juridike “Drew & Napier”. I dyti është Lim Thien Su Gerald, emri i të cilit haset si drejtor i korporatës “HI-P”.

“BRUTRADE” E QIPROS, “BIRRARIA E SHKUPIT” DHE “TIKVESH”

Edhe një biznesmen i madh maqedonas që mund të ndërlidhet me një kompani offshore është Svetozar Janevski, i njohur si Sveto Pivara prë shkak të asaj se ai ishte njeriu i parë i “Skopska Pivara“.

Por ai dhe familja e tij, që moti nuk janë pjesë e kësaj kompanie, por kohëve të fundit kryesisht veprojnë në sektorin e prodhimit të verës.

Në Registrin Qendror të Letrave me Vlerë, të dhëna për Skopska Pivara ka nga qershori i vitit 2010, kur dy kompani nga Qiproja posedojnë pjesën më të madhe të aksioneve të shoqërisë.

Ato janë “Brutek” dhe “Brutrade”, të cilat kanë poseduar 55%, respektivisht 23% të aksioneve, kurse aksioneri i tretë sipas madhësisë me 17% posedim ka qenë grupi “M-6 Svetllana dhe të tjerët“, e lidhur me Janevskin dhe familjen e tij.

Kështu është situata deri në fund të vitit të ardhshëm 2011, prej kur të dhënat për kompaninë nuk publikohen më, që do të thotë se ajo nuk është më e listuar në bursë dhe nuk ka detyrime të veçanta.

Në fakt, kjo përkon me periudhën e shitjes së fundit të madhe, gjatë së cilës kompania e njohur Hollandeze “Heineken” së bashku me “Kola Kola Helenik” e bleu “Skopska Pivara”-n për rreth 80 milion euro, duke fituar një kapital total aksionar prej mbi 95% .

Në kontekstin e këtij transaksioni, në arkivat e mediave mund të gjenden tekste me tituj të tillë si “Svetoja nuk është më birrari”, në tëv cilat shkruhet se “Heineken” dhe “Kola Kola” së pari në vitin 1998 fituan 55.3% të aksioneve në “Skopka Pivara”, kurse në vitin 2011 kanë blerë edhe 40% të aksioneve.

Së këndejmi, ato 53 përqindët që kompanitë e huaja tashmë i posedonin  korrespondojnë me aksionet që deri atëherë i ka poseduar kompania “Brutek”, ndërsa ato 40 përqind që i blenë korrespondojnë me shumën e aksioneve që i kanë poseduar “Brutrade” dhe Grupacioni “M6”.

Për më tepër, për lidhjen midis “Brutrade” dhe MG 6, respektivisht Janevskin, dëshmohet nga një publikim që e gjetëm në një Gazetën Zyrtare të vitit 2007.

Në të theksohet se kompania qipriote ka vendosur aksione në “Skopska Pivara” si hipotekë për të siguruar një kërkesë monetare prej 5 milion euro nga banka zvicerane “LB Interfinance” në favor të “Kantinës së Birrës Tikvesh”.

Ndërkaq KV “Tikvesh” është në posedim dominues të grupacionit  “M6” ku pjesën më të madhe e zotëron “M-6 EDEN” në pronësi të fëmijëve të Janevskit – Kirillo Janevski, Dragana Janevska dhe Jane Janevski.

JOTRANSPARENCA I FORCON DYSHIMET  

Në suaza të serialit kushtuar kompanive offshore në vend, në kontekstin e rregullativës ligjore që parashikon regjistrimin e pronarëve të vërtetë në një regjistër të veçantë, zbatimi i të cilit filloi me dy vjet vonesë, tashmë publikuam se në strukturën pronësore të 408 ndërmarrjeve në vend, shfaqen subjekte të tjera juridike në 28 shtete të huaja, të cilat konsiderohen si juridiksione specifike.

Gjegjësisht, në historinë e parë zbardhëm se më shumë se gjysma e kompanive offshore në vendin tonë kanë pronarë nga 3 shtete evropiane me elementë offshore – Hollanda (102), Zvicra (92) dhe Qiproja (66). Pas tyre vijojnë edhe juridiksione të tjera specifike evropiane si Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta, si dhe zonat klasike offshore në Azi dhe Atlantik – Delavere, Ishujt e Vorgjër Britanikë, Panamaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kongu …

Pastaj, në historinë e dytë zbuluam se midis tyre ka grupacione të renomuara të huaja dhe ndërkombëtare, kompani me kapital të përzier, kompani të lidhura me biznesmenë lokalë dhe rajonalë. Së këndejmi, një pjesë e tyre lidhen edhe me biznesmenë të kontrovres vendas, ndërmjet të cilëve ka edhe persona të dënuar. Të tjerët lidhen me ish zyrtarë dhe zyrtarë aktualë politikë,  madje edhe me parti.

Për nevojat e hulumtimit, rrumbullakuar me këtë histori të tretë, iu drejtuam pothuajse të gjitha subjekteve kryesore që ishin subjekt i përpunimit, me pyetjen kush është pronari i tyre përfundimtar, për çfarë qëllimi u formuan, pse biznesmenët vendas vendosin të veprojnë me kompani të huaja offshore?

Megjithatë, nuk morëm asnjë përgjigje, gjë që vetëm i përforcon dyshimet se ato shërbejnë si një mbulesë për të fshehur pronësinë dhe origjinën e kapitalit, por edhe si një instrument për transferimin dhe transformimin e kapitalit.

Kjo histori hulumtuese është përpiluar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)