“Katastrofë, askush nuk punon asgjë.”
“Shëtitin si pallonj dhe nuk kryejnë asnjë punë. Mos bëre asgjë në punë dhe merr pagë”
Kjo është vetëm një nga atributet negative me të cilat qytetarët e dinë ta përshkruajnë administratën komunale në Maqedoni. Arsyet e këtij trendi në vetëqeverisjet lokale qytetarët i shohin në partizimin e punësimeve:
“Kriteri është që të kesh një mik të mirë apo një librezë partiake të VMRO-së dhe ajo është ajo. Atje do të të pranojnë, ndërsa të tjerët që nuk e kanë atë, nuk do t’i pranojnë. Nuses sime i thonë të sjellë një librezë të tillë partiake që ta pranojnë”, thotë një qytetar i Shkupit.
“Nëse voton, për shembull që Stevçe përsëri të zgjidhet kryetar komune, do të të punësojë, nëse jo asgjë”, thotë një qytetar i Karposhit.
“Ai i cili merret me politikë, ai i cili është adhurues i Menduh Thaçit apo Ali Ahmetit, dhe veçanërisht ata të cilët janë afër Gruevskit, do të jenë në punë. Ata që janë afër Gruevskit janë të punësuar, përndryshe ti nëse ke diplomë, por nuk interesohesh për partitë, për ty nuk ka punë”, thotë një qytetar i Tetovës.
Një mendim të ngjashëm kanë edhe ekspertët. Ata mendojnë se gjithçka është vënë në funksion të interesave të ngushtë partiakë.
“Unë nuk e di nëse ka punësime të tjera, përveç punësimeve partiake. Unë mendoj se ata janë punësuar më shumë si militantë partiakë nëpër shtabet e tyre dhe janë gjithmonë në dispozicion të tyre, dhe nëse mund të thuhet se punojnë diçka, ajo punë është për partinë, kuptohet”, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Në të njëjtën vijë është edhe profesoresha e universitetit të Shkupit, Aleksandra Maksimovska.
“Unë mendoj se në Maqedoni sot ka politikë në të gjitha punësimet”, thotë ajo.
Në dhjetë vitet e fundit, numri i të punësuarve në komunat është rritur për dy herë e gjysmë. Këtë e tregojnë të dhënat e Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedonia dhe të ekipit hulumtues të “Nga afër”. Sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, kemi kërkuar të dhëna për të gjitha komunat, kurse kemi marrë përgjigje nga 50 vetëqeverisje lokale.
Në komunat të cilat i kemi përpunuar jetojnë një milion e 200 mijë njerëz.
Në vitin 2005, në këto komuna kanë punuar 1.524 të punësuar, në vitin 2008 numri rritet në 1.900 që në vitin 2009 të rritet në 2.400. Në vitin 2012 ka pasur 3.200 të punësuar, ndërsa në vitin 2014 kjo shifër rritet në 3.500.
Nga ana tjetër, qytetarët thonë se me rritjen e numrit të të punësuarve, shërbimet e administratës komunale nuk janë përmirësuar fare.
“Asgjë nuk është përmirësuar. Në kohën Tonë me një administratë më të vogël në Socializmin, punët zgjidheshin më mirë. Mbipunësimi nuk jep rezultate, gjegjësisht rezultate pozitive”, thotë një qytetar i Shkupit.
Komunat Tearcë, Dollnen dhe Rankoc në dhjetë vitet e fundit kanë rritur numrin e të punësuarve për pesë ose gjashtë herë.
Nga komunat dhe qytetet më të mëdha, Tetova, Aerodromi dhe Shtipi janë vetëqeverisjet lokale në të cilat janë pranuar më shumë punonjës të rinj.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka refuzuar të prononcohet për këtë çështje. Por, prandaj për situatën në komunë me ne haptas bisedonin qytetarët e Tetovës:
“Unë personalisht nuk jam aq i kënaqur. Me aq sa unë kam pasur punë atje, shkon shumë vështirë. Atje ka burokraci. I mbajnë dokumentet shumë, eja sot, eja nesër”.
“Do të përfundosh punën, por pak më vështirë. Do të presësh pak, do të presësh prapa derës, do të vijë ora 3 dhe do të të thonë të vish nesër”.
“Kur shkoj atje më thonë ti nuk ke bërë kërkesë. A unë mund t’i gënjej si plak që jam. Isha 2 orë duke qëndruar në këmbë në komunë për t’i dorëzuar dokumentet”
Nga 50 komunat që kemi analizuar, më shumë të punësuar, sipas numrit të banorëve, ka komuna Makedonski Brod. Për çdo 102 banorë, ka nga një nëpunës administrativ në komunë. Komuna e Novacit për çdo 122 persona ka nga një nëpunës administrativ, Komuna e Rankocit 133, kurse Komuna e Karposhit 138 banorë për 1 punonjës.
Qytetarët e Makedoniski Brodit pranojnë se mbipunësimi është shumë i madh:
“Këta 70 persona janë të punësuar në 3-4 vitet e fundit. Gjatë 3-4 viteve të fundit janë punësuar dyfish më shumë. Ajo është shumë tepër. Në një ministri ka nga 5-6 persona të punësuar”.
“Në këtë krizë për vende pune nuk është një gjë e keqe nëse punësohen të rinjtë”.
“Është shumë bukur që të punësohen njerëzit, veçanërisht të rinjtë”
Kryetari i komunës së Makedonski Brodit, Millosim Vojeski, me shpjegimin e tij për situatën me punësimet në komunë. Thotë se administrata e tij u shërben edhe 6 komunave tjera.
“Në vetëqeverisjen lokale janë punësuar rrugorë, kopshtarë lokalë. Në komunat e tjera, ajo është zgjedhur nëpërmjet ndërmarrjeve publike, megjithatë këtu janë punësuar në vetëqeverisjen lokale. Komuna e Makedonski Brodit me administratën e saj shërben edhe 6 vetëqeverisje lokale”, thotë Vojneski.
Harta zgjedhore e Maqedonisë tregon se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja qeverisin me 71 nga gjithsej 80 komuna. Rritja e numrit të të punësuarve në komunat për qëllime partiake që nga viti 2006 deri në vitin 2015 i kushtojnë qytetarët më shumë se 2 milionë euro në muaj, apo rreth 25 milionë euro në vit.
Sipas ekonomistëve, kostot për punësimet e këtilla të panevojshme janë edhe më të mëdha.
“Ka një keqkuptim të vogël se gjithmonë llogariten vetëm pagat dhe zakonisht kryetarët e komunave dalin me një arsyetim se pagat nuk janë aq të larta. Megjithatë, duhet të sigurohet hapësirë për atë punonjës. Hapësira kushton shumë më tepër sesa pagat. 6 muaj duhet ta ngrohim atë punonjës, pastaj 6 muaj duhet të ftohim, pastaj t’i ziejmë kafe atij. Pastaj, për dikë prej tyre duhet të paguhen shpenzimet e udhëtimit. Nuk jetojnë në atë komunë, por nëpërmjet partisë janë punësuar në atë komunë. As janë ekspertë, as janë të pazëvendësueshëm”, thotë Zoran Vitanov, ekspert i ekonomisë dhe ish zv/ministër i ekonomisë.
Në Raportin e fundit të Progresit të BE-së, i cili u publikua kohët e fundit, theksohet se “vazhdon të dëmtohet punësimi në bazë të meritave dhe se plotësisht është zvogëluar mirëbesimi i opinionit në funksionimin e institucioneve”. Qytetarët thonë se ata e paguajnë çmimin e mbipunësimit:
“Parat te mëdha të cilat i jep populli”.
“Nga populli pritet në çdo kuptim të fjalës, por nëse secili ka për t’i ndarë ato para, është një çështje për të menduar. Me 10.000 denarë të ndash 1.000 denarë dhe kostot për energji, ujë dhe kostot e tjera, për ushqim, ajo megjithatë është tepër”.
“E gjithë kjo bie mbi kurrizin tonë. E gjithë administrata është në kurrizin e qytetarëve”
Ekspertët janë të qartë – pasojat e politikave të këtilla ndikojnë negativisht për zhvillimin e komunave:
“Pjesa më e madhe e njësive të vetëqeverisjes lokale do të rezultojë me mundësi më të vogla të zhvillimit, me mundësi të zvogëluara për investime kapitale, sepse një pjesë e mirë e buxhetit shkon për rroga. Inovativiteti është i kufizuar dhe në shkallë më të ulët në atë njësi të vetëqeverisjes lokale”, thotë Jane Vërteski, konsultant për zhvillim ekonomik.
Profesoresha Maksimovska thotë se mbipunësimi i komunave i bën ato joefikase në raport me qytetarët, të cilëve duhet tu shërbejnë.
“Në disa komuna ka një mbipunësim të madh dhe është treguar se në disa komuna kur ishin momentet kyçe për mbrojtjen e mjedisit, për ndërmarrjen e projekteve për të aplikuar në fondet evropiane, atje ku është dashur të tregohet se i kanë fondet, u tregua se nuk i kanë të njëjtat, sepse ato kanë shkuar për pagat. Kur do të punësoni dikë, ju duhet ta paguani pagën e tij. Dhe kujt i është bërë një shërbim të keq, qytetarëve, dhe më shumë komunës. Më shumë humbin ata që nuk janë të punësuar në komunën, kurse presin për mallra dhe shërbime nga ajo. Ata nuk kanë asnjë punonjës në komunë, kurse nuk ka kush t’i mbrojë nga përmbytjet, nuk ka kush t’i mbrojë nga rrugët e bllokuara ose t’u japë informacion kur do të paraqiten në telefon, sepse nuk ka mjete. Në qoftë se e shpenzoni buxhetin për paga, automatikisht nuk keni para për projektet e zhvillimit”, thotë Maksimovska.
Asnjë parti politike në 25 vitet e fundit as nuk ka bërë përpjekje për t’i nxjerrë kthetrat nga komunat. Në të gjitha zgjedhjet premtohet se do të ketë një administratë të shpejtë dhe efikase komunale, por në vend të kësaj fitojmë vetëm punësime të reja dhe të tepërta. Komunat janë shndërruar në çerdhe partiake. Deri kur?