NË VEND TË LUKSIT ME AUTOMJETE ZYRTARE – UJË TË PIJSHËM NË ÇDO SHTËPI


DOCUMETATION


Autorë: Bjanka Stankoviq

               Angella Petrovska

               Angella Rajçevska

 

Komunat shpenzojnë sasi të mëdha parash për karburante dhe mirëmbajtjen e automjeteve të tyre zyrtare. Këto harxhime të mëdha për karburante gjithashtu reflektohen edhe mbi buxhetin e komunave.

Ekipi i SCOOP-it ka dërguar Kërkesa për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik deri te gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë.

Nga kompetentët u kërkuan informacione për atë se sa janë shumat e shpenzuara për karburante në nivel vjetor për pesë vitet e fundit, nga viti 2012 deri në vitin 2016, shumat dhe emrat e kompanive me të cilat është lidhur kontratë për karburante, po edhe të kompanive me të cilat është lidhur kontratë për servisim, si dhe shumat e të njëjtave.

Karburantet e harxhuara shpesh nuk përputhen me kilometrat e kaluar të funksionarëve lokalë. A kanë harxhuar realisht udhëheqjet e komunave ato karburante ose bëhet fjalë për fatura fiktive?

Qyteti i Shkupit, si një nga komunat më të mëdha në Republikën e Maqedonisë, ka një flotë prej 39 automjeteve. Komuna në pesë vitet e fundit ka shpenzuar mbi 6 milionë denarë për karburante. Për këto shërbime qytetarët ndajnë nga xhepat e tyre. Përkatësisht, çdo banor i Qytetit të Shkupit, në 5 vitet e kaluara ka paguar nga 3.9141 denarë për karburante dhe për servisimin e automjeteve zyrtare të burokracisë së qytetit.

Gostivar, megjithatë, për karburantin që e përdor komuna, qytetarët në pesë vitet e fundit kanë ndarë nga 925 denarë.

Qendra Zhupa, komuna e cila ka rreth 6.000 banorësh, për karburante në pesë vitet e fundit ka paguar mbi 18 mijë euro, ku çdo banor ka paguar nga rreth 500 denarësh. Një shumë të ngjashme kanë paguar edhe qytetarët e Zërnocit dhe Radovishit. Ndërsa, qytetarët e komunës së Haraçinës kanë paguar diçka më pak, gjegjësisht rreth 460 denarësh.

 

KOMUNË ME 18 AUTOMJETE ZYRTARE

Komuna e Koçanit mund të lavdërohet me flotën e saj të madhe të automjeteve e cila numëron 18 automjete, 8 më shumë se komuna më e pasur e Shkupit, Komuna Qendër.

Llozova, një komunë e vogël me një popullatë prej 2.858 banorësh, të cilët për automjetin e tyre të vetëm zyrtar kanë ndarë mesatarisht nga 589 denarë për banor, përkatësisht nga arka komunale vetëm për këtë automjet të vetëm për pesë vjet janë harxhuar madje 416.818 denarë ose përafërsisht 7.000 euro.    

 

KOMUNA E KOÇANIT “MË E SHTRENJTË” SE KOMUNA QENDËR PËR KARBURANTET E AUTOMJETEVE ZYRTARE

 

Komuna e Koçanit, me një flotë prej 18 automjeteve, për pesë vjet ka harxhuar mbi 50 mijë litra karburante, për të cilat komuna ka paguar mbi 3 milion denarë. Me kusht që harxhimi mesatar i karburanteve të automjeteve të jetë 8 litra në 100 kilometra, atëherë rezulton se automjetet e komunës kanë kaluar rreth 620 mijë kilometrash ose çdo automjet nga rreth 35 mijë kilometrash veç e veç. Kjo është e njëjtë sikur secili prej automjeteve të ketë udhëtuar rreth 17 herë nga Koçani deri në Berlin.

Qytetarët e Koçanit për këto shërbime në komunë për pesë vjet kanë paguar nga 961 denarë, për dallim nga qytetarët e Komunës së Qendrës, të cilët kanë dhënë nga 825 denarë.

Ndërkohë, Komuna Qendër për pesë vitet e fundit ka shpenzuar mbi 68 mijë litra karburante dhe për të njëjtat ka paguar mbi 4 milionë denarë. Me këto karburante automjetet e komunës kanë kaluar rreth 850 mijë kilometrash, ose çdo automjet nga 85 mijë kilometra veç e veç.

Rreth 17 mijë qytetarësh në Dellçevë, për tetë automjetet zyrtare të komunës në pesë vitet e fundit për karburante kanë paguar nga 448 denarë. Për 12 automjetet zyrtare në Kriva Pallankë, janë shpenzuar rreth 90 mijë litrash karburante për të cilat komuna ka ndarë 91 mijë euro.

Pak më shumë kanë harxhuar qytetarët e Llozovës, edhe pse është një komunë e vogël me popullatë prej 2.858 banorësh. Ata për automjetin e tyre të vetëm zyrtar në pesë vitet e fundit kanë ndarë nga 589 denarë.

Komuna e Radovishit, në pesë vitet e fundit për karburante ka paguar rreth 30 mijë eurosh.

Për numrin shumë të madh të automjeteve zyrtare tregojnë edhe dallimet në komunat me madhësi të njëjtë ose të ngjashme, që kanë një numër të ndryshëm të automjeteve zyrtare.

 

KEQPËRDORIMI I AUTORIZIMEVE ZYRTARE

 

Në prill të këtij viti, në mediat u publikua lajmi për katër kallëzimet penale kundër kryetarit të komunës së Makedonski Brodit, Millosim Vojneski.

Përveç kallëzimeve të tjera, si akuza për tenderë të kundërligjshëm për transportin e nxënësve, për dhënien e naftës për pastrimin e kanaleve lokale dhe të ngjashme, Vojneski është akuzuar edhe se ka lejuar që të harxhohet karburanti për qëllime zyrtare dhe private, pa pasur kurrfarë evidence.

Ekipi hulumtues i SCOOP-it ka dërguar një kërkesë për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik edhe në këtë komunë. Kemi parashtruar pyetje për përdorimin e karburantit, harxhimin, kompanitë si dhe për llojin e karburantit, por edhe për servisimin e automjeteve. Prej atje kompetentët u përgjigjën se për shkak të procedurës penale që po kryhet aktualisht, ata nuk janë në gjendje t’i dërgojnë informacionet e kërkuara për shkak se dokumentet e tyre janë në polici. Na njoftuan se pas përfundimit të procedurës do të na dërgojnë të njëjtat. Ne gjithashtu kërkuam edhe deklaratë nga kryetari i komunës. Në një bisedë telefonike ai tha se e gjithë kjo punë është kurdisur, gjegjësisht se kallëzimet penale dhe gjërat të cilat shkruheshin në portalet, janë me tendencë:

“Dikush i cili dëshiron të vijë në vendin tim, përkatësisht dëshiron të jetë kryetar komune, me sa duket nuk mundet dhe prandaj provon në çdo mënyrë të bëjë atë”, deklaroi Vojneski.

internet portalet u publikua edhe lajmi për kryetarin e Komunës së Shtipit, Illço Zahariev, automjeti zyrtar i të cilit është fotografuar në fshatin e lindjes të kryetarit të komunës, Zvegor.

Thuhet se Zahariev me automjetin që është në pronësi të komunës, ka shkuar për drekë në fshatin afër Shqipit.

 

“OSE KANË PUNUAR SHUMË OSE AUTOMJETET JANË PËRDORUR PËR QËLLIME PRIVATE”

 

Ekonomisti Zoran Vitanov për numrin shumë të madh të automjeteve zyrtare të komunave përmend dy arsye të mundshme. Njëra arsye është se të punësuarit me të vërtetë kanë punuar shumë dhe se edhe rezultatet e tregojnë atë. E dyta është që automjetet zyrtare janë përdorur për qëllime të tjera, për qëllime private dhe të partisë:

Zoran Vitanov

,,Unë mendoj se sipas rezultateve që janë arritur dhe të cilat i shohim në ato komuna, del se nuk ka nevojë për kaq shumë automjete që ata të punojnë mirë. Është thjesht keqpërdorim“.

Ish kryetari i komunës së Karposhit, Andrej Petrov thotë se çdo komunë ka nevojë për automjete, por numri i tyre nuk duhet të jetë i madh dhe ato nuk duhet të jetë të shtrenjta:

Andrej Petrov

Këto janë çallëme, kjo është një modë që nuk ekzistonte më parë te kryetarët e komunave. Unë shpresoj se do të krijohen kushte që të zhduken këto çallëme. Megjithatë, duhet të ketë automjete, nuk mund të mos ketë. Ka shërbime që nuk mund të funksionojnë pa automjete, por nuk duhet të ketë katër automjete luksoze të klasës “C” vetëm në zyrën e kryetarit të komunës“.

Ai thekson se e gjithë kjo është rezultat i sjelljes shumë të papërgjegjshme despotike të stilit: ,,Unë jam kryetar komune, unë mund të bëj gjithçka. Unë e kam stilolapsin, unë bëj atë që dua ta bëj“.

 

QYTETARËT DECIDË: NË VEND TË LUKSEVE, NA NEVOJITEN RRUGË TË ASFALTUARA, UJËSJELLËS… 

 

Në anketën të cilën e ka realizuar ekipi i gazetarëve të SCOOP-it, 75% e të anketuarve mendojnë se paratë për harxhimin e tepërt të karburanteve të cilat administratat komunale i harxhojnë çdo ditë dhe pa qëllime konkrete, përveç për luksin e funksionarëve lokalë, duhet të ridestinohen për ndërtim, rinovim dhe mirëmbajtje të infrastrukturës.

Kjo është kryesisht për shkak se ato janë para të qytetarëve. Prioritetet janë, thonë të anketuarit, ujësjellësi, kanalizimi, asfalti, rregullimi i shkollave lokale, ndriçimi rrugor…. Shumë burokratë komunalë, edhe në zonat urbane edhe në ato rurale, nuk dalin nga automjetet zyrtare, kalojnë kilometra të panevojshëm, shpenzojnë paratë e buxhetit për karburante ​​në vend të harxhojnë për tubacione të ujësjellësit.

Në anketën e SCOOP-it, si një shembull se çfarë mund të bëhet më mirë në komunat, qytetarët theksojnë:

Rritjen e numrit të parqeve dhe qendrave kulturore në komunat, investimet në shkolla, pajisjen e tyre me kompjuterë, ose laboratorët e zhvilluar të veçantë që do të ndihmojnë nxënësit të fitojnë njohuri praktike.

Qytetarët e anketuar propozuan edhe ndërtimin e fushave dhe sallave të reja sportive në ato komunat në të cilat qytetarët nuk kanë kushte për rekreacion.

 

 

SERVISIMI – NJE STORJE TJETËR “HARXHUESE”

 

Përveç harxhimit të madh të karburanteve, në komunat janë lidhur kontrata me vlerë mbi një milion denarë për servisimin e automjeteve zyrtare të komunave.

Një kontratë për servisim të lidhur në mes të Komunës së Gostivarit me Autoservisin ,,Veziri” në vitin 2013 përmes një tenderi të prokurimit publik, ka vlerën prej 1.200.000 denarësh. Kontrata, për të cilën ka arsyetim në përgjigjen e kërkesës për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik, nuk ekziston në Byronë për Prokurim Publik.

Vlera e kontratës për servisim e Komunës së Çairit, të lidhur në vitin 2014 me kompaninë “Automakedonija” SHA dhe me kompaninë “Xhevat Isaki” SHPKNJP Shkup, është 1.180. 000 denarë.

Në komunat Haraçinë, Zërnoc, Vallandovë, Gjevgjeli, Bogdancë, Makedonska Kamenicë dhe Çashkë thonë se nuk kanë lidhur kontratë për servisim. Te disa prej tyre, servisimi i automjeteve në nivel vjetor nuk arrin më shumë se 30.000 denarë, siç është shembulli me komunën e Demir Hisarit. Në disa komuna, për shembull Petroveci, kanë angazhuar një mekanik me marrëdhënie të rregullta pune. Ka gjithashtu shembuj, siç është Komuna e Resnjës, ku servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve kryhet nga ana e mekanikëve të ndërmarrjes lokale komunale publike “Proleter”.

“Kjo është një papërgjegjësi, mungesë e edukatës shtëpiake, asgjë tjetër. Ky nuk është një koncept që të kihet, por thjeshtë bëhet fjalë për politikanë të papërgjegjshëm që nuk e ndiejnë etikën si diçka e njohur dhe personale”, thotë Zoran Vitanov.  

Lidhur me këtë shton edhe ish-kryetari i komunës së Karposhit, Andrej Petrov, i cili thotë se duhet të bëhen rregullore dhe norma ligjore që do të rregullojnë nivelin e përdorimit të automjeteve.

Nëse shkojmë në nivelin e moralit dhe atë se çfarë është morale, këtë dikush mund ta respektojë e dikush jo. Që të arrihet kjo, duhet të kemi norma strikte dhe automjetet duhet të kthehen në komunë me përfundimin e orarit të punës. Për shkak se ka raste të keqpërdorimit ku kryetari i komunës ose njerëzit e tij të ngushtë në komunë mbushin automjetet me karburante dhe shkojnë në pushime. Kjo është diçka e turpshme. Diçka që nuk mund ta kuptoj dhe në shtetet evropiane perëndimore kjo është e papranueshme“.

Hulumtimi i SCOOP-it dhe reagimi i qytetarëve të anketuar treguan se komunat në Maqedoni kanë shumë automjete zyrtare, se harxhimet për karburantet e automjeteve janë të tepërta dhe se jepen shumë para për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Përveç kësaj, shumë shpesh, komunat e vogla dhe ato me buxhete modeste shpenzojnë më shumë për automjetet e tyre zyrtare sesa për nevojat komunale dhe urbane të banorëve të tyre.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)