Të lënë anash në jetë, të lënë anash pas tij (III)

Autorë: Sandra Nikçevska, Iva Andreevska, Monika Sebiq

 

Personat e pastrehë të Shkupit përfundojnë në Varrezat e qytetit në Butel. Vdesin të vetëm ashtu siç e kanë kaluar jetën e tyre.

Millan Ivanovski është referent për çështje juridike në ndërmarrjen për shërbime funerale. Ai thotë se procedurën për varrimin e një personi të pastrehë e nis dhe e kryen udhëheqësi i varrezave të qytetit.

Varrimi i një personi të pastrehë kryhet në një pjesë të veçantë të varrezave pa kryer ritet fetare dhe procedura të veçanta. Shpenzimet që do të dalin për varrimin e personave të pastrehë shkojnë në kurrizin e Udhëheqësit të varrezave të qytetit. Udhëheqësi për varrimin e personave të pastrehë bën një evidencë në regjistrin me shënimin e të dhënave të nevojshme për personin e vdekur“.

 

SHUMË ARSYE I SJELLIN NË RRUGË

 

Banorët e rrugës strehohen në mënyra të ndryshme. Disa për shkak të konfliktit në familje, disa janë mashtruar ose kanë humbur çdo gjë në bixhoz.

Disa të tjerë për shkak të veseve të tjera të këqija, alkoolit, drogës. Të tjerë për shkak të depresionit për arsye të ndryshme si humbja e punës, divorcet, traumat.

Uranija Pirovska

Ka shembuj të shumtë për vendet e vogla dhe të varfra si Maqedonia dhe Serbia, por edhe për shtetet më të mëdha dhe më të pasura, si Suedia dhe SHBA-të. Kudo, ata janë të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj torturave, keqtrajtimeve, vrasjeve.

Në shtete të tjera ka shtëpi dhe gjithnjë ka një program për strehimin dhe mbrojtjen e personave të pastrehë, për largimin e tyre nga rruga. Kjo është një qasje dhe sensibilitet krejtësisht i ndryshëm. Ata gjithashtu kanë ndihmë psikologjike dhe psikiatrike. Shumë prej tyre, e dini, janë raste psikiatrike. Kjo gjë mungon tërësisht në vendin tonë. I tërë programi se si duhet të ballafaqohet shteti me këta njerëz mungon “, thotë Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.

 

ANKETA E SCOOP-IT: 20 PËR QIND E TË ANKETUARVE KANË QENË DËSHMITARË TË KEQTRAJTIMIT TË PERSONAVE TË PASTREHË

 

Mbi 20 për qind e qytetarëve kanë qenë dëshmitarë të dhunës ndaj personave të pastrehë, thotë on-line anketa e realizuar e ekipit të gazetarëve të SCOO-it në Shkup.

Sipas dëshmive të tyre, si dhunues më shpesh paraqiten njerëz të rinj, por edhe të punësuar në ndërmarrjet komunale, kontrollorët e NPT-së ose pjesëtarët e policisë.

Të gjithë të anketuarit janë përgjigjur me përgjigje pohore se kanë takuar një person të pastrehë, 59 për qind prej tyre janë përgjigjur se i takojnë “shpesh”, ndërsa 17 për qind “vazhdimisht”.

Midis përgjigjeve ka edhe komente të habitshme:

Isha dëshmitar i dhunës psikike, personi i pastrehë u ofendua dhe u pështy”.

“Një person i pastrehë u rrah në mes të rrugës nga një grup adoleshentësh”.

“ Nuk isha në afërsi që të pengojë diçka, por një grup të rinjsh i qeshnin atij dhe e keqtrajtuan fizikisht”.

Rreth 65 për qind mendojnë se personat e pastrehë lidhur me drejtësinë para institucioneve nuk mund të bëjnë gati asgjë. Disa prej tyre komentojnë:

“Nuk kanë shpresë për një gjë të tillë, askush nuk i beson Maqedonisë dhe nuk e sheh si një shtet juridik, sidomos për ata të pafuqishmit”.

“Askush fare nuk do t’u kushtojë vëmendje personave të tillë, është një pyetje se a do të mund fare të hyjnë në ndonjë institucion për të paraqitur dhunën ndaj tyre”.

“Nuk mund, sepse institucionet janë pjesë e sulmuesve”.

“Nuk mund sepse askush nuk pranon t’i ndihmojë ata, nuk ka organe shtetërore të cilat do t’i ndihmonin”.

Në pyetjen se çfarë do të mund të bënte shteti për ta mbrojtur këtë grup të margjinalizuar, propozimet shkojnë në këtë drejtim: “Të bëhet regjistra për evidencën e tyre, të hapen më shumë strehimore dhe kuzhina të cilat do të jenë të hapura vazhdimisht, të sigurohet për ta një ndihmë të rregullt juridike dhe financiare, të planifikohen programe të rregullta për mbrojtjen e tyre dhe angazhime të punës”.

  

 

VETËM NJË VEND PËR STREHIM TË PERSONAVE TË PASTREHË

 

Dragana Llazarevska nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë është koordinator i Pikës për personat e pastrehë në Momin Potok. Ajo thotë se organizata ka vetëm këtë pikë për strehimin e personave të pastrehë.

Nga sektori qeveritar, shton Llazarevska, ekziston Çiçino Selo, që është gjithashtu një strehimore për personat e pastrehë.

“Ai është vendi i vetëm për strehimin e personave të pastrehë, të cilin e financon dhe menaxhon  shteti. Në të kaluarën, në vitin 2009, kishte një vend në Katllanovë, pastaj edhe në Ljubanci, ku kishte një konvikt për personat që nuk kanë ku të jetojnë, por të dyja vendet tashmë janë mbyllur. Nuk e di saktësisht se për cilat arsye janë të mbyllura”, thotë ajo.

 “Që kur jemi të hapur, nga viti 2008 deri më tani, janë regjistruar 250 persona të pastrehë. Madje të kenë kaluar edhe njëherë, ne i kemi ata në regjistër. Prej atyre 250, pesëdhjetë janë vizitorë të rregullt në këtë pikë. Ata janë më shpesh njerëz me shumë vese të këqija, i shënojmë të gjitha: drogën, alkoolin, bixhozin. Më shpesh janë edhe njerëz që kryejnë reket. Ka shumë që kanë dalë nga burgu. Shumë rrallë kemi familje, zakonisht janë individë. Jo se ata nuk kanë familje, por thjesht të gjithë kanë hequr duart prej tyre, zakonisht janë të vetëm dhe janë lënë në fund të shoqërisë”.

Llazarevska informon se pika për të pastrehët punon çdo ditë, prej orës 09 deri në orën 16, ndërsa dimrin e kaluar, nga mesi i muajit dhjetor deri në mesin e muajit mars ka qenë e hapur 24/7 për shkak të temperaturave të ulëta. “Deri më tani, rreth 80 për qind janë me dokumente të siguruara personale. Përveç letërnjoftimit, prej dy-tri vitesh kemi aplikuar kartela për legjitimimin e personave të pastrehë, të cilat i lëshojmë ne, për rastin kur do ta humb dikush letërnjoftimin e tij që të ketë ndonjë dokument të identifikimit personal”. 

 

MEDIUMET JANË TË STËRMBUSHURA ME LAJME PËR DHUNË NDAJ PERSONAVE TË PASTREHË 

 

Është shqetësuese ajo se në shumicën e situatave të dhunës ndaj personave të pastrehë, madje katër nga gjashtë persona dhunues janë të mitur.

Serbia – Në këtë shtet fqinj personat e pastrehë janë zakonisht burra në moshë mbi 50 vjeçe me arsim të ulët, të papunë apo në vende pune që janë shumë pak të paguara apo në vende jo stabile pune dhe shpesh janë varës të alkoolit, drogës apo bixhozit. Rrugët e kryeqytetit të Beogradit janë shtëpi për 7.200 persona të pastrehë, ndërsa në Serbi numri i personave të pastrehë është mbi 18.500 qytetarë. Shumica prej tyre jetojnë në dhoma të vjetra, bodrume, rimorkio, vagonë dhe në rrugët e parqet.

Në Zemun, dy djem, njëri prej të cilëve i mitur, së pari e kanë torturuar dhe pastaj e kanë djegur personin e pastrehë Milivoje P. Me djegie të rënda që kanë prekur rreth 70% të trupit të tij, ai u transferua në Spitalin Akademik të Mjekësisë Ushtarake në Beograd, shkruan e përditëshmja serbe “Politika”.

Një dhunë brutale nga persona të mitur ndaj një personi të pastrehë është vërejtur edhe në Beograd. Një nga dëshmitarët okularë për këtë incident ka thënë: “Mbeta i habitur kur pashë të rinjtë se si e qëllonin dhe e keqtrajtonin të pastrehun. Ia hodhën kartonët në të cilët shtrihej njeriu dhe vazhduan ta godisnin atë”.

Sunduesit janë nxjerrë para prokurorit të personave të mitur dhe kundër tyre është nisur një hetim për veprën penale shkaktimi i lëndimeve të rënda trupore, shkruan portali serb “Alo”.

 

VETËM NË VENDET E BE-SË JANË TË REGJISTRUAR 3,3 MILIONË PERSONA TË PASTREHË

 

Gjermania – Gjykata ka dënuar gjashtë refugjatë sirianë dhe libianë lidhur me sulmin ndaj një personi të pastrehë që ka fjetur në stacionin hekurudhor të Berlinit gjatë Krishtlindjeve të kaluara, raporton radioja “Zëri i Amerikës”. Kamerat në vendin e ngjarjes kanë treguar se viktima, një shtetas polak 37 vjeçar, ka fjetur në një nga bankat, i mbuluar me gazeta. I akuzuari kryesor u ka vënë zjarr gazetave, pas çka refugjatët kanë ikur, duke qeshur.

Suedia – Në këtë vend skandinav janë regjistruar 34.000 persona pa shtëpi. Aktivistët për ndihmë të personave të pastrehë në këtë vend skandinav theksojnë se personat e pastrehë në vendin e tyre janë shpesh cak i sulmeve brutale të dhunuesve të cilët “nuk duan të shohin persona të pastrehë në rrugët suedeze”. Asim Besiragiq, me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, ka qenë një lypës i njohur nga rrugët e Malmes, ku janë evidentuar 1.000 persona të pastrehë, i cili u rrah deri në vdekje para një shkolle në këtë qytet suedez. U mbajtën protesta në të cilat suedezët kanë kërkuar një mbrojtje më të madhe nga shteti për personat e atjeshëm të pastrehë.

 

NUK ËSHTË NDRYSHE EDHE NË NIVEL BOTËROR

 

Japonia – Statistikat e këtij vendi kanë evidentuar rreth 7.800 persona të pastrehë. Vetëm në Tokio, një qytet prej 36 milionë banorësh, ka 5.500 persona të pastrehë. Ndër shkaqet e mungesës së strehimit në vendin e pasur të lindjes së diellit numërohen humbja e punës, traumat nga falimentimi, problemet psikologjike, bixhozi.

Rusia – Në rrugët e Moskës jetojnë mbi 10.000 njerëz. Për ta, ditët, sidomos netët, janë veçanërisht të vështira në dimër. Ka shtëpi, por kapacitetet janë të pamjaftueshme.

SHBA-të – Rrugët e Nju Jorkut janë shtëpi për 46.000 vetë. Shumë organizata joqeveritare të mbështetura financiarisht nga shteti, por edhe nga shumë fonde dhe donacione private, organizojnë kuzhina popullore. Shteti vetëm vitin e kaluar ka ndarë 75 miliardë dollarë për të ashtuquajtura  pulla me të cilat personat e pastrehë dhe të varfër kanë mundur të merrnin ushqime të ngrohta për vete dhe për familjet e tyre.

(Fund)

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)