BARTËSIT E NJËSISË SË DYTË ZGJEDHORE: GARA “E NXEHTË” E EMRAVE KRYESORË PARTIAKË

Në kuadër të projektit PEP, SCOOP-i vazhdon t’i publikojë profilet e bartësve të listave zgjedhore, me fokus të gjendjes së tyre pronësore.

 

Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

 

Liderët e partive parlamentare as në takimin e tyre të dytë nuk arritën të bien dakord për datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Qershori, korriku ose gushti – janë muajt në të cilët LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja kërkojnë ditën kur qytetarët do ta thonë qëndrimin e tyre, përkundër pamundësisë që të parashihet nëse deri atëherë do të zhdukë rreziku i virusit KOVID-19.

“E nxehtë” pritet të jetë edhe në njësinë zgjedhore 2, ku si bartës të listave të kandidatëve janë Oliver Spasovski dhe Sanja Llukarevska nga LSDM-ja, Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE-ja, Arbër Ademi nga BDI-ja dhe Afrim Gashi nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa.

Kjo njësi zgjedhore përfshin territorin e 10 komunave të Qytetit të Shkupit dhe pjesës veriore të Maqedonisë së Veriut, ndër të cilat janë: Buteli, Gazi Baba, Gjorçe Petrovi, Çairi (një pjesë), Shuto Orizari, Haraçina, Likova, Kumanova (një pjesë), Nagoriçi i Vjetër (një pjesë) dhe Komuna e Çuçer Sandevës.

SPASOVSKI “PESHON” 330 MIJË EURO, LLUKAREVSKA – 90

Kryeministri aktual teknik në qeverinë parazgjedhore dhe bartës i listës në njësinë zgjedhore 2 në vitin 2016, edhe këtë vit është sërish bartës liste në të njëjtën njësi zgjedhore. Ai është shoqëruar nga drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukavrevska, të cilët janë përkrahur nga LSDM-ja dhe koalicioni.

Spasovski fillon karrierën e tij politike si këshilltar i kryetarit të Komunës së Kumanovës dhe sekretar i komunës së njëjtë. Si Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë në funksion prej 2 shtatorit 2016 deri më 12 dhjetor të njëjtit vit. Paraprakisht, në periudhën prej 11 nëntorit 2015 deri më 19 maj 2016 ka kryer të njëjtin funksion, pas Marrëveshjes së Përzhinos. Spasovski përsëri merr detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme më 1 qershor 2017 kur shumica parlamentare zgjodhi qeverinë e re në krye me Zoran Zaevin. Në dy mandatet është zgjedhur për deputet, në zgjedhjet e vitit 2006 dhe vitit 2011. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ka qenë bartës liste në njësinë zgjedhore 2, e udhëhequr nga koalicioni i LSDM-së. Më 3 janar 2020 është zgjedhur për Kryeministër të ri teknik në qeverinë parazgjedhore.

Duke marrë funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Spasovski deklaron në Komisionin Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK) listën e tij pronësore me vlerë prej 298.688 eurosh, e cila përbëhet nga automobili “Pezho” 307 2006/2006 me vlerë prej 4.878 eurosh, një shtëpi në Kumanovë me vlerë prej 120.000 eurosh dhe piktura artistike me vlerë porej 4.228 eurosh. Spasovski ka edhe dy kartela pagësore në denarë me vlerë totale prej 7.154 eurosh, si dhe një kredi prej 9.756 eurosh. Prindërit e tij posedojnë dy kartela pagësore në denarë me vlerë prej 1951 eurosh, një shtëpi në Nagoriçin e Vjetër me vlerë prej 20.000 eurosh, dy toka me vlerë prej 55.111 eurosh, si dhe një pyll, gjithashtu në Nagoriçin e Vjetër me vlerë prej 68.780 eurosh. Ata posedojnë automobilin “Shkoda Fabia” 2008/2010 me vlerë prej 3.902 eurosh dhe traktorin Ferguson IMT 533 1980/1980 me vlerë prej 2.439 eurosh. Bashkëshortja e Spasovskit ka një kartelë pagësore në denarë me 488 euro.

Sot, lista e tij pronësore është me vlerë prej 332.654 eurosh. Në krahasim me pronën e tij paraprake, prona e tij aktuale është rritur për rreh 34 mijë eurosh që kanë të bëjnë me ndryshime të kartelave pagësore.

Sanja Llukarevska fillon karrierën e saj profesionale në Drejtorinë e të Ardhurave Publike që në vitin 2006, duke punuar si inspektor më i ri në Drejtorinë Rajonale Shkup – Drejtoria e të Ardhurave Publike. Pastaj, në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2015 ajo punon në Sektorin e punëve juridike në Drejtorinë e Përgjithshme Shkup të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Në janar të vitit 2016 ajo është emëruar për nëpunës kabineti për çështje të lidhura me Zëvendës-ministrin shtesë të financave në Ministrinë e Financave. Pas ndërprerjes së punës në këtë funksion, ajo kthehet në Drejtorinë e të Ardhurave Publike në vendin e punës asistent përmbarimi në Departamentin e mbledhjes së borxheve në Drejtorinë për tatimpagues të mëdhenj. Pastaj dy herë, në vitin 2017 dhe në vitin 2018 është emëruar nga ana e qeverisë për kryerës të detyrës drejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Prona e Llukarevskës që e ka deklaruar në KSHPK është me vlerë prej 90 mijë eurosh. Ajo ka një shtëpi në Dojran, një banesë në Shkup, garazhe, automjete motorike “Daewoo Tiko” dhe “Ford Fokus” dhe disa kartela pagësore dhe kredi.

 

NË VITIN 2016 MISAJLLOVSKI NGA VMRO-DPMNE-JA KA POSEDUAR PRONË ME VLERË PREJ 450 MIJË EUROSH

Vllado Misajllovski është politikan, ish ministër i transportit dhe lidhjeve. Ai fillon si bashkëpunëtor më i ri në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Misajllovski ka kryer edhe funksionet: sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, sekretar shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe drejtor i Ndërmarrjes publike “Rrugët shtetërore”.

Kur në vitin 2016 u bë ministër i transportit dhe lidhjeve në qeverinë teknike, prona e tij e deklaruar kishte vlerën prej rreth 450 mijë eurosh.  Prej atëherë, gjendja e tij pronësore nuk figuron në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK) kështu që nuk dihet nëse e njëjta ka pasur ndonjë ndryshim.

 

ADEMI NGA BDI-JA “MË I VARFËR” PËR 10 MIJË EURO

Ministri aktual i arsimit, Arbër Ademi është prijës i BDI-së në njësinë zgjedhore 2. Ai figuron në politikë që nga viti 2016 si ish Zëvendës-Kryetar i Qeverisë për Çështje Evropiane dhe Zëvendës-Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Prona aktule e Ademit, e deklaruar në KSHPK, është me vlerë prej rreth 180 mijë eurosh dhe përbëhet nga: dy depozita të afatizuara në denarë, mjete në të gatshme me vlerë prej rreth 6 mijë eurosh. Bashkëshortja e tij ka stoli ari me vlerë prej rreth 5 mijë eurosh dhe automobil “Volkswagen Golf 5”. Prindërit e Ademit kanë një shtëpi me oborr në Kumanovë, ndërsa posedojnë edhe dy banesa ne hapësira ndihmëse në Kumanovë. Automobili i tyre “Volkswagen Bora” është me vlerë prej 2.439 eurosh, ndërsa kanë edhe aksione.

Në krahasim me hulumtimeve paraprake të SCOOP-it, ku prona e Ademit fillimisht kishte vlerë prej rreth 190 mijë eurosh, ulja aktuale e pronës së tij ka të bëjë me pronën e vëllait të tij, e cila është tërhequr nga lista pronësore e ministrit.

Sa i përket aksioneve që i posedojnë prindërit e Ademit, në hulumtimin: FUNKSIONARË QEVERITARË POSEDOJNË AKSIONE NË KOMPANI TË MËDHA SCOOP-i zbuloi se aksionet e deklaruara si pronë të prindërve të ministrit janë nga “Kombinati i përpunimit të lëkurës – Kumanovë”.

 

GASHI NGA KOALICIONI ALEANCA PËR SHQIPTARËT DHE ALTERNATIVA ME PRONË NË VLERË PREJ 58 MIJË EUROSH

Pasi kuvendi qendror i krahut të partisë Besa, i udhëhequr nga Afrim Gashi vendosi të formojë një parti të re me kërkesë të anëtarësisë që të ndërpritet procesi gjyqësor për atë se kush është trashëguesi i vërtetë i partisë Besa, u formua partia Alternativa. Përmes koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, deputeti Afrim Gashi është bartës liste në njësinë zgjedhore 2.

Lidhur me pronën që e posedon Gashi, nuk janë vërejtur ndryshime pas marrjes së funksionit të deputetit e deri më tani. Sipas të dhënave të KSHPK-së, deputeti Afrim Gashi posedon pronë me vlerë prej rreth 58 mijë eurosh, e cila përbëhet nga dy automjete motorike “Renault Vel Satis” dhe “Audi A6”, si dhe dy llogari të transaksionit. Bashkëshortja ka e tij automobilin “Renault Klio” dhe stoli ari me vlerë prej rreth 2 mijë eurosh. Në emrin e prindërve të tij ka deklaruar një banesë në Shkup, pension dhe një tokë dhe shtëpi në procedurë të transformimit dhe legalizimit.

 

Shkruaj një koment

Koment(e)