DESTINACION ATRAKTIV PËR INVESTIME TË HUAJA OSE LAVATRIÇE E KAPITALIT TË PISTË

Investimet e huaja direkte që nga fillimi i qeverisjes së VMRO-DPMNE-së janë një nga shtyllat e politikës së saj ekonomike. Thuajse një dekadë të tërë, pushteti përsërit të njëjtën gjë: biznesmenët nga jashtë, të tërhequr nga taksat e ulëta dhe fuqia e lirë e punës, do të hapin vende të reja të punës dhe do ta nxisin zhvillimin e ekonomisë së vendit.

lopati

Por, një pjesë e biznesmenëve të huaj që i ka sjellë kjo qeveri dhe ka vendosur të bashkëpunojë me ta, nuk i ka përmbushur pritjet e larta që i kanë vendosur. Në vend të investimeve milionëshe dhe përparimit ekonomik, ardhjen e tyre në Maqedoni e kanë ndjekur skandale, protesta, tregti të dyshimta dhe plane të dështuara.

 

“FILMAT INVESTUES” TË ROJIT

 

Me një bujë të paparë mediale, qeveria në vitin 2012 e priti miliarderin indian Subrata Roj. Pronari i konglomeratit Sahara India paralajmëroi  një qendër të madhe turistike me hotele dhe kazino në fshatin Ljubanisht, në njërën prej viseve më të bukura në bregdetin e Liqenit të Ohrit. Së bashku me funksionarë të lartë qeveritarë, ai shëtiste nëpër Maqedoninë dhe paralajmëronte investime shtesë në biznese të ndryshme me vlerë prej 2.7 miliardë dollarësh marramendës në pesë vitet e ardhshme.

 

“Në biznes ne gjithmonë besojmë në një gjë – ai duhet të jetë për një interes të përbashkët. Duhet të kërkohet interesi i përbashkët, nga ana e njerëzve këtu,  qeverisë, kompanisë sonë”, thotë Roj, pronar i kompanisë “Sahara India”.

Roj

Por, banorët e Ljubanishtit, në vendin e të cilëve është dashur të ndërtohet mega-kompleksi me hotele i Subrata Rojit, askush nuk i ka informuar për planet e qeverisë dhe miliarderit.

“Banorët lokalë të Ljubanishtit dhe pronarët e pronave ishin të habitur nga një informacion i tillë “fluturues”, pa një përgatitje paraprake, që dikush të informojë se kanë në parasysh këtë gjë. Megjithatë, të informohet populli që të dijë se çfarë do të ndodhë këtu. Ajo është detyra e organeve, të bisedojnë me qytetarët e tyre”, thotë Gjorgji Traeski, pronar toke në Ljubanisht.

“Për Subrata Rojin, kishte edhe mendime këtu se ai është një vagabond, hohshtapler botëror… Rrallë kush besonte se do të realizohet ai kompleks turistik”, thotë bujku Kërste Veleski.  

Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedonia ka ardhur deri te dokumentet për të gjitha firmat e Rojit dhe të njerëzve të tij të afërt në vend, si dhe raportet e tyre financiare.

lubanista

Roji përmes tri kompanish ka pasur në dispozicion mbi një miliard euro – për të parën nuk ka dorëzuar asnjë raport financiar për punën e saj. Më 30 nëntor 2013, është miratuar procedura për likuidimin e kompanisë, por mbetet i panjohur aktiviteti i saj afarist gjatë funksionimit të saj njëvjeçar në Maqedoni.

Gjatë gjithë kohës derisa ishte aktual investimi i Subrata Rojit në Ljubanisht, banorët lokalë nuk i ka vizituar asnjë funksionar i pushtetit për t’u shpjeguar atyre se çfarë do të ndërtohet në tokën e tyre dhe në çfarë kushtesh.

“Kemi parashtruar parashtresa deri te Kryeministrit, deri te Ministri i Financave, nuk i janë përgjigjur asnjë parashtrese, edhe pse sipas Kushtetutës, të paktën janë të detyruar të njoftojnë”, thotë Veleski.

“Nuk është mirë, është injorante ndaj qytetarëve të vet. Për çdo gjë ka një zgjidhje, ka mënyra se si të bëhet ajo, me konsultime, me informacione, me mirëkuptim, me një respekt ndaj njerëzve. Nuk mundet tani – është vendosur, hajde, po e marrim”, thotë Traeski.

Ambiciet që i tregoi Subrata Roj në Maqedoni nuk mbetën te turizmi. Qeveria i ka dhënë 5.300 hektarë tokë shtetërore, e cila më parë ishte drejtuar nga kombinati bujqësor Xhumajlia. Subrata premtonte se do të sillte 20.000 lopë dhe se do ta ringjallte blegtorinë e Maqedonisë.

“Ajo do t’i rrisë përfitimet e popullatës lokale, sepse njerëzit do ta përfshijnë bagëtinë e tyre tek ne, e po ashtu do të bëjmë një eksport të madh”, ka thënë Roj në një intervistë gjatë qëndrimit në Maqedoni.

Nga e gjithë kjo nuk doli asgjë – Subrata Roj përfundoi në burg në Indi për shkak të mashtrimit me pasuri të patundshme që ka vlerë prej katër miliardë eurosh. Për premtimet e indianit sot dëshmojnë vetëm pronat e tija në vend, si hoteli “Slavija” në Ohër, i cili është i zbrazët dhe i braktisur.

 

GODITJET MBI BLEGTORINË E MAQEDONISË

 

Blegtoria e Maqedonisë, të cilën është dashur ta shpëtonte Subrata Roj, pësoi goditje të rënda disa vite më parë, kur një tjetër investitor i huaj, të cilin e promovoi qeveria, qumështorja Swedmilk, e ka shkaktuar krizën më të madhe në biznesin vendas me qumësht në historinë moderne. Kryeministri Gruevski, i cili e hapi fabrikën Swedmilk, u kishte premtuar fermerëve se ka ardhur fundi i problemeve të tyre. Të tërhequr nga kushtet e mira dhe çmimi jashtëzakonisht i lartë për blerjen e qumështit, mijëra fermerë kishin lidhur kontrata me Swedmilk. Por, vetëm pas disa muajsh, kompania ndërpriti ta paguante qumështin, kurse fermerët dolën për të protestuar dhe kishin bllokuan rrugët, duke kërkuar atë që e kanë fituar. Të dy drejtorët e Swedmilk-ut, Moshe Baum dhe Roxher Oskarson me muaj kishin negociuar me fermerët, duke u premtuar se kompania do të përballojë krizën.

“E tërë kjo gjë ishte politike, se si t’i përfitojmë fermerët, të hapim një qumështore të re. Me të vërtetë ai çmim ishte shumë i lartë, që t’i mbledhin prodhuesit e qumështit atje, që pushteti të tregojë se është i shqetësuar për prodhuesit e qumështit, se janë të paguar mirë, se prej nesër do të jenë të pasur. Por, me të vërtetë erdhi koha që ne fermerët të jemi më të varfër”, thotë Dushko Ilievski, një prodhues qumështi.

Swedmilk u falimentua, kurse borxhet ndaj fermerëve, të cilat sipas vlerësimeve ishin me vlerë midis tre dhe katër milionë eurosh, asnjëherë nuk janë paguar. Së bashku me borxhet mbetën edhe dyshimet për pjesëmarrjen e biznesmenëve dhe politikanëve lokalë në krizën në Swedmilk. Tregu i Maqedonisë i qumështit pësoi trauma prej të cilave nuk mund të shërohet edhe shtatë vjet më vonë.

 

“Ky ishte një manipulim i madh i bërë me Qeverinë, me Roxher Oskarsonin, me të gjithë, është bërë një montim i tërë – se si të tërhiqen fermerët. Nuk pamë as para, as asgjë. Vetëm paguan për gjashtë muaj, për të tjerët nuk dhanë asnjë denar”, thotë blegtori Ilievski. “Kemi mbetur borxhlinj në barnatoret veterinare, nuk mund të paguanim për ushqimin të cilin e kishim marrë, pra falimentuam, ishim në borxhe deri në fyt. Kështu që i kemi shitur lopët që të mund t’i shlyejmë, t’i paguajmë borxhet ndaj njerëzve. Kreditë që i kishin marrë nga bankat, nga 20, 30 mijë euro, ua morën edhe shtëpitë dhe lopët dhe gjithçka shkoi nëpër bankat”.

 

NË GREQI I BURGOSUR, NË MAQEDONI INVESTITOR

 

Përkundër investimeve të paralajmëruara të Subrata Rojit dhe falimentimit të Swedmilk-ut, të cilat ishin shumë të eksponuara në publik dhe të shoqëruara me një interes të madh medial, disa investitorë të huaj dhe partnerë shumëvjeçarë të Qeverisë janë vazhdimisht të pranishëm, por kurrë nuk paraqiten në publik. I tillë është rasti me manjatin grek Dimitris Kondominas, i cili gjithashtu ka probleme me autoritetet në vendin e tij – kundër tij zhvillohet një proces gjyqësor për përfshirje në një skandal korrupsioni. Sipas përfaqësisë maqedonase të Transparency International, Kondominas është i përfshirë në mega-skandalin e Dojçe Telekom-it, në të cilin kompania është akuzuar se ka dhënë ryshfet për politikanë në më shumë vende, duke përfshirë edhe Maqedoninë.

“Tri kompani u regjistruan në Qipro dhe një kompani u regjistrua në Athinë, Greqi. Prapa të gjitha tri kompanive si pronar na u paraqit zotëri Kondominas. Kompanitë e tija janë përdorur për të nxjerrë para nga Telekomi, të cilat pastaj nuk e dimë se për cilin qëllim janë përdorur, gjegjësisht supozohet se janë përdorur për të dhënë ryshfet për politikanët në Maqedoni, për shtyrjen e liberalizimit të telefonisë mobile”, thotë Sllagjana Taseva nga Transparency Maqedonia.

Kondominas paraprakisht me vite, me sukses të ndryshueshëm, është përpjekur për të hyrë më shumë biznese në Maqedoni – prej biznesit medial deri te ai energjetik. Në vitet e fundit, ai ishte i përfshirë në projektin qeveritar “Shkupi 2014”.

Sipas marrëveshjes deri te e cila ka ardhur SCOOP Maqedonia, firma e Kondominasit, përndryshe ofertuesi i vetëm në ankandin publik, për një çmim prej vetëm 100 euro për metër katror, ​​ka fituar mijëra metra katrorë të pronës më tërheqëse në sheshin “Maqedonia” në Shkup, me obligim që të ndërtojë një hotel dhe një Shtëpi oficerësh. Për krahasim, kompania Adora inzhenering, për tokën në të cilën po ndërton një ndërtesë baroku në lagjen Kisella Vodë, jashtë qendrës më të ngushtë të Shkupit, shtetit i ka paguar një çmim gati pesë herë më të lartë.

Për analistët, këto raste të mbështetjes shtetërore për investimet e huaja të dyshimta janë një tregues i sistemit tërësisht të korruptuar, i cili lejon qarkullime të paqarta të parave dhe abuzime edhe nga politikanët edhe nga partnerët e tyre – biznesmenët e huaj.

“Madhësia e tregut në Maqedoni, niveli i korrupsionit që mbretëron këtu, niveli i pasigurisë ligjore e cila mbretëron, mungesa e përfshirjes së Maqedonisë në proceset më të gjera evropiane dhe botërore ekonomike, tendencat e përbashkëta, ofrimi i fuqisë së lirë së punës, të gjithë këta janë faktorë që në Maqedoni, në një pjesë, në një pjesë të rëndësishme, të vijë një kapital i cili kërkon zona të rrezikshme ku fitimet janë të larta”, thotë Sasho Ordanovski, analist politik. “Këtu janë shëtitur njerëz me kapela kauboji, Moshe Bauma të ndryshëm, Subrata Rojë të ndryshëm, të cilët marrin edhe shtetësi edhe të drejtën për të votuar… të gjitha këto për shkak të narrativit të pushtetit – për të thënë se jemi një destinacion tërheqës për investime, ndërsa për fat të keq ne nuk jemi ajo. Dhe për shkak të nevojës së një pjese të atij pushteti, paratë e mëdha që janë humbur nga Maqedonia, të cilat maten me miliarda euro, të cilat janë vjedhur nga Maqedonia, të kthehen kinse nëpërmjet disa prej këtyre investitorëve të huaj. Ju e dini, nuk ka një mënyrë më të mirë për të shpëlarë paratë nga shteti në të cilin qeverisni”.

Taseva, ndërkaq, është decide:”Maqedonia paraqitet në procesin e shpëlarjes së parave, gjegjësisht procesin e integrimit të atyre parave ose u bëmë një vend për shpëlarje të kapitalit të papastër. Prandaj na vijnë investitorë të tillë të dyshimtë”.  

Do të kalojë edhe shumë kohë derisa opinioni nuk e fiton imazhin e plotë për atë se sa është dëmi nga këto aventura. Tani për tani, vetëm e dimë se ai është i madh.

Shkruaj një koment

Koment(e)