Autorë: DaniellaTërpçevska, gazetar redaktor
Bjanka Stankoviq, gazetar reporter
Një kompensim prej shtatëdhjetë mijë denarësh ka marrë një qytetare e ofenduar nga Kumanova, e cila disa vite më parë ka vendosur për të ngritur një padi kundër marketit ku blen, si dhe kundër një personi të sigurimit. Ngjarja ka ndodhur më 3 maj 2012, në orët e pasdites, kur ajo ka qenë atje për të bërë pazar në market dhe mallrat e blera i ka paguar në arkë. Por, kur i ka afruar derës për të dalë nga marketi, është kyçur alarmi. Personi i sigurimit i është afruar asaj dhe me “një ton të pasjellshëm dhe fyes” dhe i është drejtuar me fjalët “e kapëm hajdutin”. Në arkë është bërë një kontroll dhe është konstatuar se gruaja ka një faturë fiskale për të gjitha produktet që i ka blerë. Por, edhe në përpjekjen e dytë për të dalë nga marketi, sistemi i alarmit është kyçur përsëri. Është bërë një kontroll të ri dhe pastaj ajo u lejua të shkonte me arsyetimin se sistemi i alarmit nuk funksionon siç duhet. Gruaja e ofenduar ka vendosur të ngrejë një padi në gjykatë në të cilën ka shkruar dhe ka shqyrtuar se ka pësuar “një dhimbje shpirtërore për shkak të cenimit të nderit dhe reputacionit dhe i është reduktuar aktiviteti jetësor”. Gjykata më 05.03.2015 ka marrë aktgjykimin me të cilin nga shuma e kërkuar prej 120,000 denarëve, është marrë një vendim për kompensim prej 70.000 denarësh për “cenimin e nderit dhe reputacionit të paditëses”.
Ky është vetëm një nga rastet e shumta gjyqësore, të publikuara në faqet e internetit të gjykatave në vend, të cilat kanë përfunduar me kërkesa të larta për kompensim. Se sa dhembin fjalët dëshmojnë proceset gjyqësore që zhvillohen ose tashmë kanë përfunduar në 26 gjykatat e vendit. Qytetarët kërkojnë edhe deri në 600 mijë denarë për kompensimin e dëmit për shpifje ose cenim të nderit ose reputacionit. Gjyqtarët shpesh i dënojnë ofenduesit kështu që gjobat janë 100, 200, 500, madje edhe deri në 10.000 euro.
“Dhi, dele, majmun, marroqe, pleh, qorr…” – këto janë atributet e shpeshta të cilat i shkëmbejnë në zënka, grindje, ish-bashkëshortët, fqinjët, shitësit në tezgë apo të afërmit, të cilat nuk kanë mbaruar vetëm me fjalë. Të ofenduarit kanë vendosur që zënkat verbale me fjalë të rënda që u kanë shkaktuar atyre dhimbje shpirtërore, t’i sjellin në sallat e gjykatave.
OFENDIMET, SPORTI NUMËR NJË NË MAQEDONI
Evidenca e gjykatave tregon se jo vetëm qytetarët, por edhe personalitetet publike, veçanërisht politikanët, jo rrallë ofendohen dhe paditen. Edhe pse perceptimi në opinion është se mysafirë më të shpeshtë të gjykatave janë politikanët, biznesmenët, gazetarët, megjithatë shembujt e gjykatave tregojnë të kundërtën. Gjithnjë më i madh është numri i kontesteve në mes të qytetarëve të cilët nuk janë personalitete publike, por kanë ndier “një dhimbje shpirtërore” ose “ua kanë prishur gjumin”, ose për shkak të ofendimit që ua kanë shkaktuar fqinjët ose ish-partneri, ndonjë i afërm apo një koleg pune “u është ngritur tensioni i gjakut”. Motivet janë të ndryshme: revanshizmi, mospajtimet familjare, rivaliteti, përplasjet politike. Në gjykatë përfundon edhe grindja e ndërsjellë ndër-fqinjësore apo padurimi në vendin e punës. Një nxitje shtesë për ngritjen e procedurave gjyqësore janë edhe kompensimet e konsiderueshme me të holla për të cilat shpresohen paditësit.
Qytetarët e kryeqytetit janë rekorderë për paditë për ofendim dhe shpifje. Gjykatat e Shkupit janë të stërmbushura me persona “të fyer” dhe “të shpifur”. Por, as nga Gjykata Penale, e as nga ajo civile nuk japin të dhëna konkrete për atë se ndër cilat palë janë zhvilluar procedurat, sa prej tyre janë politikanë, gazetarë apo qytetarë që nuk janë bartës të funksioneve publike.
FACEBOOK-U, NJË FUSHË E PËRSHTATSHME PËR PËRPLASJET VERBALE
Edhe rrjetet sociale, sidomos rrjeti i njohur Facebook, përdoren si një mjet për të drejtuar ofendime edhe midis personaliteteve jo publike, por edhe midis atyre publike. Gjithnjë më aktuale bëhen rastet me ofendime të shprehura në rrjetet sociale. Shumë njerëz kanë drejtuar shpifje mes tyre, kështu që më shumë se 30 qytetarë në vend e kanë kërkuar drejtësinë në gjykatë për ofendimet e shprehura përmes Facebook-ut. Tre të afërm ngrenë një padi përmes Gjykatës së Manastirit kundër një bashkëqytetareje, e cila në shkurt të vitit 2013, nëpërmjet profilit të saj në Facebook ka publikuar, siç thuhet në padi, “fyerje, pavërteta dhe shpifje të shumta” ndaj paditësit. Kërkesa është 200 mijë denarë dhe procesi ende nuk ka përfunduar.
Statistikat tregojnë se nga 20 gjykata në vend, në periudhën prej vitit 2011 e deri më sot, janë ngritur mbi 30 procese gjyqësore, pikërisht për ofendime të shprehura në rrjetin më të njohur social Facebook. Vetëm në Gjykatën Themelore Shkup 2 në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2016 janë evidentuar gjithsej 13 lëndë për konstatimin e përgjegjësisë qytetare për ofendim dhe shpifje, të drejtuara nëpërmjet rrjeteve sociale. Nga këto, në 8 lëndë, palët në procedurë janë qytetarë edhe atë: në një lëndë është marrë vendim me të cilin kërkesa e padisë konsiderohet e tërhequr, në një lëndë është marrë aktvendim me të cilin kërkesa e paditësit për padi refuzohet si e pabazuar, 5 lëndë janë ende në procedurë, ndërsa një lëndë në bazë të ankesës është para Gjykatës së Apelit në Shkup.
ZËNKA EDHE NË KORRIDORET E GJYKATAVE EDHE NË SALLAT E GJYKATAVE
Gjyqtarët paditin biznesmenë, avokatë, pensionistë… Dikur ofendimi është shprehur në katër sy, dikur shkaku i ankesës ishin SMS porositë, një thirrje telefonike apo një deklaratë në televizion. Politikanët dhe biznesmenët ngrenë padi për shpifje të shprehura në gazeta apo në televizione. Paditë për shpifje dhe ofendime ngihen edhe në portalet e internetit.
Qytetarët që nuk janë bartës të funksioneve publike dominojnë edhe në proceset gjyqësore për ofendim dhe shpifje që zhvillohen në gjykatat e vendit. Këtë e konfirmojnë të dhënat e marra nga 24 gjykatat të cilat sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet i kërkoi SCOOP Maqedonia. Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016 janë ngritur mbi 1.800 padi. Nga aktgjykimet e publikuara në faqet e internetit të gjykatave, dhe në bazë të konstatimit të përgjegjësisë qytetare për ofendim dhe shpifje dhe kompensim të dëmit, shihet se dhjetëra padi janë ngritur pikërisht për shkak të zënkave që kanë ndodhur në korridoret e gjykatave ose gjatë seancave gjyqësore.
PORTALET E INTERNETIT, NJË ZONË GRI PËR SHPIFJE DHE OFENDIME
Ka një numër çuditërisht të madh të padive kundër portaleve dhe redaktorëve të portaleve, edhe pse sipas ligjeve për mediat dhe për përgjegjësinë qytetare për shpifje dhe ofendim, portalet nuk trajtohen si media.
“Në ato procedura, të pandehurit ndoshta nuk e përdorin atë, por ne si përfaqësues të tyre përdorim legjislacionin ekzistues për mbrojtjen e tyre. Ne kemi fituar disa gjykime ku padia është refuzuar pikërisht për shkak se portali nuk është në cilësi të medias dhe në këtë rast nuk mund të konstatohet përgjegjësia. Por, në qoftë se konstatohet autori i shpifjes, atëherë ai mund të përgjigjet për ofendim dhe shpifje”, deklaron për SCOOP avokati Filip Medarski.
Këshilli i etikës në mediat merret me aspektin moral të produkteve të mediave. Por, edhe prej atje ankohen për mungesën e legjislacionit.
Kryetari i Komisionit për Ankesa pranë Këshillit të etikës në mediat e Maqedonisë (KEMM), Mirçe Adamçevski thotë se 80, e ndoshta më shumë prej ankesave deri te Këshilli i etikës në mediat janë ngritur kundër mediave on-line. “Shpiken tema, lajme, ngjarje, e madje kemi edhe publikim kolektiv të tekstit të njëjtë. Pa ndryshuar pikën dhe presjen. Ka tekste plot me gënjeshtra që nuk janë mbështetur mbi fakte. Ka tekste në të cilat thuhet ‘mësojnë’, por nuk ‘e dimë’. Kemi ankesa nga mediat të cilave nuk mund t’ua gjejmë adresat, as nuk kanë impresume, as redaksi”, shton ai.
Pikërisht për këtë shkak, profesoresha Snezhana Tërpevska mendon se duhet të zhvillohen praktikat e etikës në shoqëri dhe të punohet për vetë-rregullim në sferën publike – në mediat, në internet, në paraqitjet publike.
Paditë për shpifje ndaj gazetarëve, sipas Kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani duhet të jenë përjashtim, e jo rregull. Në vendet e lira, shton ai, padi kundër gazetarëve ngrihen në situata të jashtëzakonshme, kur një gazetar me qëllim të keq, pa baza dhe vazhdimisht përhap informacione të pasakta në opinion për ndonjë personalitet me një qëllim të qartë për ta dëmtuar nderin dhe reputacionin e tij.
“Nuk është karakteristike për një gazetar profesional të përdorë gjuhën vulgare në komunikim me opinionin. Ai ka obligim që ta ruajë kulturën e të folurit dhe etikën për shkak se duhet të mbajë llogari për reputacionin dhe dinjitetin e gazetarisë si profesion. Në vendet e lira dhe demokratike politikanët në parim nuk paditin gazetarët dhe mediat. Këtë mësim duhet ta mësojnë edhe politikanët në Maqedoni. Akuzat dhe kritikat në mediat duhet të zgjidhen nëpërmjet debatit publik, ku të gjitha palët e përfshira do të kenë mundësinë për t’i prezantuar qëndrimet e tyre, e jo para gjykatave”, thotë Selmani.
Kjo histori investigative është prodhuar në kuadër të projektit “Gazetaria investigative-gardian I demokracisë dhe i të drejtave të njeriut”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada britanike në Shkup. Përmbajtja e kësaj historie hetues është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Britanike në Shkup.
Historia hetimore është përgatitur në kuadër të kontratës së grantit “Mbrojtja e të drejtave përmes gazetarisë hulumtuese”, i financuar në kuadër të projektit ” Gazetaria investigative-gardian I demokracisë dhe i të drejtave të njeriut”” dhe i zbatuar nga Qendra për Administrim me Ndryshime dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut. Përmbajtja e tregimit hetimore nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatave zbatuese të projektit.