GJYSMË MILIONI EURO PËR PESË VJET: NDRYSHIMI I GJENDJES PRONËSORE TË KRYETARËVE TË KOMUNAVE NDËR VITE

Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, për pesë vjet ka rritur pronën e tij me asete që vlejnë pothuajse gjysmë milioni euro. Sipas hulumtimit të SCOOP-it që është bërë në kuadër të projektit PEP, Shilegov hyn në funksionin e deputetit në vitin 2014, kur në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Krimit dhe Korrupsionit (KSHPK) deklaron pronën e tij në vlerë prej 914.857 eurosh. Sot ajo pronë, sipas të dhënave që figurojnë në faqen e internetit të KSHPK-së, ka vlerë prej 1.332.115 eurosh, që do të thotë se ai ka rritur pronën e tij për 417 mijë euro.

Nga zgjedhjet që u mbajtën në muajin tetor të vitit 2017, Shilegov është kryetar i Qytetit të Shkupit, një nga komunat më të pasura në vend. Ai është një nga figurat kryesore të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), partia që erdhi në pushtet në vitin 2016.

Sipas këtyre të dhënave, Shilegov është pasuruar mesatarisht për 83 mijë euro në vit. Dokumentet tregojnë se i gjithë dallimi është te asetet që i takojnë bashkëshortes së tij, e prej tyre vetëm tri banesat në Shkup vlejnë 208.380 euro. 200 mijë eurot e tjera kanë të bëjnë me kredi, lizing dhe borxhe themelimi. Në asetet e reja është edhe shtëpia në Mavrovë që është vlerësuar se vlen 55 mijë euro, për të cilën opinioni mësoi përmes informacioneve të faqeve të internetit të cilat shkruanin se Shilegov ka përdorur pllakat për vilën e tij në Mavrovë. Ai demantoi këtë informacion.

Shtëpia është deklaruar në maj të vitit 2018, kur Shilegov ka informuar KSHPK-në se ka shlyer kredinë në vlerë prej 2.400 euro. SCOOP-i ka publikuar se në vitin 2018 ka deklaruar pjesëmarrje gjegjësisht depozitë pa para në vlerë prej 2.400 eurosh dhe depozitë themeluese/kapital kryesor në vlerë prej 5.040 eurosh. Në vitin 2019, Shilegov ka deklaruar ulje të të hollave të përbashkëta në vlerë prej 48 mijë eurosh dhe borxh në vlerë prej 30 mijë eurosh. Kryetari i Shkupit ka shlyer edhe kredinë në vlerë prej 13 mijë eurosh, ndërsa ka ulur kredinë ekzistuese në vlerë prej 55 mijë eurosh në 36 mijë euro.  

Shilegov në vitin 2013, vetëm një vit para se të zgjidhej për deputet, ka qenë i njohur si një nga avokatët më të pasur. Sipas hulumtimit të SCOOP-it për pronën e avokatëve, në të njëjtin vit kryetari aktual i Shkupit ka qenë ndër tre avokatët më të paguar në shtet, duke deklaruar fitim prej gati 300 mijë eurosh. Kur u bë deputet, Shilegov tha se ka vënë karrierën e avokatit në plan të dytë. Edhe pse si avokat ka fituar shumë më tepër para, ai tha se ka vendosur të bëhet deputet sepse ka dashur të luftonte kundër pushtetit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së. Por, në vitin 2015, Shilegov ka marrë njoftim nga KSHPK-ja se nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe avokat edhe drejtues i shoqatës së tij të avokatëve, sepse ka konflikt të interesave.    

ÇFARË NDRYSHIMESH KA NË PRONAT E KRYETARËVE TË KOMUNAVE NË QYTETIN E SHKUPIT?

Stefan Bogoev në vitin 2014 bëhet deputet në Kuvend dhe atëherë deklaron gjendjen e tij të parë pronësore, e cila tregon një vlerë të përgjithshme prej 507.967 eurosh. Ai në vitin 2017 tërhiqet nga funksioni i deputetit dhe kandidohet në zgjedhjet lokale. Banori i ri i Karposhit fiton në rrethin e parë dhe kështu bëhet kryetar i komunës. Gjendja aktuale pronësore e Bogoevit, sipas dokumenteve të KSHPK-së, dallon nga ajo e mëparshme të cilën e ka deklaruar si deputet dhe është më e vogël për rreth 360 mijë euro. Është vlerësuar se e njëjta ka vlerë prej 141.346 eurosh, kështu që vërehet se janë larguar asetet që u takojnë prindërve të tij. SCOOP-i shkruante edhe për ndryshimet që i ka deklaruar Bogoev. Në prill të vitit 2019, Bogoev ka deklaruar ndryshime në gjendjen e tij pronësore, duke deklaruar se ka blerë një banesë të re. Sipas deklarimit të tij, bëhet fjalë për paratë që i ka fituar si dhuratë dasme nga mysafirët e pranishëm. Përveç kësaj, ai ka deklaruar se kanë marrë edhe dy kredi të tjera – e para në vlerë prej 50.000 eurosh, ndërsa e dyta në vlerë prej 9 mijë eurosh – dhe posedojnë një kartelë kreditore në vlerë prej 1.600 eurosh.

Kurto Dudush, po ashtu, ishte pjesë e përbërjes së deputetëve të LSDM-së në vitin 2016. Si deputet, Dudush ka deklaruar në KSHPK pronë në vlerë prej 109 mijë eurosh. Një vit më vonë kandidohet për kryetar komune dhe në zgjedhjet fiton më shumë vota se Elvis Bajram. Prona e tij, nga atëherë e deri më tani, nuk ndryshon shumë, gjegjësisht vetëm për një aset. Nga fleta pronësore është hequr automobili i tij dhe për këtë shkak vlera e pronës së tij ulet, gjegjësisht ka vlerë prej 100 mijë eurosh.

KRYETARË TË PËRJETSHËM KOMUNASH 

Tre nga kryetarët e Shkupit me vite të tëra janë mësuar të ulen në kolltukun e kryetarit të komunës. Jovan Pejkovski, Zhika Stojanovski dhe Borçe Mitevski tashmë tre ose katër herë me radhë janë kryetarë komunash në të njëjtat komuna. Me kalimin e mandateve, zona e komforit u lejoi atyre të ndryshojnë pronat e tyre.

Borçe Mitevski, vjen për herë të parë në funksionin e kryetarit të Komunës së Petrovecit në vitin 2009 me pronë në vlerë prej 36.423 eurosh. Populli në vitin 2013 i jep atij edhe një shans dhe kështu fiton mandatin e dytë. Në mandatin e ri rritet edhe prona e tij e cila, këtë herë, është në vlerë prej 168.130 eurosh. Banorët e Komunës së Petrovecit nuk e ndryshojnë mendimin e tyre dhe kështu në vitin 2017 përsëri ia japin besimin e tyre. Por, këtë herë prona e Mitrevskit pëson ndryshime të vogla dhe vlera e pronës së tij është ulur në 125.203 euro.

Jovan Pejkovski është kryetar i Komunës së Çuçer Sandevës që nga viti 2009 dhe për momentin i shërben komunës për herë të tretë. Me hyrjen e parë në këtë funksion, Pejkovski mund të lavdërohet me pronë në vlerë prej 821.950 eurosh. Dhjetë vjet më vonë, ulen asetet e tija e më këtë edhe vlera e pronës së tij. Fleta e tij pronësore tani ka vlerë prej 333.333 eurosh.   

Edhe në kohën e qeverisjes së të dyja partive më të mëdha politike, VMRO-DPMNE dhe LSDM, banorët e Ilindenit ia japin besimin e tyre për herë të katërt Zhika Stojanovskit. Ai është kryetar i kësaj komune që nga viti 2005 dhe prona e tij pëson ndryshime minimale. Sipas të dhënave të KSHPK-së, Stojanovski në vitin 2009 ka deklaruar pronë në vlerë prej 97.027 eurosh, ndërsa në vitin 2019 pronë në vlerë prej 99.555 eurosh.

NGA FUNKSIONE TË TJERA SHTETËRORE DERI TE KOLLTUKU I KRYETARIT TË KOMUNËS

Kryetari aktual i Komunës së Gazi Babës, ish-këshilltar në të njëjtën komunë, Boris Georgievski, hyn në funksionin e këshilltarit në vitin 2010. Ai ka deklaruar në KSHPK fletën pronësore me vetëm një automobil “Llada Samara”, i cili atëherë ka vlerë prej 1.500 eurosh. Sot, Georgievski si kryetar komune posedon pronë në vlerë prej 307.000 eurosh. Automobili “Llada Samara” “shndërrohet” në “Opel Zafira”, ndërsa një pjesë e pronës së tij është në emër të prindërve të tij, e cila përbëhet nga banesë, toka, shtëpi, livadh, vresht dhe pyll. Në emrin e tij, Georgievski ka deklaruar lizing, kredi dhe banesë në Shkup.  

Blerim Bexheti është politikan i cili gjatë përvojës së tij të punës ka ndryshuar disa funksione shtetërore. Nga viti 2002 deri në vitin 2005, ai punon në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa vitin e ardhshëm bëhet deputet, në të cilin funksion është deri në vitin 2009. Të njëjtin vit u tërhoq nga ky funksion dhe u bë kryetar i Komunës së Sarajit. Është në krye të komunës deri në vitin 2011 dhe atëherë ka deklaruar pronë në vlerë prej 142.401 eurosh. Në vitin 2011 është zgjedhur për ministër të drejtësisë dhe kryen këtë funksion deri në vitin 2014. Në vitin 2017 përsëri u zgjodh për kryetar të Komunës së Sarajit. Tani prona e tij ka vlerë prej 98.773 eurosh.

Opinioni e njohu Sasha Bogdanoviqin në vitin 2013, kur bëhet ushtrues detyre drejtor i ndërmarrjes Parkingjet e Komunës së Qendrës. Si drejtor, ai atëherë ka deklaruar pronë në vlerë prej 230.650 eurosh. Në vitin 2017, ai fiton në zgjedhjet lokale dhe bëhet kryetar i komunës së njëjtë. Në vitin 2019, prona e tij ka vlerë më të madhe për më shumë se 40 mijë euro, gjegjësisht 277.848 euro.

Zllatko Marin është ish-anëtar i Këshillit të Komunës së Aerodromit që nga viti 2009, ndërsa tani është kryetar i komunës në të njëjtat hapësira. Dhjetë vjet më parë, ai ka deklaruar pronë në vlerë prej 117.424 eurosh. Si kryetar aktual, sipas të dhënave të KSHPK-së, prona e tij ka vlerë prej 137.236 eurosh. 

Shkruaj një koment

Koment(e)