Katër mijë e treqind euro nga kartela personale e ish-ministres së kulturës Elizabeta Kançeska Milevska kanë shkuar në llogarinë e zinxhirit të hoteleve të njohura “Hilton” për vetëm një ditë. Por, jo nga llogaria e saj private, por nga llogaria e buxhetit, të cilën e mbushin qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Por, hoteli “Hilton” nuk ka qenë i vetmi destinacion i ish-ministres, e cila ka qenë një mysafire e shpeshtë edhe në hotelet e njohura “Sheraton” dhe “Ritz” në metropolet evropiane dhe botërore. Për të fjetur në këto hotele është paguar një shumë prej 300 euro për natë.
Ajo ka përdorur kartelën për çdo gjë – për blerjen e aparatit të kafesë – Nespreso, për të bërë blerje në “Zara Home” në Selanik, në qendrën e njohur greke tregtare “Notos Galeries”, pastaj në “Baldinini” në Venecia, Monkler UK LTD në Londër. Por, ka bërë blerje edhe në shitoren greke “Publik”, e njohur për mallra teknike, CUM dhe Harley Davidson (të njohura me brendin e motorëve) , ku ka paguar me rubla.
Shumë shpesh ka paguar më shumë në qendra tregtare dhe shitore sesa për qëndrimin në vendet e njohura turistike dhe metropolet. Kartela më së shpeshti është harxhuar jashtë vendit, e më rrallë në vend. E këtu në vend, më së shpeshti në restorante të njohura, por në një rast dhe në librarinë e njohur “Prosvetno dello”.
Ma shpenzimet kanë arritur edhe paralajmërime për kamata për vonesë për shkak të pagesës së vonuar të kësteve të kartelës “Diners”, të cilën e ka mbajtur ministrja me vete në udhëtime, ku jo gjithmonë ka shkuar vetë. Njëri prej borxheve ka shumën prej mbi 500 euro. Me këtë kartelë ka nxjerrë të holla, por edhe ka kthyer të holla në të.
Sipas dokumenteve të cilat i ka siguruar Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni, të fituara në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, Ministria e Kulturës ka pasur në dispozicion tri kartela zyrtare të cilat i kanë përdorur tre njerëzit e parë në ministri – ministrja, zëvendës-ministri dhe sekretari shtetëror.
Shumat të cilat i ka paguar zëvendës-ministri Dragan Nedeljkoviq janë shumë më të vogla se ato të ish-ministres. Sipas raportet bankare të kartelës, ai ka qenë një mysafir i shpeshtë në hotelet dhe restorantet rajonale. Ka udhëtuar në relacionin Beograd, Zagreb, Shkup, Ohër, Mërzenc… Ka qenë një mysafir i shpeshtë i pompave të benzinës, ndërsa në një rast e ka përdorur kartelën në barnatore. Por, edhe bilanci i tij ka qenë në minus.
Sekretari shtetëror Muzafer Bislimi ka qenë një mysafir i shpeshtë në restorantin “Tivoli” në Tetovë, ndërsa pasardhësi i tij Behixhudin Shehabi ka përdorur kartelën në restorante dhe ëmbëltore të njohura në Shkup. Në disa raste, ai ka qenë klient edhe në Bushi Feshn SHPK, i njohur për gamën e gjerë të stolisë Swarovski, të cilën e ofrojnë në treg.
“Në Ministrinë nuk ka pasur Rregullore lidhur me shpenzimet e reprezentimit. Ka pasur një sjellje galante në shpenzimet. Kush ka pasur të drejtë për reprezentim dhe në cilën masë nuk është rregulluar në mënyrë të saktë. Paraardhësit tanë kanë shpenzuar, por nuk kemi raport se për cilin projekt, qëndrim dhe për cilin qëllim janë përdorur këto para që të konstatojmë se nëse paratë janë harxhuar në mënyrë përkatëse. Paratë janë shpenzuar në mënyrë jo përkatëse. Të punësuarit i kanë përdorur reprezentimet. Madje edhe shërbimet “catering” i kanë organizuar nga jashtë që të mund të sjellin ushqimin në zyrë”, tha në intervistën ekskluzive për SCOOP, ministri i kulturës Robert Allagjozovski. Ai thekson se harxhime në emër të reprezentimit kanë bërë këshilltarët shtetërore dhe drejtuesit e sektorëve.
“Në një restorant të caktuar janë paguar 500 euro për një vakt. Duhet patjetër të pranoni se madje dhe në Paris të shpenzoni 500 euro për një delegacion është shumë tepër. Ja, me sa njerëz mund të përfundoni me drekë në kuadër të një vizite”, pyet ministri Allagjozovski.
(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)