Komuna e Strugës ia vuri syrin 50 mijë metrave katrorë të hotelit “Еurotel“ buzë liqenit

Autore: Meri Jordanovska

Kjo histori ndërtimi dhe golgota e pronarëve të apartamenteve në hotelin e Strugës viteve të fundit është “marinuar” edhe me zhvillime shtesë që hedhin dyshime se dikush dëshiron ta përvetësojë tokën e vlefshme – shpërthejnë zjarre të qëllimshme, shpronësohen dhe sekuestrohen në mënyrë misterioze mijëra metra tokë përreth hotelit, ndërkaq pronarët me vendimet gjyqësore më kotë shkojnë nëpër institucione për të përdëftuar se toka në të vërtetë u takon atyre.

Por, të fuqishmit, me sa duket bëjnë gjithçka që është në duart e tyre për të arritur deri tek parcelat atraktive në afërsi të hotelit, ku përveç ndërtesës ka edhe fushë basketbolli, gjelbërim dhe rrugica këmbësorësh që shtrihen në katër parcela.

Si filloi e gjithë kjo?

Investitor i hotelit “Eurotel” është firma “Palasturist”, një agjenci turistike që nuk ekziston më. Në marrëveshjen gati 4 dekada të vjetër ndërmjet investitorit të “Eurotel”-it, “Palasturist”-it dhe njërit prej pronarëve të parë të apartamenteve thuhet se “pjesët e përbashkëta të hotelit” janë sheshet, lëndinat, kopshtet, fasadat, korridoret, shkallët etj. Marrëveshja deri tek e cila erdhëm, daton që nga viti 1981 dhe është e vështirë për tu lexuar, megjithatë pjesa që rregullon se cilat janë pjesët private dhe cilat janë pjesët e përbashkëta ideale të hotelit, është e qartë.

Kështu, më kontratën e shitblerjes së apartamentit turistik me tre nene (1, 4 dhe 8) i garantohet blerësit se me blerjen e apartamentit, ai bëhet pronar edhe i 73.124 metra katror sipërfaqe tokësore, në të cilën bëjnë pjesë toka nën hotelin, sipërfaqja e oborrit, parkingu, gjegjësisht të gjitha parcelat kadastrale që janë cekur në kontratë.

Parcela kadastrale në të cilën shtrihet “Еurotel“

Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë individë privatë filluan të blinin apartamente, kurse deri në fund të viteve 1990, “Palasturist” parashtroi padi me të cilën i kërkonte në pronësi këto pjesë të hotelit të cilat më parë u përkisnin pronarëve, por e humbi kontestin në të gjitha instancat gjyqësore.

Aktgjykimi i tre instancave gjyqësore që vendosin për padinë e “Palasturist”-it thotë:

“Pronarët e apartamenteve turistike në kompleksin e hotelit Eurotel – Strugë të cilët kanë lidhur kontrata për shitblerje të apartamenteve turistike me RO-TA Palasturist Shkup, e kanë të drejtën e pronësisë së përbashkët të pjesëve të përbashkëta të kompleksit: tokën, sheshet, qasjet, lëndinat, kopshtet, terrenet e lojërave … dhe hapësira të tjera të përbashkëta dhe ndihmëse “.

Kështu, Gjykata Themelore e Shkupit në mars të vitit 1998 solli vendim në favor të pronarëve të apartamenteve në kontestin me “Palasturist”, me çka konfirmon se ata krahas apartamenteve, kanë të drejtën e pronësisë së përbashkët dhe pronën me të cilën disponon kompleksi i hotelit.

Vendimi i gjykatës vitin e ardhshëm gjendet përpara një gjykate më të lartë – Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Shkallës së Dytë në Shkup në janar të vitit 1999, e vërteton vendimin e Gjykatës Themelore dhe e obligon “Palasturist”-in t’ua njohë të drejtën e pronësisë së pasurisë së përbashkët pronarëve të apartamenteve të hotelit. Të njëjtin vendim e vërteton tashmë edhe Gjykata Supreme në prill të vitit 2002.

Një pjesë e aktgjykimit të Gjykatës Supreme e vitit 2002

Gjatë gjithë kësaj kohe, pronarët mendojnë se ngastrat përreth hotelit, lëndinat, fushat e lojërave, shtigjet, u takojnë atyre. Dhe kështu mbetet deri në vitin 2016, kur dikush vendos se duhet të fillojë ngadalë të vejë dorë mbi këtë tokë.

Nëpërmjet zjarreve të vëna deri te lufta për tokën

Në vitin 2016, në dy raste dhe në dy ndërtesa të vogla në afërsi të plazhit përpara “Eurotel”-it, shpërthen zjarr. Në vitin 2016 digjet një objekt i vogël në plazh, ndërsa në vitin 2017 edhe një barakë tjetër. Atëherë, tek pronarët e apartamenteve lind dyshimi, sepse dispozitat ligjore përcaktojnë se nëse bëhet fjalë për tokë me ndërtim të fortë, ajo nuk mund të tjetërsohet. Zjarri për të cilin nuk u gjet kurrë kryesi, e bën këtë tokë të pastër për përvetësim, gjë që ngre dyshime se dikush do të përpiqet atje të ndërtojë.

“Ne kishim dy ndërtesa buzë liqenit dhe na u dogjën, dikush ua vuri zjarrin, sipas të gjitha gjasave kanë menduar se është më lehtë ta rregullojnë tokën pa objekte. Është e qartë se gjithçka është bërë me plan, por ne nuk ishim të sigurt për këtë. Detyra e policisë ishte që të zbulojë se kush i ka djegur objektet dhe që të argumentojë nëse zjarret janë vënë qëllimisht, por deri në ditën e sotme nuk u gjet autori”, thotë Sllavko Çukiq, pronar i njërit prej apartamenteve në “Eurotel” dhe anëtar i Bordit drejtues të hotelit.

Dy zjarre brenda dy viteve, zjarrvënësi nuk është gjetur

Po atë vit, 2016, komuna e Strugës e parashtron propozimin për shpronësim në favor të komunës për realizimin e planit urbanistik rreth hotelit, ndërsa pronarët e apartamenteve aspak nuk janë njoftuar për këtë. Në korrik të vitit 2019, në fletë-pronësinë për mbi 50 mijë metra katrorë shënohet propozimi për shpronësim.

Propozimi për shpronësim është shënuar në fletë-pronësinë e korrikut 2019

Ndërkohë, megjithëse tashmë kanë pasur një vendim gjykate se toka u takon atyre, pronarët e apartamenteve janë përpjekur ta blejnë përsëri atë për çmim 1 euro për metër katror.

“Në vitin 2016, morëm informata nga Komuna e Strugës se me dorëzimin e një kërkese në Komunë do të ishim në gjendje të riblenim tokën tonë për çmimin 1 euro për metër katror. Secili nga ne individualisht paraqiti kërkesë në komunë, por kurrë nuk morëm përgjigje, as nëse ishte vendosur pozitivisht, e as nëse përgjigja ishte negative”, thotë një pronar apartamenti dhe shton:.

“Disa herë jemi drejtuar deri te komuna për të pyetur se deri ku është procedura me kërkesat tona për blerjen e tokës dhe sa kërkesa janë bërë, punonjësit komunal gjithmonë jepnin të njëjtën përgjigje” ‘dokumentet janë në Shkup, në verifikim dhe nuk e dimë se kur do t’i kthejnë’. Mbetet e paqartë për ne se çfarë lloj ekspertize është duke u bërë dhe pse Shkupi do të vendoste për tokën në Strugë, por në vend të përgjigjeve, hasëm në dyer të mbyllura”.

Gjatë kësaj kohe, komunën e drejtonte Zijadin Sela, i cili ishte kryetar i komunës së Strugës nga viti 2013 deri në vitin 2017, i pasuar nga Ramiz Merko.

Për të qenë situata edhe më konfuze, për gjithë këtë kohë, por edhe deri më sot, në kadastër kjo tokë evidentohet si e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e jo e pronarëve të apartamenteve që janë të gatshëm ta paguajnë atë edhe për herë të dytë.

Sela pretendon se atij nuk i kujtohen detajet për këtë tokë, por se Qeveria shpesh ka marrë vendime pa dijeninë e tij.

“Unë kam qenë kryetar i Komunës së Strugës deri në vitin 2016 dhe sinqerisht nuk e di nëse në kohën time një procedurë e tillë ishte iniciuar nga ana e Qeverisë, respektivisht shtetit. Unë nuk kam qenë kryetar komune deri në fund të vitit 2016, ndërsa është e pritshme që qeveria të ketë bërë diçka pa dijeninë time,

sepse nuk kam qenë në marrëdhënie të mira me pushtetin. Kishte raste kur ata më merrnin hapësira dhe i vendosnin në zotërim të tyre, duke i shpallur objekte me interes kulturor. Ndoshta kanë bërë diçka pa dijeninë time. Me të vërtetë nuk më kujtohet tani”, na deklaroi ai.

Alokimi misterioz i mbi 20 mijë metra katrorë

Në luftën për tokën për “Eurotel”, pronarët e apartamenteve tashmë po humbasin 21.780 metra katrorë nga

73.124 metra katrorë ekzistuese – në një pjesë të vendit të oborrit të kompleksit hotelierik po ngrihet një hotel i cili deri më sot është në fazën karabina, kurse pronarët e apartamenteve të hotelit të pandërtuar e ndërlidhin me të fortit e qytetit.

Mbi 20 mijë metra katrorë tashmë janë në duart e tjetërkujt

“Tashmë një pjesë e tokës mbi 20.000 metra katrorë është shpërndarë, në një ngastër filloi të ndërtohet një hotel, neve na mbetën edhe vetëm mbi 50.000 metra katrorë. Hoteli që po ndërtohej nuk e dimë se i kujt është, tani ai është stopuar dhe nuk po ndërtohet, prej vitesh është në fazën karabina dhe si ulçerë qëndron në mes të sipërfaqes së oborrit të Eurotel-it. Formuam edhe komision që do të interesohet se në ç’mënyrë mund ta blejmë pjesën tjetër të tokës, ka dokumente se kjo tokë është e jona sepse na është blerë, por ja, ne jemi të gatshëm ta blejmë përsëri. Vetëm kjo na mbetet, sepse tashmë mbi 20.000 metra katrorë dikush i ka vjedhur me ndihmën e Kadastrës dhe Komunës. Ato metra katrorë që kanë mbetur, ende nuk e dimë  nëse do të mundemi t’i blejmë, megjithëse janë tonat, me siguri nuk do të mund t’i blejmë për së dyti, të paktën mua kështu më duket. Prapëseprapë, shpresoj që drejtësia do të jetë në anën tonë”, thotë Sllavko Çukiq, pronar i njërit prej apartamenteve në “Eurotel” dhe anëtar i Bordit drejtues të hotelit.

Karabinaja për hotelin e ri pranë “Еurotel“-it

Përveç hotelit në fazën e karabinasë, në këtë pjesë prej 21.780 metrash katrorë paraqiten edhe mbi dhjetë pronarë të vjetër të tokës të cilët në kadastër janë evidentuar në vitin 2015/2016. Këta pronarë askund nuk figurojnë në dokumentet as të “Palasturist”-it, e as të “Eurotel”-it. Ata nuk janë paraqituar as si pronarë kur për hotelin janë udhëhequr konteste para gjykatave, ndërsa pronarët e apartamenteve as nuk i kanë parë e as nuk i kanë takuar fare. Së këndejmi, nuk është e qartë se si pronarëve të apartamenteve në “Eurotel” me vendim gjyqësor u është dhënë toka, nëse e njëjta tashmë ka pasur pronarë të tjerë.

Sipas të dhënave të publikuara në kadastër, një kuadraturë e çuditshme është shënuar në fletë-pronësitë e pronarëve të vjetër, të cilët kinse kanë poseduar një pjesë të tokës. Kështu, pronësitë sillen prej 2 metra katrorë e deri në mbi 600 metra katrorë. Sipas dokumenteve deri tek të cilat arritëm, mbi shumicën e atyre tokave është bërë shpronësimi me kërkesë të Komunës së Strugës në vitin 2016, ndërsa pronarët janë zhdëmtuar në të njëjtin vit. Por, për ta bërë rastin më kontradiktor, megjithëse komuna kërkonte mbizotërim për shkak të interesit publik mbi tokat për të cilat është bërë eksproprijimi, asnjë gur kurrë nuk u zhvendos, e jo më të ndërtohet diçka, përveç karabinasë së hotelit për të cilin deri më sot nuk dihet se në pronësi të kujt është, e as nuk është i shënuar në hartën e kadastrës.

Në fakt, Ligji për shpronësim përcakton që toka të konfiskohet nga pronari, respektivisht i njëjti të zhdëmtohet që shteti të vendosë zotërimin mbi të njëjtën për nevoja me interes publik, ndërsa komuna të paraqitet vetëm si shfrytëzues i atij trualli. Në rastin konkret, në disa eksproprijime në vitin 2016, pronarët janë zhdëmtuar në mënyrë që komuna të mund të ndërtojë një rrugë qasëse. I tillë është rasti me shpronësimin e 87 metrave katrorë, për një shumë prej 247.623 denarë, respektivisht 2.846 denarë për metër katror për ndërtimin e një objekti infrastrukturor – rrugë qasëse. Katër vjet më vonë, komuna nuk ka bërë asnjë rrugë qasëse në afërsi të Eurotelit.

Gjendja e krijuar me kthimin e truallit, ka çuar në një rrëmujë të vërtetë rreth “Eurotel”-it në vitin 2017. Në vitin 2017 është paraqitur edhe pronari një pjese të plazhit para hotelit, duke vendosur një gardh metalik dhe një kamp-rimorkio në të cilën ka ndenjur një roje dhe ka prerë bileta për hyrje në plazh.

“Unë e di se vija e bregut nuk mund të jetë private, por tek ne gjithçka është e mundur. Denoncuam në Komunë, thirrëm edhe policinë, dhe ndodhi që gardhi i plazhit dhe rimorkioja gjatë natës të zhduken”, dëshmon Çukiq.

Merko: PDU-ja nuk ndryshon, asgjë nuk do të ndërtohet

Toka atraktive e “Eurotel”-it është padyshim dëshira e shumë pushtetarëve vendorë, së këndejmi është temë e ndaluar edhe për këshilltarët e komunës së Strugës. Ata që i kontaktuam pohojnë se nuk ka asnjë ndryshim të PDU-së në atë lokacion, por kur do t’i pyetni për gjendjen konkrete faktike në terren, ata ngrenë supet duke thënë se nuk kanë njohuri për propozimin për shpronësimin e tokës së hotelit të vlefshëm në vijën e bregut.

Të gjata ishin përpjekjet tona për të arritur deri te kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ndërsa kur më në fund arritëm tek ai, na dha përgjigje jo precize.

“Komuna mund të jetë vetëm shfrytëzues i tokës, ajo është pronë e shtetit. Ne kërkojmë që të bëhet eksproprijimi, vetëm nëse duhet të ndrëtohet rrugë, bulevard, diçka që është me interes publik, por shteti është pronari, komuna vetëm e shfrytëzon atë”, na tha Merko.

Kur theksuam se në dokumentin e kadastrës shkruan se kërkohet shpronësimi i tokës në të cilën ndodhet “Eurotel”-i, kryetari i komunës së Strugës na u përgjigj:

“Unë nuk e di se çfarë shkruan në dokumentet tuaja, ajo që po e them është e vërteta, PDU-ja nuk ndryshon, asgjë nuk do të ndërtohet.”

Merko nuk kishte përgjigje as se pse rruga nuk ishte ndërtuar akoma, në 87 metra katrorë tokë, për çka shteti kishte paguar tashmë me marrëveshje, e as se i kujt është hoteli i cili tashmë disa vite qëndron si karabina në tokën afër “Eurotel”-it.

“Nesër do t’ju lidh me nëpunësit e Sektorit të Urbanizmit dhe ata do t’ju shpjegojnë gjithçka”, na premtoi kryetari i Strugës, por nuk e mbajti fjalën, ndërsa ndaloi të përgjigjet në thirrjet dhe mesazhet tona.

Me shpronësimin e një pjese të tokës prej 21.780 metrave katrorë, edhe krahas 4 viteve të kaluara, komuna e Strugës nuk ka bërë asgjë që është me interes publik. Pse nevojitet shpronësimi i mbi 50.000 metra katror të tjera nëse është paraparë Plan i detajuar urbanistik mbetet e paqartë. Ekzistojnë shumë spekulime dhe dyshime mes pronarëve të apartamenteve në hotelin, të cilët dyshojnë se toka do të uzurpohet për interesa private.

Komuna e Strugës ka qenë në shënjestër të publikut një kohë të gjatë për shkak të ndërtimeve të egra që po ndërtohen në bregun e liqenit. Këshilltarët e opozitës disa herë flisnin publikisht që Merko nuk i ka respektuar vendimet e Këshillit. Ata, si grup këshilltarësh, kanë dërguar kundërshtime, ankesa, padi, madje edhe kallëzime penale, por institucionet kanë qenë memecë dhe nuk ka pasur përgjigje prej tyre. Opozita në Këshillin e Komunës së Strugës numëron 13 anëtarë nga partitë Aleanca për Shqiptarët, VMRO-DPMNE dhe Lëvizja Besa, por edhe krahas kësaj, kryetari i komunës po i shtyn axhendat e tij pa problem. Edhe pse koalicioni qeverisës BDI-LSDM numëron 12 këshilltarë, erë në shpinë e vendimeve të kryetarit të komunës janë dy këshilltarët e pavarur, të cilët më së shpeshti votojnë “për” propozimet e Merkos.

Trualli me “Eurotel“-in i ngjason rastit me projektin për ndërtimin e terreneve sportive të hapura dhe të mbuluara, shumë pranë bregut të liqenit, që është sjellë në vitin 2015, kur Strugën e drejtonte Ziadin Sela. Proejkti fillon të realizohet në vitin 2016, ndërsa në vitin 2018 paraqitet investitori për ndërtimin e komplekseve sportive, me elaborat të përgatitur për terren sportiv dhe hapësirë për zhveshtore. Por, ajo që është hedhur në letër dhe ka marrë nënshkrimin e Merkos, nuk është realizuar. Në vend të terrenit sportiv në bregun e liqenit, është bërë shator për dasma dhe ahengje.

Historiku i një ndërtese me histori të gjatë

HotelI “Eurotel” është një ndërtesë e madhe me një histori të gjatë. Ndërtimi i ngurtë duket se i reziston presioneve të kohës. Ndonëse shumica do të thoshin se objekti është në fazë shkatërrimi, mbetet fakti se Euroteli është sinonim i asaj se si duhet të ndërtohet një ndërtesë që ia takon zinxhirit të hoteleve që shfrytëzohen për pushime të shkurtra – apartamente të vogla, pamje nga liqeni, sheshe lojërash, rrugica për ecje, restorante , gjelbërim, pjesa e paraparë për argëtim, diskoteka. Pakujdesia njerëzore e ka bërë të veten, por viteve të fundit një numër i madh ndërmarrjesh të cilat posedonin apartamente ua shesin personave fizikë, kështu që hoteli ka filluar të rimarrë shkëlqimin e tij të vjetër.

Hyrja e “Eurotel“it

“Vlera e Eurotel, për ne që e dimë, është me të vërtetë e madhe. Jo vetëm për shkak të madhësisë së ndërtesës dhe vendndodhjes së saj, por sepse ajo ka një histori që daton shumë kohë më parë edhe në nivel ndërkombëtar”, dëshmon një nga pronarët më të vjetër të apartamenteve në hotelin e Strugës.

Bëhet fjalë për një zinxhir hotelesh që janë ndërtuar me të njëjtin parim dhe me të njëjtat standarde në shumë lokacione në Mesdhe, si Spanjë, Itali, Gjermani etj.

Harta e shteteve ku në të kaluarën ka pasur të ashtuquajtur “еurotele“

“Për shkak të standardeve të rrepta të ndërtimit të një kompanie spanjolle, të gjithë hotelet detyrimisht duhej t’i respektonin procedurat. Poenta e ekzistimit të eurohoteleve ishte mesa vijon – blehet një apartament dhe me këtë fitohet mundësia që të shfrytëzohen hapësirat e përbashkëta, si kuzhina, restoranti, terrenet e lojërave etj. Apartamentin e shfrytëzon një sezon, të themi, dhe më pas fiton të drejtën e shkëmbimit, respektivisht mund ta kalosh pushimin veror në disa prej apartamenteve në eurohotelet në shtetet ku ato ekzistojnë”, shpjegon njëri nga pronarët.

Ky parim nuk ekziston më duke pasur parasysh se të gjithë hotelet nuk i kanë përmbushur standardet me kalimin e kohës, kështu që tek secili prej tyre pronësia trajtohet në mënyrë tjetër. Në vendin tonë, zgjidhja e pronësisë u ka sjellë golgotë shumëvjeçare atyre që pretendojnë ta ruajnë shkëlqimin e ndërtimeve rreth bregut të liqenit.

Kjo storie hulumtuese është përpunuar me ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)