Komunat fshehin se për çka i harxhojnë paratë

Nëntitull: Komuna më transparente janë: Shtipi, Manastiri, Kavadari, Velesi dhe Ohri

 

Goran Lefkov

 

Shumica e komunave në Maqedoni nuk janë aq të interesuara që ti informojnë qytetarët se si i shpenzojnë paratë publike. Hulumtimi i Qendrës për Administrim me Ndryshime, në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike për ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”, tregoi se indeksi i transparencës në të gjitha komunat është vetëm 20%. Në vitin 2016, indeksi i transparencës ka qenë 16%, që do të thotë se autoritetet e reja lokale nuk praktikojnë transparencën e nivelit të duhur.

Ivana Qurçieva nga Qendra për Administrim me Ndryshime thotë: “Rezultati i të ashtuquajturit barometri i transparencës në internet tregoi se komunat mesatarisht publikojnë 16% të të dhënave të cilat i posedojnë, e të cilat duhet të jenë publike dhe janë në përputhje me nevojat e qytetarëve”. Ajo shton se nuk mund të jemi të kënaqur me faktin se të dhënat publikohen në faqet e internetit të komunave.  

Gjendjet e këtilla për njohësit e situatës në pushtetin lokal është një praktikë e keqe.

Profesori i Fakultetit Juridik, Borçe Davitkovski thekson se në nivel komunal askush nuk jep llogaridhënie, e as bën diçka. “Ata janë shefa, pasha të pashallëkut të tyre”, konsideron Davitkovski.

Sipas të dhënave të hulumtimeve të Qendrës për Administrim me Ndryshime, komuna më transparente janë: Shtipi, Manastiri, Kavadari, Velesi dhe Ohri.  

 

Kryetar i komunës së Velesit, Ace Kocevski, u lavdërua se faqja e tyre e internetit është shumë transparente. “Komuna e Velesit me vite të tëra renditet në kreun e transparencës për punën e saj”, thotë ai.

Një vegël e rëndësishme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies janë edhe mënyrat në të cilat komunat i ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët.

“Komunat duhet të kenë mjaft kanale për të komunikuar me palët ose t’i informojnë mjaft ato se si duhet të kryejnë një shërbim të caktuar. Në kuadër të projektit tonë vizituam të gjitha komunat në terren që të informohemi se si ofrohen shërbimet në terren. Të dhënat treguan se vetëm 17% e komunave publikojnë në një vend transparent informata se si të fitohen shërbimet. Vetëm 28% kanë publikuar se si të paguhen taksat administrative dhe 25% kanë formularë të printuar ose formularët janë në dispozicion në vendin ku kryhet shërbimi”, thekson Martin Todevski nga Qendra për Administrim me Ndryshime.

Nga pushteti qendror aspak nuk janë të kënaqur me transparencën e komunave. 

Sipas Ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, komunat duhet të jenë të hapura shumë më tepër ndaj opinionit, të publikojnë të dhënat që duhet të jenë në dispozicion, në faqet e tyre të internetit ose brenda në vetë hapësirat.

Vështirësi në hulumtimet për transparencën e komunave kanë pasur edhe organizatat partnere të Qendrës për Administrim me Ndryshime derisa kanë kryer hulumtimet në terren. Ato ankohen se ka komuna, si ajo e Kratovës, nga të cilat aspak nuk mund të merrnin të dhënat të cilat kanë qenë të nevojshme për hulumtimin e tyre, edhe pse qëllimi i tyre ka qenë i qartë dhe i sinqertë.

Talat Agush, i cili është anëtar i OJQ-së “Jeff Macedonia”, thekson se me vetë atë që kërkohet transparencë nga komunat, me atë edhe përmirësohet puna e tyre, si dhe shërbimet për qytetarët.

Qeveria po përpiqet të bëjë me sa duket disa hapa pioniere për të rritur transparencën me publikimin e një pjese të faturave që i paguajnë në administratën shtetërore. Por, njëkohësisht ajo bllokon veglat e sistemit të cilat duhet të sjellin një transparencë më të madhe në komunat dhe në nivel qendror. E paharrueshme në historinë e Maqedonisë është bllokada e Komisionit për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik. Kështu, më 2 maj të këtij viti, për kryetar të Komisionit për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik në mënyrë të shpejtë është emëruar ish-zëvendësi Blerim Iseni. Qeveria e Zaevit nuk emëroi anëtarët e këtij Komisioni, me çka tashmë 6 muaj ankesat e parashtruara për kërkesat për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik drejt komunave janë të bllokuara sepse nuk ka kush t’i miratojë vendimet e Komisionit.

Nga Qendra për Administrim me Ndryshime gjatë zbatimit të këtij projektit e kanë studiuar transparencën e shumë komunave jashtë Maqedonisë, ku vetëdija për informimin e qytetarëve është në një nivel shumë më të lartë.

“Shembujt pozitivë në botë, të cilët janë transparentë në internet, ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thotë Ivana Qurçieva nga Qendra për Administrim me Ndryshime.

Disa nga kryetarët e komunave janë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është transparenca. Sipas tyre, është e ndershme që qytetari të dijë se ku shpenzohen paratë e tija, të cilat në formën e tatimeve dhe detyrimeve kanë shkuar në arkën e komunës.

Ace Kocevski, kryetari i komunës së Velesit tha:

“Transparenca është shumë e rëndësishme, ne jemi të zgjedhur nga qytetarët dhe ekzistojmë për ta. Ne duhet t’u shërbejmë qytetarëve, dhe qytetarët duhet gjithmonë të dinë se ku, si dhe sa shpenzohen paratë e tyre që inkasohen në buxhetin komunal”. Ai shton se qëllimi i komunës është që dokumentet të cilat i hartojnë të përshtaten sa më shumë që është e mundur me prioritetet e qytetarëve.

Qasja me rritje më të shpejtë për dërgimin e të dhënave ndaj komunitetit janë faqet e internetit të komunave. Qurçieva nga Qendra për Administrim me Ndryshime thekson se mbi 65% të qytetarëve informohen përmes mediumeve moderne, gjegjësisht internetit. “Faqet e internetit të komunave përdoren për të promovuar profilin e kryetarit të komunës. Duhet të përdoren shumë më tepër për të publikuar të dhëna që janë të interesit publik dhe të cilat janë të rëndësishme për qytetarët. Ajo që publikohet më së pakut në komunat nga sfera e financave është raporti i furnizimeve të parealizuara dhe në vitin 2018 këtë e kanë bërë vetëm 4% të komunave”, thotë ajo. 

Transparencën e theksojnë edhe nga Komuna e Studeniçanit. Në të kaluarën, ata kanë organizuar edhe forume në bashkësinë që të përcaktohen nevojat e qytetarëve. Ato nevoja më vonë duhet të bëhen prioritete të komunës. Tani vegla e tyre kryesore për transparencë është faqja e internetit e komunës.

Qëllimi ynë i vendosur, para të gjithash, është transparenca. Ne përpiqemi që nëpërmjet rrjeteve sociale, Facebook-ut, Instagram-it, faqes së internetit të komunës, çdo lëvizje të kryetarit të komunës, sekretarit të komunës si seminare, vizita, prezantime të të punësuarve, kryetarit të komunës, këshilltarëve, përpiqemi ta publikojmë të njëjtën ditë në faqen e internetit dhe në faqet zyrtare të internetit të rrjeteve sociale”, shpjegon Burhanedin Nuhiju, sekretar i Komunës së Studeniçanit.

Nga dokumentet më shumë janë publikuar dokumentet financiare si llogaria përfundimtare ose buxheti i komunës. Rreth 70% të komunave kanë publikuar këto informacione në faqet e internetit, ndërsa më së pakut është raportuar për ndotjen dhe mjedisin. Kështu, kadastra e mjedisit në komunat është publikuar vetëm në 3% të komunave, ndërsa listën e ndotësve e kanë publikuar vetëm 1% e komunave.

 

*Ky hulumtim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike për ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”. Përmbajtjet në video janë përgjegjësi e vetme e Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

*Storja është mbështetur nga QGH SCOOP Maqedonia në kuadër të projektit NED “Promovimi i transparencës përmes raportimit hulumtues”.   

Shkruaj një koment

Koment(e)