Komunat po zhyten në borxhe – Tetova, Ohri dhe Karposhi në krye të listës

Autorë: Aneta Dodevska dhe Ruzhica Fotinovska

Borxhet e komunave në vend po rriten. Madje 70 nga gjithsej 80 komuna në vend kanë raportuar detyrime të maturuara ndërsa të papaguara për arsye të ndryshme. Kjo do të thotë që 87.5% e të gjitha komunave në vend përballen me probleme financiare për servisimin e rregullt të obligimeve. Në kuartalin e tretë të këtij viti, detyrimet e maturuara ndërsa të papaguara të të gjitha komunave në vend, arritën në 63.892.100 euro. Analiza komparative në lidhje me situatën me tremujorin e dytë tregon një rritje të detyrimeve të papaguara për 13 milion euro. Në “listën më të re të borxheve” që e publikon Ministria e Financave, përfundimisht me kuartalin e tretë të vitit 2020, në dhjetë debitorët më të mëdhenj janë tre komuna, Tetova, Ohri dhe Karposhi.

Burimi: Ministria e Financave

Përveç këtyre tre komunave, e para “Dhjetëshen e parë më me borxhe” e përbëjnë komunat që kanë borxhe më të larta se 1.5 milion euro.

Burimi: Ministria e Financave

Kryetarët e komunave që kemi kontaktuar pranojnë se komunat po përballen me borxhe të mëdha që nuk mund t’i paguajnë me kohë.

Arben Taravari

“Që nga fillimi i këtij viti, borxhi i komunës së Gostivarit është rritur nga 1 milion euro në gati 3 milion euro. Ka dy arsye për këtë. Së pari, paraqitja e vonuar e kërkesave për punët e përfunduara që kanë ndodhur para vitit 2018 dhe borxhet e reja që nuk mund të shlyhen për shkak të krizës ekonomike. Konkretisht, Ndërmarrja publike e Gostivarit raportoi pagesën e urdhëresave për punë të përfunduara në vitet 2014, 2015 dhe vitet deri në 2018, dhe një pjesë e detyrimeve ndaj kësaj ndërmarrje publike janë sapokrijuara, ose 50% janë detyrime të vjetra, ndërsa 50% janë tëreja, me një shumë totale prej rreth 2 milion euro. Krijohen detyrime të reja sepse të hyrat në komunë zvogëlohen, ndërsa nga ana tjetër projektet nuk mund të ndalen ”- thotë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ne inspektuam strukturën e borxheve të njërës prej komunave me borxh më të madh – komuna e Ohrit. Ajo detyrohet në bazë të vendimeve gjyqësore, vendimeve përmbaruese, për kryegjënë, për kamatën…

Kjo është struktura e borxheve të një prej komunave me më shumë borxhe:

Furnizuesit – borxhi aktual 65.921.431,00 denarë
Furnizuesit – financimi i projekteve 347.500,00 denarë
Furnizuesit – Aktgjykime 17.759.742,00 denarë
Furnizuesit- Aktvendime përmbaruese 105.730.766,00 denarë
Furnizuesit – Marrëveshje për pagesën e borxhit 96.781.384,00 denarë
Kamata bazuar në vendime gjyqësore dhe përmbaruese 187.134.817,00 denarë
GJITHSEJ 473.675.640,00 denarë

“Me ndihmën e shtetit përmes injeksionit financiar që iu dha komunave të zhytura në borxhe në vitin 2019, por për shkak të marrëveshjeve të arritura me disa nga furnitorët për shlyerjen e kamatës – vetëqeverisja lokale deri më tani ka zvogëluar borxhin me deri në 19.5 milion euro. Vetëm në bazë të shlyerjes së interesit, borxhi është zvogëluar me gati 4 milion euro. Komuna përballet me probleme financiare për një kohë të gjatë, probleme të cilat ne po përpiqemi t’i zgjidhim, por ende shfaqen pretendime që e rrisin borxhin “- tha kryetari i komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski.

Bëmë inspektimin në një dokument që na ishte dorëzuar nga Komuna e Ohrit dhe që tregon se përkeqësimi i gjendjes financiare të komunave është një proces që zgjat me dekada. Bëhet fjalë për një padi mbi një lëndë për shpronësim nga viti i largët 1980, për çka komuna tani, pas katër dekadash të plota, duhet të paguajë 415.000 euro.

Në Odën e Përmbaruesve nuk ka të dhënë të saktë se sa komuna janë bllokuar aktualisht nga përmbaruesit. Por ata thonë se disa komuna janë vazhdimisht solvente, dhe disa i kanë të bllokuara llogaritë për vite me radhë.

“Pyesni se si atëherë funksionojnë komunat me llogari të bllokuara? Kjo është mundësuar për shkak të dispozitës ligjore, gjykata të përcaktojë një shumë-prag parash në llogari, mbi të cilën mund të transferohen paratë për kreditorin. Kjo do të thotë se të gjitha paratë deri në atë shumë janë të liruara që komuna t’i disponojë, normat e interesit të vazhdojnë të rrjedhin, ndërsa kreditori gjithnjë më të vështirë e ka të përmbushë aftësinë solventitetin e vet”, thonë nga Oda e Përmbaruesve.

Për këtë gjendje, për të cilën ata thonë se u shkakton dhimbje koke, propozojnë zgjidhje.

“Situata mund të zgjidhet, para së gjithash, ashtu që komunat do të marrin përsipër të paguajnë vetëm aq sa mund të paguajnë. Ne nuk e dimë se çfarë kuptimi ka që të financohen nevojat e komunave në kurriz të furnitorëve të tyre ose çfarëdo kreditori tjetër mbi çfarëdo baze. Dhe e dyta, të shfuqizohet dispozita e Ligjit për përmbarim e cila e mbron komunën dhe në fakt me ekzistimin e një dispozite të tillë stimulohet huazimi i tilla joracional i komunave “.

Disa nga baballarët komunalë ia dolën të “ikin” prej përmbaruesve. Kështu, Komuna e Kumanovës për një periudhë tre vjeçare arriti të zbërthejë më shumë se 7 milion euro.

“Pas tetë vjetësh nën bllokadë, komuna tani është zhbllokuar. Për tre vjet kemi kthyer më shumë se shtatë milion euro dhe për momentin nuk kemi lëndë te përmbaruesit për arkëtim të dhunshëm”- na deklaroi kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Borxhet e mëdha të komunave e detyruan qeverinë qendrore të ndërhyjë me qindra miliona euro- para të shtetit për të mbuluar borxhet e komunave. Në fund të vitit 2018, në përputhje me nenin 5 të Ligjit për mbështetje financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale për financimin e detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara, komunave u janë ndarë mjete në lartësi prej 51% të shumave të detyrimeve të raportuara. Edhe pse “vrimat” pjesërisht u sanuan, disa prej komunave vazhduan edhe më tutje të kumulojnë detyrime të reja.

Skanimi revidues: mungesë e përgjegjësisë financiare

Përkundër borxheve milionëshe që në të ardhmen përsëri do të bien mbi “kurrizin” e qytetarëve, shtrohet pyetja nëse autoritetet komunale e kanë shpenzuar buxhetin komunal me transparencë dhe përgjegjësi. Në vitet e fundit, revizorët kanë hyrë në më shumë komuna dhe kanë detektuar shkelje të shumta të ligjit, dhe madje kanë identifikuar komuna që kanë shpenzuar dhe kanë kryer prokurime publike, edhe pse kanë qenë të detyruara ligjërisht të deklaronin “bankrot”. I tillë është rasti me komunën e Strugës.

“Në kontinuitet, për më shumë se gjashtë muaj, që nga viti 2010, llogaria e Komunës së Strugës është nën bllokadë. Përkundër kësaj situate, kryetarët e komunave të cilët kanë menaxhuar me komunën, nuk kanë marrë vendim për shpallje të paqëndrueshmërisë financiare” – thuhet në një nga raportet e fundit të revizionit që i referohen funksionimit të kësaj komune.

Edhe krahas kësaj, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në vitin 2018, kur komuna kishte një borxh prej 4 milion eurosh, bleu katër automjete me vlerë 114.000 euro, nga të cilat një luksoze “Audi 6” prej 66 mijë eurosh, e cila është më e shtrenjta makinë e blerë me para publike në tre vitet e fundit. Komisioni Anti-korrupsion në vitin 2019 nisi një iniciativë për përgjegjësi

penale, jo vetëm për automjetet, por edhe për të gjitha vërejtjet e gjetura nga revizorët. Prokuroria Publike për Krim të Organizuar ka hapur një hetim paraprak, por ende nuk ka epilog.

Me inspektimin e kryer në raportet e revizionit për tre vitet e fundit, analiza tregon se nën “thjerrëzën” e revizorëve ishin gjithsej 11 komuna, përkatësisht: Gjorçe Petrov, Negotinë, Veles, Çashkë, Haraçinë, Makedonski Brod, Bogovinë, Kisella Vodë, Shtip, Sveti Nikole, Ohër. Në pjesën më të madhe janë identifikuar dobësi dhe paqartësi, të cilat aludojnë në jo-transparencë në pjesën e llogaridhënies financiare dhe hapjes ndaj publikut.

”Nuk është siguruar transparenca në procesin dhe përgatitjen dhe miratimin e Buxhetit” – thuhet në raportin e revizionit për komunën e Bogovinës.

“Nuk janë përcaktuar kritere precize me të cilat bëhet shpërndarja e mjeteve nga programi për sport. Mjetet e shpenzuara për realizimin e projektit ‘Pastërmaliada’ kanë të bëjnë me financimin e projekteve që nuk kanë vlera kulturore” – nënvizojnë revizorët për komunën e Shtipit.

Revizionet e para të njësive të vetëqeverisjes lokale u bënë në vitin 2001, ndërsa u publikuan në vitin 2002 – thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit. Bëmë këqyrje në revizionet e kryera nëpër komuna mbi baza vjetore për një periudhë prej një dekade. Nga viti 2010 deri në vitin 2020, ishin përgatitur dhe publikuar gjithsej 82 raporte revizioni, në të cilat nën thjerrëz u vunë rregullsia dhe suksesi i punës së komunave. Një ndër pyetjet që ia bëmë Revizorit shtetëror ka të bëjë me atë se sa komunat kanë vepruar sipas rekomandimeve dhe vërejtjeve të revizorëve.

“Disponojmë vetëm të dhëna përmbledhëse për veprim sipas rekomandimeve të subjekteve të cilat kanë qenë subjekt i revizionit dhe atë e publikojmë në raportet vjetore të Entit Shtetëror të Revizionit sipas viteve, respektivisht nuk disponojmë me statistika të veçanta në lidhje me komunat. Në lidhje me këtë, ju informojmë se në përputhje me ndryshimet në Programin Vjetor të Punës të EShR në vitin 2020, planifikojmë të realizojmë Revizion të ndjekjes së rekomandimeve në 53 njësi të vetëqeverisjes lokale me temën “Efikasiteti i politikave, masave dhe aktiviteteve gjatë ndarjes të së drejtës mbi ujin” dhe të kryejmë një Revizion të Performancës në 13 njësi të vetëqeverisjes lokale me temën “Trajtimi dhe menaxhimi efikas i mbetjeve plastike” – thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Nga fillimi i punës së revizorëve e deri më tani – kontroll revizioni është bërë në gjashtëdhjetë komuna, respektivisht vetëqeverisje lokale. Konkretisht, deri më tani nën revizion kanë qenë 64 komuna. Në disa prej tyre revizorët inspektojnë edhe nga dy herë, siç janë Tetova dhe Shtipi. Revizionet e para janë bërë në vitin 2002 kur revizorët publikonin gjetje mbi funksionimin e Zletovës, Probishtipit, Kavadarit, Qendrës, Gazi Babës, Star Dojranit, Kratovës, Bogdancit, Karposhit, Kisella Vodës, Berovës dhe Qytetit të Shkupit.
Burimi: Enti Shtetëror i Revizionit

Komunat, thonë nga ky institucion, në mënyrë plotësuese “kontrollohen” edhe përmes revizioneve të tjera tematike në lidhje me zhvillimin rajonal, menaxhimin me tokën ndërtimore, decentralizimin.

Bllagica Petreski

Megjithatë, shpenzimi jo-transparent i parave në nivelin lokal i shqetëson ekonomistët dhe organizatat joqeveritare. Thonë se pjesa dërmuese e komunave nuk kanë sistem dhe praktika afatgjata, ndërsa atje ku do të fillojë të punohet në mënyrë më

transparente, situata ndryshon me secilin cikël zgjedhor, do të vijë një kryetar i ri dhe puna do të fillojë përsëri nga fillimi.

“Zakonisht, kur diskutohet për transparencën, fokusi është nëse komunat i publikojnë buxhetet dhe llogaritë përfundimtare. Dhe kjo është një minimum dhe një obligim ligjor që komunat mund ta bëjnë”, thotë Bllagica Petreski nga OJQ “Finance Think” dhe shton:

„Ekonomistët vlerësojnë se transparenca duhet të analizohet edhe nga aspekte më thelbësore, se si u përpilua buxheti, nëse të gjithë palët e

interesuara morën pjesë në atë proces, nëse zgjedhja e projekteve bazohet në prioritet dhe në efikasitet dhe efektivitet më të madh. Këto aspekte, përveç që ndikojnë në përgjegjësinë e

Komunave dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve të tyre, do të kontribuojnë edhe për një dizajn më të mirë të buxheteve“.

Kjo OJQ ka punuar për tre në përmirësimin e transparencës së komunave. Por jo të gjithë kryetarët e komunave e kanë pranuar iniciativën.

“Megjithatë, për implementimin e suksesshëm të një procesi të tillë, është e nevojshme të kemi hapje, gatishmëri dhe vullnet të kryetarëve të komunave, por edhe interes të qytetarëve për të marrë pjesë aktivisht dhe për të kontribuar në këtë proces. Hapja e kryetarëve të komunave ende nuk është çdokund e njëjtë. Kjo u tregua edhe nga fakti që ne e filluam këtë proces me 12 komuna, por organizimi i diskutimeve publike mbi buxhetin u pranua vetëm nga ana e tetë komunave. Nga ana tjetër, në këto diskutime publike, qytetarët nuk janë gjithmonë të informuar dhe motivi i tyre për të marrë pjesë shpesh është skeptik. Sidoqoftë, në komunat ku kjo zbatohet si një praktikë e rregullt, dhe ky proces përsëritet, motivimi dhe pjesëmarrja është më e madhe”, thotë Petreski.

Nga Komisioni Anti-korrupsion thonë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë lëndë të hapur për funksionim jotransparent të komunave dhe deri tek ata nuk ka mbërritur ndonjë denoncim i tillë nga qytetarët. Por ata thonë se nga viti i ardhshëm do të punojnë në mënyrë parandaluese si fenomen.

“Në vitin 2021 fillojmë një projekt me OSBE- në. Grupet e punës tashmë janë formuar. Do të punojmë me komunat, do të ketë trajnime se si të rritet transparenca e tyre. Nuk mjafton vetëm publikimi i buxhetit komunal, por gjithashtu raportet se si shpenzohen paratë. Për shembull, komunat kanë obligim të financojnë sport masiv, e jo klube të caktuara

dhe individë për të cilët ne kurrë nuk shohim se si i kanë shpenzuar paratë. Këto gjëra duhet të ndryshojnë dhe ne do të punojmë në këtë drejtim”, thotë Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Kundër Korrupsionit.

Paratë e qytetarëve – të trajtuara si mjete “personale”

“Komunat publikojnë vetëm 36% të informacioneve që duhet t’i publikojnë “- kjo është shënuar në raportin e fundit të Qendrës për Komunikime Civile kushtuar transparencës së institucioneve dhe autoriteteve lokale.

Sipas Indeksit të transparencës së Qendrës, katërmbëdhjetë komuna nga gjithsej 81 u vlerësuan me notën më të lartë “shumë mirë”.

Velesi konsiderohet të jetë komuna më e hapur. Pasohet nga Shkupi Karposhi, Kriva Pallanka, Manastiri, Demir Hisari. Të gjitha janë vlerësuar me mbi 88% transparencë, prej 100% të mundshme.

Por, në shkallën e jo-transparencës, më poshtë si më famëkeqe ka përfunduar komuna e Zelenikovës me vetëm 4.3% transparencë. Staro Nagoriçane, Petroveci, Qendra Zhupë, Likova, Pllasnica, Çuçer Sandeva gjithashtu kanë marrë notë “shumë dobët”.

Disa nga këto komuna, të cilat po udhëheqin për sa i përket mos-transparencës, janë në listën e debitorëve – me detyrime të prapambetura dhe të papaguara. Kështu, komuna e Zelenikovës, përfundimisht me tremujorin e tretë të këtij viti, ka borxh 4 mijë euro. Staro Nagoriçane ka një borxh prej 176 mijë eurosh. Qendra Zhupë 2.700 euro, Likova me borxh fantastik prej 650.000 eurosh. Pllasnica ka një borxh të prapambetur dhe të papaguar në shumën prej 240.000 euro. Komunat Petrovec dhe Çuçer Sandevë nuk janë në listën e debitorëve të Ministrisë së Financave.

“Si komunat ashtu edhe ministritë, institucionet shtetërore në përgjithësi, janë më të dobëtit në publikimin informacioneve në lidhje me punën e tyre financiare”, thotë German Filkov nga Qendra për Komunikime Civile, i cili punoi në analizën. “Hulumtimi i fundit i cili e vlerëson publikimin proaktiv të informacioneve me rëndësi për qytetarët, tregon se komunat publikojnë më pak informacione në fushën e buxhetit dhe transparencës fiskale. Respektivisht, ato publikojnë vetëm 36% të këtyre informacioneve (nga 100% të mundshme). Vitin e kaluar, pra 2019, kjo përqindje ishte edhe më e ulët, me 26%. Këtu përfshihen informacione mbi buxhetet, llogaritë përfundimtare, raportet tremujore të realizimit të buxhetit, njoftimet mbi prokurimet publike, njoftimet për lidhjen e kontratave dhe vetë kontratat, etj. Megjithëse ata kanë detyrim ligjor, publikimi i informacioneve mbi punën financiare flet edhe për qëndrimin e vetë komunës, përkatësisht integritetin e saj. Më saktësish për atë se sa komuna, kryetari i komunës, nëpunësit kanë sens për obligimin e tyre për transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve për shpenzimin e parave të tyre. Në këtë rast, duke mos publikuar këto informacione, dështohet në dy nivele. E para, detyrimet ligjore për publikimin e rregullt të këtij informacioni nuk respektohen dhe e dyta – në nivelin personal, nuk demonstrohet përgjegjësi për paratë e shpenzuara që qytetarët dhe kompanitë paguajnë si taksa dhe detyrime të tjera”, shpjegon Filkov.

Për mos-transparencën enorme të disa komunave flet dhe fakti që për shembull disa komuna nuk kanë as uebfaqen e tyre. Një shembull i tillë është komuna Staro Nagoriçane. Në eksploruesit e internetit kur shkruhet emri i komunës, del një faqe e cila nuk është në funksion.

Gjetjet e hulumtimit tregojnë se vetëm 43 nga gjithsej 81 komuna sivjet e kanë përmirësuar transparencën aktive. Vitin e kaluar ka pasur përmirësim madje tek 70.

Përgjegjësia për operacion të papërgjegjshëm ….

Megjithëse deri më tani janë identifikuar lëshime, dobësi të shumta, madje dhe veprime të kundërligjshme, mbetet pezull çështja e përgjegjësisë për shkak të punës së papërgjegjshme.

Me qëllim që të ndihmojë komunat, Qeveria bëri ndryshime ligjore me të cilat akoma më shumë “ua zgjidhi duart” komunarëve në planifikimin dhe shpenzimin e buxheteve lokale. Për një pjesë të komunave, kjo zgjidhje mund të nënkuptojë hapjen e shtegut për ndërhyrje më të mëdha investive, por për të tjerët – borxhe të reja që më pas do t’i servisojnë qytetarët.

Qeveria pretendon të ketë vullnet të fortë politik për të stimuluar transparencën e komunave, sidomos pasi që kjo është një nga vërejtjet më të rëndësishme të BE-së.

“Në periudhën e ardhshme, vëmendja do të përqendrohet në rritjen e transparencës së komunave dhe publikimin e të dhënave mbi punën financiare në faqet e tyre të internetit, si dhe publikimin e detyrimeve të papaguara ndaj kreditorëve”, siguron ministri i financave, Fatmir Besimi.

Sipas rregullativës ekzistuese, të gjitha institucionet, si dhe komunat janë të obliguara për transparencë financiare. Sipas Ligjit për kontabilitet për buxhetet dhe shfrytëzuesit buxhetorë, i shkruar nga Ministria e Financave, neni 30 paragrafi 14 thotë që një gjobë prej 500 deri 800 euro në kundërvlerë me denarë do t’i shqiptohet personit përgjegjës të buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetorë nëse nuk i publikon llogaritë përfundimtare në faqen e vet të internetit në afat prej 15 ditëve nga dorëzimi i llogarive në Regjistrin Qendror. Kontrollin dhe iniciativën për ndëshkim të shkeljeve të bëra e bën personi i autorizuar nga Ministria e Financave, ndërsa sanksionet për kundërvajtje i shqipton gjykata kompetente.

Por, nga Ministria e Financave thonë se deri më tani asnjë komunë nuk është gjobitur për mos publikimin e të dhënave në ueb faqe, pa shpjegime të mëtejshme. Dhe nuk ka asnjë përgjigje konkrete nëse komunat do të marrin një injeksion të ri financiar për të mbuluar borxhet. Thonë se forcimi i decentralizimit fiskal është një nga fushat thelbësore të cekura në programin e Qeverisë për periudhën 2020-2024 dhe se detyrimi për transparencë më të madhe do të zbatohet me ligjin e ri për buxhete, i cili është në procedurë.

“Sipas dispozitave ligjore ekzistuese, tashmë ka mekanizma të instaluara për kontrollin e shpenzimit të mjeteve te komunat, për të cilat ata janë të detyruar të paraqesin raporte financiare tremujore në Ministrinë e Financave, ndërsa janë të detyruar edhe t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit se si i shpenzojnë mjetet. Gjithashtu u nënshtrohen edhe revizioneve nga ana e Entit Shtetëror të Revizionit. Komunat gjithashtu janë të detyruara të paraqesin të dhëna për borxhet e komunave dhe shfrytëzuesve të tyre buxhetorë në përputhje me Ligjin për raportimin dhe regjistrimin e detyrimeve, ndërsa mbikëqyrje kryen inspektorati financiar në sektorin publik. Transparenca është thelbësore për monitorimin e shpenzimit të financave publike, përfshirë edhe ato lokale, prandaj Ministria e Financave e publikoi instrumentin Financat e hapura ku në nivel operativ shihen të gjitha shpenzimet nga buxheti i komunave, dhe kështu presioni i publikut mund të kontribuojë në disiplinimin e autoriteteve lokale”, thonë nga Ministria e Financave.

Në propozim-ligjin për buxhetet, i cili është lëshuar në procedurë, janë cekur taksativisht të gjitha dokumentet që komunat do të duhet t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit. Përveç buxhetit,do të duhet të publikohen edhe planet financiare, raportet kuartale ose raportet financiare vjetore. Gjobat po rriten në mënyrë drastike. Në qoftë se dokumentet e cekura nuk gjenden në faqet e internetit, gjobat variojnë nga 1.000 deri në 10.000 euro për personin juridik dhe nga 250 në 500 euro për personin përgjegjës.

Për një pjesë të ekonomistëve, rol kryesor në rritjen e transparencës së komunave luan organizimi i diskutimeve publike gjatë përpilimit të buxhetit.

“Palët kyçe të interesit janë kryetari i komunës, Këshilli i Komunës, qytetarët, organizatat joqeveritare dhe sektori i biznesit. Në masë të madhe, suksesi i këtij procesi varet nga hapja dhe interesi i të gjitha palëve. Nevojitet një rol më aktiv i qytetarëve sepse kemi parë që qytetarët nuk janë të informuar sa duhet për buxhetin dhe nuk i dinë plotësisht të gjitha të drejtat për t’u

përfshirë në procesin e përgatitjes së buxhetit. Edhe kur përfshihen, ata nuk dinë si të specifikojnë propozim-projektet e tyre. Mirëpo, analiza jonë tregoi se diskutimet publike janë një mundësi e shkëlqyeshme për të identifikuar përparësitë, por edhe për të bërë presion mbi qeverinë lokale për të realizuar premtimet e saj parazgjedhore”, shpjegon Bllagica Petreski nga “Finance Think “.

Sektori joqeveritar, gjithashtu, konfirmon se komunat kanë dështuar që vullnetarisht t’i publikojnë të dhënat financiare. Kurse edhe ata që i publikojnë, është e diskutueshme se sa të kuptueshme janë për qytetarët.

“Është e rëndësishme mënyra dhe forma në të cilën do të publikohen që të munden ato të kuptohen lehtësisht nga çdo qytetar, si dhe nga ata që nuk janë ekspertë për ato çështje. Një mënyrë e thjeshtë, e kuptueshme, e lehtë për t’u lexuar, e publikimit të këtij informacioni do t’i ndihmojë qytetarët të kuptojnë se si shpenzohen paratë e tyre, që ata të munden, bazuar në to, të marrin pjesë në marrjen e vendimeve se për çfarë do të shpenzohen ato para. Dhe me këtë, në fund të fundit, përveç se paratë do të shpenzohen në mënyrë më racionale dhe më me dedikim për nevojat e qytetarëve, besimi i qytetarëve në komuna dhe në institucionet e sistemit në përgjithësi do të rritet”, thotë German Filkov.

Përderisa ekspertët tërheqin vëmendjen për urgjencën e rritjes së transparencës në punën e komunave, sidomos në fushën e shpenzimeve të parave publike, një pjesë e autoriteteve lokale vazhdojnë të tregojnë rritje të huamarrjes për arsye të ndryshme dhe shteti në fillim të dhjetorit miratoi një paketë të re financiare – si ndihmë për krizën me Covid-19. Lista përfshin të gjitha komunat, duke mos përjashtuar ato që ende “larg syrit të publikut” fshehin të dhëna se si dhe pse i shpenzojnë paratë e qytetarëve.

Shkruaj një koment

Koment(e)