Manjatë, politikanë, të dënuar … – kush qëndron pas offshore kompanive në vendin tonë? (Pjesa e dytë)

Autor: Vllatko Stojanovski

Në strukturën pronësore të 408 ndërmarrjeve paraqiten persona të tjerë juridikë me seli në gjithsej 28 vende të huaja, të cilat, siç njoftuam në pjesën e parë të serialit kushtuar kompanive të huaja në vend, janë kryesisht juridiksione specifike evropiane, por midis tyre hasen pothuajse të gjitha oazat e largëta tatimore që ofrojnë shkallën më të lartë të diskrecionit. Në këtë vazhdim, zbuluam se për cilat kompani bëhet fjalë – cili është statusi i tyre, me çka merren, cilët persona dhe subjekte figurojnë në strukturën e tyre të pronësisë, etj.

Nga të dhënat voluminoze që i siguruam nga Regjistri Qendror, rezulton se shumë prej ndërmarrjeve offshore tashmë të konstatuara, paraqiten si pronarë të kompanive të tjera në shtetin tonë, të cilat, ndërkaq, shpesh çojnë në kompani të treta. Megjithëse për një pjesë më të vogël të tyre zhvillohen procedura të falimentimit, pjesa tjetër janë joaktive në aspekt të biznesit, megjithatë, shumica e tyre funksionojnë realisht dhe realizojnë qarkullim të konsiderueshëm të mjeteve, me çka disa që punojnë me humbje dhe disa me fitim. Nuk është i vogël numri i kompanive rezultatet financiare të të cilave sillen rreth zero.

Me këtë rast, të dhënat që kemi për këto kompani offshore tregojnë se ato mund të grupohen në disa kategori, bazuar në karakteristika dhe parametra të ndryshëm. Kështu, mund të veçohen grupe të njohura të huaja dhe ndërkombëtare, kompani me kapital të përzier, si dhe shumë kompani të lidhura me biznesmenë vendas dhe rajonal. Për më tepër, disa prej tyre kanë lidhje me ish politikanë dhe funksionarë aktualë dhe të mëparshëm, madje edhe me parti politike.

Përndryshe, ne tashmë e kemi vendosur këtë temë në korrelacion me ndryshimet ligjore të miratuara dy vjet më parë, të cilat imponojnë që të gjitha kompanitë në pronësi të kompanive të huaja (offshore) të paraqesin një person fizik si pronar përfundimtar në Regjistrin e Pronarëve të Vërtetë, gjë që është e rëndësishme për procedurat e identifikimit të pronarëve të vërtetë nga bankat, avokatët, noterët dhe subjektet e tjera kompetente dhe të autorizuara. Pas publikimit të storjes sonë të parë, ky Regjistër u lëshua në përdorim zyrtarisht, kështu që tani vijon një periudhë e mbushjes dhe rrjetëzimit.

GRUPACIONET NDËRKOMBËTARE

Madje më shumë se gjysma e ndërmarrjeve offshore në vend kanë pronarë nga 3 vende evropiane me elementë offshore. Më saktë, nga 408 kompani të tilla aktive juridikisht, aq sa gjetëm në regjistrin tregtar të Maqedonisë, 260 kanë (bashkë)pronarë nga Hollanda (102), Zvicra (92) dhe Qiproja (66). Ato ndiqen nga juridiksione të tjera specifike evropiane si Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta, si dhe zonat klasike offshore në Azi dhe Atlantik – Delavere, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panama, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kong…

Midis tyre hasen kompani dhe grupacione të mirënjohura ndërkombëtare dhe internacionale, të cilat veprojnë përmes përfaqëssive, kanë hapur kompani të re ose kanë realizuar investim grinfilld në ndonjë repart të ri prodhimi. Me këtë rast, shumë prej këtyre ndërmarrjeve kanë hyrë në vendin tonë përmes shtetit amë, por shumë prej tyre e kanë bërë këtë përmes kompanive nga zona të tjera offshore.  Në këtë mënyrë, ata indirekt performojnë në vendet e treta siç është Maqedonia e Veriut.

Gjigandi rus i naftës “Lukoil” hyri në vendin tonë përmes një kompanie zvicerane, kurse sot është i pranishëm përmes një kompanie holandeze

Për shembull, “Lukoil” është një kompani e mirënjohur ruse e naftës, por në vendin tonë së pari ishte e pranishme përmes kompanisë holandeze “Lukoil Europe“, dhe së fundmi pronari i kompanisë maqedonase u bë kompania zvicerane “Litasko“. Shtëpia anglo-amerikane e revizionit “Deloitte“, nga ana tjetër, operon përmes një subjekti qipriot, kurse “Lear Corporation” amerikane ka hapur një fabrikë në Tetovë për mbulesat e sediljeve të automobilave përmes një kompanie hollandeze. As “Sony” japonez, as “Huawei” kinez, as “Zara” spanjolle, në vendin tonë nuk kanë padronë nominalë nga vendet e origjinës, por nga Hollanda.

Përkundër faktit se shumica e këtyre ndërmarrjeve të huaja me një strukturë të njohur të pronësisë realizojnë qarkullim të madh mjetesh, dhe më shpesh fitime të larta, megjithatë, një pjesë e tyre kanë punuar në mënyrë problematike dhe po shkojnë drejt shkatërrimit. I tillë është rasti me kompaninë për kultivimin e frutave të mollëve dhe bërthamave “Taurus Farms“, e cila hyri në vendin tonë në vitin 2010 si një investim gjerman, megjithëse në strukturën e saj të pronësisë nuk ka asnjë kompani gjermane, por subjekte nga Qiproja dhe Lihtenshtajni.

Investimi gjerman “Taurus Farms”, i realizuar përmes kompanive nga Qiproja dhe Lihtenshtajni, bëri humbje të madhe dy vjet më parë dhe ra në falimentim

Sidoqoftë, raportet financiare tregojnë se kompania në vitin 2018 bën një humbje të madhe dhe bie në falimentim. Sipas informatave nga drejtori i falimentimit, ajo nuk po shkon në likuidim, por në ristartim, duke pasur parasysh që plani i riorganizimit është pranuar nga kreditorët dominues. Kjo do të thotë që kjo kompani, e cila gjithashtu paraqitet si pronare e kompanisë për prodhim të rrushit “Shuklev-Company” nga Gjevgjelia, së shpejti mund të fillojë të funksionojë me pronarë të rinj.

KOMBINATET E MËDHENJ

Më tej, shumë kompani të huaja dhe biznesmenë të vendosur në juridiksione specifike, këtu  posedojnë fabrika të ndryshme dhe objekte të mëdha industriale, dhe madje kanë një ndikim kyç në degë të tëra biznesi. Në mbështetje të kësaj, duhet të përmendim “Fenin” nga Kavadari, i cili punëson rreth një mijë njerëz dhe merr pjesë me pothuajse 2 përqind të PVB-së. Në fakt, kjo fabrikë tashmë një kohë të caktuar e mban emrin “Euronike Industry“, sipas kompanisë e cila e mori atë përsipër në vitin 2019 në kuadër të procedurës së falimentimit.

Siç na udhëzuan nga atje, themeluesi dhe pronari përfundimtar i “Feni” është “Global Special Opportunities Ltd (GSOL)”, i cili është një fond privat kapital me një gamë investimesh afatgjata i themeluar në vitin 2009. Në këtë Fond janë përfshirë një numër i madh institucionesh financiare evropiane, me ç’rast dhe, sipas “Euronikel“, askush nuk ka të drejtë të vendosë, por menaxhimi është në kompetencën e Bordit të Drejtorëve. Identiteti i tyre, siç theksojnë, u është bashkangjitur si duhet institucioneve kompetente.

Pronari përfundimtar i “Feni”-t është Global Special Opportunities Ltd, një fond privat i kapitalit i themeluar në vitin 2009, në suaza të të cilit askush nuk ka të drejta të vendimmarrjes

Kontrollet që kemi kryer tregojnë se GSOL është i pranishëm këtu përmes disa kompanive që çojnë deri në Bahama. Një prej tyre është kompania për veprimtari menaxhuese “Euronikel“, në pronësi të “Global Special Opportunity LTD“, e drejtuar nga Andreas Cagaris dhe Gerasim Kujinxhiev. Ky subjekt juridik në dy vitet e rrumbullakuara kalendarike themelimit në vitin 2018 punon në minus, kështu që humbja në vitin 2019 tejkalon mbi 2 miliardë denarë.

Sipas të dhënave në dispozicion, e lartpërmendura “Euronikel” dhe pronari i saj nga Bahama – “Global Special Opportunity“, paraqiten si partnerë të kompanisë “Euronikel Industry“, e themeluar në vitin 2019 për prodhimin e metaleve të ngjyrosura. Ndryshe nga “Euronikel“, “Euronikel Industry” punon me pozitivë, duke pasur parasysh që vitin 2019 e përmbylli me të ardhura prej mbi 10 miliardë denarë dhe një fitim prej 647 milion denarë. Fuqitë e këtij entiteti janë në duart e tandemit Cagaris-Kujunxhiev.

Përmes një kompanie nga Bahamet, GSOL I posedon “Euronikel” dhe” Euronikel Industry”, të cilat nga ana tjetër paraqiten si ortakë në disa kompani të tjera

Por rrjeti i kompanive që lidhen me “Feni”-n nuk ndalet këtu. Përveç kësaj, “Euronikel” shfaqet si pronar i “Novo Feni“, por gjithashtu si bashkëpronar i “Nova Refraktori” nga Pehçeva, ku si partner paraqitet edhe “Vatrostalna” Mihajllo Mihajllovski. Për më tepër, “Euroninel Industry” zotëron kompaninë e ndërtimit “Nova Engineering“, si dhe kompaninë konsulente “Ligina e Nikelit“, menaxherët e së cilës janë Borka Petrovska dhe Ljubomir Mitroviq.

KAPACITETET XEHTARE

Përpunimi i të dhënave me të cilat disponojmë tregon se shumë miniera janë në pronësi të pronarëve të huaj që operojnë përmes destinacioneve offshore. Kështu, “CMK Evropa“, e themeluar nga kompania Hollandeze me të njëjtin emër për tregtinë e xeheve të metaleve, zotëron minierën “SASA” në Makedonska Kamenicë. Ajo që është interesante, “SASA” si një entitet i veçantë ka punuar me pozitivë, por kjo është veçanërisht vlen për kompaninë – pronare “CMK Evropa“, e cila ka gjeneruar të ardhura prej mbi 4 miliardë denarë dhe ndërkohë nuk kishte pothuajse aspak shpenzime.

Sipas përgjigjes që na i dërguan nga “SASA”, që nga viti 2017 pronari përfundimtar i holding-kompanisë “CMK Evropa”, e regjistruar në Hollandë, është në të vërtetë kompania britanike “Central Asia Metals PLC”, e cila, siç thonë nga atje , është e regjistruar në Bursën e Londrës. Lidhur me punën financiare, ata shpjegojnë se “CMK Evropa” nuk gjeneron të ardhura nga aktivitetet e veta të biznesit, por vetëm nga fitimi i shpërndarë nga puna e “SASA“-s në formë të dividendës.

Për një vit, “CMK Evropa” ka realizuar të ardhura dhe njëkohësisht fitim prej 4 miliardë denarë bazuar në fitimin e shpërndarë nga puna xeherorer “SASA”

Miniera e mirënjohur e bakrit nga Radovishi – “Buçim“, nga ana tjetër, që nga viti 2009 është në pronësi të një kompanie të regjistruar në vendet ekzotike Shën Vincent dhe Grenadine. Respektivisht, pronari i minierës është “Solvay Industries Esti”, e cila, siç pretendohet nga “Buçim”, është pjesë e “Solvay Investment Group” me seli në Zvicër, në pronësi të familjes Bronstein. Gjithsesi, bashkë-menaxher i minierës është Nikollajço Nikollov, i cili si person fizik zotëron kompaninë tregtare “Nikex“, e cila nga ana tjetër është pronare e “Mantovo Resort“-it, “Okis Hemija“-s, etj.

Një kompani tjetër me një veprimtari të ngjashme për nxjerrjen e xeheve është “Diatomak”, në pronësi të “Metallix” të Zvicrës. Menaxheri i saj është Thomas Hoelscher, i cili gjithashtu posedon një kompani tjetër në Probishtip – “TH-Mining“. Në të njëjtën kohë, ai është menaxher i SHA “Stërmosh“, një minierë në Probishtip e cila ishte blerë para 2 vjetësh në bursë për 2 milion euro. Automatikisht, koncesioni i “Stërmosh”it për shfrytëzimin e shtufit vullkanik në Rankovcë i kaloi “Diatomat“-ut.

Pasi “Indo Minerals” falimentoi, minierat “Zletovo” dhe “Toranica” i mori përsipër “Minstroy” e Bullgarisë, e cila është gjithashtu pjesë e biznesit të marihuanës mjekësore

 

Siç dihet, minierat “Zletovo” dhe “Toranica” i posedonte “Indo Minerals” në pronësi të “Markov“, nga Hollanda, pjesë e “Binani Group“. Pasi kompania e përfundoi vitin 2015 me humbje prej 130 milion denarë, në një kohë kur kompania faktikisht po paralajmëronte investime prej 225 milion denarë, “Indo Minerals” ra në falimentim që nuk është mbyllur deri më sot. Sidoqoftë, në vitin 2016 të dy minierat u morën përsipër nga “Minstroy” e Bullgarisë, e cila është gjithashtu pjesë e biznesit të marihuanës mjekësore.

LOJRA FATI

Pothuajse të gjitha kazinotë klasike dhe elektronike, i posedojnë gjithashtu kompanitë offshore. Së këndejmi, “Irada” nga Vaduzi i Lihtenshtajnit, është pronar i kazinos “Princess” – Gjevgjeli në suaza  të “Ramada Plaza Hotel“. Nga një juridiksion tjetër evropian, i ka rrënjët kazinoja elektronike “Senator”, pronarë të së cilës janë “Black Mountain Inv LTD” e Irlandës dhe Interfutura/Interquatro, me seli në qytetin slloven Portorozh.

Pastaj, kazinoja “Hit International” në Dojran është në pronësi të Kiro Kostovskit dhe të “Mint Club International” nga Gjevgjelia, e cila gjithashtu është në pronësi të Kostovskit së bashku me “Mint International Limited” me seli në Shën Kits dhe Nevis. Aktualisht, menaxher i “Mint International” është Kristijan Kostovski, por në një periudhë të caktuar në vitin 2012, menaxher ishte ish-deputeti Rafet Muminoviq, njeriu i parë i Klubit të futbollit “Shkupi“.

 Kazinoja e Gjevgjelisë “Princesha” operon përmes një kompanie nga Lihtenshtajni, ndërsa kazinoja elektronike “Senatori” përmes kompanive nga Irlanda dhe Sllovenia

Ndërkaq, partneri në “Mint Club International” dhe “Hit International“, Kiro Kostovski, shfaqet si pronari i vetëm dhe menaxheri i kompanisë hoteliere “Kormoran” nga Dojrani i Vjetër. Në të njëjtën kohë, ai është menaxher i kompanisë hoteliere “Interna” së bashku me Dragan Popovskin, i cili, nga ana tjetër, paraqitet si pronar i ndërmarrjes ndërtimore “Pro Aksis” dhe si person i autorizuar në KF “Rabotniçki“. Deri më tani, ne nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet në lidhje me bashkëpunimin dhe lidhjen midis të gjithë personave dhe kompanive të përmendura.

Një tjetër kazino e famshme e Gjevgjelisë quhet “Corona International” (Hotel “Apollonia“), e cila është pronë e “Stellar International S.A” nga Ishujt Marshall dhe “Aytona Holding S.A” nga Panamaja. Paraprakisht, në strukturës pronësore të ndërmarrjes kanë qenë “Gala Holdings” e Britanisë dhe “KHLP SHPKNJ“. Kompania e dytë është e regjistruar për shërbime financiare në vitin 2007, kështu pronar i saj më parë ishte Hambert Forvalting Aktiebolag, ndërsa aktualisht është “MK Agency EOOD” e Bullgarisë.

MPB, asokohe ngriti padi penale kundër disa personave nga kompanitë e lidhura me “Corona International”, sepse ata në mënyrë të paligjshme kanë “rrotulluar” 250 milion euro

Si përkujtim, Ministria e Brendshme në vitin 2015 ngriti kallëzime penale për shpërdorim detyre dhe evazion fiskal kundër personave përgjegjës të “Corona”-s dhe disa ndërmarrjeve të tjera të lidhura. Ata u akuzuan se nga viti 2004 deri në vitin 2007 kishin bërë transferim të pabazuar të kapitalit nga një kompani në tjetrën përmes kontratave të rreme për menaxhim dhe shërbime këshilluese në vlerë prej mbi 250 milion denarë, gjatë së cilës ata përvetësuan gjysmën e parave dhe i vendosën ato në qarkullim përmes llogarive të huaja. Nga atje, ata nuk na ofruan informacion në lidhje me epilogun e kallëzimit.

MANJATËT RAJONALË

Një emërues tjetër i përbashkët për disa nga kompanitë vendase me potencial të lartë të përfshirë në projekte të mëdha investimi është fakti që ato ishin ose ende janë në pronësi të firmave offshore të manjatëve lokalë dhe rajonalë. Njëri prej tyre është “Comtrade Distribution”, e themeluar në vitin 2007 për teknologji informatike, në pronësi të kompanisë hollandeze “Comtrade Group B.V”, ndërsa menaxher është Dejan Dimov. Sipas Byrosë së Prokurimit Publik, kompania kohët e fundit ka marrë katër tenderë nga Enti i Statistikave dhe nga Banka Kombëtare prej gjithsej 18 milion denarë.

Zyrtarisht, themeluesi dhe pronari i “Comtrade” është biznesmeni serb Veselin Jevrosimoviq, me të cilin publiku maqedonas u njoftua pasi për 2.5 milion euro në vitin 2012, bleu pjesën e spedicionerit “Fershped” në televizionin “Alfa“. Jefrosimoviq gjithashtu hyri në strukturën pronësore të portalit “Telegraf”, por në vitin 2016 u tërhoq nga të dy mediat. Televizioni aktualisht funksionon me padronë të rinj nga Hungaria, ndërsa portali prej kohësh është zhdukur nga skena mediatike.

Serbi Veselin Jevrosimoviq dikur bleu një pjesë të aksioneve në “Fershped” në “Alfa TV” dhe hyri në strukturën pronësore të portalit “Telegraf”

Nëpërmjet Hollandës, i pranishëm është edhe “Grupacioni Balfin” i biznesmenit dhe miliarderit shqiptar Samir Mane. Më saktë, “Balfin” ka kohë që posedon kompaninë e pajisjeve elektrike shtëpiake “Neptun“, ku pronarë janë Arsim Papraniku dhe Ilir Papraniku. Përveç kësaj, “Balfin”, Paparniku dhe një kompani tjetër hollandeze – “Piaz Investment VV”, zotërojnë kompaninë e menaxhimit të pasurive të paluajtshme “Skopje East Gate Seg”, e cila po ndërton një qendër të re tregtare brenda ish-panairit.

Gjatë kësaj periudhe, shumë aktual ishte biznesmeni kontrovers dhe malazez Miodrag Davidoviq – Daka, “Jelak Gradba” e të cilit, sipas Kadastrit të Pasurive të Paluajtshme, posedon gati 6 mijë metra katrorë tokë në fabrikën e Tetovës me të njëjtin emër, ku me planin urbanistik të miratuar së fundmi, u vizatuan marka ndërtimore. Konkretisht, Davidoviq është menaxher i “Jelak Gradba“, të cilën njëherit e posedon “Adastra Group” nga Panamaja, e cila posedon gjithashtu edhe kompaninë “Chronos sum“, të menaxhuar nga Branko Rudoviq. Në regjistrin tregtar të Malit të Zi, Rudoviq qëndron si menaxher i “Nexan”, një kompani në pronësi të plotë të Dakas.

Biznesmeni malazez Daka, përmes një kompanie nga Panamaja, e posedon tokën në kuadër të “Jelak” nga Tetova, ku me PDU-në e miratuar së fundmi, u vizatuan marka ndërtimi

Në këtë kategori mund të listohet edhe “Balkan Energy Group“, e cila përmes disa personave juridikë nga SHA “Toplifikacija” dikur mori përsipër prodhimin, furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë termike. Fillimisht, pronarët e “BEG” ishin kompanitë offshore “Bitar Holding” dhe “Project Management“, që pas disa vitesh aksioner të bëhet një kompanie tjetër offshore – “Cadricod Investments Limited“. Të gjitha ato lidhen me “Grupacioni Sintez” të biznesmenit kontrovers rus Leonid Lebedev.

KAPITALI I PËRZIER

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndërmarrjeve me komponentë offshore shquhen për nga ajo që struktura e tyre e pronësisë përfshin kompani dhe/ose shtetas maqedonas, të cilët kanë një partner të huaj të vërtetë ose që kanë një kompani partnere të huaj. Në shumë raste, sipas të dhënave zyrtare, partneri maqedonas si person fizik në mënyrë të pavarur zotëron kompani të tjera. Disa kompani të tilla, nga ana tjetër, fillimisht u krijuan nga një person fizik nga vendi, dhe më pas u bënë pronë e një kompanie offshore.

Një prej tyre është firma këshilluese për veprimtari menaxhimi “SV Partner Fund“. Pronari dhe menaxheri i parë i saj pas themelimit në vitin 2012 ka qenë Xhoni Todorovski, por më vonë në vend të tij kanë ardhur dy kompani – “Todorovski Management” nga Hollanda dhe “MJMA Consulting LTD” nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo kompani paraqitet si pronare e “Sun Wireless“, e themeluar në vitin 2009 për veprimtari telekomunikimi, ku si ortakë janë regjistruar edhe Gjoshe Premetarov dhe Dushko Konçaliev, kurse menaxhere është Vesna Stojanovska.

Një nga partnerët e shumtë të “Macedonia Garment Industry” është edhe Xhon Jonovski, i cili njëherit është edhe pjesë e organeve të “Tikvesh”-it

Në këtë drejtim, duhet të përmendet “Industry Garment Industry” e tekstilit, mirëpo për të po zhvillohet një procedurë falimentimi, brenda së cilës u mor një vendim që sipërmarrja biznesore tël mbyllet dhe pasuria të shndërrohet në para. Pronar të saj janë “Detel Holding BV”, dy kompani nga Britania dhe Kanadaja, si dhe një duzinë individësh të tjerë nga vendi dhe bota e jashtme. Njëri prej tyre është Xhon Jonovski, i cili është pronari i “Phalanx Capital” dhe anëtar i Bordit drejtues të “Veraria e Tikveshit“, dhe emri i tij u gjend në dokumentet që rrodhën nga zyra e avokatisë  Panameze “Mosak Fonseca” si pronari i “Phalanx Capital Inc”.

Nga ky aspekt, mbresëlënëse është edhe ndërmarrja për përpunimin e qumështit “Frismak“, pronarë të së cilës janë firma hollandeze “Scherjon Investments B.V“, si dhe një kompani e njohur vendase – “Rudine“. Për momentin, “Frismak” nuk ka pothuajse asnjë aktivitet, por “Rudine” po bën fitime të mëdha. Ajo është në pronësi të Ivana Markovska dhe Martin Markovski, por më parë ishte në pronësi të babait të tyre Dimitar Markovski, i cili gjithashtu posedon një kompani në Kroaci. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ai u akuzua për dëmtim të buxhetit në vlerë prej 20 milion euro përmes shitjes së një vendi të ngrirë, por procesi gjyqësor ende nuk ka zgjidhje përfundimtare.

Kompania “Inxhinieria Kimike” e Gorjan Maksimovskit dhe një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe blenë një pjesë të pajisjeve dhe makinerive të “OHIS” për mbi 7 milion euro

Më në fund, bashkimi midis kompanie së huaj offshore dhe personit fizik vendas vërehet edhe në një kompani me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila bleu një pjesë të pajisjeve dhe makinerive të “OHIS“-it për një shumë prej 7.1 milion euro. Bëhet fjalë për “Inxhinierinë Kimike” në pronësi të “Steel And Pressure Engineering” dhe Gorjan Maksimovskit, i cili posedon individualisht edhe kompani të tjera. Vlen të përmendet se “Inxhinieria Kimike” hyri në grupin e kompanive më të suksesshme me vetëm një punonjës me një fitim prej 437 mijë euro në vit.

TEKNOLOGJIA INFORMATIKE

Nëse merret parasysh veprimtaria e ndërmarrjeve në pronësi të firmave offshore, atëherë dominojnë shoqëritë për teknologji informatike. Një pjesë e tyre janë me origjinë kompani të huaja, të cilat operojnë në vend mbi parimin e kontraktimit, dmth punësimin e fuqisë punëtore. Por disa nga këto kompani kanë partnerë vendas, dhe madje ndoshta prapa tyre qëndrojnë 100% biznesmenë vendas të fshehur pas kompanive të huaja.

Një nga kompanitë më të famshme dhe më të mëdha të teknologjisë informatike në vendin tonë është “Seavus”, e cila kohët e fundit bleu kompaninë Çeke “Arikoma”, pjesë e Grupit Karel Komarek. Kjo kompani u themelua njëzet vjet më parë nga Igor Leshtar, por deri në këtë periudhë të shitjes kompania është në pronësi të “Seavus Group Holding B.V” nga Hollanda. Si person fizik, Leshtar është pronar i “Klim Media Group“, i cili nga ana tjetër është pronar i portalit “Makfaks“.

IT Kompaninë “Seavus” fillimisht ka poseduar Igor Lestar si person fizik, por para shitjes së “Aricoma”-s ka qenë në pronësi të “Seavus Group Holding” nga Hollanda

Përveç kësaj, “Seavus Group Holding” e Hollandës në vitin 2019 themeloi kompaninë “Ratsel Group” me veprimtari të holding-shoqërive. Në ndërkohë, ka ardhur deri te një ndryshim në pronësi, kështu që aktualisht është në pronësi të një kompanie tjetër hollandeze – “Ratsel International B.V”, ndërsa si menaxher paraqitet Mite Markov, pronar i “Sengalt Invest”. Nga ana tjetër, “Ratsel Group”, shfaqet si pronar në disa kompani të tjera, të tilla si “Enta Seal”, Euroevents” dhe “Okki Technologies”…

Sa i përket Leshtarit, ai më herët ka qenë pronar i një kompanie tjetër për programim kompjuterik, e cila tani është në pronësi të një kompanie nga Malta. Bëhet fjalë për kompaninë “I-Products” të themeluar në vitin 2016, pronar i së cilës është “Seavus Products Limited“, kurse menaxherë janë Bojan Tasevski dhe Ana Stanojevska. Kjo kompani është regjistruar në të njëjtën adresë me kompanitë e tjera të përmendura më parë që lidhen me Leshtarin.

“Seavus Group dhe Ratsel Group, më herët e kanë poseduar B-Technology, e cila tani është në pronësi të “BTOBET Limited” të regjistruar në Gjibraltar

Disa nga kompanitë e përmendura janë gjithashtu të lidhura me IT-kompaninë “B-Technology”, e cila është në pronësi të “BTOBET Limited” nga oaza e largët tatimore Gjibraltar. Menaxher i kompanisë është Monika Stefanovska, e cila është gjithashtu menaxherja e “Landscape SHPKNJP“, e themeluar këtë vit nga kompania për qiradhënie dhe administrim me pasurinë e saj të patundshme “Ratsel Balkan“, e cila nga ana tjetër është në pronësi të “Ratsel Group“. Më parë, pronarë të “B-Technology” kanë qenë “Seavus Group” dhe “Ratsel Group” të cilët i përmendëm disa herë.

MARIHUANA MJEKËSORE

Të dhënat që kemi siguruar tregojnë se një numër i konsiderueshëm i kompanive OFFDHORE operojnë edhe në disa fusha të tjera. Një prej tyre është sektori për prodhimin e marihuanës mjekësore, i cili u bë tërheqës pasi shteti lejoi prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kurse tani paralajmërohen ndryshime ligjore me të cilat, përveç ekstraktit të kanabisit, do të mundësohet edhe eksporti i luleve të thata. Dy sektorët e tjerë që veçohen janë tregtia me energji elektrike dhe prodhimi i veshjeve.

Më shpesh, kompanitë e marihuanës mjekësore janë plotësisht joaktive ose dobët aktive dhe kryesisht kanë pronësi të përzier vendas-të huaj. I tillë është rasti me kompaninë “T.H.C. Quality Group “, e themeluar në vitin 2018, e cila ishte në pronësi të “Epioni Holding LTD” nga Qiproja, por edhe të disa personave të tjerë. Midis tyre është një shtetas serb Predrag Kolluvija, i cili u arrestua kohët e fundit në vendin e tij të lindjes për rritjen e paligjshme të marihuanës në serrat që ai zotëronte për ushqim organik në Stara Pazova.

Predrag Kolluvija, partner në një kompani të marihuanës mjekësore në Maqedoni, u arrestua në vendlindjen e tij në Serbi për shkak të rritjes së kanabisit në mënyrë të paligjshme

Së bashku me të, në “T.H.C. “Quality Group” kishte edhe dy biznesmenë maqedonas, njëri prej të cilëve është biznesmeni nga Strumica Aleksandar Piperevaliev, i cili ishte partner në një kompani tjetër për marihuanë – “Bul Building“, së bashku me “Minstroy” të Bullgarisë dhe Goran Kërstevin, të cilin opozita e quan “partneri i Zaevëve”. Gjithashtu, Piperevaliev e posedon ndërmarrjen ndërtimore “Alpima – Gradba“, e cila kohët e fundit fitoi një tender me vlerë 200.000 euro nga deponia Drislla në një procedurë me negocim pa hapur shpallje.

Edhe një kompani tjetër për marihuanë mjekësore që çon drejt Qipros është “Stefanik Medical”, e themeluar në vitin 2018 nga “Rencont Services Limited” qipriote, si dhe Radica Veljanova dhe Maja Veljanova, ndërsa menaxherë janë shtetas grekë. Ndërkaq, Radica Veljanova është gjithashtu pronare e “Limited DOOEL“, “Energy Plus” dhe “Agro Prozek Ramaka“. Kjo e fundit dikur ishte përfshirë në hetimin e policisë financiare për abuzim me subvencione bujqësore.

Ish partneri në “Quality”, Aleksandar Piperevaliev, është pronar i “Alpima-Gradba”, e cila fitoi një tender nga “Drislla” në katër sy me vlerë 200.000 euro

Sa për përkujtim, në biznesin e marihuanës mjekësore është e përfshirë edhe familja e kryeministrit Zoran Zaev. Konkretisht, kushërinjtë e tij Trajçe Zaev, Boban Zaev dhe Katerina Bojoviq-Zaeva janë pjesë e dy kompanive – “MAM Sveti Nikole” dhe “Pharma Medica Cannabis“, ku Zaevi ka disa partnerë nga vendi dhe jashtë. Ish-avokati i kryeministrit Zaev – Vane Andreev gjithashtu posedon një kompani për marihuanë mjekësore, por nuk ka licencë për kultivim dhe prodhim nga Ministria e Shëndetësisë.

OLIGARKËT VENDORË

Pavarësisht nga veprimtaria, vëmendje më të madhe tërheqin kompanitë offshore, të lidhura me biznesmenë të mëdhenj, siç është Trifun Kostovski, ndërmarrja e të cilit me seli në Zvicër ishte aksioneri kryesor në “Eurostandard Banka” tashmë të dështuar. Ajo është “Gofi SHPKNJP“, pronari i së cilës është “Gofi-Group of Finance and Investment S.A. Melide“, kurse menaxher është djali i Kostovskit – Kosta Kostovski. “Gofi” zviceran, së bashku me Gjoko Stojanovskin, e posedojnë edhe “Nova Holding”-un, ndërsa Kostovski i ri është pronar dhe menaxher i “Nova Zoii“-t.

Nga ana tjetër, një nga kompanitë më të famshme ndërtimore në vend, çon në Lihtenshtajn. Formalisht, “Nastel” është në pronësi të kompanisë së huaj “Euro Swiss Credit AG”, si dhe “Alpina Engineering” vendore, pronarë i së cilës është gjithashtu “Euro Swiss Credit AG” nga Lihtenshtajni. Menaxheri edhe i “Nastel“-it edhe i “Alpina Engineering“-ut është Zoran Azmanov, i cili në ueb-faqen zyrtare të “Nastel” shfaqet si “përfaqësues i themeluesit”. Në të njëjtën kohë, ai renditet si anëtar i bordeve drejtuese të “Euro Swiss Credit“-it, “Alpina Engineering“-ut, “Intex“-it …

“Euro Swiss Credit” me seli në Lihtenshtajn është pronar i ndërmarrjeve ndërtimore “Nastel” dhe “Alpima Engineering”, të menaxhuara nga Zoran Azmanov

Në Belize, nga ana tjetër, është selia e ndërmarrjes “Grundal Limited“, e cila është bashkëpronare e ndërmarrjes maqedonase të themeluar në vitin 2011 për inxhinieri dhe këshillim teknik “Bell Trade“. Partneri i dytë i kësaj kompanie është Mite Nikollov, një biznesmen nga Shtipi i njohur si Mite Brilianti sipas fabrikës së vajit në Shtip që ai e kishte në pronësi deri në shitjen e “Vitaminka“-s të Prilepit. Menaxheri i “Bell Trade” është djali i tij Misho Nikollov, i cili është gjithashtu partner në “MZ Investment Group” dhe “Arabeska” së bashku me Zoran Mileski – Kiçeec, i dënuar me vendim fuqiplotë në lëndën “Reket“.

Pjesë e rrjetit-offshore është edhe familja e Metodija Smilenskit i cili një herë u dënua me 4 vjet burg për shpërdorim detyre, sepse, sipas gjykatës, paratë që i ka marrë si peng i pronës të një firme në Sveti Nikole i ka transferuar në firmën e tij në Vjenë. Gjegjësisht, djali i tij Goran Smilenski është menaxher i kompanisë së qiradhënies së pasurive të patundshme “Imobiliare Center“, pronarë të së cilës janë “Dan Trading” nga Vjena e Austrisë dhe “Sigma Group Foundation” nga Mauren i Lihtenshtajnit.

Goran Smilenski, djali i të dënuarit Metodija Smilenski, është menaxher i “Imobiliare Center”, në pronësi të kompanive nga Austria dhe Lihtenshtajni

Pjesërisht, aktivitetet e biznesmenëve të tjerë të ndjekur penalisht për abuzime financiare mbështeten gjithashtu në offshore. Në pronësi të një firme nga Qiproja është shoqëria e tekstilit “Kimiko” nga Struga, e cila në vet emërtesën e mban emrin e Georgi Milladinovit, i dënuar së bashku me vëllain e tij Dimitar Milladinov në lëndën “Izgrev“. Për “Kimiko”-n udhëhiqet procedurë falimenti, por aktualisht aktive është “Kimiko Kompani” e Kiril Milladinovit, kompania bijë e së cilës “Sloma Investor” operon me humbje dhe ka një borxh ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike prej 7.3 milion denarë.

DREJTOR DHE KRYEMINISTËR

Përveçse që çojnë drejt biznesmenëve kontrovers, disa kompani offshore në vendin tonë, drejtpërdrejt ose indirekt, kanë lidhje me ish-politikanë dhe funksionarë aktualë. Midis tyre mund të përmendet ish-drejtori i Doganave të Maqedonisë, Dragan Daravellski, i cili ka jetuar dhe punuar në Beograd për shumë vite, megjithëse ai u dënua në vendin tonë në mungesë me 7 vjet burg dhe kërkohet ekstradimi i tij. Ndër të tjera, ai ishte pronar i “JURISDD” dhe i “Sachs Brokers”, por të dyja kompanitë tashmë janë likuiduar.

Megjithatë, një kompani tjetër e lidhur me Daravellskin ende ekziston. Ajo është “Skotiha Tihama Oversis Limited“, e regjistruar në Shkup për qiradhënie dhe menaxhim të pasurive të saj të paluajtshme. Pronar është kompania qipriote me të njëjtin emër , kurse menaxher është Millan Dobosavljeviq, ndërsa menaxherë të mëparshëm kanë qenë Edvard Petrovski dhe Kosta Topuzovski. Kjo kompani ka qenë joaktive për një kohë të gjatë, ka pasuri jo aktive prej 15 milion denarë dhe në të njëjtën kohë ka borxh 2.7 milion euro në bazë të TVSH-së së papaguar.

Djali i Dragan Daravellskit është menaxher i “ITZ Centar”, e cila është regjistruar në të njëjtën adresë me “Scotiha Tihama Oversis”, në pronësi të një kompanie qipriote

Sipas të dhënave zyrtare, në të njëjtën adresë me “Skotiha” është regjistruar shoqëria për shitje me pakicë “ITZ Center“, e cila është në pronësi të një kompanie me të njëjtin emër nga Beogradi, ndërsa menaxher është djali i Daravellskit – Tomisllav Daravellski. Në të njëjtën kohë, Daravellsk i ri paraqitet si person i autorizuar i “Jugooprema SHA-Shkup” së bashku me Marko Daravellskin. Edhe kjo shoqëri aksionare është me veprimtari për menaxhim me pasurinë vetjake.

Në të njëjtën kohë, Tomisllav Daravellski është anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të “SHA Kozjak“, e cila merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore. Kjo shoqëri aksionare, nga ana tjetër, paraqitet si pronare e “Kep Investment“, e themeluar në vitin 2018 me seli në Kumanovë. Ndërsa partneri i dytë në “Cap Investment” është kompania “Europrofil” e Ljubço Georgievskit, i cili ishte Kryeministër i qeverisë së VMRO-DPMNE nga viti 1998 deri në vitin 2002, kur Daravellski ishte drejtor i doganave.

Tomisllav Daravellski është pjesë e organeve të “SHA Kozjak”, e cila posedon kompaninë “Kep Investment”, partneri i dytë i së cilës është “Europrofil” i ish-kryeministrit Ljubço Georgievski

Më saktë, “Europrofil” është në pronësi të “Vip Project“, pronari i vetëm i së cilës është Georgievski. Në të njëjtën kohë, “Vip Project” shfaqet si pronar i “Edilha” nga Strumica së bashku me biznesmenin Goran Micevski nga Strumica. Kjo kompani, nga ana tjetër, paraqitet si pronare e “GM Invest Group” dhe “Mega Invest” nga Strumica, etj. Edhe Micevski, partneri i Georgievskit, posedon edhe disa kompani të tjera.

DONATORË PARTIAKË

Disa kompani offshore janë gjithashtu të lidhura me funksionarët e deridjeshëm të garniturës aktuale të LSDM-së. Disa prej tyre janë kompani legjitime dhe transparente, siç është rasti me prodhuesin e njohur Hollandez të makinave të vogla për pastrim dhe fshirje “Green Machines“, e cila në vitin 2019 themeloi një kompani për tregti me shumicë të makinerive me kompaninë e Velesit “Brako“. Kjo kompani është në pronësi të Koço Angjushev, i cili ishte zv/kryeministër në qeverinë e mëparshme.

Ish-ministri Damjan Mançevski u bë menaxher i përgjithshëm i Mak-System, e cili operon përmes një kompanie nga Luksemburgu

 

Edhe një ish-funksionar tjetër – ish-ministri dhe nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, u bë menaxher i përgjithshëm në filialin e një kompanie të huaj që zyrtarisht vjen nga një juridiksion specifik. Ajo është IT-kompania “Mak-System“, e cila, siç tha vetë Mançevski, është ofruesi kryesor botëror i softuerit mjekësor për menaxhim të gjakut, plazmës, indeve dhe qelizave, pronar i së cilës kohët e fundit është bërë kompania globale “Carlisle Group” “. Sidoqoftë, kompania maqedonase operon përmes një ndërmarrjeje nga Luksemburgu e quajtur “SPACE-SBDA”.

Në kontakt të drejtpërdrejtë me BFI-në e Ali Ahmetit, ka ardhur një kompani në pronësi të “Langen Holding” me seli në Hollandë, e cila ishte blerë së fundmi nga firma belge “Katoen Nati“. Në fakt, kompania bijë e tyre është “Solutions Support“, e cila, sipas Entit Shtetëror të Revizionit, i dhuroi 25,000 euro BDI-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016. Në të njëjtën kohë, në këtë kompani punonte Ariton Fida, vëllai i drejtorit të atëhershëm të Agjencisë për Investime të Huaja Visar Fida, i emëruar pikërësisht si kuadër i BDI-së.

Kompania hollandeze-belge “Support Solutions” dhuroi 25.000 euro për fushatën e BDI-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2016

 

Vlen të theksohet se “Langen Holding” në vendin tonë ende e posedon kompaninë për lëshimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme “Flora MK“, e cila ka të njëjtin menaxher me “Solutions Support” – Sofi van Kerchove. Përveç kësaj, kompania holandeze e posedon edhe kompaninë “Buvetex MK”, e themeluar në vitin 2017 për tregti me shumicë jo të specializuar. Për dallim nga të tjerët, “Buveteks” ka një aktivitet më të dobët afarist dhe financiar.

Në vazhdimin e radhës, në detaje do t’i përpunojmë kompanitë misterioze offshore me strukturën jo-transparente dhe komplekse të pronësisë, të cilat në vitet e kaluara drejtojnë bizneset e tyre pa probleme – kryejnë transaksione, blejnë pasuri të paluajtshme dhe madje blejnë letra me vlerë në shoqëritë më të madhe aksionare në vendin tonë.

(Fund i pjesës së dytë)

Kjo histori kërkimore është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)