Autor: Vesna Ivanovska-Ilievska
Për më shumë se 20 vjet i hulumton lokalitetet arkeologjike në vendin tone, ndërsa nuk ka as një ditë të vetme përvojë pune. Në të ftohtë, nën diell të nxehtë, në lokalitete nën ujë, arkeologia Valentina Todoroska është anëtare e rregullt e ekipeve arkeologjike në Maqedoni dhe rajon. Ajo ka bashkëpunuar me pothuajse të gjithë muzetë në vend, ndërsa angazhimi i saj i fundit afatgjatë me kontartë në vepër ka qenë në “Dr. Nikolla Nezllobinski” në vendlinejne saj në Strugë. Kah fundi i vitit 2019, muzeu ka shpallur konkurs për punë. Pas katër vjetësh punë si honorariste, Todoroska ka aplikuar duke shpresuar që statusi i saj të zgjidhej përfundimisht.
Megjithëse është cekur se pozicioni konkret është për një arkeolog të kombësisë shqiptare, ajo ka aplikuar duke pritur që të ndiqej procedura – nëse në dy shpallje radhazi nuk paraqitet një ekspert i kombësisë përkatëse, në shpalljen e tretë do të merren parasysh të gjithë kandidatët që kanë aplikuar.
Mirëpo, kandidati është zgjedhur në rrethin e parë – është punësuar një kandidate për të cilën komisioni ka dhënë shpjegim se është më adekuate, edhe pse ishte maqedonase, ndërsa në shpallje është deklaruar si shqiptare. U.d. drejtori i muzeut thotë se procedura nuk është shkelur, kurse ndjenja kombëtare është e drejtë e zgjedhjes personale.
DISA NGJARJE TË NGJASHME PARA NJË VITI
Për këtë rast aktualisht zhvillohet proces gjyqësor, njëlloj si për një tjetër punësim nga i njëjti konkurs. Në pozicionin e punës biolog, i destinuar për një kandidat/e turk/e, është punësuar një kandidat me emër dhe mbiemër maqedonas. Në dhjetor 2019, mediat njoftonin për një situatë të ngjashme në Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit. Që më lehtë të punësohen, maqedonasit janë deklaruar si shqiptarë.
Një arkeolog me përvojë nga Shkupi ka vite që përpiqet të punësohet sipas vokacionit. Edhe pse ai ka punuar për më shumë se 20 vjet, ai ka vetëm 6 vjet përvojë pune (të fituar në profesione të tjera), dhe 13 vjet të kaluara me kontratë për vepër që nuk hyjnë në stazh. Rastin e tij, ai e rrëfen në mënyrë anonime, sepse në kohën e shkrimit të tekstit është paraqitur në një konkurs pune. Kjo është përpjekja e tij e nëntë. Nga babai është serb, ndërsa nga nëna maqedonas. Nga viti 2007 deri në vitin 2019 ai ka marrë pjesë aktivisht në shumë gërmime arkeologjike në vend. Për pothuajse të njëjtën kohë, ai ka aplikuar në shpalljet për punësim në katër institucione në fushën e muzeologjisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Shkup. Ai është përpjekur tetë herë dhe gjithmonë është refuzuar. Herën e fundit është paraqitur si serb, sepse për atë kombësi ishte njëri nga vendet e punës.
– Nuk u punësova, ndoshta ka pasur ndonjë “më serb” nga unë. Nuk u hidhërohem kolegëve të mi, thjesht sistemi është vendosur në mënyrë të gabuar. Nëse të jepet shansi nëse ke “lidhje”, normalisht do t’i shfrytëzosh ato për të zgjidhur çështjen e jetës. Problemi është se vetëm duke nënshkruar një deklaratë që ndiheni si serb, shqiptar, rom, turk … e fiton përparësinë – thotë ai.
Këto raste ngrenë pyetjen se si punësohen kuadrot profesionale në muze dhe institute për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në vendin tonë. Ekspertët thonë se sistemi është i gabuar, me hapësirë për manipulim. Këto institucione janë të mbingarkuara me kuadro, ndërsa vendet e punës janë të pakta. Nëse plotësohen me kandidatë të papërshtatshëm, institucioni mund të bllokohet në plan afatgjatë. Pavarësisht nëse janë arkeologë, arkitektë, historianë arti, etnologë apo ekspertë të historisë ose shkencave natyrore, profesioni i muzeut ndërtohet gjatë viteve, kurse përvoja e bartur nga punonjësit më t vjetër është e paçmueshme.
Todoroska u diplomua në vitin 2005 në katedrën e Historisë së artit me arkeologjinë në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi ”në Shkup. Këto ditë ajo mbrojti tezën e masterit “Vendbanimet palafite në rajonin e Ohrit-Strugës” nën mentorimin e prof. Dr. Dragi Mitrevski. Si studente në vitin 1996 ajo mori pjesë për herë të parë në gërmimet arkeologjike në lokalitetin Vardarski rid në afërsi të Gjevgjelisë. Deri më sot, me pushime të shkurtra ajo punon si arkeologe.
ARKEOLOGU I VETËM NË MAQEDONI ME CERTIFIKATN ESD
Rrethanat pas diplomimit i hapën rrugën specialitetit të saj më të ngushtë – arkeologjisë nënujore. Më tej ajo u drejtua edhe në studimet pasdiplomike. Duke u mbindërtuar, në dekadën e fundit ajo ndoqi disa trajnime ndërkombëtare për arkeologjinë nënujore dhe në vitin 2017 ajo mori certifikatën ESD (European Scientific Diver), e cila e bëri atë të vetmen arkeologe në vend me një diplomë të tillë.
Bashkëpunimi me muzeun “Dr. Nikolla Nezllobinski” filloi zyrtarisht në vitin 2001 dhe 2003 në hulumtimet nënujore në lokalitetin Vërbnik. Nga shtatori i vitit 2015 deri në fund të vitit 2019, ajo ka punuar në këtë muze me një kontratë si kurator arkeolog, pedagog, kineast dokumentar dhe në fushën e artit dhe logjistikës gjatë organizimit të ekspozitave. Për këtë ka certifikatë e lëshuar nga muzeu. Todoroska shpjegon se në gusht të vitit 2019, Muzeu fitoi mjet për shpalljen e një konkurs për punësim të arkeologut, biologut, edukatorit, avokatit dhe kontabilistiit. Shpallja është hapur më 19 dhjetor, gjegjësisht katër muaj më vonë.
E dorëzova dokumentacionin e plotë siç duhet. Nuk shpresoja shumë, sepse ishte theksuae se konkursi është për një kandidat të kombësisë shqiptare. U udhëhoqa nga bindja se kompetencat dhe përvoja ndër viteve duhet të ishin para përkatësisë etnike. Më sugjeruan të deklaroja se ndjehem si shqiptare në mënyrë që të rris shanset e mia, por busulla ime etike më tha ndryshe – shpjegon Todoroska.
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur, komisioni i ka kërkuar një raport shtesë nga Fondi për Sigurim Pensional – FPIM për stazhin e kryer – një dokument që Todoroska nuk mund ta paraqiste, sepse përkundër gjithë punës së kaluar, ajo nuk ka një ditë të vetme stazh.
Fillimisht, as nuk më thirrën për intervistë. Pasi kërkova një shpjegim, më thanë se kishte një keqkuptim, ata do të më telefonojnë më vonë. Intervista u zhvillua më 24 janar dhe më 29 janar, rezultatet u publikuan në faqen e internetit të muzeut se është zgjedhur një kandidate tjetër – thotë Todoroska.
Pas konsultimit me avokatët dhe mbështetjen e disa kolegëve, ka vendosur të ngrejë padi. Procesi gjyqësor vazhdon. Todoroska thotë se për këtë vendim u ndikua më së shumti nga shpjegimi i komisionit se kandidati tjetër është më kompetent sipas dokumentacionit të bashkangjitur dhe rezultateve nga intervista.
U.D. DREJTORI THOTË “ÇDO GJË ËSHTË PASTËR”
Jovan Vasileski është ushtrues detyre i drejtorit të muzeut “Dr. Nikolla Nezllobinski”. Ai kumton se nuk ka pasur shkelje procedurale në konkursin për punësim.
-U punësuan ekspertë. Në dokumentacionin ishte saktësisht e cekur sipas kombësisë, siç kërkonte sipas Ligjit balancuesi. Siç ishin dorëzuar aplikimet, ashtu komisioni i shqyrtonte,” thotë Vasileski.
Balancuesi është një mjet dixhital i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA) me të cilin llogaritet se sa duhet të jetë kuota për përfaqësim të drejtë në një institucion të caktuar.
Komisioni përbëhej
nga tre bashkëpunëtorë të jashtëm – drejtues
të institucioneve. Vasileski
shpjegon se kanë qenë të angazhuar drejtorët e “Mbrëmjeve Strugane
të Poezisë”, Bibliotekës
“Grigor Përliçev” në Ohër dhe në Qendrës për Kulturë “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë.
-Përzgjedhja ishte e rregullt. Kush si është deklaruar sipas kombësisë, kjo është qëndrim personal. Por gjëja më e rëndësishme është profesionalizmi. Kandidati i parë ishte demonstrator në Fakultetin e Shkencave Matematikore-natyrore (FShM), i dyti me përvojë nga terreni në lokalitete. Nuk po them që kandidatët e tjerë nuk ishin ekspertë. Zhvillohen procese gjyqësore, e se si do të përfundojnë kjo varet nga gjykata e cila ka fjalën e fundit. Unë nuk do të komentoja asgjë tjetër para epilogut gjyqësor thotë Vasileski.
Megjithëse institucionet muzeale në vendin tonë janë plotësisht nën kompetencat e Ministrisë së Kulturës ose komunave (nëse ato janë lokale), shpalljet për punësime bëhen përmes MShIA. Pikërisht atje na udhëzojnë nga Ministria e Kulturës, me shpjegimin se këto çështje rregullohen me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për nëpunësit administrativ. Ata e citojnë nenin 77-s të Ligjit për kulturë, sipas të cilit forma dhe përmbajtja e shpalljes publike dhe e aplikimit për punësim, mënyra e zbatimit të audicionit dhe mënyra e ndarjes së pikëve përcaktohet me një akt të përgjithshëm të institucionit publik që e miraton Bordi drejtues, me propozim të drejtorit.
Kundër vendimit të drejtorit, kandidati i pakënaqur ka të drejtë të ankohet në Bordin drejtues. Ministria e Kulturës nuk ka kompetencë në procedurat e punës së institucionit, as në mënyrën dhe procedurat për përgatitjen e akteve në fushën e marrëdhënieve të punës – thonë nga Ministria e Kulturës.
ÇKA THOTË LIGJI?
Nga MShIA thonë se në vijim janë ndryshimet në Ligjin për të punësuarit në Sektorit Publik dhe Ligjin për nëpunësit administrativës. Me to duhet të finalizohet rregullimi i procedurës për planifikimin e punësimit në sektorin publik, duke marrë parasysh parimin kushtetues të deklarimit të përkatësisë etnike dhe parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të anëtarëve të komuniteteve.
Sipas nenit 8, alinea 2 e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vlerë themelore është shprehja e lirë e përkatësisë nacionale – thonë nga MShIA.
Ata shpjegojnë se Ligji për të punësuarit në sektorin publik i miratuar në vitin 2015, për herë të parë parashihet një mekanizëm për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të anëtarëve të komuniteteve në nivelin e secilit prej institucioneve në sektorin publik. Kuotat bëhen bazuar në nevojat e vetë institucioneve të shprehura përmes planeve vjetore të punësimit, të cilat përgatiten nga drejtuesit e institucioneve bazuar në metodologjinë e përcaktuar në nenin 5 paragrafi 3 të Ligjit.
Plani i punësimit përgatitet në nivelin e institucionit dhe përmban të dhëna për gjendjen e plotësimit të vendeve të lira të punës në institucion, për pensionet e planifikuara dhe lëvizjet e tjera të punonjësve dhe një plan për shpërndarjen e numrit të punësimeve të reja në vitin e ardhshëm sipas përkatësisë së komunitetit.
Nëse vlerësohet se plani është përgatitur sipas metodologjisë së dhënë, ministria jep pëlqimin – thonë nga MShIA.
Ligji pë punësim është i qartë
Ligjvënësi në mënyrë shumë të qartë e ka përcaktuar gjithë procedurën për punësim, thonë nga MShIA. Agjencia për Administratë është përgjegjëse për implementimin e punësimit të nëpunësve administrativë. Sipas nenit 44 paragrafi 2, kur në listën e renditjes nuk ka kandidatë të mjaftueshëm që i përkasin një komuniteti për të cilin sigurohen punësime të reja, shpallja përsëritet vetëm për vendet e punës dhe për numrin e realizuesve që nuk mungojnë.
Sipas paragrafit 3, nëse edhe gjatë përsëritjes së dytë të shpalljes publike në listat e renditjes nuk ka kandidatë të mjaftueshëm me përkatësi të komunitetit që kërkohet, Komisioni përgatit një listë të vetme të renditjes në të cilën renditen kandidatët nga të gjithë shpalljet paraprake për atë vend pune dhe i përzgjedh ata që janë renditur më së miri në atë listë, pavarësisht nga përkatësia e bashkësisë, dhe në afat
prej tre ditësh ia propozon ata institucionit – thonë nga MShIA
Ligji në nenin 14 e rregullon klasifikimin e vendeve të punës në sektorin publik sipas të cilit punësohen nëpunësit. Është ndarë në katër grupe: nëpunës administrativë që kryejnë detyra të natyrës administrative; persona zyrtarë me autorizime të posaçme në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe kundërzbulimit; personat që kryejnë veprimtari me interes publik, kurse nuk janë të natyrës administrative; vende pune të personave ndihmës- teknikë (mirëmbajtje, sigurim, etj.).
Kur anulohet punësimi i një administratori?
Një punësim i caktuar anulohet nëse konstatohen shkelje të procedurës, ndërsa kjo është zgjidhur në nenin 19-a të Ligjit për nëpunësit administrativë. Drejtori i Agjencisë formon Komision për revizionin e përzgjedhjes së nëpunësve administrativë. Nëse konstatohen mangësi, Komisioni është i obliguar që menjëherë të dorëzojë raport mbi mangësitë deri tek drejtori i Agjencisë, Inspektorati administrativ shtetëror dhe deri tek institucioni që bën punësimin.
Mangësitë në procedurën e përzgjedhjes së kandidatit janë bazë për anulimin e shpalljes për punësim të nëpunësit administrativ. Aktvendimin për anulimin e shpalljes me iniciativë vetjake ose me urdhër të Inspektoratit administrativ shtetëror e miraton personi udhëheqës i institucionit që punëson – thonë nga MShIA.
“S’KEMI NEVOJË PËR KUADRO POLITIKE, POR PËR PROFESIONISTË“
Para një viti, në rrjetet sociale qarkulloi një dokument i pavulosur, që aludonte në një rast të ngjashëm në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTK). Drejtori Aco Kostov thotë se ishte një shaka e pakripur midis të punësarve. Megjithatë, ai është decid se ekziston një problem i madh me mënyrën e punësimit në këto institucione të specializuara. Kostov është arkitekt, konsulent konservimi i cili ka punuar për shumë vite në Qendrën Kombëtare të Konservimit përpara se të merrte postin udhëheqës në DMTK. Sipas tij, të paktën dhjetë vjet para pensionimit, kuadri me përvojë duhet të transferojë njohuritë e marra dhe ta trajnojë pasardhësin e tij.
Nuk ka të bëjë vetëm me talentin. Duhet të jeni edhe aventurist, të gatshëm të sakrifikoni një pjesë të madhe nga jeta juaj. Të kaloni ditë, nganjëherë muaj në terren, në male, nëpër fshatra. Jo të gjithë mund ta durojnë atë. Në një person duhet t’i keni të gjitha ato kualitete. Dhe të dojë të mësojë, të respektojë kolegun më të vjetër, të thithë diturinë e tij. Po flasim për trashëgiminë kulturore. Ju nuk mund ta merrni përvojën nga një libër shkollor, ju duhet ta fitoni atë – thotë Kostov.
Prandaj, shton ai, kjo mënyrë e punësimit të kuadrove profesionistëv në këtë sferë është i papranueshëm. Aty ku nuk ka punësime, balancuesi e ndërlikon edhe më shumë punën. Nuk guxon që standard të jetë kombësia, por ekspertiza. Kurse përfaqësimi i nacionaliteteve nëpër institucionet mund të zgjidhet edhe në mënyrë tjetër.
Kështu, në terren keni njerëz që e dinë shkëlqyeshëm punën e tyre, por vendet e punës i fitojnë të tjerët. Ku është profesionalizmi këtu? Ka punonjës që refuzojnë të shkojnë në terren. Thjesht nuk mund ta detyrosh dhe as mund ta heqësh nga puna. Respekti fitohet në terren dhe ngadalë përparon në hierarki. Ndërsa ne kemi ardhur në një situatë që njerëz me përvojë pesë vjeçare t’ua vlerësojnë dhe t’ua miratojnë projektet njerëzve që kanë punuar për 30 vjet dhe e dinë shumë mirë punën e tyre. Grumbullohen materiale dhe puna ngec, gjithë sistemit i bëhet obstruksion. Ky profesion është thelbësor. Ne nuk kemi nevojë për kuadër politik, por për profesional – është i prerë Kostov.
PROFESION QË NDËRTOHET ME SHUMË MUND
Dr. Aleksandra Papazovska është arkeologe në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut dhe Kryetare e Shoqatës Shkencore Arkeologjike të Maqedonisë (ShShAM). Ajo thotë se jozyrtarisht të gjithë e dinë se si zbatohen punësimet dhe kjo diskutohet publikisht në qarqet profesionale dhe shkencore.
Vetëm me “lidhje” një person mund të punësohet. Unë nuk njoh ndonjë koleg që në 20 vitet e fundit është punësuar thjesht, duke aplikuar në konkurs. Kjo nuk do të thotë qënuk janë punësuar njerëz kompetentë, përkundrazi, por edhe ata kanë qenë të ekspozuar ndaj faktit se duhet të kenë “lidhje”. Kjo shumë flet për sistemin tonë – thotë Papazovska.
Ajo shpjegon se arkeologjia nuk është një profesion i thjeshtë. Edukimi është vetëm hapi i parë dhe vazhdon gjatë gjithë jetës profesionale. Me kryerjen e fakultetit, madje edhe me studimet master, nuk bëhesh arkeolog. Individi duhet të kalojë kërkime të shumta në terren, nëse është me fat të mësojë nga më të mirët dhe më herët pas 10 vjetësh punë aktive në terren dhe punë profesionale të fillojë të punojë si i pavarur. Por arkeologët e vërtetë nuk kanë gjithmonë mundësinë të punësohen.
Procesi i trajnimit të një arkeologu është pothuajse i njëjtë në të gjitha vendet fqinje, madje edhe në Evropë. Por atje ekzistojnë kritere për sa i përket cilësisë së individit.
Arkeologët më të vjetër i zgjedhin pasardhësit e tyre, dhe nëse i marrin, ata janë njerëz me potencial të madh. Para daljes në pension, arkeologët me përvojë punojnë për shumë vite si mentorë të pasardhësve të tyre, ndërsa kuadri i ri ndërkohë merr magjistron dhe doktoratoron në fushat përkatëse. Kështu që, puna në institucione nuk dëmtohet, sepse ndërkohë krijohen kuadro të gatshëm që e trashëgojnë punën – shpjegon Papazovska.
Në vendin tonë, kur profesionistët dalin në pension, vendet e punës mbyllen. Papazovska thotë se një e metë sistematike është që kuadrot e muzeut trajtohen si administratë. Rezultati i këtyre jo- logjikaliteteve janë koleksionet muzeale që askush nuk i trashëgon, dhe kështu rrezikohet trashëgimia kulturore. Nëse dikush është me fat të hyjë në një pozicion të tillë, patjetër të mësojë nga fillimi, të kalojë nëpër të gjitha sfidat.
Dhe në vend që të ecim përpara, ne bëjmë në vend numëro për dekada, sepse askush nuk e përçon diurinë e tij. Profesionistët që ndërtohen për dekada, pensionohen me dituritë e tyre. Kjo është vërtet e trishtueshme. Politika dhe dinamika e punësimit të kuadrit profesional duhet të bëhet nga vetë institucionet, në bashkëpunim me institucionet arsimore, në mënyrë që të mos prodhohet më shumë kuadër sesa ka nevojë shteti. Është një proces kompleks që nuk mund të zgjidhet me zgjidhje politike dhe manipulime – thotë Papazovska.
MBËSHTETJE NGA SEKTORI MUZEAL
Maja Jankullovska-Mihajllovska është kuratore e lartë në Galerinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriore dhe kryetare e Komitetit Kombëtar Maqedonas të Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (MNC ICOM). Ajo thotë se Shoqata nuk ka ingerenca juridike mbi punësimin e kuadrit në institucionet shtetërore, por puna e tyre bazohet në parimet e përcaktuara në Kodin e Etikës për Muzeumet e ICOM nga v. 1986.
Për shkak të mungesës së rregulloreve në institucione për minimumin themelor profesional që një kandidat duhet të plotësojë, në krahasim me çdo kriter tjetër (etnik, partiak, etj.), ne do të përballemi me një performancë të dobët në profesionin e muzeut për një kohë të gjatë. Në vendin tonë, përparësia në punësim shpesh nuk është profesionalizmi i kandidatit. Është në kundërshtim me përpjekjet deklarative të atyre që janë përgjegjës për kryerjen e veprimtarisë cilësore dhe prosperitetit në këtë fushë – thotë Jankullovska- Mihajllovska.
Sipas saj, moszgjedhja e kandidatit më të përshtatshëm në një vend të lirë pune është katastrofike për shumë aspekte të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Në rastin e Todoroskës, MNC ICOM menjëherë reagoi deri në Ministrinë e Kulturës, dhe si shpjegim ata cituan biografinë e saj profesionale, angazhimin e mëparshëm shumëvjeçar si kurator-arkeolog në “Dr. Nikolla Nezllobinski”, gjithë angazhimin e vazhdueshëm të deritashëm, i cili ka qenë i mbështet dhe financuar nga Ministria e Kulturës.
Todoroska është e vetmja në R. e Maqedonisë së Veriut me specializim në fushën e arkeologjisë nënujore me certifikatë ESD. Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve dhe ushtruesi i detyrës drejtor, duhet të kishin marrë parasysh këtë dëshmi të profesionalizmit në (mos)zgjedhjen e kandidatit – është kategorike Jankullovska- Mihajllovska.
Në mars të vitit 2020, MNC ICOM ka marrë përgjigje nga Ministria e Kulturës se ankesa i ishte përcjellë Inspektoratit Shtetëror Administrativ, por ata, nga ana tjetër, janë deklaruar si jokompetent dhe ia kanë kaluar çështjen Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Përgjigje përfundimtare nuk është marrë ende. Me gjasë do të përballemi me një proces tjetër të ngujuar në labirintet administrative, që do të thotë se askush nuk dëshiron të “lodhet” me parimet profesionale dhe etike në këtë veprimtari – thotë Jankullovska-Mihajllovska.
A MUND TË PËRDËFTOHET NACIONALITETI?
Prof. Mirjana Najçevska është avokate, profesore e rregullt në Institutin për Kërkime Sociologjike dhe Politike Juridike, aktiviste dhe luftëtare për të drejtat e njeriut. Ajo thotë se sipas Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, secili individ ka të drejtë të heqë dorë nga komuniteti etnik të cilit i përkasin dhe t’i bashkohet një tjetri pa ndonjë pasojë negative për veten e tij.
Meqenëse në vendin tonë përkatësia etnike përcaktohet kryesisht nga gjuha që e flet një grup i caktuar (madje edhe në ligje përqindja e një bashkësie etnike përcaktohet sipas gjuhës në të cilën komunikon), unë mendoj se në këtë lloj konkursesh duhet të jepet si kusht njohja e gjuhës konkrete. Kjo është e matshme dhe mund të bëhet një test vlerësimi. Nëse kërkohet njohja e kulturës përkatëse, atëherë kërkohet përvojë nga e cila shihet se ai person ka punuar në një vend ku ka pasur mundësi të njihet me kulturën përkatëse dhe të ketë njohuritë e nevojshme në lidhje me të – thotë Najçevska.
Ajo thotë se në të gjitha këto raste sheh manipulimin e ligjit dhe pakuptimësinë e dispozitave kushtetuese dhe ligjore që synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme në këto treva.
Ekziston një bazë për anulim, dhe kjo është pamatësia e përkatësisë etnike. Vendi ynë ka ratifikuar Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe kështu ka pranuar mundësinë e ndryshimit të përkatësisë etnike. Kushtetuta dhe ligjet kudo flasin për parametrin gjuhësor si vendimtar kur bëhet fjalë për zbatimin e dispozitave mbi përfaqësimin e drejtë (Për shembull, neni 7 i Kushtetutës). Të paktën, përkatësia etnike duhet të argumentohet për vendet për të cilat është e nevojshme në mënyrë specifike (si për shkak të gjuhës ashtu edhe për shkak të nevojës për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e ndryshme kulturore). Gjithçka tjetër është një anashkalim i Kushtetutës dhe ligjeve – është decide Najçevska.
Një vit pas shpalljes për punësim në muzeun në Strugë, Todorska thotë se tërë këtë periudhë e përjeton si një parodi të madhe. Për shkak të angazhimit të saj katër-vjeçar si honorariste, ajo ka qenë e përfshirë në disa projekte afatgjata muzeale për bashkëpunim ndërkombëtar. Dhe në të njëjtën javë kur ajo mori vendimin se nuk është punësuar, është dashur të përfaqësonte “Dr. Nikolla Nezllobinski” në një simpozium në Romë. Një muaj më vonë, ajo mori ftesë për të studiuar në Universitetin Karl në Republikën Çeke, ndlsra me Universitetin e Bernës kanë filluar negociatat për kërkime nënujore në lokalitetin Vërbnik.
Do të ishte hipokrizi po të thosha se jam indiferente. Por arkeologjia është një profesion që është zgjedhja ime e vetëdijshme. Ajo është pasioni im, unë mund t’i jap asaj shumë më tepër dhe ajo mund të më japë mua. Dhe kështu, me një ndjenjë refuzimi dhe mos-përkatësie, unë prapëseprapë zgjedh t’i përkas arkeologjisë. Zgjedh të mos dorëzohem. Zgjedh të paraqitem në terren me kolegët e mi çdo ditë nga mëngjesi i hershëm. Sepse unë përkas atje. E punoj atë për të cilën jam edukuar, kam investuar kohë dhe para, ndërsa e punoj mirë. Më mbetet të shpresoj se është çështje kohe para se kur do të kapërcehet e gjithë situata, zaret do të bien në vend, ndërsa vlerat e mirëfillta ndoshta do të njihen dhe do të mbështeten – përfundon Todoroska.
Kjo histori hulumtuese është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.