Nepotizmi: Autoritetet ndërrohen, “familjarët” mbeten

Drejtorët në institucionet publike jo rrallë e (keq) përdorin nenin 21 të Ligjit për marrëdhëniet e punës, icili lejon manovrim për të vendosur për vendet e punës, kanë konstatuar zyrtarët antikorrupsion

Autore: Ruzhica Fotinovska

Është anuluar Vendimi për punësimin e bashkëshortes së drejtorit të atëhershëm të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Rubinço Zarevski, me rekomandimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky është epilogu për rastin e parë të konfliktit të interesit për të cilin vendosi Komisioni i atëhershëm Kundër Korrupsionit i drejtuar nga Sllagjana Taseva. Vitet kalonin, rastet e nepotizmit renditeshin. Një pjesë e tyre u vjetërsuan, një pjesë nga ato që u përmendën u tërhoqën nga funksionet, dhe një pjesë mbetën t’i ushtrojnë funksionet pavarësisht lidhjes farefisnore me zyrtarët e lartë, për sundimin e të cilëve u emëruan me pretekstin se nepotizmi nuk ekziston.

Gjeneza – punësimet farefisnore

Kanë kaluar gati një vit nga koha kur shpërtheu afera e “punësimeve farefisnore” të lidhura me zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Sipas atraktivitetit të pozitës dhe lartësisë së pagave – ndërmarrjet shtetërore ESM dhe MEPSO u ngritën si kompani në të cilat u punësuan të familjarë të afërt të funksionarëve nga partia qeverisëse. Konkretisht, në elektranat shtetërore të Maqedonisë Veriore u punësuan: babai i bashkëshortes së ish sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski; kryetari i degës lokale të partisë në pushtet në Gostivar, Goran Angellov; vajza e kryeparlamentarit Talat Xhaferi; djali i arkitektit dhe këshilltarit në Ministrinë e Kulturës, Mirosllav Gërçev; djali i deputetes Mira Stojçevska; motra e ish-ministrit të Kulturës, Asaf Ademi.

U zbardhën edhe punësimet në ndërmarrjen shtetërore MEPSO – djali i njërit prej ish-kryeministrave, Vllado Buçkovski; vajza e ish njeriut të parë të Gostivarit, Nevzat Bejta dhe motra e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Edhe në administratë hynë njerëz të afërt të zyrtarëve aktualë – kushëriri i ministrit të atëhershëm të bujqësisë, ndërsa tani sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Ljupço Nikollovski; nëna e zëdhënësit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov; djali i deputetit Goran Misoski; si dhe gruaja e deputetit Zekir Ramçilloviq.

Kjo valë e punësimeve për nga linja farefisnore nuk është një praktikë e re për Maqedoninë Veriore. Një pjesë e këtyre rasteve të nepotizmit të lidhura me klikën e mëparshme qeverisëse mbetën të pa prekura. Një pjesë e punësimeve të kontestueshme ndodhën kur me përbërjet e mëparshme të Komisionit Kundër Korrupsionit kryesonin nga Igor Tanturovski dhe Goran Milenkov. Ndërkaq një pjesë e tyre, në kohën kur Antikorrupsioni mbeti vetëm në letër, pasi pesë anëtarë dhanë dorëheqje pas skandalit me llogaritë mashtruese dhe të falsifikuara përmes të cilave zyrtarët antikorrupsion kanë tërhequr mijëra euro për shpenzime të udhëtimit.

Vite më vonë, me formimin e përbërjes së re të Komisionit Kundër Korrupsionit, anëtarët e rinj konstatuan dyshime serioze për nepotizëm nga ana e ish zyrtarëve, por pothuajse të gjitha rastet që u hapën, u mbyllën shpejt për shkak të vjetërsimit.

“Lëndët vjetërsohen në afat prej tre vjetësh. Konstatuam ndikime gjatë punësimit, krijimit të vendeve të punës, kushte të paplotësuara për punësim. I mbyllëm lëndët për shkak të vjetërsimit, por edhe për shkak se funksionarët tashmë janë shkarkuar”, thotë Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Antikorrupsion.

Kështu, KSHPK konstatoi se babai i sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, Ljube Janushev, i punësuar në Qendrën për Menaxhim me Kriza, është punësuar si i ranguar i dytë, pa i plotësuar të dy kërkesat kryesore, njohjen e gjuhës angleze dhe përvojën e punës. Lënda është mbyllur për shkak të vjetërsimit.

Antikorrupsionerët detektuan edhe dy kushërinj të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, të punësuar me të drejtë diskrecionale të drejtorëve të atëhershëm të VMRO-DPMNE – Jelica Milloshoska, e punësuar në vitin 2017 në “Vodovod” dhe Stanko Korunoski në Regjistrin Q, në periudhën 2007-2008 kur Milloshoski ishte ministër i jashtëm. Milloshoska është e punësuar me të drejtë diskrecionale të ish drejtorit të “Vodovod”-it, Aleksandar Atanasov. Nga dokumentacioni për punësimin e saj, KSHPK njoftoi publikisht në një konferencë për media se e kishte marrë vetëm kërkesën për punësim. Megjithatë, për kushëririn e Milloshoski, nuk ka asnjë dokumentacion për procedurën sesi pikërisht ai ishte punësuar dhe nëse ka pasur kandidatë dhe selektim të kandidatëve. Rastet janë mbyllur si të vjetruara. Njëri për shkak se punësimi ka ndodhur në vitin 2008, ndërsa tjetri sepse drejtori i “Vodovod”-it nuk është më në detyrë.

Nepotizëm është konstatuar edhe gjatë punësimit të gruas së ish sekretarit të përgjithshëm të qeverisë Kirill Bozhinovski, Kristina Bozhinovska, e punësuar e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE). Motra e ish ambasadorit në Bruksel Andrej Lepavcov i VMRO-DPMNE-së, Dragica Lepavcova, e punësuar gjithashtu në AEK në vitin 2012, pa rregullore për sistematizim dhe procedurë të rregullt. Të gjitha janë mbyllur shkaku i vjetrimit.

Disa “hoqën dorë“ nga punësimet – të tjerët nuk deshën “të dëgjojnë“

“Do ta bëjmë analizën, do t’i shohim procedurat. Kudo ku ka privilegje, proteksione ose çfarëdolloj ndikimi, gjithsesi do të kërkojmë tërheqjen e vendeve të tilla”. Kjo deklaratë e ish-kryeministrit Zoran Zaev e dhënë në shkurt të vitit 2019, ishte pranim se kjo garniturë qeverisëse nuk është imune ndaj “fuqisë dhe ndikimit” që vijnë nga postet, por gjithashtu duhej të ishte edhe “erë në shpinë” se gjërat do të korrigjohen. A ndodhi kjo? Jo në tërësi. Prej punësimit hoqën dorë djali i deputetes Mira Stojçevska, për të cilin në ESM zyrtarët antikorrupsion konstatuan se ishte krijuar vend i ri pune, si dhe djali i Goran Misovskit, më pas nëna e zëdhënësit të LSDM-së, Konstantin Kostadinov dhe familjarët e Aleksandrit Kiracovski.

“Megjithëse nëna ime është e punësuar përmes shpalljes transparente ku janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, unë fola me të dhe ajo do të tërhiqet. Unë pres që ky parim i moralit të lartë të ndiqet edhe nga zyrtarë të tjerë”, deklaroi Kostadinov në shkurt të vitit 2019.

Nuk ka nepotizëm dhe ndikim për punësimin familjarëve të mi, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Kiracovski. Megjithatë, të afërmit e tij u tërhoqën.

Presioni mbi të gjitha këto punësime nuk humbi në intensitet – Qeveria bëri një veprim me të cilin i ndërroi drejtorët e MEPSO dhe ESM, Sasho Vasilevski dhe Dragan Minovski.

Megjithatë, një pjesë e funksionarëve nuk pranuan konflikt interesi në punësimet familjare. Në punë në ESM dhe MEPSO mbetën: motra e ish-ministrit të Kulturës Asaf Ademi, Hidoete Alili, e punësuar në një vend pune që paraprakisht nuk ka ekzistuar, bashkëshorti i sekretares shtetërore në MPB, Magdalena Nestorovska, i cili është inxhinier i teknologjisë së tekstilit, ndërsa ka qenë i punësuar si inxhinier i mjedisit jetësor.

Zyrtarët e antikorrupsionit e cekën edhe mungesën e një rang-liste të të paraqiturve dhe mungesën e ndarjes së pikëve. I tillë është rasti me motrën e ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Vore Bekteshi. Me shpalljen janë kërkuar 23 vende pune, ndërsa janë paraqitur më shumë se 800 persona. Për pozicionin referent i pavarur për të cilin kishte aplikuar edhe motra e ministrit ka pasur 73 të paraqitur. Në MEPSO ishte formuar një komision përzgjedhës i cili pas një muaji i dorëzoi drejtorit një listë më 5 kandidatë për referent të pavarur – por nuk ka asnjë dokument se si është bërë ndarja e pikëve, e as nuk ka ndonjë raport mbi intervistat e kryera.

“Nuk ka asnjë arsyetim se pse pikërisht motra është selektuar në pesë të parët, dhe më pas me vendim të drejtorit, ajo edhe është punësuar”, konstatoi Komisioni Antikorrupsion.

Ministri Bekteshi mbetet në qëndrimin se nuk ka asgjë të kontestueshme. E pagoi fletëparaqitjen për kundërvajtje sepse nuk e ka informuar KSHPK se motra e tij ishte e punësuar në MEPSO, ndërsa kur ishte punësuar, ata kanë jetuan në të njëjtën adresë me të.

“Unë nuk ndiej përgjegjësi morale dhe nuk do të kërkoj nga motra ime që të largohet nga puna e saj në SHA MEPSO, sepse ajo nuk është punësuar nga Ministria e Ekonomisë, ajo është e moshës madhore, nuk jeton me mua, është e martuar dhe ajo vetë vendos për jetën e saj”, thotë Bekteshi.

Antikorrupsionerët kanë konstatuar nepotizëm, përgjegjësi nuk ka

“Punësimet janë të ligjshme – nuk ka bazë për pushime nga puna” – me këtë shpjegim u prononcuan nga ESM dhe MEPSO në lidhje me punësimet partiake pasi Komisioni Kundër Korrupsionit u bëri thirrje bordeve mbikëqyrëse të kompanive shtetërore të kërkojnë përgjegjësi nga drejtorët. Por, vetë konstatimi i Komisionit se kërkohet përgjegjësi nga drejtorët, nuk është obligative dhe nuk nënkupton anulimin e punësimit. Nga ana tjetër, bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të ekipuara me “bekimin” e pushtetit, ofruan mbështetje për drejtorët. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se në çdo institucion ku janë konstatuar punësime farefisnore- miqësore, nuk do të kërkojnë përgjegjësi nga drejtorët.

Në përputhje me Ligjin për qasje të lirë në informata me karakter publik, ne kërkuam këqyrje në procesverbalet e bordeve mbikëqyrëse të cilat kompanitë dhe institucionet i kanë paraqitur në KSHPK-së, për të parë sesi këto organe nuk kanë konstatuar përgjegjësi nga drejtorët. Por, nga Komisioni i Antikorrupsionit na u tha se këto janë dokumente të institucioneve të tjera të besueshme që nuk mund t’i japin.

I kërkuam procesverbalet edhe nga ESM edhe nga MEPSO. Nga ESM thonë se bëhet fjalë për dokumentet të cilat janë sekret zyrtar i kompanisë dhe nuk janë në dispozicion për publikun. Ata theksojnë se nga Komisioni Kundër Korrupsionit kanë pranuar vetëm shkresë drejtuar bordit mbikëqyrës për konstatimin e përgjegjësisë së drejtorit të përgjithshëm, sepse, siç thuhet, nuk i ka ushtruar autorizimet e tija diskrecionale në përputhje me ligjin. Por, nuk kanë marrë udhëzime nga komisionerët antikorrupsion se si të vepronin me punësimet.

“Për sa i përket të punësuarve për të cilët po pyesni, nuk ekziston asnjë bazë ligjore në përputhje me Ligjin për marrëdhëniet e punës, mbi të cilin punëdhënësi (ASH ESM) mund të ndërpresë marrëdhëniet e punës me personat në fjalë”, nga EEM na u përgjigjën me arsyetimin se SHKPK nuk u kishte dërguar atyre kahet për trajtimin e punonjësve në fjalë, e as se cilat dispozita ligjore janë shkelur gjatë punësimit dhe se ato do të përbënte bazë për largimin nga puna.

Sipas Ligjit për parandalimin e korrupsionit, sipas të cilit punon komisioni Antikorrupsion, ata mund të kërkojnë nga institucioni të rrëzojë vendimin për zgjedhje gjatë punësimit (por jo gjithë konkursin) dhe të japin udhëzime për zgjedhjen e një kandidati të ri nga ata që janë paraqitur, në qoftë se do ka pasur ndikim politik gjatë punësimit. Kryetarja e komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska thotë se këtë edhe e kanë bërë në disa rastet e para të nepotizmit të cilat i kanë punuar, por që ato lëndë janë hedhur poshtë nga Gjykata Administrative.

“Kur në një rast të tillë kërkuam nga drejtoresha e Klinikës Stomatologjike që të anulonte vendimin për përzgjedhje, fituam padi prej saj, ndërsa Gjykata Administrative vendosi në favor të saj. Edhe pas një rasti të tillë, ne ndaluam të marrim vendime të tilla, dhe tani habitemi se çfarë të bëjmë. Kemi një ndjenjë që gjithçka po bëhet në mënyrë që të mos mund të funksionojmë në punën tonë, “thotë Ivanovska.

Nga MEPSO nuk e morëm procesverbalin e plotë, pasi edhe ata iu referuan sekretit zyrtar, por e morëm njoftimin që ata ia kanë dërguar KSHPK-së. Në të thuhet se bordi mbikëqyrës i MEPSO-s nuk ka gjetur asnjë përgjegjësi për abuzimin e së drejtës së diskrecionit në punësimin e motrës së ministrit të ekonomisë, Kresnik Bekteshi tek drejtori i atëhershëm Sasho Vasilevski, pasi kompania paraprakisht ka angazhuar avokatë që kanë dhënë një mendim të tillë.

“Theksojmë nevojën që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të ndërmarrë veprime të mëtejshme në lidhje me rastin në fjalë për të vlerësuar faktin që prej datës 01.08.2018 aksionari i vetëm i SHA MEPSO në pronësi të shtetit është Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të cilën e drejton ministri Goran Sugareski”, thuhet në letrën që MEPSO e ka dërguar deri te komisioni i antikorrupsionit.

Kryetarja e Antikorrupsionit thotë se rastet akoma nuk janë mbyllur tek ata dhe se dorëheqjet e drejtorëve në raste të caktuara nuk do të thonë se është kënaqur interesi publik.

“Disa prej anëtarëve të Komisionit konsiderojnë se targeti ynë janë personat e emëruar dhe të zgjedhur, të cilët në rastin e MEPSO-s dhe të EEM-së u ndërruan dhe se ne këtu duhet të ndalemi. Se e kemi përmbushur qëllimin. Por a është përmbushur interesi publik deri në fund, nëse këta njerëz janë akoma në punë? Sipas mendimit tim, nuk është në tërësi. Lëndët janë ende të hapura. Por ne si komision duhet të marrim një vendim të përbashkët “, thotë Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Kundër Korrupsionit.

Biljana Ivanovska

Zyrtarët e antikorrupsionit paralajmërojnë se për shthurjen e shembujve me nepotizëm, një nga “hallkat” kyçe janë anëtarët e bordeve të cilët vihen në mbrojtje të vendime të marra, kështu që për vendimet e këtilla do të informohen edhe Qeveria dhe Kuvendi. Por, këtu nuk përfundon kompetenca e tyre.

Sipas informacioneve të fundit deri te të cilat erdhëm në këtë hulumtim – Anti-Korrupsioni ka hapur 66 raste të nepotizmit që nga fillimi i tij, ndërsa 26 prej tyre janë akoma të hapura. Pjesa tjetër është e mbyllur për shkak të vjetrimit, mospasjes së elementëve të mjaftueshëm, dorëheqjeve që janë dhënë, etj. Por askush nuk është përjashtuar nga puna me urdhër të zyrtarëve antikorrupsion.

A ka ilaç për nepotizmin?

Me formimin e përbërjes së re të KSHPK-së, më aktuale u bënë rastet në të cilat erdhi në shprehje nepotizmi. Instituti për Demokraci “Societas Civilis” kohët e fundit publikoi Raportin e parë për punën e Komisionit Kundër Korrupsionit. Rezultatet treguan se Komisioni, që nga themelimi i tij në mars të vitit 2019 deri në shtator të po këtij viti, ka hapur 273 lëndë, nga të cilat 208 ka vendosur t’i mbyllë, ndërsa për 65 ka vendosur ta vazhdojë procedurën. Qytetarët më së shumti fletëparaqitje kanë parashtruar në lidhje me procedurat gjatë punësimit dhe kontrollit të gjendjes pasurore të funksionarëve për të cilët Antikorrupsioni ka shqiptuar numrin më të madh të urdhrave kundërvajtës.

Antikorrupsionerët kanë konstatuar se drejtorët në institucionet publike jo rrallë e (keq) përdorin nenin 21 të Ligjit për marrëdhënie pune, i cili lejon manovër në vendimmarrje. “Punëdhënësi ka të drejtë të vendosë lirshëm, se me cilin kandidat i cili i plotëson kushtet e përcaktuara kontraktuale, respektivisht të kërkuara nga punëdhënësi për kryerjen e punës, duke i respektuar ndalimet ligjore, do të lidhë kontratë për punësim”, thuhet në nenin 21 të Ligjit për marrëdhënie pune.

Kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanovska, konsideron se pikërisht kjo e drejtë diskrecionale duhet të jetë përjashtim dhe të zbatohet kur paraqiten dy ose tre kandidatë, të cilët kanë marrë numër të njëjtë të pikëve po dhe janë njëlloj të ranguar, dhe jo praktikë e rregullt që keqpërdoret.

Analiza e ligjeve dhe akteve nënligjore që i përkasin kanë të bëjnë me këtë problem tregojnë se krijuesit e politikave, respektivisht funksionarët që kanë qenë ose janë në pushtet, gjithmonë kanë qenë të vëmendshëm mbi ligjet që e modulojnë sistemin dhe mënyrën e punësimit për të lënë hapësirë për “të përshtatshmit”, respektivisht për bashkëpartiakët, farefisin ose miqtë – komentojnë ekspertët nga sfera e antikorrupsionit dhe bëjnë me dije se në raste të tilla ata nuk kanë shumë mundësi ligjore për të vepruar.

Antikorrupsionerët kur përballen me shembuj të këtillë në praktikë, i referohen Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit dhe nenit 63, ku përcaktohet se gjatë ushtrimit të kompetencave diskrecionale: “Secili person zyrtar është i obliguar që vendimet t’i marrë me ndërgjegje, duke marrë në konsideratë të gjitha faktet dhe rrethanat e rasteve konkrete në lidhje me parimin e ligjshmërisë dhe drejtësisë”.

Në të njëjtin artikull thuhet gjithashtu se “Komisioni është i obliguar t’i shqyrtojë ankesat mbi këtë bazë dhe ta njoftojë personin fizik ose juridik për veprimin mbi të”.

Por, nuk ka mekanizma konkret në Ligjin se si Komisioni Kundër Korrupsionit të menaxhojë me abuzimin e të drejtave diskrecionale të funksionarëve gjatë punësim.

“Ne mund të kërkojmë të rishqyrtohet përzgjedhja ose vendim gjatë punësimit, por ne nuk mund ta anulojmë konkursin. Deri aty na jep mundësinë ligji. Ne si Komision kemi një rol sugjerues, e jo të paditim në Gjykatën Administrative, për shembull. Ne nuk jemi organ represiv për të ndëshkuar ndokënd, madje edhe dënimet e parashikuara me ligj janë të vogla, simbolike, në raport me dëmin që mund të ndodhë. Mirëpo këtu është opinioni publik të cilin duhet ta zgjojmë, ky është roli ynë ”, thonë nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit.

“Nepotizëm ka pasur dhe do të ketë. Ka pasur dhe do të ketë përpjekje për të ndikuar përmes shfrytëzimit të postit dhe pushtetit, por çështja kryesore është se cila është shthurja institucionale e rasteve të tilla”, thotë Sllagjana Taseva, një nga ish kryetarët e Komisionit Kundër Korrupsionit. Kujton rastin e parë me të cilin u përball komisioni, që kishte të bëjë me nepotizëm dhe konflikt interesi. Epilogu i këtij rasti ishte edhe burri edhe gruaja i braktisën pozicionet.

“Rasti i parë që e hapëm si antikorrupsionerë të atëhershëm ishte konflikt interesi dhe ndikim në punësimin e gruas së drejtorit të atëhershëm të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Rubinço Zarevski. Gruaja e tij u punësua në Spitalin e atëhershëm Ushtarak si stomatologe. Bëhej fjalë për një grua që ishte studentja më e mirë e gjeneratës, por për punësimin e saj nuk u shpall konkurs dhe as u ndoqën procedurat, kështu që institucionet reaguan menjëherë. Ndërhyri Inspektorati dhe ministria e dikasterit dhe bashkëshortja e Zarevskit u pushua nga puna, ndërsa ai u shkarkua nga pozita e drejtorit”, përkujton Taseva, duke përmendur edhe një shembull tjetër në të cilin u pagua “çmimi politik” edhe pse nuk u gjet konflikt interesi.

“Ministri i atëhershëm Ilija Filipovski u shkarkua ekspres në një mbledhje të qeverisë pasi Komisioni Kundër Korrupsionit njoftoi se po hap lëndë për punësimin e vëllait të tij të ngarkuar në një post drejtues në aeroportin e atëhershëm të Shkupit. Qeveria e shkarkoi ministrin, dhe më pas KSHPK konstatoi se nuk kishte konflikt interesi sepse vëllai i Filipovskit gjatë gjithë stazhit të tij ka punuar në firmën shtetërore dhe ka përparuar sipas dispozitave dhe ligjeve, duke i kaluar të gjitha shkallët. Ky është një shembull i një reagimi të nxituar dhe shembull se institucionet nuk guxojnë që të heshtin për këto lloje të punësimit”, thotë Taseva. Sipas saj, çështja kryesore është nëse lëndët e hapura në KSHPK marrin zgjidhje – dhe nëse kjo nuk është ashtu, ku qëndron problemi.

Me ekipimin e Anti-Korrupsionin “të ri” në publik, u rritën pritjet për një azhurnitet më të madh në punë por edhe epilog të rasteve të hapura.

“Përbërja e re e KSHPK-së, parë sipas raporteve të mediave, nuk interesohet vetëm për një interpretim të ngushtë të korrupsionit, por i shikon punët pak më gjerë. Të kuptuarit tepër voluminoz të korrupsionit mund ta çojë KSHPK-në deri në sfera dhe situata ku ata nuk kanë juridiksion”, thotë Misha Popoviç nga Instituti për Demokraci. Sipas Popoviçit nga marsi e këndej, KSHPK-ja përballet me një ngarkesë të shtuar të punës por është e domosdoshme të bëhet një listë me rastet prioritare që lidhen me korrupsionin e lartë dhe abuzimet.

“Tani ajo që ne po shohim në temën e nepotizmit dhe konfliktit të interesit është e trishtueshme sepse nuk ka zgjidhje konkrete për rastet e kë tilla. Ky është një problem i madh. Gjërat nuk mund të lihen në vetëdijen dhe ndërgjegjen e funksionarëve, gjithçka është e thjeshtë – ose respektohen rregullat ose nuk respektohen, dhe siç shohim tani për tani nuk ka ndonjë trajtim serioz dhe përcjellje të këtyre rasteve”, thotë Taseva.

Hulumtimi më i ri që është pjesë e Projektit “Vlerësimi i vulnerabilitetit nga korrupsionit në politikat dhe procedurat për punësim, me fokus të veçantë në nepotizmin, kronizmin dhe klientelizmin” ka identifikuar 46 pika të ndjeshme në të cilat duhet të ndërhyhet për të parandaluar punësimin farefisnor. Përndryshe, hulumtimi është ende aktiv dhe skanohen shumë institucione shtetërore, ndër të cilat edhe EEM-ja dhe MEPSO-ja. Projektin punon KSHPK-ja dhe Transparency International.

Me qëllim të zgjerimit dhe rritjes së ingerencave, përbërja aktuale e KSHPK-së ka përpiluar një listë me 350 vërejtje mbi ligjin sipas të cilit punojnë, në mënyrë që të bëhen më efikas. Por ndryshimet ligjore ende nuk kanë hyrë në procedurë. Rregullativa ligjore, veçanërisht filtri kryesor për korrupsionin dhe nepotizmin – KSHPK, ishin rregullisht pjesë e raportit të BE-së për përparimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit, me theks se është i nevojshëm jo vetëm sjellja, por edhe zbatimi i ligjeve nëse duam të ndërtojmë një shoqëri qytetarë të barabartë.

Për pesë raste, përbërja e re e KSHPK-së nuk i vërtetoi pretendimet për ndikimin në punësim. Këto janë rastet në vijim: për vajzën e kryetarit të Kuvendit Xhaferi, më pas për Cvetan Velevskin, vëllain e deputetes Mira Stojçevska, si dhe për punësimin e djalit të deputetit Goran Misoski, Kristijan Misovski, si dhe për punësimet në Agjencinë për Supervizion të Sigurimeve. Ndikim për punësim nuk u vërtetua as tek Iljo Stojçevski, bashkëshorti i deputetes Mira Stojçevska, dhelpër Nadica Dellkovën, bashkëshorte e kryetarit të komunës së Negotinës punësim në Shkollën Fillore “Goce Dellçev” në Disan të Psohtëm.

Kjo storie investigative është përpiluar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)