PADITË MBETEN MJET PËR HESHTJEN E ZËRAVE KRITIKË

Paditë për shpifje dhe ofendim edhe më tej përdoren si mjet për heshtjen e zërave kritikë, me ç‘rast si cak më i shpeshtë janë mediat dhe gazetarët.

Kjo u tha në prezantimin e sotëm të konkluzave nga raporti i Qendrës për gazetari hulumtuese SCOOP Maqedonia, i cila u realizua në EU info qendrën në Shkup.

Në raport thuhet se kjo praktikë kontribuon në përkeqësimin e gjendjes së lirisë së mediave në Republikën e Maqedonisë, me ç’rast rritet niveli i censurës te mediat dhe gazetarët.

Sipas rezultateve të hulumtimit, politikanët më shpesh paraqiten si paditës të gazetarëve por edhe të kundërshtarëve të tyre politik.

Aleksandar Bozhinovski nga SCOOP informoi se hulumtimi ka zgjatur gjashtë muaj dhe ka qenë i ndarë në tri sfera tematike.

Daniela Trpçevska, e cila ka qenë pjesë e ekipit hulumtues, tha se gjatë hulumtimit janë marrë të dhëna nga 26 gjykata të vendit, të cilat i ka kërkuar SCOOP Maqedonia nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet.

“Në periudhën nga viti 2011 deri më 2016, në të gjitha gjykatat e vendit janë parashtruar mbi 1800 padi. Nga ato rreth 1000 janë ngritur në vitin 2011 dhe 2012, para dekriminalizimit të shpifjes dhe ofendimit, kurse më pas numri i padive bie”, tha ajo.

Gazetarja Angella Petrovska tha se informacionet që i kanë marrë nga gjykatat kanë qenë të vlefshme, por se një numër i madh i informacioneve janë marrë edhe nga faqet e internetit të po këtyre institucioneve.

“Kishim një rast kur në një nga kërkesat, në vend që nga emaili zyrtar, na erdhi mesazh nga emaili kthyes ku kërkohej se për çfarë na duhen informatat. Në këtë rast u thirra në Ligjin për qasje të lirë te informacioni i karakterit publik, ku thuhet se kërkuesi nuk ka për obligim ta arsyetojë kërkesën por se vetëm duhet të nënvizojë se bëhet fjalë për kërkesë për informacion të karakterit publik. Pas kësaj m’i dërguan informacionet e kërkuara”, tha Petrovska.

Ndryshe, ky hulumtim është përkrahur në kuadër të projektit “Gazetaria hulumtuese – rojtar i të drejtave të njeriut”, in financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup, a i implementuar nga Qendra për menaxhim me ndryshime (QMN) dhe Instituti për të drejtat e njeriut (IDNJ).

 

Raportin e plote e gjeni KETU!

Shkruaj një koment

Koment(e)