Lufta kundër korrupsionit mbetet një synim i përbashkët, sidomos në Maqedoninë e Veriut, ku shënohet perceptim i ulët mbi këtë dukuri shkatërruese për institucionet dhe shoqërinë.
Në një video-mesazh për ngritjen e vetëdijes për luftën kundër korrupsionit, profesori universitar, Ali Pajaziti, thotë se korrupsionit duhet t’i themi no pasaran, s’ka kalim. “Mos lejo që të korruptohesh, as mos korrupto dikë. Dihet se mikrobet socialë janë të dëmshëm për ty, familjen, rrethin ku jeton dhe shoqërinë në përgjithësi”, thotë Pajaziti në këtë video mesazh. Sipas tij, një shoqëri e pakorruptuar është e mundshme, atë mund ta bëjmë ne të gjithë së bashku si komunitet duke ndryshuar mentalitetin, mendësinë tonë.
Ky video-mesazh publikohet në kuadër të projektit “Korrupsioni vret” që implementohet nga Shoqata për Promovimin e Arteve Multimediale INVI IDEA me qendër në Gostivar. Ky projekt implementohet në kuadër të projektit “Së bashku kundër korrupsionit”, i implementuar nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni, Qendra e Zhvillimit të Mediave MEDIUM dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut, ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian (BE).