PEP HULUMTIM: SA JANË TË PASUR KRYETARËT TANË TË KOMUNAVE?

  • Kryetarët e komunave me rroga prej 1.000 eurosh arrijnë t’i shlyejnë kreditë, të marrin kredi të reja, por edhe të blejnë makina dhe toka
  • Ismail Jahoski ka deklaruar një shumë prej 69 mijë eurosh të fituar “në një mënyrë tjetër”, ndërsa njeriu i parë i Qytetit të Shkupit, Shilegov vitin e kaluar në muajin maj ka deklaruar një shtëpi dhe tokë
  • Teuta Arifi në vitin 2018 ka deklaruar një depozitë kursimi të afatizuar devizore në shumë prej 15 mijë eurosh, për të cilën ka deklaruar se e ka fituar me trashëgim   

 

Shkruan: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

Mysafirët në dasmën e kryetarit të Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, me sa duket nuk kanë kursyer para kur bëhet fjalë për dhuratat e dasmës. Politikanë, funksionarë qeveritarë, biznesmenë dhe përfaqësues të mediave gjithsej u kanë dhuruar dhëndrit dhe nuses rreth 30 mijë eurosh në ceremoninë e dasmës që është mbajtur më 21 shtator vitin e kaluar. Në prill të këtij viti, Bogoev ka deklaruar ndryshim në gjendjen e pronave të tija, duke shkruar se ka blerë një banesë të re. Sipas deklaratës së tij, bëhet fjalë për paratë që i ka fituar si dhuratë dasme nga mysafirët e pranishëm. Përveç kësaj, ai ka deklaruar se kanë marrë edhe dy kredi – e para në shumë prej 50.000 eurosh, ndërsa e dyta në shumë prej 9 mijë eurosh – dhe zotërojnë një kartelë kreditore me shumë prej 1.600 eurosh.

Edhe pse nuk kanë të ardhura aq të larta mujore, megjithatë kryetarët e komunave deklarojnë ndryshim të gjendjes së pronave të tyre. Nga shitja e makinave të vjetra dhe blerja e makinave të reja deri te zgjerimi i listës me banesë ose shtëpi të re.

RROGAT E KRYETARËVE TË KOMUNAVE

Sipas Ligjit për rroga të personave të zgjedhur ose të emëruar, më shumë fitojnë kryetarët e komunave me mbi 50 mijë banorë. Rroga e tyre mujore është 3.4 rroga mesatare ose rreth 86 mijë denarësh. Në këtë grup të kryetarëve më të paguar të komunave, përveç Bogoevit, janë edhe Boris Georgievski, Ace Kocevski dhe Teuta Arifi. Sasho Pockov, Kurto Dudush dhe Zhivko Gosharevski marrin nga 3.2 rroga mesatare ose nga 73 mijë denarë, ndërsa Aleksandar Naumoski – 80 mijë denarë. Nga 68 mijë denarë kanë marë Sonja Stamenkova, Goranço Kërstev, Zoran Nogaçeski, Jordan Nasev, Ismail Jahoski dhe Sasho Jankoski.

NENI 17-V I LIGJIT PËR RROGA

Koeficientet për përcaktimin e rrogave të kryetarëve të komunave dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit është nga 2.70 deri 3.70.

Koeficientet e paragrafit 1 të këtij neni përcaktohen sipas numrit të banorëve, edhe atë:

– për kryetarin e komunës që ka deri më 10.000 banorë, koeficienti është 2.70;

– për kryetarin e komunës që ka nga 10.001 deri më 25.000 banorë, koeficienti është 2.90;

– për kryetarin e komunës që ka nga 25.001 deri më 50.000 banorë, koeficienti është 3.20 dhe

– për kryetarin e komunës që ka mbi 50.000 banorë, koeficienti është 3.40.

Pesëmbëdhjetë kryetarë komunash kanë deklaruar ndryshim në gjendjen e pronave të tyre pasi kanë hyrë në funksion në vitin 2017 e deri në vitin 2019. Një pjesë prej tyre kanë marrë kredi, ndërsa disa kanë shitur makinat e tyre të vjetra dhe kanë blerë makina të reja.

Sipas Ligjit për parandalimin e korrupsionit, një person i zgjedhur ose i emëruar dhe një person përgjegjës ka obligim që ta deklarojë në afat prej 30 ditësh çdo rritje të pronave të tija, si dhe ndryshimet e bëra në gjendjen e tij pronësore.

Duke llogaritur koeficientin, mund të vërehet se rrogën më të madhe nga kryetarët e lartpërmendur të komunave ka marrë kryetari me më shumë ndryshime pas hyrjes së tij në funksion e deri më tani, Petre Shilegov, 92.884 denarë.

Katërmbëdhjetë kryetarë komunash marrin rroga në vlerë prej 85.354 denarësh, njëmbëdhjetë në vlerë prej 80.333 denarësh, pesë në vlerë prej 72.802 denarësh dhe tridhjetë marrin nga 67.781 denarë në maj.

SHILEGOV KA BLERË NJË SHTËPI DHE TOKË

Shilegov, në maj të vitit 2018 ka deklaruar një shtëpi dhe tokë në vlerë prej 55 mijë eurosh, si dhe një kredi me të njëjtën vlerë. Shilegov ka shlyer edhe kredinë në vlerë prej 2.400 eusosh, ndërsa në vitin 2018 ka deklaruar një pjesëmarrje, gjegjësisht një depozitë që nuk është në të holla me vlerë prej 2.400 eurosh dhe një depozitë themelore/kryesore në vlerë prej 5.040 eurosh. Në vitin 2019, Shilegov ka deklaruar ulje të të hollave të përbashkëta në vlerë prej 48 mijë eurosh dhe një borxh në vlerë prej 30 mijë eurosh. Kryetari ka shlyer edhe kredinë në vlerë prej 13 mijë eurosh dhe ka zvogëluar kredinë ekzistuese nga 55.000 euro në 36.000 euro.

Kryetari i Komunës së Makedonska Kamenicës, Sonja Stamenkova, në prill të këtij viti në emrin e saj i ka transferuar të hollat e bijës së saj në vlerë prej rreth 1.200 eurosh, si dhe 4.800 euro nga llogaria e babait të saj, me qëllim të “investimeve të ardhshme në letra me vlerë”, siç është shkruar në dokumentin e deklaruar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Kryetari të Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, në vitin 2018 ka marrë lizing në vlerë prej 12 mijë eurosh. Nga një ndryshim kanë deklaruar Ace Kocevski, kryetari i Komunës së Velesit, i cili në nëntor të vitit 2017 ka deklaruar kredi të marra nga Komuna e Velesit në vlerë prej 2.600 eurosh, Teuta Arifi, kryetarja e Komunës së Tetovës, e cila në vitin 2018 ka deklaruar një depozitë kursimi të afatizuar devizore në vlerë prej 15 mijë eurosh, të cilën e ka fituar me trashëgim dhe Jordan Nasev, kryetari i Komunës së Karbincës, i cili ka deklaruar obligimet e shlyera për kredinë në vlerë prej 4.900 eurosh.

Kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Naumoski, ka deklaruar ndryshime në financat. Kështu, ai ka një kredi konsumatore në vlerë prej 10.000 eurosh, një depozitë të shlyer në vlerë prej 10 mijë eurosh dhe një kredi në vlerë prej 11 mijë eurosh.

NDRYSHIME “TË BËRA NË NJË MËNYRË TJETËR”

Ismail Jahoski, njeriu i parë i Komunës së Pllasnicës, në mars të vitit 2018 ka deklaruar kërkesa në të holla për kredi të marra në vlerë prej 270 mijë eurosh. Katër muaj më vonë, përkatësisht në korrik të vitit të njëjtë ai ka deklaruar një ndryshim “të fituar në një mënyrë tjetër” në vlerë prej 69 mijë eurosh. Jahoski nga viti 1996 e deri më tani pesë herë është zgjedhur për kryetar të Komunës së Pllasnicës. Deri në vitin 2014, ai ka qenë pronar i kompanisë “Pucko Petrol”, para se ta ndërmerrte biri i tij Asmir Jahoski. “Pucko Petrol”, e cila merret me qarkullim të derivateve të naftës, materiale ndërtimore dhe veprimtari të tjera, është themeluar në vitin 1993 dhe është rekorder për fitim të tenderëve. Vetëm në periudhën prej vitit 2017 deri në vitin 2018, kompania ka fituar mbi 400 tenderë.

Sikurse te funksionarët e tjerë shtetërorë, ashtu edhe te kryetarët e komunave ka ndryshime në flotat e makinave. Shtatë kryetarë komunash kanë blerë makina të reja, ndërsa gjashtë kanë shitur makinat e tyre.

Makina të blera:

Kryetari i komunës Makina Vlera
Goranço Kërstev Passat 15.000 euro
Aleksandar Naumoski BMW – X5 e përdorur 14.471 euro
Sasho Pockov Tojota Yaris 10.628 euro
Zoran Nogaçeski Volkswagen Golf 8.900 euro
Sasho Jankoski Opel Insignia 5.853 euro
Stefan Bogoev (pronë e shokut martesor) Citroen C1 2.500 euro
Sonja Stamenkova (pronë e shokut martesor) Peugeot 407 2.432 euro

 

Makina të shitura:

Kryetari i komunës Makina Vlera
Kurto Dudush BMW 740 D 2003/2012 9.756 euro
Petre Shilegov PMV Mercedes Benz V170 5.800 euro
Boris Georgievski Fiat Punto 1.600 euro
Zhivko Gosharevski Shevrolet Kalos Hati 900 euro
Aleksandar Naumoski Peugeot 1007 Nuk është shkruar vlera
Goranço Kërstev BMW X5 2007/2015 Nuk është shkruar vlera

 

MUSA: TË HETOHET PREJARDHJA E PRONËS

Ish anëtari i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit, Arif Musa, thotë se çdo gjë është në duart e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Musa mendon se duhet të hetohet se në bazë të cilave dokumente, marrëveshje dhe të ardhura të tjera personale rriten të ardhurat dhe pronat e kryetarëve të komunave.

“Kjo është thembra e Akilit, mundet shumë lehtë dhe qartë të shihet nga të ardhurat e tyre personale se sa mund të rriten dhe në cilën bazë është rritur gjendja e pronave të tyre. Me një rrogë të këtij lloji, qofshin edhe 120.000 denarë, në kohën e sotme, një familje prej katër anëtarësh nuk mund të ketë rritje të pronave”, thotë për SCOOP, Arif Musa.

Ai u bën apel KSHPK-së dhe DAP-it që t’i hetojnë dhe kontrollojnë rregullisht mënyrat në të cilat është rritur gjendja e pronave, bazat e atyre të ardhurave dhe nëse është paguar tatimi për ato të ardhura.     

Shkruaj një koment

Koment(e)