Evgenija Janakieska
Rasho Radullov
“Bija ime quhet Sena. Ajo jeton me mua. Tashmë një vit jam pa punë, ndërsa nga shteti nuk marr as pesë denarë. Përpiqesha tërë vitin, shkoja vazhdimisht t’i lus institucionet për të më ndihmuar disi shteti. Nuk ka institucion ku nuk kam qenë. Kam punuar në një spital privat pesë vjet. Më kanë larguar nga puna sepse fëmija ime e mitur, kur ishte shumë e sëmurë, nuk kishte kush të kujdeset për të. I jam drejtuar Qendrës për Punë Sociale me dokumentin në të cilin shihet se më kanë larguar nga puna. Nga atje më kanë thënë se nuk i intereson që nuk kam punë më, sepse fëmija ime ka marrë alimentacion prej 2.000 denarësh nga babai Suad. As nuk kanë ardhur as nuk kanë pyetur nëse unë me të vërtetë i marr ato 2.000 denarë”.
Kjo është storja e jetës e 34 vjeçares Tereza Hristova nga Shkupi, e cila bën apel për të ndihmuar me një ndihmë juridike falas nga një avokat, sepse ajo është e papunë dhe nuk mund t’i paguajë as faturat e saja. Një storje shumë e ngjashme me storjet e jetës të shumë nënave të vetme dhe familjet me një prind në Maqedoni. Të ngecur në labirintin e institucioneve vazhdimisht kërkojnë ndihmë. Ndihma sociale është e vogël dhe duhet të plotësohen disa kushte të caktuara. Kështu, për vetëm 744 denarë shtesë fëmijësh nga shteti në muaj, prindi duhet të kalojë një procedurë të shtrenjtë dhe të vështirë, duke grumbulluar dokumente nga dhjetëra institucione. Por, edhe nëse e fitojnë këtë shumë, shtesa për fëmijët nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet elementare.
Paratë nuk janë problemi i vetëm. Prindërit, të cilët janë pjesë e familjeve me një prind, janë të detyruar të punojnë në dy ndërrime sepse kopshtet e fëmijëve punojnë vetëm me ndërrimin e parë. Kjo ngushton zgjedhjen e vendeve të punës në të cilat prindi mund të konkurrojë në tregun e punës – para të gjithash për shkak se shumicat e vendeve të punës parashikojnë më shumë se një ndërrim. Pastaj, ditët për pushim mjekësor janë të pamjaftueshme, kurse punëdhënësit nuk kanë as tolerancë minimale nëse prindi nuk mund të paraqitet pa paralajmërim në punë as për një ditë. Përveç kësaj, këto familje ballafaqohen edhe me ndërprerjen e paparalajmëruar të sigurimit shëndetësor, kështu që janë të detyruar të mjekohen në institucione private, ku mjekimi është shumë i shtrenjtë dhe i paarritshëm për shumicat e këtyre familjeve.
Familjet me një prind, duke kërkuar ndihmë dhe duke i ndihmuar njëri-tjetrit, kanë themeluar shoqatën “Njëra mundet”. Këshillat falas, ndihma psikoterapeutike, ndihma juridike, zgjidhja e çështjeve të banimit, grumbullimi i mjeteve për të paguar llogaritë e bllokuara të anëtarëve, ruajtja e fëmijëve njëri-tjetrit, kërkimi dhe gjetja e punës janë vetëm një pjesë e ndihmave që ofron shoqata, e prindërit nuk e kanë fituar nga shteti.
“Vitin e kaluar kemi realizuar një hulumtim për shtesën e fëmijëve. Sipas hulumtimit, është dashur që gratë vetë të shkojnë nëpër të gjitha institucionet dhe sportelet e tyre në këtë vend, pastaj të nxjerrin dokumentet e tyre, të paguajnë shumë para dhe këto para të mos i marrin nga shteti as pas një viti të përdorimit të shtesës së fëmijëve. Familjet me një prind nga prindërit e divorcuar, kanë të drejtë për të marrë shtesën e fëmijëve kështu që nëse nëna është e papunë deri pak kohë më parë nuk kishte të drejtë të parashtronte dokumente për të marrë shtesën e fëmijëve. Por, nëse jeni të papunë, nëse jeni nënë e vetme dhe nuk e keni të drejtën t’i merrni ato 700 denarë, nuk e di për cilën barazi po flasim në këtë shoqëri”, thotë Doroti Paçkova, kryetare e shoqatës “Njëra mundet”, e cila numëron më shumë se 3000 anëtarë.
Në Maqedoni mungojnë shërbimet 24-orëshe për ndihmë, mungojnë kopshtet me më shumë ndërrime, si dhe regjistrimet me prioritet të fëmijëve në to nga familjet me një prind, por edhe përparësia në punësim. Nënat e vetme jo vetëm që nuk kanë prioritet në tregun e punës, por edhe stigmatizohen në kërkimin e punës, dhe shpesh janë edhe të degraduara. Punëdhënësit shpesh ndajnë qëndrimin se ato nuk mund t’i përkushtohen mjaftë punës për të qenë të suksesshme dhe të afta për t’i sjellë profit kompanisë.
“Unë jam një nënë e vetme e Ilonit, një djalë i shkëlqyeshëm i cili në gusht do të mbushë dy vjet. Si një prind i vetëm, po ballafaqohem me shumë sfida, por nuk do ta kisha ndryshuar ndjenjën e të qenët prind për asnjë gjë tjetër në botë. Sfida ime më e madhe ishte punësimi. Gjatë shtatzënisë isha e siguruar në një kompani, në të cilën vetë i paguaja kontributet për të realizuar të drejtën e kompensimit të lehonisë. Pas skadimit të këtij kompensimi, filloi kërkimi im i punës. Edhe pse e kualifikuar dhe me studime të regjistruara për magjistër, ishte e vështirë të realizoj një intervistë. Në intervistat në të cilat isha shumë shpesh, ajo që je prind i vetëm nuk llogaritej si një arsye plus. Madje në një kompani, menaxherja, e cila ishte nënë e dy fëmijëve, më dha një arsyetim se ka gjasa të mëdha të fillojë ta urrejë punën e vetë, sepse ajo do të ma marrë kohën që duhet ta kaloj me djalin. Dhe nuk më pranuan. Në një mision ndërkombëtar, për të cilin kisha punuar më parë, njëri prej anëtarëve të komisionit në intervistë, ka pasur komente ironike të llojit: a mund ta vëmë beben në këtë qoshe. Është e tmerrshme që njerëzit nuk kanë kulturë dhe vetëdije në lidhje me fatin e njerëzve të tjerë”, na tha përvojën e saj qytetarja e Shkupit, Maja Veliçkova.
Savka Todorovska nga Këshilli Kombëtar i Grave thotë: “Në shoqërinë tonë numri më i madh i të papunëve janë nëna të vetme. Ndoshta ky është një stereotip dhe organizata jonë kujdeset për tejkalimin e stereotipave. Por, në një situatë ku nëna vetë kujdeset për fëmijët, nevojiten shërbime, nevojitet një ndihmë që të mund ajo t’i tejkalojë të gjitha këto probleme, të cilat në fakt janë të çdoditshme dhe ndodhin gjatë gjithë ditës. Prandaj, mesazhi im për shoqërinë është të hapen shërbime të të gjitha llojeve, të cilat do të mund t’ua lehtësojnë punën nënave që ta tejkalojnë problemin e përkujdesjes së fëmijëve dhe në atë mënyrë të mund të fitojnë mjete dhe të mos jenë me ndihmën sociale”, thotë ajo.
Lobi i Grave i Maqedonisë ekziston që nga viti 2000 dhe përfshin disa shoqata. Edhe pse kanë njohuri të mira për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen familjet me një prind, ata nuk kanë bërë shumë lidhur me këtë çështje në këto 17 vite. Në pyetjen se çfarë ka bërë deri më tani Lobi i Grave i Maqedonisë për nënat e vetme, kemi marrë këtë përgjigje:
“Deri më tani, një program direkt që merret me çështjen e nënave të vetme nuk kemi pasur. Por, në mënyrë indirekte ato ishin një grup qëllimor i të gjithë programeve tona, sidomos të programeve që janë marrë me diskriminimin e dyfishtë të grave. Së pari në bazë të gjinisë, e pastaj në bazë të nënave të vetme”, na ka shpjeguar Daniella Dimitrievska nga Lobi i Grave i Maqedonisë.
Liljana Popovska, ish-kryetarja e Klubit të Grave Deputete mendon se prindërit e vetëm kurrë nuk kanë pasur ndonjë trajtim të veçantë në shoqëri. “Ato vetëm pjesërisht e kanë fituar ndihmën në kuptimin e njohjes formale të pozitës së tyre dhe në drejtimin e programeve të veçanta shtetërore përmes të cilave kanë hyrë në ato grupe të rrezikuara të cilat fituan prioritetin gjatë ndarjes së banesave, granteve, vetëpunësimit ose për të filluar një biznes, si dhe në pjesën e mbrojtjes si viktima të dhunës në familje. Por, problemi me këto programe ishte se ato kishin një buxhet të vogël”, theksoi ajo. Sipas saj, numri i prindërve të vetëm që kanë hyrë në këto projekte nuk ka qenë i madh dhe shumë prindër kanë mbetur pa ndihmën shtetërore.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale paralajmëron ndryshime të ligjit
“Do të bëhet ndryshim dhe plotësim i Ligjit për familje, me një përcaktim të saktë të statuseve “prindi i vetëm” dhe “familja me një prind”, thotë Zhaklina Veliçkovska nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, udhëheqësja e departamentit për marrëdhëniet me opinionin – Ju informojmë se
Nuk përjashtohet as mundësia për transformimin e shtesës së fëmijëve në një tjetër lloj shtese (ndihme), e në cilin lloj dhe në cilën formë do të jetë ajo do të duhet që së bashku MPPS-ja, Qendrat për punë sociale, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe organizatat ndërkombëtare të gjejmë një mënyrë se si t’i organizojmë të drejtat dhe të japim përgjigje për rreziqet e ndryshme. Në këtë drejtim është formuar edhe një grup pune, i cili do të bëjë një analizë të gjendjeve dhe mundësive dhe do të punojë në ndryshim të një pjese të Ligjit për mbrojtjen sociale dhe Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.
Çfarë parashikon Ligji?
Shtesa e fëmijëve është e drejta e fëmijës dhe sigurohet si një ndihmë (kompensim) me të holla për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve në ngritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Të drejtën e shtesës së fëmijëve e fiton njëri i prindërve të fëmijës, shtetas i Republikës së Maqedonisë me vendbanim të përhershëm në vend, për një fëmijë – shtetas të Republikës së Maqedonisë dhe me shkollim të rregullt në vend, nëse prindi është: i punësuar në një shoqatë tregtare, ndërmarrje publike, institucion publik, institucion tjetër dhe një person tjetër juridik që kryen veprimtari ekonomike dhe një person tjetër juridik që kryen veprimtarinë e shërbimit publik, organit shtetëror dhe organit të njësisë së vetëqeverisjes lokale dhe një person tjetër fizik vendas dhe i huaj dhe një person juridik që punëson punëtorë, me të paktën gjysmën e orarit të plotë të punës; përdoruesi i të drejtave të sigurimit pensional dhe invalidor, sipas dispozitave të Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor; personi i papunësuar që merr një kompensim me të holla; përdoruesi i ndihmës së përhershme financiare, invalidi i luftës dhe përdoruesi i ndihmës familjare invalidore; bujku – tatimpaguesi i tatimit nga të ardhurat që kryen veprimtarinë bujqësore si profesion i vetëm dhe kryesor dhe zejtari i cili kryen veprimtari të vjetra artizanale dhe zejtari që kryen veprimtari artizanale që janë deficitare.
Si përjashtim, nëse prindi ose një anëtar i familjes së tij është pronar i hapësirës afariste, themelues i shoqatës tregtare ose një institucioni, atëherë ai nuk mund të fitojë të drejtën e shtesës së fëmijëve.
Shtetasi i huaj me vendbanim në territorin e Republikës së Maqedonisë mund të fitojë të drejtën e shtesës së fëmijëve në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
Shtesa e fëmijëve fitohet në varësi të moshës së fëmijës dhe gjendjes materiale të familjes. Të drejtën për shtesën e fëmijëve fitohet për një fëmijë deri në mbushjen e moshës 18 vjeçare dhe nëse fëmija e moshës shkollore është me shkollim të rregullt edhe atë: për një fëmijë që është nxënës i rregullt në shkollën fillore deri në përfundimin e shkollimit për aq vite sa zgjat shkollimi i rregullt, deri më datën 31 gusht të vitit; dhe për një fëmijë që është nxënës i rregullt në një shkollë të mesme, për çdo vit shkollor, deri më datën 31 gusht të vitit, por më së gjati deri në mbushjen e moshës 18 vjeçare.
Fëmijës, së cilës i ka skaduar cilësia e nxënësit të rregullt, nuk i takon shtesa e fëmijëve dhe asaj i ndërpret e drejta për shtesën e fëmijëve në ditën e parë të muajit të ardhshëm pas skadimit të asaj cilësie.
Fëmija, e cila për një periudhë të përhershme ose për një periudhë më të gjatë se një vit, do të mbetet e paaftë për punë para se të mbushë moshën 15 vjeçare ose gjatë shkollimit të rregullt, ka të drejtën e shtesës së fëmijëve derisa zgjat paaftësia e fëmijës, por më së gjati deri në moshën 18 vjeçare. Si një fëmijë tërësisht dhe përherë e paaftë për punë konsiderohet edhe fëmija së cilës i është njohur e drejta e aftësimit për punë deri në përfundimin e tij të suksesshëm, për më së gjati deri në mbushjen e moshës 18 vjeçare.
Si përjashtim, të drejtën e shtesës së fëmijëve e ka një fëmijë e cila për shkak të sëmundjes ose lëndimit është e penguar që të shkojë në mësim dhe për shkak të kësaj pengese e vazhdon shkollimin në mënyrë të jashtëzakonshëm në përputhje me ligjin.
Shtesën e fëmijëve e fitojnë fëmijët për të cilat kujdeset prindi, edhe atë për fëmijë të lindura brenda dhe jashtë martesës, fëmijë të adoptuar, si dhe për nipër, vëllezër, motra dhe për fëmijë të tjera që janë marrë nën përkujdesje.
Fëmijët që janë marrë nën përkujdesje fitojnë shtesën e fëmijëve edhe në rast kur ata kanë prind, nëse:
- prindërit e tyre janë tërësisht ose përherë të paaftë për punë;
- janë duke vuajtur dënimin me burg;
- kanë humbur të drejtën e prindit dhe
- prindërit janë në shkollim të rregullt.
Fëmijët që janë marrë nën përkujdesje fitojnë shtesën e fëmijëve edhe në rastin kur edhe prindërit edhe fëmijët nuk kanë asnjë pronë ose të ardhura me të cilat prindërit mund të kujdesen për to.
Shtesën e fëmijëve e fiton edhe fëmija e cila është pa përkujdesjen e prindërve, kurse është vendosur në një familje që kujdeset për fëmijë.
Shtesën e fëmijëve nuk e fiton:
- fëmija e cila për shkak të edukimit, shkollimit ose aftësimit është në ent ose institucion në të cilat është vendosur tërësisht pa para gjatë kohës derisa është në entin ose institucionin dhe
- fëmija që është shtetas i Republikës së Maqedonisë për të cilën prindi ka fituar të drejtën e shtesës së fëmijëve në përputhje me rregullat e një shteti tjetër.
Gjendja materiale e familjes konstatohet në bazë të të ardhurave që i realizon familja dhe në bazë të numrit të anëtarëve të familjes.
Të ardhurat në bazë të të cilave konstatohet gjendja materiale e familjes konsiderohen të ardhurat e realizuara në të gjitha bazat e të gjithë anëtarëve të familjes si të ardhura të familjes, edhe atë:
- paga dhe kompensimet e pagës (të reduktuara për kontributet e përcaktuara me ligj);
- të ardhurat e pensionit në përputhje me ligj;
- kompensimi me të holla për personat e papunësuar;
- ndihma e përhershme me të holla;
- ndihma sociale me të holla;
- të ardhurat në bazë të: pronës dhe të drejtave pronësore; në bazë të kryerjes së veprimtarisë individuale, në bazë të kryerjes së veprimtarisë artizanale dhe në bazë të të ardhurave të tjera për të cilat paguhet tatim (të ardhurat nga të drejtat e autorit, të drejtat nga pronësia industriale, kontrata mbi vepër, ekspertiza, të ardhurat e përkohshme);
- të ardhurat në bazë të kryerjes së veprimtarisë bujqësore që janë të ardhura kadastrale që kanë qenë një bazë për përcaktimin e tatimit të të ardhurave nga veprimtaria bujqësore;
- të ardhurat në bazë të punës së përkohshme jashtë vendit;
- të ardhurat e realizuara jashtë vendit të punëtorëve që janë dërguar jashtë vendit;
- alimentacioni dhe bursat dhe
- ndihma civile invalidore.
Si të ardhura nuk konsiderohen: shtesa e veçantë, kompensimet për një dëmtim trupor, kompensimi me të holla për ndihmë dhe përkujdesje nga një person tjetër, ndihma me të holla që merret njëherë, ndihma me të holla për të porsalindur që merret njëherë, shtesa prindërore për fëmijë, të ardhurat e familjes që kujdeset për fëmijë, kompensimi i të hollave për shpenzimet që harxhohen për personin në përkujdesje në familjen që e ka marrë atë fëmijë nën përkujdesje, ndihma në rast të fatkeqësive natyrore, subvencionet në bazë të kryerjes së veprimtarisë bujqësore si profesion i vetëm dhe alimentacioni që e jep prindi për t’u kujdesur për fëmijën që është nga një martesë e divorcuar.
Gjatë përcaktimit të së drejtës së shtesës së fëmijëve, të ardhurat e realizuara totale në vitin paraprak të pikave 1, 2, 3, 4, 5, 8, 9, 10 dhe 11 dhe të ardhurat e realizuara totale në vitin paraprak të pikave 6 dhe 7 të të gjithë anëtarëve të familjes mblidhen në mënyrë individuale dhe pjesëtohen me 12, gjegjësisht me numrin e muajve në të cilët janë realizuar të ardhurat. Të ardhurat mesatare mujore të familjes pjesëtohen me numrin e anëtarëve të familjes.
Familjen, sipas këtij ligji, e përbëjnë partnerët martesorë apo jashtëmartesorë, fëmijët e lindur në martesë, jashtë martesës ose të adoptuar, fëmijët e birësuar, nipërit pa prindër të marrë nën përkujdesje dhe vëllezërit e motrat e mitur (në qoftë se ata nuk kanë prindër dhe janë pa mjete të ekzistencës), të cilët përbëjnë komunitetin e jetesës, ekonomisë dhe shpenzimeve.
Për anëtarë të familjes nuk konsiderohen: personat të cilëve shteti u ka siguruar një përkujdesje tërësisht pa para, të cilët qëndrojnë të paktën gjashtë muaj jashtë vendit apo janë duke vuajtur dënimin me burg.
Të drejtën e shtesës së fëmijëve e ka fëmija në një familje, të ardhurat e të cilit në të gjitha bazat për një anëtar të familjes arrijnë deri në 2.490 denarë, kurse për fëmijën e prindit të vetëm ato arrijnë deri në 4.980 denarë. Shumat përputhen me rritjen e shpenzimeve të jetesës për vitin paraprak, të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, në muajin janar për vitin aktual.
Shuma e shtesës së fëmijëve është:
- për një fëmijë të moshës parashkollore dhe për një fëmijë nxënës deri në moshën e tij 15 vjeçare – 716 denarë;
- për një fëmijë nxënës të shkollës së mesme deri në moshën e tij 18 vjeçare – 1.136 denarë;
Për fëmijët që janë tërësisht dhe përherë të paaftë për punë, shuma e shtesës së fëmijëve përcaktohet në këtë mënyrë:
- për një fëmijë që është tërësisht dhe përherë të paaftë për punë deri në moshën e tij 15 vjeçare – 716 denarë;
- për një fëmijë që është tërësisht dhe përherë të paaftë për punë në moshën mbi 15 vjeçare deri moshën e tij 18 vjeçare – 1.136 denarë;
Shuma totale mujore e shtesës së fëmijëve për fëmijët për të cilët prindi e ka fituar të drejtën është 1.800 denarë. Shumat e lartësive dhe shuma totale mujore përputhen me rritjen e shpenzimeve të jetesës për vitin paraprak, të publikuara nga Entit Shtetëror i Statistikës, në muajin janar për vitin aktual.
Me kalimin e fëmijës nga shkolla fillore në atë të mesme ndryshon shuma e shtesës së fëmijëve nga muaji i parë i vitit shkollor. Si përjashtim, për një fëmijë e cila tërësisht ose përherë ose për një periudhë më të gjatë se një vit do të bëhet e paaftë për punë para se të mbushë 15 vjet ose gjatë shkollimit të rregullt, si dhe për një fëmijë, të cilit ia kanë njohur të drejtën e aftësimit për punë, shuma e shtesës së fëmijëve ndryshon nga muaji i ardhshëm, pasi do të mbushë 15 vjet.
“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.
“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.