Rrënojat në oborr ende ia zgjojnë kujtimet e këqija Zllatko Joveskit nga Smilkovci. Shtëpia e tij gati u shkatërrua nga përmbytjet në fillim të gushtit, kurse ajo u dëmtua po ashtu edhe nga seria e fundit e tërmeteve.
Banorët e këtij vendi në periferi të Shkupit, vetëm para një muaji i panë ujërat e shiut të rrëmbyeshëm që shkaktuan viktima njerëzish, pastaj e ndjenë edhe tërmetin i cili tek shumë shkupjanë shkaktoi një frikë nga një fatkeqësi e re. Për një kohë kaq të shkurtër, kjo u bë një top lajm në botë, me numrin e viktimave, por edhe me epiqendrën e një serie tërmetesh në Shkup.
“Shtëpia ime është shkatërruar tërësisht. Në përmbytjet e 6 gushtit i kam humbur më të afërmit. Nënën time e gjeta 500 metra larg shtëpisë, kurse motrën time madje në Stajkovci“, thotë Jovevski, duke mos mundur të qetësohet për shkak të tragjedisë që ia ka shkatërruar jetën.
Ai nuk beson se dikush tjetër në Smilkovci ka pasur një dëm më të madh se ai. Janë shkatërruar të gjitha orenditë i tija, dy kopshtet, traktorët, automobili. Kompetentët kanë bërë një inspektim për dëmet, por Jovevski ende nuk ka marrë një vlerësim se sa janë dëmet dhe si do ta ndihmojnë atë. Ai dhe gruaja e tij janë të papunë dhe kanë dy fëmijë.
“Nëse shteti nuk na ndihmon, unë nuk e di se si do të vazhdojmë të jetojmë. Deri më tani kemi jetuar nga bujqësia. Pra, gjithë jetën time jam munduar dhe përmbytjet më morën të gjitha për disa orë. Tani po jetoj vetëm nga ndihma humanitare. Frika dhe pafuqia na kanë shkatërruar, kushedi çfarë tjetër do të përjetojmë“, thotë Jovevski.
Jovevski ka dëgjuar se si autoritetet komunale janë arsyetuar se i pastrojnë kanalet rrjedhëse, por, sipas tij, “pyetja është se sa shpesh e bëjnë atë”.
“Pas stuhisë së madhe, erdhën dhe i pastruan, por mendoj se paraprakisht një kohë më të gjatë kanalet nuk ishin të pastruara“, shpjegon Jovevski.
Përmbytjet të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe 23 viktima në rajonin e Smilkovcit dhe Hasanbegut e hapën temën për përgjegjësinë e institucioneve në lidhje me parandalimin e këtyre fatkeqësive natyrore.
SHPENZIMET JO TRANSPARENTE TË MJETEVE PËR KANALET RRJEDHËSE
Hulumtimi i SCOOP-it tregoi se në 5 vitet e fundit, pjesa më e madhe e komunave të Shkupit nuk kanë shpallur tenderë për pastrimin e kanaleve.
Sipas të dhënave të Byrosë së Prokurimeve, tenderë për pastrimin e kanaleve rrjedhëse për periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016 kanë shpallur vetëm komunat Gjorçe Petrov, Kisella Vodë dhe Petrovec.
Nga rajonet e dëmtuara komunale, komuna Petrovec më 4 korrik të këtij viti ka shpallur një tender për pastrimin e kanaleve rrjedhëse. Tenderin e ka fituar një kompani, emri i së cilës nuk është përmendur, por selia e saj është në fshatin Goshincë. Gjithashtu nuk është shkruar as vlera e marrëveshjes së lidhur.
Në pjesën tjetër të qytetit, në Gjorçe Petrov, autoritetet komunale kanë një marrëveshje me kompaninë “JU-BAJ2 Amet DOOEL” nga fshati Bojanë, Shkup me vlerë prej rreth 4,1 milionë denarësh, e lidhur më 24 qershor. Dy javë para se ta fitojë tenderin, kompanisë së njëjtë i është dhënë edhe detyra e pastrimit të deponive ilegale, pastrimi i kanaleve dhe kryerja e shërbimeve të tjera komunale, me një vlerë prej 2.3 milionë denarësh. Përkundër kërkesave të dërguara nga SCOOP-i, autoritetet komunale e Gjorçe Petrovit nuk janë përgjigjur për procedurën e përzgjedhjes së ofertave të tenderëve për pastrimin e kanaleve rrjedhëse.
Më 26 dhjetor 2015, komuna Kisella Vodë ka lidhur një kontratë me “Vodostopanstvo Skopsko Pole Shkup” me vlerë prej rreth 2 milionë denarësh për pastrimin e kanalit të Usjes, kanalit Nënstacion, Kanalit të Zi në Përzhino dhe të tjera. Me të njëjtën ndërmarrje janë lidhur edhe dy marrëveshje të tjera, më 7 tetor 2014 me vlerë prej 4 milionë denarësh dhe më 29 korrik 2013 me vlerë prej 3.9 milionë denarësh. Më 22 janar 2016, komuna ka lidhur një kontratë me “Vardar GRADBA DOO f. Trubarevë – Shkup” me vlerë prej 20 milionë denarësh për rikonstruksion dhe ndërtim të një sistemi për transport në trajtim të ujërave të zeza në territorin e komunës së Kisella Vodës.
Janko Bacarija nga kabineti i kryetarit të komunës së Kisella Vodës ka deklaruar se kanalet rrjedhëse pastrohen dy herë në vit. Për periudhën nga vitit 2011 e deri më tani janë shpallur gjashtë thirrje publike për pastrimin e kanaleve rrjedhëse dhe deponive.
Nga komuna e Butelit thonë se në momentin përfundon tenderi i ri për përzgjedhjen e kompanisë – kontraktore të punëve për pastrimin e ri vjeshtor të lumit Seravë, e cila është nën kompetencën e komunës.
“Ne territorin tonë nuk ka kanale rrjedhëse, kurse dinamika për pastrimin e lumit Seravë është pastrimi i saj në çdo dy vjet. Komuna është pothuajse 100 për qind e mbuluar me një rrjet fekal, ndërsa mbulimi me kanalizim atmosferik është më shumë se 60 për qind“, deklaroi zëdhënësja e komunës së Butelit, Snezhana Klinçarova.
Komunat e qytetit përgjegjësinë për mirëmbajtjen e kanaleve ia bartin Qytetit të Shkupit.
“Kanalet janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit. Kjo është arsyeja se pse ne nuk shpallim tenderë për pastrimin e vazhdueshëm të kanaleve rrjedhëse“, informuan nga komuna e Aerodromit.
Edhe në komunën e Qendrës pretendojnë se mirëmbajtja e rrjedhjes së kanaleve janë nën kompetencat e Qytetit të Shkupit.
“Këtë pranverë është konstatuar se një sasi e madhe bërlloku dhe mbeturinash ka në kanalin te vendi Kurilla e Vogël dhe kemi konstatuar se ky mund të jetë një rrezik potencial. Për shkak se askush nga Qyteti i Shkupit me vite të tëra nuk e ka pastruar atë, Komuna e Qendrës ka angazhuar makineri dhe të punësuarit dhe e ka pastruar kanalin. Nëse nuk e kishim bërë atë, do të ishte përmbytur e tërë kjo pjesë e qytetit me përmbytjet e fundit“, deklaroi Katerina Canevska Arsovska, zëdhënëse e komunës.
Autoritetet komunale e Gazi Babës, ku kryesisht gjenden vendbanimet që pësuan nga përmbytjet, njoftuan se përfundimisht me muajin korrik janë pastruar rreth 10.000 metra të rrjetit të kanaleve. Ata thonë se paratë për mirëmbajtjen e kanaleve për çdo vit i transferohen ndërmarrjes “NP Vodostopanstvo Skopsko Pole”.
“Përfundimisht me vitin 2016, komuna ka ndarë 26.6 milionë denarë, para të cilat çdo vit i transferohen në mënyrë të pjesshme ndërmarrjes NP Vodostopanstvo Skopsko Pole për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanaleve. Gjithashtu, nga ana e ndërmarrjes NP Vodostopanstvo Skopsko Pole dërgohet deri te Këshilli i komunës një raport për aktivitetin e tyre gjatë gjithë vitit“, deklaroi Emilija Kiprovska, drejtuese e Departamentit të protokollit dhe marrëdhënieve me opinionin në Gazi Babë.
Nga ana tjetër, nga Qyteti i Shkupit thonë se rregullisht i mbajnë kanalet dhe shtratin e lumit Vardar, në kuadër të angazhimit të planit të përgjithshëm urbanistik.
“Jashtë këtij angazhimi, pellgjet e kanaleve të shtratit të lumit janë në kompetencë të komunave ose të ndërmarrjes së ekonomizimit të ujërave apo të subjekteve publike që menaxhojnë me ujërat publike. Këshilli i Qytetit të Shkupit miraton një program me të cilin përcaktohet dinamika për mirëmbajtjen e shtratit të lumit Vardar, lumit Lepenc, lumit Seravë, si dhe kanalet e hapura në Vodno, Përzhino, Kanalin e Usjes, si dhe kanalin në rrugën Finska. Kanalet janë në gjendje të shkëlqyeshme dhe janë në gjendje të pranojnë sasi të mëdha të ujit atmosferik“, janë përgjigjur nga kabineti i kryetarit Koce Trajanovski.
BANORËT DËSHMOJNË PËR KANALET E PAPASTRA
Banorët e vendbanimeve të prekura nga fatkeqësia, me të cilët ka folur SCOOP-i, thonë se stuhia e ujit është mundur të zbutet në qoftë se mafia e pyjeve nuk ka bërë kërdi me pyjet në Malin e Zi të Shkupit. Dhe përveç kësaj, të gjitha kanalet kanë qenë të bllokuara.
“Gjoja i pastrojnë rregullisht kanalet rrjedhëse, por kur edhi ushtria një ditë pas përmbytjeve, nxori shumë bërllok, baltë, plastikë. Po duket se me muaj të tërë nuk i pastrojnë kanalet“, thotë një grua nga Smilkovci.
Një grua tjetër të moshuar takuam pikërisht në zonën që ka pësuar dëmet më të mëdha. Ajo fliste me zë të ulët, por vërehej revolti i saj ndaj autoriteteve kompetente: “Është dashur të ndodhin përmbytjet për të ardhur dhe për t’i pastruar kanalet. Më parë nuk vinin fare. Për më pak se një orë u përmbyt pothuajse i gjithë fshati. Ka shtëpi që janë 100 për qind të shkatërruara, njerëz të cilët ende flenë në dyshekë, kurse disa nuk kanë as kulm mbi kokë. E frikshme“.
Banorët lokalë dëshmojnë se disa kanale rrjedhëse as nuk mund të vëreni, sepse janë të bllokuara me kallame. Ndonjëherë ka një erë të pakëndshme.
“I gjithë bërlloku që e shikoni është nga kanalet rrjedhëse“, thotë një punonjës i Ndërmarrjes Publike “Rrugët dhe udhët”, të cilin e takuam në mbikalimin në lagjen Hasanbeg. “Duhet të pastrohen më shpesh kanalet rrjedhëse, por gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos hedhin mbeturinat kudo që t’u teket“.
Edhe në komunën e Petrovecit, njerëzit me të cilët kemi folur ishin të pakënaqur me sjelljen e autoriteteve kompetente.
“Në Petrovec, Ognjancë, Taor – atje është kaos. Filluan t’i pastrojnë kanalet dhe pastaj i lanë. Në fshatin Ognjancë mund ta shihni edhe hyzmetin e njerëzve. Kanalet rrjedhëse i pastrojnë përgjatë rrugëve kryesore, kurse ato në rrugët dytësore nuk i pastrojnë. Madje edhe me pastrimin e kanalit kryesor nga Stajkovci deri në Taor e kanë bllokuar rrugën dhe tani njerëzit nuk mund të shkojnë në arat e tyre. Kanalet ose pastrohen sipërfaqësisht ose nuk pastrohen fare“, na treguan të punësuarit në ndërmarrjen “Pyjet e Maqedonisë”.
Mn. EKSPERTËT KËRKOJNË NJË QASJE MË SERIOZE
Në vitet e fundit, çdo herë kur ka shi të rrëmbyeshëm rrugët e Shkupit shndërrohen në lumenj. Një situatë e tillë i bën shkupjanët edhe më të pasigurt, të cilët kanë frikë se përmbytjet shkatërruese nga fillimi i gushtit mund të përsëriten lehtë.
Njëra nga arsyet për këtë, sipas ekspertëve, është kanalizimi i ndërtuar atmosferik, i cili ishte dimensionuar me koeficiente të ndryshme ose me koeficiente më të vogla të rrjedhjes dhe me një kapacitet të evakuimit të rrjedhave më të vogla përkatëse nga rrjedhja sipërfaqësore të ujit.
“Rrugët e qytetit shndërrohen në lumenj pas çdo shiu për shkak të mungesës së kanalizimit atmosferik apo kapacitetit të pamjaftueshëm të kanalizimit ekzistues“, thotë Cvetanka Popovska, profesor universitar nga Katedra e hidraulikës, hidrologjisë dhe rregullimit të rrjedhave të ujit pranë Fakultetit të Ndërtimtarisë.
Kapaciteti i kanalizimit ekzistues, sipas saj, duhet të rishikohet për shkak të ndryshimeve në përdorimin e tokës. “Nëse në kohën e projektimit dhe ndërtimit të tyre janë rrjedhur sipërfaqe të caktuara me një koeficient të caktuar të rrjedhjes, sot këta parametra kanë ndryshuar dhe janë shumë më të mëdhenj. Për më tepër, në qoftë se tregohet se reshjet e 6 gushtit janë ndonjë ekstrem, që unë personalisht mendoj se reshjet prej 90 l/m2 nuk janë një dukuri e rrallë për rajonin e Shkupit, duhet të dihet se kanalizimet atmosferike dhe objektet e tjera të kullimit nuk janë të dimensionuara në ekstreme“, është decide profesoresha Popovska.
Për hidrologun e pensionuar Josif Milevski, problemi themelor për shkak të të cilit ndodhin përmbytjet është prerja e pyjeve dhe shkatërrimi i gjelbërimit.
“Po të kishte pyll, sasia e mëdha e ujit do të përhapej në anët dhe do të vinte me një shpejtësi më të vogël dhe me një fuqi më të vogël shkatërruese“, mendon ai.
Milevski është decid se për shkak të gjendjes aktuale të pyjeve, uji ka ardhur me një shpejtësi të madhe dhe ka bërë një dëm të madh.
“Duhet të kontrollohet nëse rrethorja është bërë sipas standardeve. Mendoj se këtu janë bërë edhe lëshime të caktuara“, thotë Milevski. Ai gjithashtu thekson se “është pyetje se sa janë pastruar kanalet që të mund të kalojë një sasi e madhe uji nëpër ato“.
Profesori i Fakultetit Natyror-Matematikor, Bllagoja Markovski, ka një mendim të ndryshëm se Milevski. Ai mendon se Maqedonia i zbaton në mënyrë maksimale direktivat evropiane për mbrojtje nga përmbytjet. “Një pyetje tjetër është se nëse dhe si ballafaqohen institucionet kompetente në terren gjatë fatkeqësive eventuale natyrore“, shton ai. Markovski mendon se duhet të ndërmerren masa të caktuara për mirëmbajtjen permanente të sistemeve për mbrojtje nga përmbytjet, veçanërisht në lagjet e ndërtuara në mes të viteve 1960-1970. “Me përmbytjet e 6 gushtit në rajonin e Stajkovcit dhe rrethinë, bëhet fjalë vetëm për një fatkeqësi natyrore me përmasa të mëdha. Në një hapësirë shumë të vogël ka rënë një sasi të madhe shiu. Këto përmbytje nuk mund të parandaloheshin“, konsideron Markovski.
Во Македонија имаше неколку поголеми поплави од 1979 година. Штети од поројниот дожд на Попова Шапка, потоа 1996 година во Неготино и Кавадарци, а 2008 година речиси цел Радовиш беше под вода. Невремето пред неколку месеци во Тетово, особено Шипковица е специфично затоа што на речиси ист начин се поплави и скопскиот регион околу Стајковци и околината.
„GATI NJË MUAJ I MBLEDH MBETURINAT E MBLEDHURA“
„
“Katastrofë! Tërë shtëpia ime është në lagështi, mobilja, laminati, frigoriferi, gjithçka është nxjerrë jashtë në oborr. Njerëzit iknin për të shpëtuar jetën e tyre”.
„
“Një stuhi të këtillë uji nuk mbaj mend se ka ndodhur deri më tani. Kishte mundësi që të mbyteshin shumë njerëz. Kjo stuhi duhet të jetë një mësim për të gjithë”.
“Tani janë të pastruara mirë kanalet rrjedhëse, paraprakisht ishin në një gjendje katastrofale. Si ishte më parë, tani është mirë. Vazhdimisht është duke u punuar në terren, por sipërfaqësisht. Do të duhet shumë kohë për t’i sanuar dëmet nga përmbytjet, të cilat janë shumë të mëdha”.
“Të gjitha mbeturinat që i shihni janë nga kanalet rrjedhëse. Gati një muaj i mbledh mbeturinat e mbledhura. Duhet të pastrohen më shpesh kanalet rrjedhëse, por gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos hedhin mbeturinat kudo që t’u teket”.
“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.
“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.