Promotorët ekonomikë: Harxhime të mëdha, rezultate të vogla

Kur promotori i parë ekonomik Dimçe Nikollov u dërgua në Itali, shpresa se vendi do të bëhet një destinacion tërheqës për investime ishte e madhe. Kah fundi i muajit janar të vitit 2008 janë vërejtur kontaktet e para të Nikollovit me kompanitë italiane, ku ai është përpjekur për të bindur investitorët se Maqedonia sillet në mënyrë miqësore ndaj kapitalit të huaj.

Maqedonia sot numëron 33 promotorë ekonomikë, të cilët janë përhapur nëpër vendet dhe rajonet më të zhvilluara të botës dhe të njëjtët shteti i paguan nga 2.500 deri në 3.000 euro në muaj. Në gjithë sistemin e tërheqjes së investimeve të huaja janë të angazhuar 200 të punësuar, pesë ministra ose gjithsej 12 funksionarë qeveritarë.

Megjithatë, vendi është ende në fund të listës së vendeve të rajonit sipas investimeve të huaja direkte. Në raportin e Eurostat-it për performancat financiare të vendeve aspirantë për anëtarësim në BE, thuhet se niveli i investimeve të huaja në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoni në vitin 2014 është në të njëjtin nivel si në vitin 2004.

“Për dallim nga këto vende, në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe Turqi investimet e huaja kanë qenë tri deri në shtatë herë më të larta se në vitin 2014, në krahasim me vitin 2004”, thuhet në raport.

eurostat-analiza

 

QEVERIA PA STRATEGJI

 

Xhon Jonovski, një bankier investimesh dhe analist financiar, thotë për SCOOP se ideja për të promovuar vendin si një destinacion i investimeve është e dobishme dhe me interes kombëtar. Pavarësisht shpenzimeve të shtetit, ai mendon se është e arsyeshme për të pasur promotorë ekonomikë, por vetëm si pjesë e një strategjie më të madhe për tërheqjen e investimeve.

john-jonovski

Por, shton Jonovski, “Qeveria e Maqedonisë nuk ka strategji për ndryshimet e reja globale dhe tektonike ekonomiko-financiare”.

“Një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të Qeverisë janë të fokusuara në drejtim të industrive të ashtuquajtura “outsourcing” apo tërheqjes përmes sigurimit të përfitimeve të mëdha. Ky është një sistem huazimi me një vlerë të ulët, i cili nuk është lojal në afat të gjatë dhe ata nuk e ndërtojnë dhe nuk e mbështesin strategjinë afatgjatë për bazën ekonomike të industrive që janë të nevojshme për ta ngritur cilësinë e jetës dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për rininë tonë”.

Jonovski konsideron se ekonomia e vendit është duke u ballafaquar me zëvendësime të një lloji të outsourcing-ut me vlerë të ulët, si për shembull industria e tekstilit, me një tjetër lloj – industrinë e pjesëve të makinave.

“Dhe kjo normalisht është me neto kosto për vendin”, shton ai.

Madje pesë anëtarë të kabinetit qeveritar të Maqedonisë janë përgjegjës për kontaktet e çdoditshme me korporatat dhe kompanitë nëpër botë. Asnjë qeveri në Evropë nuk ka aq funksionarë qeveritarë me një obligim dominant për t’i tërhequr investitorë të huaj.

Roud-shou-të e njohura qeveritare, si promovime të politikave ekonomike, kushtet tatimore, subvencionet dhe lehtësirat, sipas rregullës, i udhëhiqte kryeministri. Në kombinim me zëvendës kryeministrat, praktikisht gjysma e qeverisë ishte përhapur nëpër botë. Ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe lider i partisë VMRO-DPMNE në çdo paraqitje partiake, para fillimit të fushatës, i paralajmëronte ose promovonte të gjitha investimet e huaja direkte, të pritura ose operative.

Të paktën edhe tri institucione shtetërore janë dhënë pas promovimit të Maqedonisë si një oazë e investimeve kapitale – Agjencia e Investimeve të Huaja, Agjencia e Turizmit dhe Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) (zonat e lira industriale).

Të gjitha 14 kompanitë në ZZHTI-në, para të gjithash në zonën Bunarxhik, janë të orientuara drejt eksportit, por kapacitetet e tyre janë të angazhuara nëpërmjet importit për eksport, që do të thotë se nuk ka neto mbetje devizore dhe për këtë arsye deficiti tregtar në shkëmbimin me vendet e tjera nuk ulet.

 

ËSHTË REALIZUAR OBJEKTIVI KRYESOR, POR

 

Drejtori i Agjencisë për Tërheqjen e Investimeve, Visar Fida thotë se efektet e punës së promotorëve ekonomikë maten në disa nivele.

visar-fida

Në deklaratën e tij për SCOOP-Maqedoni, ai mendon se është realizuar objektivi kryesor – “që Maqedonia të vendoset në hartën e investimeve te korporatat dhe kompanitë shumë të mëdha multinacionale”

“Përmes kontakteve dhe prezantimeve të cilat i realizojnë çdo ditë promotorët, gjithnjë e më shumë rritet interesi i partnerëve për të filluar një biznes në Maqedoni. Numri i takimeve të realizuara është shumë i madh, që konfirmohet me faktin e efektit të suksesshëm të aktiviteteve të tyre”.

Nga ana tjetër, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se nuk kanë njohuri për punën e promotorëve e as me cilat ide dhe instruksione të qeverisë kanë shkuar ata.

“Nuk kemi në dispozicion as llogaridhënie për efektet e propagimit të klimës ekonomike dhe investuese të Maqedonisë. Nuk e dimë se çfarë punojnë promotorët ekonomikë, me kë kontaktojnë, e as se cilat janë benefitet e angazhimit të tyre”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se as ata nuk kanë njohuri për atë që e punojnë promotorët.

Vitin e kaluar, vetëm dy nga promotorët e përzgjedhur jashtë vendit, kanë kërkuan një takim me biznesmenët.

fatmir-bitiki

Por, Bytyqi thotë se në parim nuk ka asnjëfarë koordinimi. “Ne nuk kemi informacione për punën e tyre e as për kushtet sipas të cilave vlerësohet suksesi i tyre”.

Roli i promotorëve, sipas tij, është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e imazhit të Maqedonisë në botën e biznesit.

Bytyqi konsideron se ambasadat kanë një funksion politik dhe jo çdoherë menaxherët e huaj duan të bisedojnë me ambasadorët e akredituar ose t’u prezantohen mundësitë nga ana e diplomatëve të karrierës. “Ambasadorët e akredituar deri atëherë kishin një përshkrim krejtësisht të ndryshëm të obligimeve. Stafi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (duke mos i përfshirë përjashtimet), nuk kishte kapacitetin për të zbatuar agjendën e tërheqjes së investimeve, agjendën agresive siç ishte konceptuar ajo”.

 

KOSTOT PËR PROMOTORËT PARA TË HEDHURA NË ERË

 

Biznesmeni Risto Gushterov është njëri nga më meritorët për instalimin e investimit të parë të huaj në zonën industriale Bunarxhik. Lobimi i tij rezultoi me ardhjen e korporatës së huaj Johnson Controls në Maqedoni. Pasi në Bunarxhik e para u vendos kjo kompani multinacionale, ajo tashmë bëhet si një spirancë e madhe e sigurisë që do t’i tërheqë edhe investitorët e tjerë.

“Sipas njohurive të mia, promotorët ekonomikë në proceset e tilla kanë një rol të vogël. Para të hedhura në erë, pa rezultate dhe vetëm për akomodim të kuadrove të pakualifikuar dhe pa përvojë të partisë në pushtet”, konsideron Gushterov.

Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në muajt e parë të këtij viti kanë hyrë investime të huaja me vlerë prej 223 milionë eurosh.

Por, a është kjo e mjaftueshme për mjetet e ndara buxhetore?

Për këtë vit, nga Buxheti për pagat e promotorëve ekonomikë janë ndarë mjete në vlerë prej 1.2 milionë eurosh. Për pagat neto të promotorëve të ardhshëm ekonomikë do të shpenzohen rreth 1 milion eurosh.

Megjithatë, nuk zbulohen publikisht shpenzimet e tjera që paguhen për promotorët ekonomikë dhe sa e kushtojnë shtetin në vit ato shpenzime sipas të gjitha bazave. Në raportin e Auditorit Shtetëror lidhur me funksionimin e promotorëve ekonomikë është vërejtur se është problem që këtyre funksionarëve u janë pranuar dhe miratuar edhe kosto të caktuara shtesë.

Në cilat vende Maqedonia aktualisht ka promotorë ekonomik?

Austri

Eva Veljanovska

2.418 euro

Shqipëri (Kosovë)

Fatos Mustafa

2.103 euro

Zvicër

Kreshnik Bekteshi

4.000 franga zvicerane

Gjermani

Afrodita Panovska

2.418 euro

Gjermani

Огнен Као

2.418 euro

Belgjikë

Gjorgji Jovanovski

2.418 euro

Gjermani

Tanja Bellçovska

2.418 euro

Skoci

Mare Ushkovska

1.897 funte britanike

Itali

Ivan Iliev

2.418 euro

Kinë

Marijana Josifovska

2.978 dollarë amerikanë

Kinë

Angell Cvetkov

2.978 dollarë amerikanë

Norvegji

Marija Kovaçeviq

2.761 euro

Britania e Madhe

Goran Siljanovski

1.897 funte britanike

Britania e Madhe

Oliver Sam

1.897 funte britanike

Poloni (Hungari)

Ljupço Mihaillovski

2.194 euro

Rusi

Svetllana Billovska

2.495 euro

Rusi

Mirosllav Trençevski

2.495 euro

SHBA

Oliver Ristiq

3.349 dollarë amerikanë

SHBA

Aleksandar Allçev

3.423 dollarë amerikanë

SHBA

Dejan Veliçkov

3.423 dollarë amerikanë

SHBA

Zorica Ilin

3.423 amerikanë

SHBA

Zllatko Popovski

3.423 amerikanë

SHBA

Vasko Davidovski

3.423 amerikanë

Bullgari (Serbi)

Radosh Vukiçeviq

2.047 euro

Turqi

Habil Mustafai

2.233 euro

Turqi

Filiz Veli

2.233 euro

Turqi

Alev Sulejman

2.233 euro

Francë

Igor Nikollov

2.418 euro

Holandë

Vedat Rushid

2.306 euro

Danimarkë (Suedi)

Mirjana Naumovska

19.393 kruna daneze

Në praktikën e deritashme janë institucionalizuar dy modele të përzgjedhjes së kuadrove.

Së pari nga dy konsulentë të huaj. Më vonë, nga një komision i qeverisë, në fund përzgjedhja e fundit dhe vendimtare është sipas “testimit” personal te kryeministri Gruevski.

 

 

RISTO GUSHTEROV: NUK KANË AS VIZION, AS NJË KONCEPT TË MIRËFILLTË PËR TËRHEQJEN E INVESTIMEVE TË HUAJA

 

risto-gusterov

SCOOP: Ju keni qenë njëri nga lobistët kryesorë për hyrjen e kompanisë Johnson Controls në vend. Por, si biznesmen në një rast keni deklaruar se Maqedoninë nuk e shihni si një vend ku do t’i investonit investimet tuaja?     

Gushterov: Në vendin tim kam investuar shumë, duke përfshirë edhe mjetet që kam fituar jashtë vendit. Ndoshta jam një nga qytetarët e parë të Maqedonisë i cili në periudhën pas shkatërrimit të Jugosllavisë ka vendosur për të investuar në vend me përfitim reciprok. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kam marrë pjesë në privatizimin e kompanisë Jaka Radovish 80 dhe në ndërmarrjen hotelierike-turistike Metropol në Shkup. Të dyja punët kanë dështuar. E para në Radovish për shkak të krimit dhe problemeve kadrovike në kompani, ndërsa e dyta për shkak të oreksit të madh të Georgievskit dhe Gruevskit, sepse ata dëshironin që ta fitonin pronën e kompanisë dhe e njëjta t’ia jepnin një njeriu të tyre. Pas dështimit të investimeve të para të biznesit dhe përzierjes së qeverive, në fund mezi arrita t’i rimarr mjetet e investuara në këto dy privatizime. Për shkak të motiveve politike, kompania ime u eliminua në biznesin e furnizimit të aeroportit me kerozinë. Në vitin 1994, gjithashtu u dështua edhe një përpjekje e madhe me vlerë prej gati 80 milionë dollarë që është dashur të realizohej me kompaninë me të madhe të ndërtimit nga Franca – një qendër tregtare me hotel me pesë yje, një klub diplomatik dhe njëzet e pesë rezidenca ambasadorësh. Pushteti i atëhershëm i LSDM-së tërësisht e ka bllokuar këtë projekt. Apo ndoshta janë frikësuar prej meje se me investimet do të kërcënohen pozicionet e tyre.

 

SCOOP: Çfarë është për Ju vendimtare në marrjen e vendimit për investime në vend – nëse nuk janë vendimtare normat e taksave dhe beneficionet të cilat i ofron shteti?

 

Gushterov: Stabiliteti politik, mbrojtja ligjore, politika e qëndrueshme fiskale, legjislacioni që nuk do të ndryshohet sipas nevojave politike të partisë në pushtet. Sigurisht se një rëndësi të madhe ka edhe zhvillimi infrastrukturor i vendit, niveli i edukimit të fuqisë punëtore, si dhe anëtarësimi i pritur i vendit në NATO dhe BE. Kompanitë e mëdha multinacionale mendimin fillestare për një vend të caktuar e bëjnë në bazë të analizave të detajuara të vendit ku duan të investojnë.

 

SCOOP: Cilat janë përfitimet që i kemi fituar nga investimet e huaja direkte, sa na kushtojnë investitorët nga jashtë dhe a kemi nevojë për promotorë?

 

Gushterov: Investimet e huaja direkte janë të rëndësishme për çdo vend. Megjithatë, ritmi dhe madhësia e investimeve të huaja për këto 10 vite nuk është e kënaqshme, as për nga vëllimi e as për nga cilësia dhe shumëllojshmëria. Nuk kemi arritur që për dhjetë vite të kemi investime të huaja direkte nga segmenti i teknologjive të larta dhe sektori i teknologjisë informatike që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e kuadrove tanë të rinj të edukuar dhe të qëndrojnë në vend dhe të krijojnë familje në vend, dhe të krijojnë vlera më të mëdha për gjeneratat e ardhshme. Garnitura aktuale politike nuk ka as vizion e as një koncept të mirëfilltë se si procesi i investimeve të huaja direkte duhet të realizohet për të pasur efekte sa më të mëdha për vendin. Në këtë kontekst është edhe fiaskoja me promotorët ekonomikë.

 

 

STORJA PËR DY PROMOTORË

 

“Unë isha i angazhuar profesionalisht dhe pa përkatësi politike, pasi kalova një proces të gjatë të përzgjedhjes dhe trajnimit nga ana e një firme të huaj konsulente në bashkëpunim me Agjencinë, natyrisht. Nuk jam i sigurt se tani është ashtu. Më kanë paguar qiranë për banesën, pagën sa merr diplomati i rangut më të ulët në Ministrinë e Jashtme, i dërguar në një mision jashtë vendit dhe automjetin për një periudhë të shkurtër. Statusi CD i promotorëve është dhënë që të mund të kenë një leje pune për të punuar në tregjet, e jo për t’i identifikuar ata me MPJ-në. Personeli në MPJ-në është krejt i ndryshëm nga ajo që ne e bëmë si profesionistë dhe ata kishin vështirësi për të kuptuar se çfarë është funksioni i promotorëve. Stafi i MPJ-së është mësuar që t’i gëzojë beneficionet  pa u angazhuar njëkohësisht në terren”, thotë një ish-promotor ekonomik, mandati i të cilit ishte në një vend anëtar të BE-së me ndikim. Ai është tani në Maqedoni dhe ka kompaninë e tij private, prandaj ka rënë dakord për të folur në kushte anonimiteti.

Promotori i dytë, të cilin SCOOP e ka kontaktuar, ka qenë i angazhuar në një vend me ndikim dhe i madh. Ka mbetur atje, ku është martuar dhe ka hapur firmën e tij.

“Në periudhën kur isha promotor dhe për pozicionin për të cilin kam aplikuar, kishte kritere të përcaktuara dhe të publikuara qartë. Duhet të theksoj se në atë kohë procesi zgjedhor nuk ishte i lidhur me parti, sepse edhe unë vet nuk jam anëtar i asnjë partie, e as nuk kam pasur presione për t’u bërë anëtar i partisë qeverisëse. Nga informacionet e mia, ky proces sot është krejtësisht i ndryshëm. Në kohën time, një nga kriteret kryesore e suksesit ishte numri i kompanive të sjella me një plan dhe projekt real të biznesit, të përfaqësuara nga bartësit e kualifikuar të funksioneve (drejtorë) – të cilët vijnë në Maqedoni për t’u takuar me lidershipin politik – me qëllim që të çohen negociatat në fazën e ardhshme të zhvillimit, përkatësisht që të diskutohet në nivelin më të lartë për benefisionet, realizimin e planit të biznesit, numrin e punësimeve, politikën e eksportit, ndërtimin e objekteve etj. Më parë, efektet vlerësoheshin nga ana e menaxhmentit të Agjencisë së Investimeve të Huaja dhe ai vlerësim ishte objekt i një metode matematikore sasiore. Kishte edhe norma të matshme objektive për secilin që ka sjellë një numër të caktuar të kompanive dhe menaxherëve të kompanive me ndikim për vizitë në Maqedoni, mund të llogaritej për vlerësime pozitive. Sigurisht në qoftë se ka rezultate të kënaqshme, promotori mund të shpresojë për një mandat të dytë”.  

 

 

Në kohën e Federatës, në ambasadat e Jugosllavisë janë akredituar atashe tregtarë me status diplomatik të këshilltarëve. Në të njëjtën kohë, kompanitë më të rëndësishme dhe të mëdha të eksportit-importit kishin përfaqësitë e tyre të veçanta ose të përbashkëta – firmat. Në fillim të viteve të tetëdhjeta, në to punonin disa prej sipërmarrësve dhe pasanikëve të sotëm më të njohur – Minço Jordanov, Risto Gushterov, Nikolla Paligora, Trifun Kostovski, Kamçev, Kostiq, Zelenkovski… kryesisht nga ekipi i famshëm i kompanisë “Tehnometal Vardar”. Në metropolet botërore Nju Jork, Moskë, Varshavë, Milano, Berlin, Londër, Vjenë funksiononin zyra me disa të punësuar të industrisë së tekstilit, kimisë dhe para të gjithash industrisë së përpunimit të metalit, të xeheve, me këmbim që shpesh ishte me vlerë prej rreth një miliard dollarësh në vit.

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)