Pronat e liderëve partiakë: Zaev më i pasur, Mickoski i dyti, Sela dhe Ahmeti “më të lehtë”

Lideri i partisë LSDM, Zaev ka deklaruar pronë në vlerë prej 729.231 eurosh, por në emër të tij ka vetëm një kërkesë në bazë të huasë së dhënë prej afër 70 mijë eurosh. Menjëherë pas tij është lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski me pronë që ka vlerë prej rreth 553 mijë eurosh. Zijadin Sela (Koalicioni ASH dhe Alternativa) ka pronë në vlerë prej 192 mijë eurosh dhe Ali Ahmeti (BDI) ka pronë në vlerë prej 134 mijë eurosh, ndërsa këta të dy hyjnë në garë si bartës të listave zgjedhore në njësinë zgjedhore me numër gjashtë. 

Shkruan: Ekipi i SCOOP

            Modest, me një buzëqeshje në fytyrë dhe shpesh me dorën në gjoks kur flet si një gjest sinqeriteti. Kështu e njohu opinioni Zoran Zaevin nga Strumica, i cili edhe para se të ulej në karrigen presidenciale në LSDM konsiderohej si njeri i pasur në publik, njeri për të cilin politika duhej të ishte hobi i tij. Por, kur gazetarët u përpoqën të shihnin në llogarinë e tij bankare, u habitën se pse megjithëse i fuqishëm dhe me zë të një njeriu të pasur, megjithatë Zaev nuk kishte asgjë nga prona në emrin e tij. Çuditërisht apo jo, është e njëjta situatë edhe sot e kësaj dite.

Edhe pse në emrin e tij figuron vetëm kërkesa në bazë të huasë së dhënë prej afër 70 mijë eurosh, kur do të mblidhet dhe merret të gjitha ato që i ka deklaruar Zaevi në fletën anketuese, pasuria e tij përbëhet nga prona që ka vlerë prej rreth 730 mijë eurosh. Menjëherë pas tij është lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski me pronë në vlerë prej rreth 553 mijë eurosh. Zijadin Sela (Koalicioni ASH dhe Alternativa) ka deklaruar pronë në vlerë prej 192 mijë eurosh dhe Ali Ahmeti (BDI) ka deklaruar pronë në vlerë prej 134 mijë eurosh, ndërsa këta të dy hyjnë në garë si bartës të listave zgjedhore në njësinë zgjedhore me numër gjashtë.

SCOOP-i analizoi nga afër pronat e liderëve partiakë në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare, në kuadër të projektit PEP (Personat e ekspozuar politikisht). 

Edhe Zaev edhe Mickovski me hua, por lideri opozitar është më i varfër për 200 mijë euro

SCOOP-i paraprakisht hulumtonte dhe shkruante për Zaevin në kuadër të projektit PEP (Personat e ekspozuar politikisht). I pesti në listën e anëtarëve më të pasur të qeverisë është pikërisht ai. Sipas analizës së të dhënave të fletës pronësore të Zaevit të vitit 2018, prona e tij e deklaruar ka vlerë prej 729.231 eurosh. Në emrin e tij figuron vetëm kërkesa në bazë të huasë së dhënë prej afër 70 mijë eurosh. Depozita e afatizuar devizore në vlerë prej 7 mijë eurosh është në emër të bashkëshortes së tij, ndërsa ka deklaruar se 27 mijë euro janë në llogaritë e fëmijëve të tij. Shtëpia, hapësira afariste, banesa në Strumicë, toka bujqësore në Murtinë dhe aksionet në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh u takojnë prindërve të tij.

Sot, Zaev posedon pronë në vlerë prej 728.193 eurosh. Ai ka plotësuar të njëjtën pronë me banesë me hapësira ndihmëse në Strumicë në emër të bashkëshortes së tij, një hua prej 7 mijë eurosh, gjithashtu në emrin e tij dhe automjeti motorik “Mini Coupe C” në emrin e fëmijëve të tij. Në fletën aktuale pronësore të Zaevit është zvogëluar depozita e afatizuar në emër të bashkëshortes së tij prej 7 mijë në 200 euro.

Me 175 mijë euro më pak se ish-kryeministri, është lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, i cili posedon pronë në vlerë prej 553 mijë eurosh. Ai hyn në këtë funksion në kongresin e gjashtëmbëdhjetë të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së, në vendin e Nikolla Gruevskit. Paraprakisht, në vitin 2016 ai është drejtor i SHA-së “Elektranat e Maqedonisë”, ndërsa në periudhën e viteve 2015 – 2017 ka qenë këshilltar për energjetikë të kryeministrave Nikolla Gruevski dhe Emil Dimitriev.

SCOOP-i i mori nga Komisioni Shtetëror i Parandalimit të Korrupsionit të dhënat për pronën e Mickoskit në kohën kur ka qenë drejtor i SHA-së ELEM. Në këtë fletë pronësore, drejtori i atëhershëm ka deklaruar se posedon një shtëpi banesore me oborr në Shkup në vlerë prej 350.000 eurosh. Në fletën pronësore janë evidentuar: një hua në vlerë prej 75 mijë eurosh, si dhe një depozitë me, po ashtu, 75 mijë euro, një kredi në shumë prej 9 mijë eurosh, të holla me vlerë prej 30.000 eurosh dhe automobili “Citroen C5” në vlerë prej 13 mijë eurosh.

Vitin e kaluar, KSHPK-ja hapi një rast kundër Mickoskit për procedurat për fitim të koncesioneve për ndërtim të hidrocentraleve të vogla. Por, i njëjti u mbyll sepse, siç sqaruan nga KSHPK-ja, Mickoski nuk ka qenë në gjendje për ta përdorur funksionin e këshilltarit në Qeverinë dhe anëtarit të Bordit mbikëqyrës që të mund të fitonte disa të drejta dhe përfitime.    

Liderët e partive të shqiptarëve me konto të zvogëluar

Njësia zgjedhore që përfshin komunat e Maqedonisë veriperëndimore është me numër gjashtë dhe atë në këto zgjedhje të parakohshme do ta prijnë liderët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët (ASH), përkatësisht Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela.

Njësia zgjedhore 6 përfshin territorin e 11 komunave: Tetova, Gostivari, Tearca, Bërvenica, Bogovina, Vrapçishti, Zhelina, Jegunoci dhe Kërçova (një pjesë).

Kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti do të jetë bartës në listën e gjashtë zgjedhore.

Në vitin 2008, pas përfundimit të funksionit të deputetit, Ahmeti posedon pronë në vlerë prej rreth 426 mijë eurosh. Fleta e atëhershme pronësore përbëhet nga një tokë dhe një shtëpi në Zajaz, një banesë në Shkup, një tokë në Durrës, Shqipëri, automobili “Opel Astra” dhe një llogari rrjedhëse me 2 mijë euro. Me të njëjtën fletë pronësore ai hyn përsëri në funksionin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2011. Në vitin 2013, me përfundimin e funksionit të deputetit, ai mbetet pa tokën në Zajaz, ndërron automjetin “Opel Astra” me automjetin “Volkswagen Polo” dhe është shënuar një rritje e llogarisë së tij së transaksionit, me ç’rast prona e tij e tërësishme është me vlerë prej 280 mijë eurosh. Tri vjet më vonë, fleta e fundit e deklaruar e Ahmetit në KSHPK-në si deputet është me vlerë prej 134.076 eurosh. Në fletën aktuale pronësore ende qëndrojnë toka bujqësore në vlerë prej 30.000 dollarësh amerikanë dhe toka në Kërçovë në vlerë prej 100.000 dollarësh amerikanë, si dhe llogaria e transaksionit me shumë prej 12.333 eurosh dhe automobili “Volkswagen Polo” me vlerë prej 7.000 eurosh. Mungon vetëm banesa në Shkup, e cila që në vitin 2014 është larguar nga fleta pronësore në bazë të marrëveshjes për dhuratë.

Nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, bartës liste do të jetë lideri i ASH-së, Zijadin Sela. Në zgjedhjet lokale në vitin 2013, Sela merr funksionin e kryetarit të Komunës së Strugës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, koalicioni i udhëhequr nga ai, Aleanca për Shqiptarët mori pjesë në zgjedhjet në të cilat Sela u zgjodh për deputet në Kuvendin e Maqedonisë.

Funksioni i parë shtetëror i Zijadin Selës është drejtor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar. Atëherë, prona e tij modeste ka pasur vlerë prej afër 19 mijë eurosh dhe përbëhet nga një tokë, pyll, dy shtëpi, tre automobila “Audi”, “Citroen”, “Jugo” dhe dy kredi.

Me hyrjen në funksionin e kryetarit të Komunës së Strugës në vitin 2013, prona e tij është me vlerë prej 365 mijë eurosh dhe përbëhet nga një shtëpi, tokë dhe pyll në vlerë prej 360 mijë eurosh, tre automobila “Audi”, “BMW” dhe “Citroen”, për të cilat nuk është specifikuar vlera e tyre dhe një llogari transaksioni në shumë prej 6 mijë eurosh.

Ndryshimi i radhës i pronës së Selës bëhet me hyrjen e tij në funksionin e deputetit, kur deklaron në KSHPK-në pronë në vlerë prej 192.367 eurosh. Të gjitha asete që i posedon janë në emrin e tij personal dhe prona e tij përbëhet nga: një tokë dhe shtëpi në f. Livadh në Strugë në vlerë prej 112.835 eurosh. Ai posedon edhe një pyll gjithashtu në Strugë në vlerë prej 59.805 eurosh dhe automjetin motorik “Jaguar S-Type 2 7D” në vlerë prej 9.756 eurosh dhe një kredi prej 9.919 eurosh.     

Shkruaj një koment

Koment(e)