REPREZENTATIMI 2: FATURAT E KAFENEVE FSHIHEN SIKUR TË JENË SEKRET SHTETËROR

Autorë:

Bjanka Stankoviq

Angella Petrovska

Angella Rajçevska

 

(Këtu mund të lexoni pjesën e parë)

 

Duke hulumtuar gjendjen reale nëse burokracia komunale sillet në mënyrë racionale dhe punon në të mirën e qytetarëve, ekipi i gazetarëve hulumtues të SCOOP-it vizitoi disa komuna.

Nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë deri te informatat, ai u drejtua në të gjitha 82 komunat. Nga shumicat prej tyre ka marrë të dhëna dhe dokumente për atë se si dhe për cilat gjëra i harxhojnë kryetarët e komunave dhe administratat e tyre paratë e bashkëqytetarëve të tyre.

 

JANË BLERË PIJE ALKOOLIKE DHE ËMBËLSIRA

 

Ekipi hulumtues i SCOOP-it ka dërguar kërkesa për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik në të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë.

Nga personat kompetentë të komunave u kërkuan informata për buxhetet e komunave, shumat vjetore për reprezentim dhe faturat në të cilat janë bërë ndryshime të reprezentimit në pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2012 deri në vitin 2016.

Komunat Resnjë dhe Çashkë iu referuan Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, gjegjësisht se bëhet fjalë për dokumente të cilat përmbajnë të dhëna personale, zbulimi i të cilave do të dëmtonte mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas nenit 10, paragrafi 1, pika 6 të këtij ligji, këto janë informatat me karakter publik: “Mbajtësi i informatave është i detyruar të informojë opinionin për: organizimin dhe harxhimet operative, si dhe për ofrimin e shërbimeve për qytetarët në procedurat administrative dhe për aktivitetet e tyre”.

 

Nga Komuna e Sveti Nikollës, megjithatë, u përgjigjën se dokumentacioni për faturat dhe llogari-vërtetimet u jepet për inspektim vetëm institucioneve relevante siç janë Ministria e Financave, Policia Financiare, gjykatës dhe auditorëve dhe për këtë arsye “nuk kanë mundur” t’i dërgojnë informacionet e kërkuara.

Pavarësisht ankesës së dërguar në Komisionin për këtë përgjigje, kompetentët e komunës mbajnë qëndrimin se dokumentet (faturat, llogari-vërtetimet) nuk janë të parapara me Ligjin për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik dhe për këtë arsye të njëjtat nuk i janë dërguar kërkuesit për inspektim.

Komunat si Manastiri, Gazi Baba dhe Vinica janë përgjigjur se informacionet e kërkuara nuk janë informacione me karakter publik.

Ekipi i gazetarëve të SCOOP-it ka dërguar ankesa për përgjigjet që i ka marrë nga këto komuna në Komisionin për mbrojtjen e të drejtave për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

Një reaksion për ankesat kishte nga komunat Vinica dhe Gazi Baba, të cilat i kanë dërguar faturat dhe llogari-vërtetimet në të cilat janë bërë ndryshime për reprezentim në pesë vitet e fundit.

 

 

Nga inspektimi i faturave për reprezentim të komunës së Gazi Babës mund të vërehet se të punësuarit e komunës kanë qenë mysafirë më të shpeshtë në restorantet “Moja kuqa” (Shtëpia Ime), “Dojrana” dhe “Kamnik”, por i kanë vizituar edhe restorantet “Bonimi”, “Veli-Iv”, “Raguza”, “Kazablanka” dhe “Ballkanika”.

Përveç tjerash, nga faturat shihet se të punësuarit e komunës në disa raste kanë blerë pije alkoolike dhe ëmbëlsira.

 

VIZITA PRIVATE TË NGJARJEVE KULTURORE DHE SPORTIVE ME PARA KOMUNALE

 

Shumat që janë harxhuar për shërbime hotelierike në disa prej këtyre restoranteve arrijnë edhe deri në 3.000 euro në nivel vjetor. Po ashtu, të punësuarit e komunave kanë vizituar edhe ngjarje kulturore, shfaqje, festivale të muzikës siç janë “Goce Fest”, “Rosa Folk Fest”, koncerte dhe ndeshje sportive në llogari të komunës.

Lidhur me ankesën e parashtruar për përgjigjen e Komunës së Manastirit, nga Komisioni kemi marrë një letër në të cilën thuhet se komuna nuk ka dërguar përgjigje për shkresën e Komisionit.

Ndryshe, Komuna e Manastirit është në vendin e parë në listën e transparencës së faqeve të internetit në hulumtimin e bërë në kuadër të projektit „Qytetari në vendin e parë“, të cilin e ka zbatuar Qendra për menaxhimin me ndryshimet dhe АLKA. Është absurde që një komunë me 47% transparencë të konsiderohet si komunë “më transparente” në RM dhe njëkohësisht nuk u përgjigjet Kërkesave për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

 

Hulumtimi është kryer me 1.330 të anketuar në tetë komuna më të mëdha dhe i njëjti ka treguar se në përgjithësi nëpërmjet faqeve të internetit, komunat dhe Qyteti i Shkupit sigurojnë një transparencë të pjesshme, por një llogaridhënie minimale, me mundësi shumë të kufizuara për komunikim të dyanshëm dhe pa mjete elektronike për t’u konsultuar me qytetarët. Nga sfera e financave, pjesa më e madhe e të anketuarve mendojnë se më shumë u nevojiten këto të dhëna: propozim – buxheti i NJVL-së, buxheti i miratuar i NJVL-së, llogaria përfundimtare, propozimi dhe buxheti i miratuar i qytetarëve dhe raporti për realizimin e prokurimit publik.

Vlladimir Tevçev, korrespondent nga Velesi thotë se autoritetet komunale gjithmonë arsyetohen se nëse diçka është publikuar në faqen e internetit të komunës, ajo do të thotë se i gjithë opinioni është i informuar për këtë gjë.

“Ka shumë njerëz, sidomos ata më të rriturit, të cilët nuk përdorin internetin dhe nuk informohen përmes faqes së internetit të komunës. Prandaj këtu janë mediumet lokale, televizionet lokale të cilat përdoren shumë pak për këtë nevojë të komunës”.

 

KOMUNA E MANASTIRIT NUK TREGON SE PËRSE KA HARXHUAR SHUMA MILIONËSHE  

 

Edhe pse nuk i kemi marrë faturat nga Komuna e Manastirit, i kemi marrë shumat që janë harxhuar për reprezentim në nivel vjetor.

Nga përgjigjja e marrë vërehet se bëhet fjalë për shuma milionëshe, por nuk mund të shohim se për cilat gjëra janë harxhuar ato para.

 Po ashtu, është parashtruar edhe një ankesë në Komunën e Ohrit. Në kërkesën që të na dërgojnë faturat, nga komuna u përgjigjën se për shkak të vëllimit të materialeve nuk janë në gjendje për t’i dërguar ato, por se mund të bëhet një inspektim të materialeve në komunën e tyre. Kemi udhëtuar edhe në Ohër.

Përpjekja jonë për të inspektuar dokumentacionin në ndërtesën e komunës ka qenë e pamundësuar, gjoja për shkak të situatës politike. Më saktë, për shkak të mandatit të skaduar të kryetarëve me shpjegim se kryetari i komunës nuk mund t’i nënshkruante dokumentet, të cilat në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat i kemi kërkuar nga kjo komunë.

Po ashtu, nuk u pranua vërejtja jonë se nuk është i domosdoshëm, madje nuk është i nevojshëm nënshkrimi i kryetarit të komunës, e as të ndonjë personit tjetër zyrtar të komunës që në bazë të ligjit t’i marrim dokumentet që i kërkojmë, e të cilat janë të karakterit publik dhe të cilat janë në interes të qytetarëve, sepse bëhet fjalë për harxhimin e parave të tyre.

Për shkak të këtij injorimit dhe pamundësimit të inspektimit publik dhe informimit të opinionit lidhur me faturat të cilat evidentojnë harxhimin e parave të reprezentimit, është parashtruar një ankesë nga ana e ekipit të gazetarëve në Komision. Komuna iu përgjigj ankesës, gjegjësisht i ka dërguar informacionet e kërkuara.

 

KOMUNAT NUK JANË TRANSPARENTE PARA OPINIONIT

 

Duke hulumtuar se si, sa dhe për cilat gjëra i harxhojnë kryetarët e komunave dhe administrata e tjerë paratë e komunave, ekipi i SCOOP-it ka kontaktuar edhe disa gazetarë-korrespondentë për përvojat dhe përshtypjet e tyre lidhur me temën të cilën e hulumtojmë. Edhe ata, sikur informacionet që i kemi ne, janë ankuar për mungesën e transparencës të komunave.

 

Vlladimit Tevçev, i cili punon shumë vite si korrespondent në Veles për më shumë mediume në Maqedoni thotë:

“Unë nuk kam shumë përvojë se si i shpenzon komuna paratë publike. Sa i përket qasjes së gazetarëve deri te autoritetet komunale ose më saktë deri te kryetari i komunës sepse jo vetëm në Veles, por edhe në tërë Maqedoninë, komunat janë shumë të centralizuara. Vetëm kryetari i komunës mund të japë deklaratë. Madje as zëdhënësi, në ato komuna ku ka zëdhënës, nuk është i autorizuar të paraqitet për të dhënë deklaratë. Këtu në Veles deri tani nuk kemi pasur problem, çdoherë kur kemi pasur nevojë për ndonjë deklaratë apo qëndrim nga kryetari i komunës. Ai është këtu për t’i pritur gazetarët. Rrallë mban konferenca për shtyp, por zakonisht u përgjigjet thirrjeve të gazetarëve për të dhënë deklaratë. Ne gazetarët, është e saktë se jemi vazhdimisht të informuar për ngjarjet të cilat i organizon Komuna e Velesit, por ato janë ngjarje që nuk kanë një rëndësi vitale për përmirësimin e jetës së banorëve të Velesit. Kështu që, nëse përmbledhim të gjitha këto gjëra që i thashë, mendimi im, përshtypja ime edhe si gazetar edhe si qytetar është se Komuna e Velesit nuk është më transparente para qytetarëve”.

 

Ivan Bojaxhiski, gazetar nga Shtipi thotë se edhe pse disa herë është përpjekur për të marrë informacione se si dhe sa para harxhohen për reprezentim përmes Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, ai nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje.

“Kjo është një nga anët e këqija të keqpërdorimit të pushtetit, për shkak se paratë e qytetarëve keqpërdoren në një mënyrë tepër vulgare. Në vend se ato para të ridestinohen për zgjidhjen e nevojave të tyre, si dhe për pjesët më të larta të qytetit të cilat mbeten edhe më tej pa ujë për shkak se niveli i ujit në puset është ulur në mënyrë të konsiderueshme. Kemi lagje të cilat kanë rrugë që ende nuk janë të rregulluara, kemi vrima në rrugët, në rrugët të cilat janë të asfaltuara para pak kohe dhe nuk intervenohet atje, por prandaj intervenohet në kafene”.

Bojaxhiski thotë se bëhet fjalë për një papërgjegjësi të madhe në raport me llogaridhënien e njerëzve të parë të komunës. Por, opinioni në Shtip dëshiron dhe ka të drejtë të dijë se ku dhe si harxhohen paratë e komunës, sidomos sa nga ato para përfundojnë në kafene, hotele, motele dhe restorante të ndryshme.

Hulumtimi tregoi se një pjesë e komunave në Maqedoni harxhojnë shuma milionëshe për reprezentim. Ndër to, Qyteti i Shkupit, Ohri, Kavadari, Ilindeni dhe Gjorçe Petrovi në pesë vitet e fundit kanë harxhuar gjithsej mbi 10 milionë denarë për reprezentim. Gjegjësisht, në nivelin vjetor komunat kanë harxhuar mesatarisht nga 1.000 deri në 2.000 euro.

(Shih infographic nga pjesa e parë)

 

Në fund të ndejave dominojnë ëmbëlsirat dhe kafeja

Nga komunat më të vogla si Shuto Orizarja, Zërnoci, Llozova dhe Studeniçani, shumat e harxhuara për reprezentim në pesë vitet e fundit janë më të vogla se 1 milion denarë.

 

Për dallim nga komunat e mëdha, tek ato më të voglat shërbimet hotelierike më së shpeshti janë mesatarisht rreth 100 eurosh në ditë. Në drekat janë përfshirë pijet alkoolike si rakia, birra, vera. Hahet skarë, më së shpeshti petulla mishi, sallata. Pihet edhe kafe, ujë mineral, lëngje. Në fund të ndejave porositen edhe ëmbëlsira.

Ish kryetari i komunës, Andrej Petrov shton për harxhimet e komunave më të vogla:

“Te komunat më të vogla nuk ka burime aq të mëdha të mjeteve për të pasur harxhime të mëdha. Por, te komunat më të vogla ka një problem dhe ai është se ato i ndjekin (e bëjnë atë që e bëjnë) komunat më të mëdha. Nëse ai mund të bëjë ashtu, edhe unë jam kryetar komune dhe mund të bëj ashtu, që është gabim”. 

 

Paratë e buxhetit të ndara për reprezentim po ashtu përdoren edhe për shërbime hotelierike për mysafirë në komunë. Kështu, drekat për mysafirët në komunën e Vevçanit kushtojnë mesatarisht rreth 100 eurosh. Është specifik shembulli me ndeja të organizuara për drejtorët e kompanisë “Makpetrol” dhe për grupin muzikor “Van Gog” ku janë harxhuar edhe deri në 25.000.оо për një drekë.

I ngjashëm është shembulli edhe me komunat Qendra Zhupa dhe Llikova, ku kanë ardhur mysafirë në komunë.

 Kompetentët e komunës Qendra Zhupa vitet e kaluara më së shumti kanë bashkëpunuar me restorantin “Kolonijal”, “Amir Market”, tavernën “Cami – Dibër”, restorantin “Drilon” – Dibër.

 

 

 

AMBIENTI I HARXHIMIT ËSHTË REFLEKSION I MATRICËS SË ULËT KOMUNALE MORALE

 

Është fakt se në Republikën e Maqedonisë paratë e komunave të dedikuara për reprezentim përdoren pa kurrfarë rregullash dhe rregulloresh të rrepta.

Kompetentët blejnë pemë dhe perime gjatë gjithë vitit, faturat ditore për dreka i tejkalojnë shumat prej 100 eurosh, e nuk kursehet as për ëmbëlsira, bonbone, pije alkoolike dhe dhurata.

Në faturat ka edhe harxhime për lodra, tufa lulesh, dhurata dhe suvenire.

Me ambientin e këtillë të harxhimit të parave të qytetarëve, Maqedonia është larg shembujve të huaj, ku në komunat, një pjesë e kryetarëve të komunave i paguajnë “lukset” me paratë e tyre personale në vend se me paratë e qytetarëve.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)