Reprezentimi: Gropa të zbrazëta për barqe të plota


DOKUMENTACION


Autorë:

Bjanka Stankoviq

Angella Petrovska

Angella Rajçevska

 

Pesëdhjetë copa mish qengji i kanë kushtuar 17.500 denarë, 30 copa djathë  – 7.500 denarë, kurse dhjetë kilogramë kaçkavall – 3.880 denarë. Gjithsej 30.324 denarë ose 500 euro i ka paguar Komuna e Ohrit kompanisë “Kam Impeks” për një shërbim të padefinuar “hotelierik”.

Por, ky nuk është rekordi i administratës së Ohrit. Dikush prej kësaj komune në një ditë ka nënshkruar faturën për mjetet e harxhuara në vlerë prej 41.580 denarësh ose 650 eurosh po ashtu për shërbime në restorant ku kanë ngrënë dhe kanë pirë sallata, raki, skarë, verë, torta çokollate dhe konjak.

 

PËR KAFENE HARXHOJNË TË GJITHA – EDHE KOMUNAT E VARFRA EDHE KOMUNAT E PASURA

 

Kungulleshka të skuqura, oriz (rizoto) me fruta të detit, mish fshati, kallamarë të pjekur në skarë, akullore, tortë dhe fruta……, këto gjëra nuk kanë qenë të mjaftueshme për një ditë në një ose më shumë gostitje “të lidhura” me paratë e taksapaguesve, kështu që janë porositur edhe 40 porcione të menysë “7”. E kjo meny parashikon sallatë, ushqim kryesor si peshk ose mish të pjekur në skarë dhe gjithsesi desert në fund.

Kjo është një nga fotot për administratën e Ohrit. Në fakt, paradoksi është edhe në faktin se Komuna e Ohrit është një nga komunat me më shumë borxhe në Republikën e Maqedonisë.

Shpenzimet në restorant janë tipike edhe gati për të gjitha komunat e tjera, komunat më të mëdha dhe më të pasura, por edhe për ato më të vogla dhe më të varfra. Nga paratë e popullit nuk kanë kursyer burokratët e Ohrit, por nuk kanë kursyer as në komunat urbane, e as në komunat rurale. Më së shpeshti paratë e popullit për ujësjellës, kanalizim dhe gjëra të tjera shpenzohen për shërbime në restorant, të cilat mesatarisht janë prej 100 deri në 350 euro në ditë. Në tryezat e restoranteve është shërbyer verë, raki, uiski, konjak, sallata, peshk, fruta të ndryshme të detit, torta, fruta arrore, kafe….

Sipas hulumtimit të SCOOP-it, në pesë vitet e fundit “harxhues” më të mëdhenj janë qytetarët e komunës së Novacit.
Menjëherë pas saj vijojnë komunat e Velesit dhe Vevçanit.
Ndërsa, më pak para për kokë banori kanë harxhuar komunat e Shuto Orizares, Aerodromit dhe Butelit.


 

FATURAT EVIDENTOJNË USHQIM DHE PIJE, POR EDHE LULE, LODRA, STOLI, MONEDHA ARI, SUVENIRE…

 

Monedha e arit, zinxhirët e arit, shpatat e argjendta dhe gjithsesi skara, vera, sallatat, ëmbëlsirat… kanë qenë në “menynë” e çdoditshme të kryetarëve të komunave.

Kush dhe nëse fare dikush i kontrollon buxhetet e komunave, sidomos pjesën e reprezentimit të cilat i kanë pa limit në dispozicion njerëzit e parë të komunave të Maqedonisë.

 

 

 

 

Andrej Petrov, ish kryetari i Komunës së Karposhit:

PARATË E REPREZENTIMIT JANË NJË ÇËSHTJE E DIMENSIONIT MORAL

 

SCOOP: Si formohet buxheti i reprezentimit në kuadër të buxhetit të komunës?

Petrov: Zakonisht merren parametrat e viteve të kaluara që të shihet se cila është ajo gjë që ka qenë e mirë, cila është ajo gjë që ka qenë e keqe dhe të gjitha këto gjëra regjistrohen brenda sistemit. Pastaj shkojmë në debate të caktuara nëpër komisione ku shqyrtohen këto gjëra. Normalisht, propozues janë kryetarët e komunave, megjithatë ata që e konstatojnë atë janë këshilltarët komunalë, Këshilli me shumicën e votave.

SCOOP: A është ai buxhet për reprezentim vetëm për kryetarët e komunave ose për këshilltarët dhe për të punësuarit e tjerë në komunë?

Petrov: Kryetari  komunës ka buxhetin në dispozicion, por ai i ka në dispozicion edhe mjetet e komunës. Është mirë, të themi, që sundojnë disa standarde ku nuk duhet të përdoren këto mjete për të paguar dreka në rast kur organizohen festime private. Ajo është diçka që patjetër duhet të shmanget. Ajo është më shumë një çështje e dimensionit moral të atij që udhëheq me komunën.

SCOOP: Kush e kryen kontrollin e buxhetit të reprezentimit dhe a ka rregullore për përdorimin e tij? 

Petrov: Ka rregullore. Kontrollin gjithmonë e kryen këshilli i komunës.

SCOOP: Për cilat gjëra kryesisht përdoret buxheti i reprezentimit?

Petrov: Kryesisht përdoret për harxhime të lidhura me organizimin e festimeve të ndryshme,. Po ashtu përdoret edhe për materiale propagandistike të cilat i kanë në dispozicion komunat, përdoret për jubile të caktuar, për ndarjen e shpërblimeve të caktuara. Por, është e saktë se përdoret për dreka, për dhurata të caktuara të shtrenjta.

SCOOP: Pse këshilltarët i miratojnë harxhimet e mëdha në komunat më të vogla?

Petrov: Te komunat më të vogla nuk ka burime aq të mëdha të mjeteve për të pasur harxhime të mëdha. Por, te komunat më të vogla ka një problem dhe ai është se ato i ndjekin (e bëjnë atë që e bëjnë) komunat më të mëdha. Në komunat më të mëdha megjithatë është më i madh presioni i opinionit dhe ajo gjë është vështirë të realizohet. Në komunat më të vogla realisht ka të ardhura më të vogla në buxhet dhe është e turpshme që të harxhohen shuma dhe mjetet shumë të mëdha për reprezentim.

 

 

Edhe përkundër kësaj gjendjeje faktike, komunat, duke gjykuar sipas asaj se si sillen ato në raport me buxhetet komunale, në raport me paratë e bashkëqytetarëve të tyre, të cilat ua kanë dhënë kryetarëve, këshilltarëve të tyre dhe administratës komunale për menaxhimin dhe shpenzimin racional të tyre, rezulton se komunat në Maqedoni, shumicat e tyre, janë më të pasura se komunat në Suedi dhe Holandë, për shembull.

 

 

 

EDHE DERI NË 1.000 EURO NË DITË PËR NDEJA NË KAFENE

 

Në fokus të interesit tonë ishin paratë e reprezentimit të cilat i kanë paraparë kryetarët e komunave përmes buxheteve komunale, ndërsa shumica e këshilltarëve i kanë votuar.

Sipas faturave që i kemi marrë, shihet se në shumë komuna janë shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime hotelierike. Shumat arrijnë madje edhe deri në 1.000 euro në ditë.

Përveç këtyre shërbimeve që janë të dedikuara për mysafirët e komunës, mund të vërehet se komunat shpesh shpenzojnë paratë e reprezentimit edhe për qëllime private. Shembujt më të shpeshtë janë drekat, bujtjet në hotele, si dhe dhuratat dhe suveniret.

Ajo që është interesante për komunën e varfër dhe rurale Demir Hisar, për shembull, janë harxhimet në restorante. Ato më së shpeshti janë realizuar në lokalet “Dojrana” dhe “Gorna Kuqa” (Shtëpia e Epërme). Vetëm në vitin 2016 në lokalin “Dojrana” janë harxhuar 109.490.оо denarë, ndërsa në lokalin “Gorna Kuqa” (Shtëpia e Epërme) 144.470.оо denarë. Përveç shërbimeve hotelierike, komuna Demir Hisar ka harxhuar edhe shuma të mëdha për lidhëse të arit, stoli të tjerë dhe pije ekskluzive.

ZYRTARË TË LARTË TË ADMINISTRATËS LOKALE ME VLERA TË ULËTA MORALE

 

Ish kryetari i Komunës së Karposhit, Andrej Petrov, thotë se harxhimi i parave shtetërore për të paguar të ashtuquajturat dreka zyrtare, madje edhe për organizimin e festimeve private, është diçka që nuk duhet të ndodhë.

“Ajo është më shumë një çështje e dimensionit moral të atij që udhëheq me komunën. Ka shembuj të njerëzve të shteteve të huaja, presidentë dhe kryetarë të komunave të cilët me paratë personale i paguajnë drekat e mysafirëve të tyre. Ata nuk nënshkruajnë fatura në emër të komunës ose shtetit. Ai është ai dimension moral i cili duhet të fitohet gjatë kalimit të kohës dhe të bëhet e qartë se ajo nuk është një gjë e turpshme dhe se nuk duhet të bëhet”.

 

 

Petrov mendon se problemi te ne, përveç dimensionit moral, është edhe në implementimin e përgjegjësive, përkatësisht te mënyrat se kush si dhe për cilin qëllim i përdor mjetet buxhetore.

“Te ne pjesa më e madhe e mjeteve buxhetore ndahen për reprezentim, kurse një pjesë e madhe e këtyre mjeteve harxhohen dhe keqpërdoren sepse njerëzit veprojnë sikur komuna të jetë firma e tyre private, të cilën ua ka lënë gjyshi i tyre dhe prej së cilës mund të harxhojnë sa duan, e jo se ato para janë të shtetit, të komunës, të qytetarëve”.

 

Petrov thotë se buxheti i reprezentimit përdoret kryesisht për harxhime të lidhura me organizimin e festimeve të ndryshme, të cilat më së shpeshti janë megalomane. Ai konsideron se një pjesë e gjithë kësaj është një harxhim tërësisht i panevojshëm dhe se duhet të shkurtohet:

“Po ashtu, shumë para harxhohen edhe për materiale propagandistike për jubile të caktuar, për ndarjen e shpërblimeve të caktuara. Por, është e saktë se harxhohen para edhe për dreka edhe për dhurata të caktuara të shtrenjta. Kjo është një gjë që nuk është e mirë dhe duhet të reduktohet në minimum dhe është e ndryshme te çdo komunë”

Komunat të cilat nuk janë përgjigjur – A fshehin ndonjë krim?

 

Në kërkesën për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, të dërguar deri te komunat, edhe pse ishin përkujtuar, nuk janë përgjigjur këto komuna:

Çairi, Saraji, Karposhi, Buteli, Demir Kapia, Ilindeni, Petroveci, Zelenikova, Debarca, Krusheva, Strumica, Krivogashtani, Makedonska Kamenica, Karbinca, Rosomani, Negotina, Kavadari, Vasileva, Studeniçani, Tearca, Mavrova dhe Radostusha, Bogovina, Zhelina, Vrapçishti dhe Dollneni.

Një pjesë e komunave janë përgjigjur se kompetentët janë në pushime, nga Komuna e Krivogashtanit thanë se nuk kanë skaner, kurse një pjesë e tyre aspak nuk përgjigjën në e-mailat tona.

 

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

 

 

 

 

Shkruaj një koment

Koment(e)