Rruga e pabesueshme e mikut të Samsonenkos dhe Kamçevit në biznesin zgjedhor me bilborde

Autore: Sashka Cvetkovska

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbaruan, por një rikujtim për ditët e ashpra të fushatës mund të shihet ende në numrin e madh të bilbordeve që nuk kanë gjetur ende qiramarrës të rinj. Për shpenzimet e partive për fushatat mediatike dhe propagandë, flitet shumë. Veçanërisht tërheqëse për publikun janë milionat e shtetit që do të shkojnë në kontot e mediave, të ndjekura nga akuzat për favorizimin e mediave të majta ose të djathta, të vetat ose të huajat. Sidoqoftë, mesazhet selektive të komunikimit, të paguara me paratë e shtetit përfunduan dhe një pjesë e mirë e tyre mbetën të plombuara në shumicën e 531 bilbordeve për të cilat shteti pagoi pothuajse 600 mijë euro për gjashtë parti politike.

Biznesi me bilborde ka qenë gjithmonë tërheqës. Aq më shumë që në dekadën e fundit disa kompani kanë bënin, taksativisht, marrje armiqësore të kompanive të tjera, ndërsa partitë politike nxitonin për të siguruar “filan” kompaninë e tyre me qëllim që të pozicionohen sa më mirë gjatë zgjedhjeve, të cilat në 10 vitet e fundit, faktikisht mbahen për çdo vit. Pasja e një bilbordi tërheqës ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Ashtu si edhe për mediat, zgjedhjet janë ëndrra e artë e çdo pronari për bilbord, sidomos tani, me ndryshimet në ligjet kyçe që përcaktojnë mënyrën e financimit në zgjedhje, e që u miratua në katër sy në Klubin e Deputetëve me aminin e katër partive më të mëdha politike dhe pa debat publik. Nëse në të kaluarën disa kompani ishin shantazhuar politikisht ose përmes bilbordeve të donuara u merrnin shërbime të tjera partive, tani të gjithëve u garantohet e drejta e arkëtimit, sepse të gjitha kostot i paguan shteti, ndërsa faturat dorëzohen në KSHZ.

Mund të paguani 5,000 denarë për një bilbord, por edhe 5,000 euro. Mesatarja është 500 euro. Më të shtrenjtët i kanë paguar VMRO-DPMNE dhe LSDM. Të parët morën me qira një bilbord në udhëkryqin afër Kryetempullit në qendër të Shkupit me një çmim prej 5,400 euro, ndërsa LSDM-ja për një bilbord në “Partizanska” drejt Gjorçe Petrov ka paguar 3,122 euro.

Tregu i vogël, peshqit e mëdhenj

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përcaktoi me short lokacionet në të cilat partitë politike do të promovojnë kandidatët e tyre për zgjedhjet parlamentare. Nëntë ndërmarrje hynë në lojë duke ofruar bilbordet dhe panotë e tyre të shpalljeve për reklama politike. Një pjesë e tyre janë gjigandë në këtë biznes, disa janë kompani më të vogla që menaxhojnë një numër të vogël të bilbordeve, kurse disa janë anonime në sferën e marketingut. Hulumtimi i Laboratorit të Raportimit Hulumtues (IRL), që filloi me idenë për të gjetur se cilat kompani do të marrin një pjesë të parave nga partitë për fushatën, na çoi madje deri në Rusi dhe tek biznesmeni Sergei Samsonenko. Edhe në këtë biznes të ndërthurur me njerëz dhe kompani në pronësi të mikut të tij Jordan Kamçev.

Dy nga nëntë kompanitë që ofruan pano reklamuese gjatë zgjedhjeve janë liderët në këtë marketing “Screen Media” nga Zhelina dhe “OK Media” nga Shkupi. E para ndërlidhet me nipin e zyrtarit të lartë të ndjerë të BDI-së, Abdylaqim Ademi, i cili mbante post ministror në kohën e formimit të ndërmarrjes. Ai konsiderohej si njeri me besimin më të lartë të Ali Ahmetit, liderit të BDI-së,ndërsa bizneset, përfshirë edhe këtë në letër, drejtoheshin nga nipi i tij Elmedin Ademi. Formimi i saj dhe përfitimet e shpejta nxitën hulumtime gazetareske, kurse e përjavshmja “Fokus” e para i zbardhi lidhjet e partisë me biznesin. Ndërmarrja e dytë është e bija e “Orka Holding”, respektivisht e Jordan Kamçevit. Këto dy kompani kanë më së shumti bilborde në të gjithë vendin. Kompania nga Zhelina është themeluar në vitin 2008 dhe ka mbi 600 lokacione në të gjithë Maqedoninë e Veriut, ndërsa shumica e tyre janë të përqendruara në Shkup.

Kamçev zyrtarisht hyn në sferën e marketingut në vitin 2018, kur përmes ndërmarrjes së tij “OK IDEA”, e blen ndërmarrjen “Kala Plakat” nga Shkupi. Por dokumentet nga Regjistri Qendror tregojnë se të njëjtët emra që paraqiten si themelues dhe menaxherë në “Kala Plakat”, dhe më vonë në “OK Media”, janë të lidhur me një kompani tjetër – “Lead Communications”. Edhe kjo kompani u gjet gjithashtu në shortin e KSHZ-së për zgjedhjet parlamentare. Është themeluar në vitin 2013 në adresën “Skupi” 3A, selia e “Orka Holding”. E kanë formuar një shtetas bullgar – Maksim Monço Behar dhe “OK IDEA SHPKNJP”. Ka pasur shumë ndryshime ndër vite, hyjnë partnerë, shiten aksione, kurse ndryshimi i fundit është bërë në janar të këtij viti kur paralajmërohen zgjedhje të parakohshme. Pronari i “Lead Communications” bëhet “Kala Media SHPKNJP”, një kompani e themeluar të njëjtin muaj, në janar, nga Boban Veliçkovski. Në Prill të këtij viti, “Kala Media” e blen kompaninë “Impact Trade SHPKNJP”.

Shoku rus i Samsonenkos dhe Kamçevit

Impact Trade SHPKNJP” është një ndërmarrje e re, e themeluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa veprimtaria është kultivimi i drithërave, bimëve bishtajore dhe farërave vajore. Por si pronar i “Lead Communications” tani hyn edhe në biznesin e marketingut dhe reklamave. Pronari i “Impact Trade”, sipas dokumenteve nga Regjistri Qendror, është një farë Nimatulla Bogavdinov nga Rumania. Gjurmimi për bazat e të dhënave të kompanive dhe firmave në të gjithë botën, emrin e Nimatulla Bogavdinov e lidhi me biznesmenin ruso-maqedonas Sergej Samsonenko. Bogavdinov ka qenë partner me Samsonenkon në kompaninë e tij të basteve “Bet City”. Ndërkaq, partneriteti i tyre është certifikuar në Angli, ku ata kanë një ndërmarrje të përbashkët Cosabas LLP në Londër. Bogavdinov lehtësisht mund të gjendej edhe në rrjetin social Facebook, ku ka fotografi nga Shkupi, nga klubi i hendbollit Vardar dhe video të Sergej Samsonenkos.

Shtetasi rumun, në të vërtetë ka lindur në Rusi, në një nga republikat Sovjetike. Burime nga qarqet private të biznesmenit na treguan fotografi nga ndejat e përbashkëta të Bogavdinov me Kamçevin. Sipas tyre, ai dikur ishte pjesë e forcave ushtarake ruse në pjesën e ushtrive private në luftën në Afganistan.

“OK Media” në tre vitet e fundit përfundon me përfitim prej disa qindra mijëra eurosh. Në vitin 2017 realizon 258,000 euro, vitin e ardhshëm 302,000 euro, dhe vitin e kaluar arriti rekordin prej 513,000 euro fitim të realizuar.

Ndër vite, “Screen Media” nga Zhelina, fillon me modesti me profit prej njëzet mijë eurosh në vit. Biznesi fillon të rritet në vitin 2016 kur realizon përfitim prej 228,000 euro, ndërsa në 2019 përfundon me një profit neto prej 552,000 euro.

Në këto zgjedhje, të parat për kompaninë e Bogavdinovit, ai ka përfituar 66,495 mijë euro. Pjesën dërmuese të bilbordeve e ka marrë me qira LSDM-ja, e më pas si të dytët janë VMRO DPMNE. Lokacionet për bilborde, KSHZ-ja i përcakton duke hedhur short.

ОK Media dhe të gjithë njerëzit e Kamçevit

Kompania “OK Media” u themelua në vitin 2006 nga Krume Apostollov dhe Boban Veliçkovski. Menaxher është Boban Veliçkovski. Emri fillestar i ndërmarrjes është “Kala Plakat SHPK Shkup”. Në vitin 2007, Boban Veliçkovski largohet nga kompania. Kurse hyn përsëri në vitin 2015, së bashku me Viktor Belevskin.

Në vitin 2015, ndryshon selia e kompanisë në Kozara nr. 64 B në Shkup dhe Veliçkovski del përsëri, mbeten Krume Apostollov dhe Viktor Belevski. Në vitin 2016 kompania u zhvendos në Skupi nr. 3A, e njëjta adresë e Spitalit “Sistina”. Krume Apostollov largohet nga kompania, mbetet vetëm Viktor Belevski.

Në vitin 2017, pronar bëhet Bllagoja Georgiev, vëllai i Ana Kamçevës ose gruas së Jordanit. Në të njëjtin vit hyn edhe një partner tjetër – Nenad Josifoviq, së bashku me Belevskin dhe Georgievin.

Në vitin 2018, kompania merr një emër të ri “OK Media SHPKNJP”, kurse Georgiev, Belevski dhe Josifoviq dalin nga kompania. Si pronar i vetëm bëhet “OK IDEA SHPKNJP” (kompani në pronësi të “Orka Holding”) Menaxher është Sasho Nefovski.

Ndryshimi i fundit ka ndodhur në vitin 2019 kur n; vendin e Nefovskit vjen Vlladimir Josifovski.

Si bëhet Nimetulla Bogavdinov menaxher bilbordesh

Kompania Impact Trade u themelua në 2013 me adresë Skupi 3A në Shkup. Themelues është një shtetas bullgar Maksim Monço Behar nga Sofja dhe kompania “OK IDEA SHPKNJP” në pronësi të Orka Holding. Menaxhere është Katerina Zafirovska. Në vitin 2015, bullgari del nga pronësia, ndërsa mbetet vetëm “OK Idea SHPKNJP”. Në të njëjtin vit “OK IDEA” del ndërkaq hyn Zoran Ristovski si pronar i vetëm. Në vitin 2016, selia zhvendoset në Kozara Nr. 64 B/11, Zoran Ristovski largohet nga struktura e pronësisë së ndërmarrjes, hyn Stefanija Veliçkovska si pronare e vetme. Më tej, në vitin 2017, Stefanija Veliçkovska largohet nga kompania dhe hyjnë Cvetanka Apostollova dhe Millorad Veliçkovski. Në të njëjtin vit, Zllatko Piruze hyn në partneritet me Apostollovën dhe Veliçkovskën. Në janar të vitit 2020, këta të dy largohen nga kompania, Piruze mbetet dhe hyn kompania “Kala Media SHPKNJP” (kompani e themeluar më 27 janar 2020 nga Boban Veliçkovski) dhe nga prilli i vitit 2020 “Kala Media SHPKNJP” e blen “Impact Trade SHPKNJP”. ku menaxher është Eli Nefovski.

Shoqëria për bujqësi, tregti dhe shërbime “Impact trade” është themeluar më 12 dhjetor 2019. Adresa është 1737 Nr. 24-lok 3. Pronar është Nimatulla Bogavdinov nga Rumania. Veprimtaria është kultivimi i drithërave (përveç orizit), bimëve bishtajore dhe farërave vajore. Janë bërë disa përpjekje për të kontaktuar pronarin përmes postës elektronike dhe mesazheve telefonike, por pa sukses.

Miqësia ruso – maqedonase

Sergej Samsonenko ka ardhur në Maqedoninë e Veriut në vjeshtën e vitit 2006, vetëm disa muaj pas fitores së partisë së Nikolla Gruevskit. Biznesi i tij i parë janë bastoret “Bet City Ballkan” dhe deri në vitin 2011 ish deputeti i partisë së Gruevskit, Aleksandar Pandov, paraqitet si i punësuar në ndërmarrjet e tij. Pastaj, për vite me radhë, menaxheri kryesor dhe krahu i tij i djathtë ishte Ratko Kapushevski, anëtar i VMRO-DPMNE dhe ish-drejtor i sallës “Boris Trajkovski”. Afërsinë e tij me partinë e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE nuk e fshihte dhe u shfaq publikisht në një klip të porositur nga kjo parti në vitin 2014 me mbështetjen e hapur të Nikolla Gruevskit.

“Unë kurrë nuk kam kërkuar asgjë nga VMRO dhe VMRO nuk më ka dhënë asgjë,” tha Sergej Samsonenko në një intervistë televizive në vitin 2016.

Samsonenko në publik konsiderohet si një njeri i pasur, dhe në një intervistë ai veten e vlerëson me 100 milion euro. Që kur erdhi në Maqedoninë e Veriut, biznesi i tij vetëm zgjerohej. Klube sportive, zinxhirë bastoresh, industri e qumështit dhe ndërtimit, hotelet… Nga publiku shpesh akuzohej se biznesi i lulëzon shkaku i afërsisë me qeverinë e atëhershme. Jo vetëm që me partinë ishin të lidhur menaxherët e ndërmarrjeve të tij, por edhe “shoku i tij më i ngushtë dhe fqinji i parë në Maqedoninë e Veriut”. Kështu flet për biznesmenin Jordan Kamçev, me të cilin jetojnë derë më derë në një kompleks elitar privat në lagjen Bardovcë.

“Jo, jo, jo”, thotë Samsonenko kur do të sugjerohet se marrëdhënia e tyre është edhe një marrëdhënie biznesi. “Kjo nuk është e vërtetë. Unë dhe Kamçev jemi miq, fqinjë, por nuk kemi biznese të përbashkëta. Unë hyra vetëm për një periudhë në” Zdravje Radovo” dhe kjo ishte e tëra.”

Kjo histori hulumtuese është hartuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)