SHKRITORJA NGA ISHUJT E VIRGJËR NË PROBISHTIP

Teksti është botuar fillimisht në faqen e internetit TV Iris më 30 dhjetor 2014

 

Një kompani nga Ishujt e Virgjër dëshiron të ndërtojë një shkritore në Probishtip, në të cilën do të shkrihet hekuri dhe çeliku i mbetur. Shkritorja do të ndërtohet vetëm në dy kilometra nga vrima e hapur e zgjyrave e minierës së plumbit dhe zinkut Zletovë, ku janë deponuar 11 milionë metra kub kadmium, molibden, bakër dhe ar toksik. Ky lajm i ka shqetësuar banorët e qytetit, të cilët përmes rrjetit social Facebook kanë krijuar grupin “Jo shkritores së çelikut në Probishtip” dhe kanë filluar të mbledhin nënshkrime për një peticion kundër ndërtimit të shkritores. Thonë se Probishtipi nuk do të jetë Velesi i ri.

– Si qytetarë të ndërgjegjshëm pyesim sepse në një kohë kur gjithë rajoni dhe qytetarët e vendit tonë janë duke luftuar për të drejtën për të marrë frymë ajër të pastër, për të pirë ujë të pijshëm dhe për të pasur tokë të pandotur, komuna jonë vendos të bëjë këtë hap katastrofik. Të gjithë e dimë se në komunën tonë ka ndotës. Probishtipi që në kohën e ish-Jugosllavisë ishte në listën e zezë si një nga qytetet më të ndotura. Probishtipi ka një kontaminim kimik dhe radiologjik të tokës dhe ujit. Janë bërë hulumtime dhe rezultatet janë dështuese. Assesi nuk duhet të lëmë pas dore ndotjen e ajrit, e cila gjithsesi është e pranishme. Për fat të keq e tillë është e vërteta dhe gjendja aktuale e ndotjes në Komunën e Probishtipit.

Këtë e shkruajnë banorët e Probishtipit pasi Komuna e Probishtipit në faqen e saj të internetit ka botuar një dokument me titullin: Njoftim me qëllim të zbatimit të projektit Shkritorja për çelik dhe prodhimin e produkteve të çelikut në Komunën e Probishtipit. Ajo që është e diskutueshme për qytetarët është se në këtë kapacitet do të shkrihet çeliku i mbetur, pastaj ai do të derdhet dhe do të prodhohen produktet e çelikut, edhe pse në dokumentin e qëllimit shkruan se gjatë këtij procesi “do të përdoren teknologjitë e gjelbra. Është paraparë që në vit të shkrihen 100.000 tonë hekur dhe çelik të mbetur në dy furra me induksion. Do të përdoren “furra me induksion kundrejt mënyrës konvencionale të shkrirjes me furra elektrike dhe furra me kupola”. Sipas dokumentit, zbatimi i furrave me induksion për shkrirjen e çelikut të mbetur nënkupton krijimin e sasive më të vogla dhe më të mëdha të mbeturinave. Sipas deklaratave të prodhuesve, praktikës botërore dhe literaturës relevante, shkrirja e hekurit dhe çelikut në furrat me induksion rezulton me një nivel të ulët të emisioneve në ajër në krahasim me kupolat dhe furrat elektrike. Sepse qymyri apo karburanti nuk digjet në furrat me induksion, niveli i emisioneve varet vetëm nga pastërtia dhe përbërja e materialit të lëndës së parë që futet në furrë. I tërë procesi i prodhimit do të kryhet në një hallë të mbyllur të punës, kështu që proceset janë të llojit të mbyllur që garanton kontrollin e ndikimit të përgjithshëm mbi mjedisin.
Objekti do të ndërtohet në zonën e re industriale “Neokazi”, e dedikuar për industrinë e rëndë, në sipërfaqe prej gjashtë hektarësh. Shtëpitë e para gjenden në 1,5 km vijë ajrore nga shkritorja.

– Në Probishtip, së pari duhet të bëhet një vlerësim për sanimin e dëmeve të deritanishme nga ndotja. Pushteti në Probishtip të kërkojë një testim të detajuar për ndotjen e rajonit, për ndotjen kimike, radiologjike dhe të ajrit për të konstatuar me statistikë vdekshmërinë dhe shkakun e vdekjeve dhe gjithsesi moshën, e pastaj të mendojnë për një ndotje të re – reagojnë qytetarët. Ata kanë frikë se madje edhe hekuri radioaktiv mund te gjendej ne furrat e shkritores së re.

Nga Ishujt e Virgjër drejtpërdrejt në Probishtip

Shkritoren e re dëshiron ta ndërtojë shoqata për prodhim, tregti dhe shërbime Kranfild Faundri SHPKNJP Shkup. Me një kapital prej 100.000 eurosh, shoqata është themeluar në prill të vitit 2014 ose katër muaj para përgatitjes së dokumentit të qëllimit për ndërtimin e shkritores. Pronari është një kompani e regjistruar në parajsën e kompanive off shore, Ishujt e Virgjër. Selia e kompanisë Kranflid biznes grup limited është rruga Trident Çamber, në zyrën postare ku janë regjistruar më shumë kompani të tjera. Me siguri kjo është selia e një zyre të avokatëve, e cila punon në regjistrimin e kompanive. Është interesante se adresa e kompanisë së huaj Roand Taun Tortola, qëndron edhe në llogarinë aktuale të kompanisë Metrudhem, firma  e cila donte ta rifillonte Shkritoren e Velesit. Ekologët e Velesit nuk arritën të dëshmojnë se banorët i Probishtipit, Çedo Petrov dhe Zhanko Çado qëndrojnë pas kompanisë Metrudhem. Petrovi arriti ta fitojë kontestin kundër gazetarit për pohimin e këtillë, të deklaruar në një konferencë shtypi.
Kompania e re Kranfild Faundri, e cila dëshiron ta ndërtojë shkritoren në Probishtip udhëhiqet nga Sergej Kruçinin me adresë në Federatën Ruse. Kruçinin është udhëheqës i autorizuar – ai është menaxher administrativ. Në dokumentin e qëllimit si person kontakti është vendosur Darius Xhuba, i cili është menaxher kryesor i operacioneve. Kur do të kërkohet në internet, mund të gjendet informacione se Kruçinin dhe Xhuba në të njëjtën kohë (në periudhën 2009-2010) kanë pasur magjistraturë në Universitetin Kranfild – Shkolla e Menaxhimit në Britani të Madhe. Në rrjetin Linkedin, në profilin e tij, Xhuba për veten ka shkruar se është i specializuar për proceset strategjike në organizatat multinacionale. Punëdhënësi i tij i tanishëm, Sergej Kruçinin i jep rekomandim Xhubës, pasi i ka ndihmuar që të identifikojë një sërë problemesh në kompaninë e tij. Para se të vinte në Maqedoni, Xhuba ka punuar në Lihtenshtajn.
Sergej Kruçinin për veten ka shkruar se është i specializuar në fushën e marketingut. Ai më parë ka punuar në kompaninë ruse për dërgimin e produkteve Ukonos, si zëvendës-shef i marketingut dhe menaxher rajonal për rajonin administrativ të Moskës.
Sipas këtyre informacioneve, çfarë kërkojnë në biznesin e shkritores një menaxher dhe një specialist marketingu? Xhuba në dokumentin e qëllimit e ka shkruar e-mailin cranfield-bg.com, megjithatë, kur do të kërkoni këtë faqe të internetit merrni një lajmërim se është një gabim.
Kompania Kranfild ka kërkuar nga Ministria e ekologjisë edhe më 14 tetor 2014 dhe ka fituar një vendim për përcaktimin e nevojës për vlerësimin e ndikimit të shkritores ndaj mjedisit.
Nga ministria kanë shpjeguar se kjo do të thotë dritë të gjelbër për përpilimin e studimit, përmes të cilit do të shihen pasojat për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin që do t’i lërë shkritorja. Ky është një dokument kyç në të cilin duhet të punojnë disa nga ekspertët e njohur nga lista e Ministrisë së Ambientit Jetësor. Pastaj ky dokument duhet të publikohet në mediat dhe në faqen e internetit të ministrisë, pas çka do të vijojë një debat publik. Pas debatit do të përfshihen të gjitha vërejtjet dhe komentet, pas çka Ministria do të vendosë nëse do të ndërtohet objekti apo jo.
Nenad Kociq, frontmeni i Koalicionit të gjelbër në Veles paralajmëron se mund të ketë ndikim ndaj atij që do ta punojë studimin, përkatësisht të mos merren plotësisht në parasysh parametrat realë.

nenad-kocik

Nenad Kociq

– Studimi ekologjik që ishte përpiluar në mënyrën naive për rifillimin e Shkritores së Velesit, të porositur nga Metrudhem, e shpëtoi Velesin nga një ndotje e re, tha Kociq, i cili dyshon se i njëjti rreth i njerëzve në Maqedoni në pjesë të ndryshme të vendit përpiqen të instalojnë një kapacitet të këtillë.

Komuna e Probishtipit filloi të siguronte kushtet themelore për zonën e re teknologjike në Neokazi. Në mbledhjen e fundit të Këshillit u miratua një vendim për ndërtimin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe stacionit pastrues të ujërave të zeza.
Kryetari i komunës Toni Tonevski ka konfirmuar se negociojnë me disa investitorë të interesuar, duke përfshirë edhe atë me shkritoren. Ka mohuar se do të ketë shkrirje të metaleve primare, por vetëm derdhje të disa legurave, prej të cilave përpunohen pjesë për industrinë e automobilave.

“Investitori ka pajisje më moderne dhe nuk bëhet fjalë për ndotje. Një fabrikë të ngjashme ekziston edhe në qendër të qytetit Bërno, në Republikën Çeke. Unë si kryetar komune do të jem i pari që do të luftojë kundër ndotjes, përkatësisht do të jem kundër saj nëse vlerësoj se ka ndonjë mundësi për ndotje të mëtejshëm në Komunën e Probishtipit, sepse për mua si kryetar komune, besoj edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Probishtipit, është shumë i rëndësishëm zhvillimi ekonomik, të hapen vende të reja pune, megjithatë, më e rëndësishmja nga të gjitha është shëndeti i njerëzve dhe mbrojtja e mjedisit”, tha Tonevski.

Sipas tij, tani për tani bëhen vetëm negociata për lokacionin dhe nuk ka asnjë dokument zyrtar në të cilin do të thirren dhe do të mund të përgjigjen saktë për çfarë saktësisht bëhet fjalë.
Dokumenti me qëllim për ndërtimin e shkritores me lokacionin e saktë në zonën Neokazi, është publikuar në faqen e internetit të komunës së Probishtipit, me të cilën udhëheq Tonevski.

Kryetari i komunës shton se bëhet fjalë për “një kapacitet shumë të mirë, i cili do të punësojë 300 njerëz”.

Kemi konsultuar profesorë të Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik në Shkup, të cilët thonë se ndërtimi i shkritores nuk është i diskutueshëm, por vetëm nëse ndërtohet sipas të gjitha standardeve ekologjike. Ndotja, sipas tyre, do të varet nga ajo se çfarë dhe si do të shkrihet dhe me cilat teknologji.
Dhe derisa përgatitet terreni për një kapacitet të ri të industrisë së rëndë, vrima e vjetër e zgjyrave mbetet pika e tetë e nxehtë ekologjike në Maqedoni. Vrima e zgjyrave është në qytet dhe deri tani nuk është gjetur një zgjidhje për materialet e rrezikshme që i përmban. Paralajmëroheshin investitorë nga Kina, Britania e Madhe dhe Gjermania. Përfitimi i tyre është në metalet të cilat së pari do të grumbullohen në vrimën e zgjyrave dhe pastaj do të përpunoheshin. Por, deri më sot, vrima e zgjyrave është një liqen i gjerë, i cili në verë prodhon pluhur që i irriton sytë e banorëve të Probishtipit, kurse në dimër e ndot ujin e tyre.
Profesoresha Sonnja Lipitkova, e cila e ka prejardhjen nga Probishtipi, paralajmëroi një tender për zgjedhjen e investitorit për vrimën e zgjyrave. 500 hektarë tokë të punueshme nuk mund të mbillet për shkak të përmbytjes me substanca të rrezikshme nga vrima e zgjyrave që ndodhi në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Këtë e konfirmon edhe studimi i kompanisë japoneze Xhajka në periudhën 2006-2007, i bërë para ndërtimit të hidrosistemit Zletovica. “Produktet bujqësore e mbi 500 hektarë konsiderohet se janë me rrezik të lartë”, thuhet në studimin e kompanisë Xhajka.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).

Shkruaj një koment

Koment(e)