Njëqind tridhjetë e tre mijë denarë ose pak më shumë se 2000 euro është paga me të cilën ish-kryeministri Nikolla Gruevski e la karrigen e kryeministrit në Ilindenska bb. Edhe pse kjo nuk është shuma më e lartë në krahasim me funksionet e tjera në shtet, që nuk e bën atë shumë ekskluzive, është unike ajo se vetëm në vendin tonë është një fitore e vërtetë që të arrihet deri te një informacion i tillë, i cili në dukje është i zakonshëm dhe në vendet fqinje mund ta mësoni me dy klikime.
Kudo në rajon, pagat e ministrave dhe zyrtarëve në përgjithësi janë informata publike të cilat mund të gjenden në faqet e internetit të agjencive të atjeshme për luftën kundër korrupsionit apo komisioneve për parandalimin e konfliktit të interesit. Këtu, në vendin tonë, neve na u deshën dy muaj për të dëshmuar interesin publik para institucioneve dhe përmes ankesave të arrijmë deri te informacioni themelor se sa na kushtojnë ministrat?
Pagën më të lartë në Qeverinë e mëparshme të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski e ka pasur ish-Ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov, me një pagë bruto prej 141.958 denarësh. Pas tij vijon ish-kryeministri Gruevski me 133.039 denarë, i cili ka një pagë pak më të ulët se ajo e kreut të shtetit, Gjorgje Ivanov, i cili merr çdo muaj 139.060 denarë bruto.
(paguar në shumën bruto)
Menjëherë pas Gruevskit vijon Ministri i Financave, Zoran Stavreski, ndërsa pas tij vijon zëvendës-kryeministri Vlladimir Peshevski, Zoran Jolevski, Mihail Cvetkov, si dhe zëvendës-kryeministri i Integrimeve Evropiane, Fatmir Besimi. Me të ardhura më të ulëta në qeveri është ministri pa resor, Goran Mickovski, i cili për dallim nga të tjerët është pothuajse i panjohur për opinion.
Dy muaj duke pritur për informacionin në lidhje me pagat
Por, për të arritur deri te këto shifra qytetarët duhet të kalojnë nëpër një golgotë të vërtetë. Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedonia ka pritur për dy muaj të tërë duke u përpjekur për t’ia prezantuar opinionit informatat themelore për të ardhurat personale të funksionarëve të pushtetit ekzekutiv, të cilët paguhen nga qytetarët. Pyetjeve tona të parashtruara sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik për pagën e kreut të tanishëm dhe të mëparshëm të shtetit, si dhe për secilin nga ministrat aktualë të qeverisë, Zyra për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta na u përgjigj se zbulimi i të ardhurave të tyre “do të thoshte shkelja e mbrojtjes së të dhënave personale”.
“Të dhënat e kërkuara se si është bruto dhe neto paga e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, ish-Presidentit dhe secilit prej ministrave aktualë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, do të thotë të kryet një inspektim dhe kontroll në listat mujore të pagave për të ardhur deri te shumat mujore (neto dhe bruto), një gjë e cila ndërhyn në privatësinë dhe në të dhënat personale për secilin e këtyre funksionarëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta kërkesës sonë, të parashtruar sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik.
Si shkelje e privatësisë, në Zyrën për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta e shikojnë edhe kërkesën tonë për kostot e telefonisë mobile dhe shpenzimet e udhëtimeve të cilat ministrat së bashku me kreun e tanishëm dhe të mëparshëm të shtetit i kanë bërë në pesë vitet e mëparshme.
Në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, Qeveria gjendet në listën e mbajtësve të informacioneve dhe për këtë arsye puna e saj duhet të jenë në dispozicion të opinionit. Këtë e thonë edhe ekspertët.
Ekspertët: Qeveria nuk guxon t’i fshehë pagat
“Paga e ministrave dhe të gjithë mbajtësve të funksioneve publike në përgjithësi është një informacion publik, gjegjësisht është një punë publike. Ai nuk duhet të jetë një informacion i cili do të jetë i paarritshëm apo vështirë i arritshëm për opinionin. Përkundrazi, ai informacion duhet të publikohet nga institucionet, qoftë nga Ministria e Shoqërisë Informatike, e cila është përgjegjëse për këtë gjë, qoftë nga Qeveria. Më së miri është që të publikohen në mënyrë të centralizuar nga një institucion të gjitha ato informacione që kanë të bëjnë me pagat që paguhet nga buxheti. Këto informacione nuk duhet t’i kërkojmë madje as nëpërmjet fletëve pronësore-anketuese ose fletë-paraqitjeve për gjendjen pronësore që dorëzohen në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, sepse ato informacione janë krejtësisht të ndryshme, të cilat përfshijnë edhe prona të tjera, e jo vetëm pagën”, thotë kryetarja e organizatës joqeveritare “Transparency International” Maqedonia, Slagjana Taseva. Sipas saj, duhet të dihen pagat e të gjithëve që paguhen nga buxheti, pavarësisht nga profesioni, siç është shembulli me Anglinë dhe Norvegjinë.
Shembuj të këtillë ka edhe në rajon. Në Kosovë, për shembull, në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (http://www.akk-ks.org/en/deklarimet) mund të kontrollohet paga e ministrave, e cila është shprehur në euro. Një pasqyrë në pagat e ministrave ka edhe në faqen e internetit të Agjencisë serbe për Luftimin e Korrupsionit (http://www.acas.rs/pretraga-registra/), si edhe në faqen e internetit të Komisionit kroat për të vendosur mbi konfliktin e interesit (https://www.sukobinteresa.hr/).
Në Bosnjë dhe Hercegovinë pagat e ministrave dhe funksionarëve në përgjithësi nuk janë në dispozicion në internet, por ato merren nga Ministria e Financave, me kërkesën e gazetarëve dhe dorëzohen në të njëjtën ditë kur është bërë kërkesa.
Ministrat dhe kreu i shtetit me pagë më të lartë se në vitin 2014
Për atë se edhe ministrat e dinë të jenë bujarë ndaj vetes tregon fakti se në tetor të vitit 2014, pika (koeficienti) i tyre sipas të cilit përcaktohen pagat e tyre, është rritur për 4 për qind. Për të njëjtën përqindje, po të njëjtin vit dhe muaj është rritur edhe paga e kreut të shtetit, Gjorgje Ivanov.
Në pesë vitet e fundit vazhdimisht ka ndryshime në pagat e ministrave dhe kreut të shtetit, të cilat kanë qenë edhe të zvogëluara, kurse janë rritur para dy vjetësh.
(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)