Autorë:
Bjanka Stankoviq
Angella Petrovska
Angella Rajçevska
Në zgjedhjet e ardhshme lokale, në garën për kryetarë të komunave partitë i kanë propozuar kandidatët e tyre. Në 55 nga gjithsej 82 komuna, në listën e kandidatëve u gjetën emrat e kryetarëve të komunave që janë të njohur mirë deri më tani. Vetëm në 27 komunat e tjera ka kandidatë të rinj.
SCOOP-i i ka përpunuar të dhënat për gjendjen pronësore të kandidatëve të cilët do të kandidohen përsëri për kryetarë të komunave në këto 55 komuna. Informacionet janë publikuar në faqen e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Kryetari më i pasur i komunave në Republikën e Maqedonisë është Ratko Dimitrovski, kandidat aktual dhe i ardhshëm për kryetar të komunës së Koçanit që vlen afër 4 milionë eurosh. Në opinion njihet si pronar dhe drejtues i shtypshkronjës “Evropa 92”, për hapjen e së cilës ka marrë donacion nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur”. Dimitrovski në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përveç dy shtëpive, tokës bujqësore, ka deklaruar edhe automjetin motorik Mercedes klasa A dhe Smart, letra me vlerë si dhe aksione dhe obligacione.
Gjatë mandatit të tij të fundit, prej vitit 2013 deri në vitin 2016, komuna e Koçanit ka harxhuar gjithsej 3.728.904 denarë për reprezentim.
Vendin e dytë në listën “10 kryetarët më të pasur të komunave” e merr Fatmir Izairi nga komuna e Zhelinës. Pasuria e tij numëron 18 fletë pronësore. Izairi në pronësinë e tij ka një shtëpi, dy toka nën objekt, makina dhe pajisje të tjera dhe një automjet motorik. Po ashtu, në pronësinë e Izairit janë përfshirë edhe DOO-EL “Fapo PF” – Zhelinë dhe Poliklinika “Florens” – Zhelinë. Si borxh ka tri kredi në vlerë prej rreth 600.000 eurosh. Në emrin e partnerit martesor është regjistruar edhe një automjet motorik nga marka Peugeot 106 dhe IPSH-ja “Kamfora” – Barnatore Zhelinë.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën e vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 1.183.951 denarë.
Lista e pronave të Enver Pajazitit, kryetari i komunës së Bërvenicës, vlen përafërsisht 1.500.000 eurosh. Pajaziti posedon një hapësirë afariste, një tokë, ndërsa si borxh ka një kredi dhe një lizing. Shtëpia për pushim në Kodrën e Diellit dhe automjeti motorik Volkswagen janë në pronësi të fëmijëve të tij.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën e vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 1.153.602 denarë.
Nevzat Bejta për herë të tretë këtë vit do të kërkojë besimin e qytetarëve në komunën e Gostivarit. Në listën e pronave, Bejta ka një banesë dhe një pronë të përbashkët të cilat i ka fituar me trashëgim. Me kontratën e ndërtimit ka fituar një banesë dhe një hapësirë afariste. Si pronë personale ka deklaruar edhe dy automjete motorike dhe një llogari devizore kursimi me vlerë prej 26 mijë eurosh. Në ngjarjet e Gostivarit që ndodhën më 9 korrik 1997, Nevzat Bejta ishte një i burgosur politik. Në vitin 2013 kundër tij është ngritur një padi për shpifje nga ish-kreu i komunës, Rufi Osmani.
1.143.442 euro janë evidentuar në listën e pronave të kryetarit të komunës së Vevçanit, Cvetomir Ugrinovski. Përveç hapësirave afariste, banesave dhe depozitave të afatizuara devizore, listën e përbëjnë edhe flota e pasur e automjeteve me 5 automjete motorike, ndër të cilat një BMW 530 X Drive 2017 me vlerë prej 4.063.545 denarësh.
Ugrinovski posedon edhe kompaninë “VIA Inzhinering” DOO import-eksport, një kompani e themeluar në vitin 2000, veprimtaria kryesore e së cilës është ndërtimi i ndërtesave banesore dhe jo-banesore. Menaxheri i kompanisë është djali i tij, Millan Ugrinoski. Gjatë dy viteve të fundit, kjo kompani ka fituar tenderë në vlerë prej 750.000 eurosh.
Për reprezentim komuna e Vevçanit në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 32.644 euro.
Katër fletë pronësore pa të dhëna për pronësi gjenden në listën e pronave të kryetarit aktual të komunës së Demir Kapisë, Trajçe Dimitriev. Dy shtëpi me vlerë prej 26 milionë denarësh, një pjesëmarrje prej 30 milionë denarësh dhe një kredi me vlerë prej 4 milionë denarësh rrumbullakojnë gjendjen e tij pronësore në vlerë prej 972.358 eurosh. Dimitriev ka edhe kompaninë e tij “Koral”.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 3.350.780 denarë.
Komuna e tretë më e vogël në Republikën e Maqedonisë, komuna e Plasnicës, për drejtues e ka kryetarin e shtatë më të pasur të komunave. Njëzet e gjashtë fletë pronësore në pronësinë e tij gjenden në listën e pronave të kryetarit të komunës së Plasnicës, Ismail Jahoski. Të njëjtat e kanë vlerën prej 794.614 eurosh.
Në hulumtimin e mëparshëm për automjetet zyrtare të komunave dhe harxhimin e karburanteve është evidentuar se kompania, e cila është në pronësi të familjes të Jahovskit, “Pucko Petrol”, ka fituar shumë tenderë për furnizim me karburante të një numri të madh të institucioneve shtetërore dhe ato publike.
Pasuria e kryetarit të komunës aspak nuk mund të krahasohet me gjendjen e komunës, e cila tashmë një kohë të gjatë është në borxhe dhe ka papunësi.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 76.000 denarë.
Lista e pronave të kryetarit të komunës së Kriva Pallankës, Arsenço Aleksovski, përbëhet nga 32 fletë pronësore. E përbërë nga disa shtëpi, toka dhe automjete motorike, si dhe një numër i madh i llogarive devizore të kursimit, prona e tij vlen 792.234 euro. Kjo vlerë nuk korrespondon me vlerën reale sepse në të nuk janë llogaritur partneriteti në kompaninë Multi Media Net DOO Kumanovë 50%, Optikal Net Shkup 1/3 si dhe prona e tërësishme e “Beverli 1” Kriva Pallankë për të cilat nuk ka të dhëna për vlerën e tyre.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 2.784.914 denarë.
Përveç shtëpisë në vlerë prej 12 milionë denarësh, në fletën pronësore të kryetarit të komunës së Resnjës, Gjoko Strezovski, gjenden edhe tri shtëpi të tjera me vlerë prej 11 milionë denarësh. Në listë është deklaruar edhe një pistoletë e tipit “Broving”, e fituar me një kontratë për dhuratë. Prona e tërësishme e këtij kryetari të komunës është 680.195 euro.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 3.251.542 denarë.
Një shtëpi, një tokë, një banesë me garazh dhe hapësira ndihmëse, dy automjete motorike BMV 320 dhe Volkswagen Golf është vetëm një pjesë e asaj që gjendet në listën e kandidatit për komunën e Probishtipit, Toni Tonevski. Ai ka edhe tri kredi në vlerë prej afër 120 mijë eurosh.
Për reprezentim kjo komunë në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka harxhuar gjithsej 3.488.713 denarë.
Kryetarë komunash që peshojnë deri në 5 milionë denarë
Kryetarë komunash që peshojnë deri në 10 milionë denarë
Kryetarë komunash që peshojnë deri në 20 milionë denarë
Kryetarë komunash që peshojnë deri në 50 milionë denarë
Kryetarë komunash që peshojnë deri në 100 milionë denarë
(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)