Autor: Iva Andreevska, Sandra Nikchevska
Dymbëdhjetë nga gjithsej 82 komuna në Republikën e Maqedonisë nuk i janë përgjigjur asnjë pyetjeje të Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni nga fillimi i vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe ekipi i gazetarëve të SCOOP-it ka bërë hulumtime në tri tema që lidhen me punën e vetëqeverisjes lokale, duke përfshirë: harxhimet e reprezentimit, keqpërdorimin e mundshëm të automjeteve zyrtare, si dhe shpenzimet për benzinë dhe servisim. Asnjë përgjigje në lidhje me këto tema nuk është marrë nga komunat Karposh, Saraj, Demir Kapi, Sopisht, Ilinden, Zelenikovë, Debarcë, Strumicë, Negotinë, Studeniçan, Tearcë dhe Vrapchish.
Vetëm për një nga tri hulumtimet përgjigje kanë dërguar 10 komuna, përkatësisht: Qendra Zhupë, Zhelina, Mavrova dhe Rostusha, Bosilova, Konça, Kavadari, Vinica, Krusheva, Kratova dhe Buteli.
Përgjigje për të gjitha tri çështjet kanë dhënë 25 komuna, ndërsa vetëm dy përgjigje kishte nga 35 komuna.
SHUMË VËSHTIRË MERRET NJË PËRGJIGJE E GARANTUAR ME LIGJ
Bjanka Stankoviç dhe Angella Rajçevska ishin pjesë e ekipit hulumtues të cilat punonin në të trija temat. Ato thonë se nuk është e lehtë të merren informacione nga njësitë e vetëqeverisjes lokale në Maqedoni.
“Nga përvoja e deritashme që e kam me kërkesat për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, kam përshtypjen se një pjesë e kompetentëve ende nuk janë tërësisht të njohur me ligjin”, thotë ajo.
Prandaj, shton Stankovic, “më shpesh të punësuarit në komunat, ata që kanë detyrë të zbatojnë këtë proces, janë të frikësuar nga procedurën e ankesës, e cila përdoret kur nuk do të merret përgjigje për kërkesën brenda afatit të paraparë ligjor ose nuk do të jepet informacioni konkret”.
ka ndodhur të marrin edhe thirrje telefonike me lutje ta tërheqin ankesën, madje edhe ofendime nga njerëzit e parë të komunave.
“Por, në vetëqeverisjet lokale në Maqedoni ka edhe njerëz të cilët e dinë punën e tyre dhe janë të hapur për bashkëpunim”.
Rajçevska, megjithatë, thotë se veprimi sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik është me të vërtetë një sfidë e madhe, si për njerëzit e punësuar në administratë ashtu edhe për gazetarët dhe të gjithë ata që përpiqen të vijnë deri teë një informacion me karakter publik.
“Njerëzit e prekur nga ligji ende nuk janë mjaft të njohur me mënyrën se si funksionon ai dhe si pasojë e kësaj ne vazhdimisht hasim në vështirësi gjatë marrjes së përgjigjeve”.
Një vështirësi të tillë, Rajçevska thotë se kanë pasur në Komunën e Ohrit, ku duke vepruan sipas ligjit, janë përpjekur të bëjnë inspektim në dokumentacionin e kërkuar. “Përgjigja në fillim ishte pozitive, me leje për inspektim, por sapo arritëm atje nuk na u mundësua e njëjta gjë. Ankesa, si në shumë raste paraprake, na ka ndihmuar edhe në këtë rast”.
INFORMACIONET PËR HARXHIMIN E PARAVE TË KOMUNAVE I FSHEHIN SIÇ I FSHEH GJARPRI KËMBËT
Ekipi hulumtues i SCOOP-it vizitoi disa komuna për harxhimet e reprezentimit. Ai kërkoi dokumente nga të gjitha komunat përmes Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet. Nga shumica e komunave ka marrë të dhëna se si janë shpenzuar paratë e popullit. Por, edhe pse të gjithë u kërkua nga të gjitha t’i dërgojnë faturat për reprezentim, janë marrë dokumente vetëm nga disa komuna më të vogla në Maqedoni.
Komuna e Resnjës iu referua Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke menduar se bëhet fjalë për dokumentet që përmbajnë të dhëna personale, zbulimi i të cilave do të thotë shkelje e së drejtës.
Nga komuna e Sveti Nikollës megjithatë, u përgjigjën se dokumentacioni i faturave dhe llogari-vërtetimeve u jepet për inspektim vetëm institucioneve siç janë Ministria e Financave, Policia Financiare, gjykatave, auditorëve…
Me justifikime të tilla dhe të ngjashme nga shumica e administratave komunale ne i nuk kemi marrë informacionet e kërkuara. Në komunën e Sveti Nikollës, përkundër ankesës deri në Komisionin për këtë përgjigje, kompetentët e komunës janë me qëndrimin se dokumentet nuk janë të parapara me ligj.
Komunat si Manastiri, Gazi Baba dhe Vinica, u përgjigjën se informacionet e kërkuara nuk janë informacione me karakter publik.
Nga komuna e Manastirit nuk tregojnë për cilat gjëra kanë shpenzuar shuma milionëshe të parave. Nga komuna e Ohrit nuk ka përgjigje me arsyetimin se informacionet e kërkuara janë shumë të mëdha dhe nuk ishin në gjendje t’i dërgojnë të njëjtat në mënyrë elektronike kështu që ekipi i gazetarëve të SCOOP-it u detyrua të shkojë në Ohër për një inspektim të drejtpërdrejtë të të dhënave, por edhe atje nuk patën bashkëpunim.
Këtu janë disa shembuj nga storja hulumtuese e SCOOP-it për harxhimin e karburanteve nga ana e komunave:
Në Makedonski Brod u parashtrua pyetja për shpenzimin e benzinës për automjetet zyrtare dhe për servisimin e tyre. Kompetentët e komunës përgjigjen se për shkak të procedurës penale që po zhvillohet aktualisht, ata nuk janë në gjendje të dërgojnë informacionet e kërkuara për shkak se dokumentet i kanë në polici.
ËSHTË I VOGËL NUMRI I KOMUNAVE ME ADMINISTRATË TË SJELLSHME DHE TË ZELLSHME
Ekspertët thonë se nëse gazetarët ballafaqohen me pengesa të tilla në punën e tyre për të marrë informacione që sipas ligjit duhet të jenë publike, mund të imagjinoni se nëse dhe sa qytetarë kanë gjasa të dinë se si shpenzohen me të vërtetë paratë e tyre.
Andrej Petrov, ish-kryetari i komunës së Karposhit, thotë se administrata është jo transparente, sepse i tillë është stili që e imponon kryetari i komunës dhe se sidomos kur bëhet fjalë për paratë komunale opinioni është i përjashtuar nga ky lloj informacioni.
Gazetari shumëvjeçar nga Shtipi, Ivan Bojaxhiski, thotë se përkundër përpjekjeve të tij të vazhdueshme për të marrë informacione se si dhe sa para harxhohen për reprezentim përmes ligjit nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje madje edhe përmes Ligjit për qasje të lirë.
Korrespondenti i disa mediave nga Velesi, Vladimir Tevçev, thotë se ka një numër të madh qytetarësh, veçanërisht në mesin e të moshuarve, të cilët nuk e përdorin internetin dhe nuk i ndjekin informacionet që publikohen në faqen e internetit të komunës. Por, prandaj këtu janë mediat lokale, televizionet lokale, por fatkeqësisht edhe ato kryesisht heshtin për çështjet më të ndjeshme siç është harxhimi i buxhetit të komunës.
Përshtypja thelbësore e ekipit, por edhe e qytetarëve të anketuar është se administratat komunale në Republikën e Maqedonisë ende nuk e kanë merituar epitetin “shërbimi i qytetarëve”.
Në pyetjen se sa dhe si janë të kënaqur qytetarët nga puna e administratave të komunave, qytetarët në përgjithësi thonë: zyrtarët komunalë janë inertë, arrogantë dhe të pasjellshëm.
D.A., qytetar i komunës Qendër thotë: “Nuk jam shumë e kënaqur, të punësuarit zakonisht punojnë në mënyrë të ngadalshme dhe shpesh nuk kanë kulturë të sjelljes. Çdoherë më duhet të pres dy deri tri javë për të marrë përgjigje për cilëndo pyetje ose dokument. Çdoherë kam marrë përgjigje, por për ankesat e mia për shpejtësinë e marrjes së përgjigjeve asnjëherë nuk kam marrë përgjigje kthyese. Përgjigja për shkak të përgjigjeve të vonuara të kërkesave të mia zakonisht ka qenë se kanë pasur shumë punë, nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të të punësuarve dhe punojnë më mirë dhe më shpejtë që është e mundur”.
Komuna ka obligim qytetarëve pa kompensim t’u sigurojë një qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik lidhur me punën e saj dhe për shërbimet që i kryen ajo, për punën e këshillit, komisioneve të këshillit dhe shërbimeve publike që janë themeluar nga ana e komunës.
N.M. qytetar nga komuna e Berovës thotë: “Në përgjithësi nxehtë-ftohtë, kam qenë dëshmitar në sjellje kulturore, por edhe në sjellje jo kulturore nga ana e tyre. Por në përgjithësi në fund çdo gjë ka qenë në rregull. Deri më tani kam marrë përgjigje në kërkesat dhe nuk kam parashtruar ankesë”.
Komuna ka obligim të përcaktojë një ose dy persona zyrtarë të cilët duhet të kujdesen për sigurimin e së drejtës të qytetarëve për qasje të lirë deri te informacionet, si dhe të japin një ndihmë profesionale për kërkuesit në procesin e parashtrimit të kërkesës.
S.A. nga komuna e Gjorçe Petrovit thotë: “Nuk jam aspak e kënaqur nga puna e administratës në komunën e Gjorçe Petrovit, çdo herë kur shkoj për cilëndo gjë më kanë kthyer disa herë dhe çdo herë më kanë thënë të vijë nesër, dhe të nesërmen e njëjta gjë, më thanë të vij nesër, çdo gjë stërzgjatet. Deri tani nuk kam marrë përgjigje me kohë për kërkesat e parashtruara, çdoherë kam pasur nevojë të pres. Kam dashur të parashtroj ankesë shumë herë, por nuk kam parashtruar sepse supozoj se do të refuzohet”.
Nëse kërkesa nuk është e paplotë, personat zyrtarë duhet ta njoftojnë kërkuesin dhe t’i tregojnë që ta plotësojë kërkesën siç duhet. Përveç kësaj, duhet t’i tregojnë edhe për pasojat nëse nuk veprohet sipas rekomandimeve.
I.S. nga Shkupi për telashet e tija në administratën e qytetit thotë: “Thjeshtë katastrofë. Nuk jam e kënaqur nga puna e administratës në qytetin e Shkupit, sistemi ekzistues për zbatimin e kërkesave tashmë nuk funksionon siç duhet, të punësuarit nuk janë të interesuar, janë shumë të zënë dhe nuk mund t’i përmbushin obligimet e tyre të pinës. Një përgjigje për kërkesat e parashtruara nuk mund të merret me kohë sepse nuk janë të zellshëm në procesin e zbatimit të kërkesave të parashtruara me shkrim. Konkretisht për problemin tim, fillimisht iu drejtova qytetit të Shkupit me telefon, por askush nuk u përgjigj, pastaj kam kërkuar një e-mail zyrtar, por gjithashtu nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe në fund është dashur të shkoj dhe të parashtroj përsëri kërkesë të cilën e verifikuan në arkivin e qytetit të Shkupit, për të cilën nuk kam marrë përgjigje… Mendoj të parashtroj ankesë dhe mendoj se do ta bëj këtë, por do të shohim nëse do të marrë përgjigje kthyese dhe nëse do të ndryshojë diçka”.
Nëse personat zyrtarë të komunës e refuzojnë tërësisht ose pjesërisht kërkesën për qasje deri te informacioni me karakter publik, kanë obligim të përpilojnë një vendim që përmban një arsyetim për shkaqet për shkak të të cilave refuzohet kërkesa.
I.N. qytetar i komunës së Kisella Vodës thotë: “Aspak nuk jam e kënaqur nga puna e komunës, as nga puna administrative e të punësuarve. Të gjithë banorët e lagjes kemi nënshkruar një peticion sepse kishte një aksident të rëndë trafiku, kishte policë disa ditë në një numër më të madh, por pas disa ditësh çdo gjë vazhdoi me avazin e vjetër. Një herë mbetëm pa ujë dhe na dërguan një cisternë për të gjithë. Komuna aspak nuk ka përparim, nëse përpiqesh të bësh një kontakt si individ çdoherë nuk janë në dispozicion ose të transferojnë dhe thonë se nuk janë kompetentë”.
Informimi i qytetarëve – tema e panjohur e kandidatëve për kryetarë komunash
Anketa e SCOOP-it ka marrë përgjigjen e pyetjes themelore të kësaj teme:
Sa janë të kënaqur qytetarët nga administratat e komunave?
Në këtë pyetje, në shkallën prej 1 deri në 5, përgjigja e tyre kryesisht ishte negative.
Dhe tani, në pikun e fushatës zgjedhore, në ambientin politik për zgjedhjet e pesta lokale në Republikën e Maqedonisë, duke ndjekur temat që po forcojnë kandidatët për kryetarë komunash, pyetja për efikasitetin e administratës komunale, dhe veçanërisht për obligimin e tyre për të informuar qytetarët se si ata t’i realizojnë më lehtë të drejtat e tyre në vendin e banimit, është një temë e panjohur.
“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.
“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.