Autorë: Evgenija Janakieska dhe Nikolla Rasho Radullov
Mish, produkte të qumështit dhe desertë mund të gjenden në shumicat e tregjeve të hapura në të gjithë vendin. Kofshët e pulës, mëlçia dhe produktet e tjera të mishit që në fillim të ditës ekspozohen në diell që të mund të shkrihen sa më shpejtë, ndërsa në fund të ditës produktet që nuk janë shitur ngrihen përsëri. Edhe pse nuk ruhen në kushte adekuate dhe shpesh nuk dihet origjina e tyre, çmimet më të ulëta në krahasim me çmimet e supermarketeve i tërheqin konsumatorët për t’i blerë këto produkte. Jo rrallë përfundojnë në spital për shkak të helmimit.
BLEJNË ÇDO DITË, KONTROLLOJNË NJËHERË NË DY VITE
Inspektorët shpesh janë në këto vende, por vetëm si blerës. Për të kontrolluar janë të pranishëm njëherë në dy vite.
Nga Agjencia për ushqim dhe veterinari na u përgjigjën se tregjet janë cak i kontrolleve inspektuese njëherë në dy vite, për shkak se, siç thonë ata, në Ligjin kategorizohen me një shkallë të vogël të rrezikut.
Në pyetjen nëse gjatë periudhës së verës ka kontrolle më të shpeshta, ata na u përgjigjën se “ajo gjë ndodh zakonisht në periudhën e vjeshtës“, pa dhënë të dhëna konkrete statistikore.
Nga Agjencia thanë se kanë një procedurë për kontrollin e fermave të kafshëve dhe shpendëve në pajtim me ligjet, por nuk na u përgjigjën se si realizohet në praktikë ajo procedurë.
Të dhënat që i ka siguruar SCOOP-i tregojnë se numri më i madh i helmimeve nga ushqimi regjistrohen gjatë verës. Sidomos në rrezik janë blerësit të cilat i blejnë ushqimet në tregjet e hapura. Ndërsa ushqimi që prishet më shumë dhe më i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve është mishi dhe produktet e mishit, llojet e ndryshme të produkteve të përpunuara të mishit si sallami, salsiçja, suxhuku etj. Statistikat tregojnë se helmimi shpesh vjen edhe nga produktet e qumështit si djathi, ajka, gjiza…
VERA SJELL RREZIKUN E HELMIMIT ME USHQIM
Statistikat e marra nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, tregojnë se në vitin e kaluar 2016, numri i qytetarëve të helmuar me ushqim është ulur në krahasim me dy vitet e mëparshme, por ende ka mbi 150 raste:
“Në vitin 2016 janë raportuar 179 raste të helmimit me ushqim. Më shumë në muajin korrik – 29, ndërsa më pak në muajin dhjetor – 5. Nga 179 rastet e helmimit me ushqim, 83 janë meshkuj, kurse 96 janë gra. Statistikat tregojnë se numri më i madh i rasteve të helmimeve në vitin 2016, 35 kanë qenë tek personat në moshë prej 20 deri në 29 vjet. Më pak raste të regjistruara të helmimeve ka pasur te personat në moshën 1 vjeçare“, tregojnë numrat e Qendrës për Shëndet Publik.
Ekspertët thonë se temperaturat e larta kërkojnë kushte të veçanta për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht ai ushqim që është në të hapur dhe është me origjinë shtazore. Edhe pse do të duhej që blerësit të blinin pa menduar nga cilado tezgë dhe pa u kujdesur nëse ushqimi është në gjendje të mirë apo jo, tregjet në Maqedoni nuk mund të mburren se kanë një nivel të lartë të higjienës dhe më së shpeshti e vënë fitimin para cilësisë.
Kjo situatë faktike është arsyeja për rritjen e numrit të rasteve të helmimit me ushqim në verë. Nga qytetarët e anketuar kemi mësuar se ata vetëmbrohen në ndonjë mënyrë. Zakonisht blejnë nga disa tezga në të cilat kanë besim dhe shumë rrallë i ndryshojnë shitësit. Vetë i zgjedhin produktet që duan t’i blejnë dhe hollësisht i kontrollojnë ngjyrën, erën dhe teksturën e produktit. Por, shumicat e tyre dëshmojnë se ata ose të afërmit e tyre janë helmuar me ushqim dhe prandaj blejnë me kujdes.
USHQIMI GJITHNJË MË I PASIGURT
Lidhur me akuzat për mbikëqyrjen selektive inspektuese, udhëheqësja e Departamentit të mbikëqyrjes inspektuese Shkup, Sonja Sollevska thotë se Inspektorati Shtetëror i Tregut i respekton ligjet dhe mbikëqyrjet inspektuese kryhen dhe janë shndërruar në rreth 40 ligjesh.
“Inspektorati kryen mbikëqyrje inspektuese për zbatimin e ligjeve dhe rregullave të miratuara në bazë të ligjit për punën e shoqatave tregtare, personave juridikë dhe fizikë, si dhe zbatimi i rregullave nga sfera e ndalesës për parandalimin e kryerjes së veprimtarisë së paregjistruar si dhe shqiptimin e masave inspektuese me qëllim të realizimit të parregullsive të konstatuara”, thotë ajo.
Sollevska shpjegon se kjo kompetencë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut përmbahet në Ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
„Inspektorati punët e kompetencës së tij i kryen përmes drejtorit të inspektoratit, inspektorëve shtetërorë të tregut, përmbaruesve të tregut dhe të punësuarve të tjerë të inspektoratit. Me punët e inspektoratit menaxhon drejtori të cilin e ndërron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Inspektorët shtetërorë të tregut kryejnë mbikëqyrje inspektuese në mënyrë të pavarur dhe në pajtim me rregullat ligjore, ndërmarrin masa për të cilat kanë autorizim. Mbikëqyrjet inspektuese kryhen përmes rreth 40 ligjeve dhe 120 akteve nënligjore”, thotë ajo.
VERA ËSHTË MË E RREZIKSHME
Në vitin 2015 janë regjistruar 238 raste të helmimeve me ushqim. Numri më i madh ka qenë në muajin korrik – 38, ndërsa numri më i ulët ka qenë në muajin prill – 12.
Numri i meshkujve të helmuar është 109, ndërsa numri i grave të helmuara është 129.
Numri më i madh i helmimeve janë regjistruar te personat në moshë prej 20 deri në 29 vjet (52 raste, ndër të cilat 25 meshkuj dhe 27 gra). Nuk ka raste të regjistruara të helmimeve te personat në moshën 1 vjeçare.
Statistikat tregojnë se numri i helmimeve në vitin 2014 është më i lartë në krahasim me dy vitet e mëparshme. Gjegjësisht, në vitin 2014 janë regjistruar 285 raste të helmimit me ushqim. Numri është më i madh në gusht (55), ndërsa më i ulët në mars (6). Për dallim nga dy vitet e mëparshme, në vitin 2014 është regjistruar një numër më i madh i helmimeve tek meshkujt (143), ndërsa te gratë është regjistruar një rast më pak. Përsëri, numri më i madh i helmimeve ka qenë te personat në moshën prej 20 deri në 29 vjet (74 raste), ndërsa numri më i ulët ka qenë te fëmijët e moshës 4 vjeçare – një rast.
Doktoresha Liljana Llazarevska nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup thotë se lëshimi kryesor është ruajtja e ushqimit në kushte jo adekuate që mundëson shumimin e agjentëve infektivë dhe sekretimin e toksinave.
„Si shkaktues më të shpeshtë janë salmonella, e cila mund të shkaktojë një helmim kolektiv dhe stafilokokat. Helmimet kolektive me ushqim janë një shembull më i rrallë. Vitin e kaluar kemi pasur 2-3 helmime kolektive me ushqim”, shton ajo.
Qytetarët E ANKETUAR, kur i kemi pyetur nëse mendojnë se dikush kontrollon ushqimin dhe nëse inspektoratet i kryejnë obligimet e tyre, po ashtu kryesisht përgjigjen se vetëm tezga të caktuara janë objekt i kontrollit dhe për arsye politike, ndërsa se një numër i madh i shitësve u japin ryshfet inspektorëve ose dikush i lajmëron se do t’i vizitojë inspektimi i tregut. Por, vetë ata kurrë nuk kanë parë në veprim inspektimin në terren në tregjet.
Sipas fotografive, niveli i higjienës në tregjet është katastrofale. Nuk ka pastrues profesionalë gjatë ditës kur tregjet janë të hapura. Ushqimi i lënë, ai që është i ndjeshëm në temperatura të larta, nuk është i mbrojtur në frigoriferë dhe është një tokë pjellore për zhvillimin e baktereve.
Vapa shpejt e prish ushqimin që është i ndjeshëm në nxehjen atmosferike, siç është mish dhe produktet e qumështit. Maqedonia, një vend kandidat i BE-së, është një nga vendet e fundit ku ende tolerohet shitja e produkteve të mishit dhe të qumështit në të hapur dhe nuk janë të pambrojtura me frigoriferë dhe me kuti qelqi.
“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.
“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.