Shkruan: Goran Lefkov
Zhdukja e 25 milionë eurove nga objekti i Administratës Tatimore të Kosovës në vitin 2012 është makth për mesoburrin Murat Mehmeti nga Mitrovica. Përgjegjës për hetimin e mashtrimeve tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës, ai vazhdimisht është i përndjekur nga mendimi se e ardhmja e vendit të tij, e ardhmja e fëmijëve dhe nipërve të tij, është grabitur nga një grup i organizuar kriminal për mashtrim financiar. Ky grup përmes 4 kompanive të regjistruara në administratat Offshore si Belize, Qipro, Ishujt e Virgjër Britanikë dhe parajsa të ngjashme fiskale përmes 300 faturave të dërguara po aq kompanive ka arritur të “grabitë” gjeneratat e ardhshme të Republikës së Kosovës për 25 milionë euro.
Murati ka punuar me ndershmëri gjithë jetën. Jeta dhe karriera e tij vendosen në funksion të mbrojtjes së qytetarëve. Para se të punësohej në Administratën Tatimore të Kosovës, Murati ka punuar si inspektor policie për më shumë se 10 vjet. Ai e mbylli karrierën e tij atje në vitin 2012. I mësuar me rend dhe disiplinë, rastin e raporton te prokurori special publik Ali Rexha.
Rexha atëbotë veproi dhe arriti që kompanitë t’i kthejnë 2.2 milionë euro ose më pak se 10% të shumës totale të përvetësuar dhe ndaloi hetimin. Ai u justifikua se kompanitë do të korrigjoheshin dhe se do t’u jepte një shans shtesë. Kjo ndezi alarmin për Muratin.
Menjëherë pas kësaj, hetimi dhe personaliteti i Muratit janë rikthyer në fokus. Kësaj radhe me zëvendësdrejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës. Fillimisht, Muratit iu ofrua një ngritje në një pozicion më të lartë. Në këmbim, Muratit do t’i duhet të heqë dorë nga një nga mashtrimet më të mëdha tatimore në shtetit më të ri në Evropë. Kosova në atë kohë ishte shtet vetëm për disa vite. Murat Mehmeti hyn me shumë entuziazëm për të ndihmuar shtetin e tij dhe për të vendosë sistemin e taksave sepse pa një sistem të mirë tatimor është i vetëdijshëm se do të përfundojë si disa vende të Afrikës Qendrore që falimentuan dhe nuk mund të mbledhin taksa.
Por, në momentin që ai refuzon avancimin, ndaj tij nisin hetimet për keqmenaxhim në punë . Ai akuzohet se ka kërkuar në mënyrë të pabazuar të dhëna për disa kompani nga bankat.
Telashet e Muratit po shtohen çdo ditë e më shumë. Nga njëra anë i rëndon në shpirt që nuk është zbardhur krimi i kompanive, nga ana tjetër presioni dhe goditja e mafies financiare të ndërthurur në institucione dhe kompani të ndryshme e atakojnë në mënyra të ndryshme.
Më në fund në vitin 2016, Murat Mehmeti vendosi t’i japë fund agonisë në të cilën jeton. Vendos të shfaqet publikisht në emisionin “Jeta në Kosovë”. E shpjegon gjithë skemën dhe golgotën që kalon një inspektor i ndershëm në një Institucion publik.
Në mbrëmje ai fitoi një aleat prej 2 milionë banorëve të Kosovës dhe po aq jashtë. Në anën e Muratit qëndroi edhe bashkësia ndërkombëtare. Ambasadori i atëhershëm britanik në Kosovë, Rwary O’Connell, në profilin e tij në Facebook shkroi: Evazioni fiskal është problem serioz për Kosovën dhe kërkoi mbrojtje të plotë të sinjalizuesve.
Ai menjëherë gjeti mbështetje në ekipin gazetaresk të “Jeta në Kosovë”, por edhe bashkëpunëtor në investigimet e tij. Kështu vetë gazetarët filluan të kërkonin prova të krimit.
Murat Mehmeti shkroi historinë e Kosovës, duke treguar një nga mashtrimet më të mëdha tatimore të kapur në Ballkan. Emri dhe imazhi i Mehmetit tashmë janë ikonë e të gjithë sinjalizuesve dhe njerëzve të drejtë në Kosovë dhe më gjerë. Rasti i Mehmetit është një shembull tipik i një sinjalizuesi dhe një njeriu që e do vendin e tij dhe që dëshiron ta ndihmojë atë me ekzistencën e tij.