DHJETË KRYETARËT MË TË PASUR TË KOMUNAVE “PESHOJNË” 30 MILIONË EURO

Autorë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

Dhjetë kryetarët më të pasur të komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut peshojnë rreth 30 milionë eurosh. Ndër ata, një është nga VMRO-DPMNE-ja, por është i pari në listë, ndërsa gjashtë gravitojnë ose janë anëtarë të LSDM-së. Nga gjithsej tre kryetarë komunash nga partia Aleanca për Shqiptarët, të gjithë të tre gjenden në listën e top 10 kryetarëve më të pasur të komunave.  

Në vendin e parë gjendet kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, e pastaj vijojnë Nikollço Iliev – njeriu i parë i Komunës së Koçanit, Isen Shabani – kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Albon Xhemaili – kryetari i Komunës së Bogovinës, Petre Shilegov – kryetari i Qytetit të Shkupit, Arben Taravari – kryetari i Komunës së Gostivarit, Konstantin Georgieski – kryetari i Komunës së Ohrit, Gerasim Konzulov – kryetari i Komunës së Radovishit, Nikolla Andonov – kryetari i Komunës së Novosellës dhe Aleksandar Naumoski – kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit.

BIZNESMENË, AVOKATË DHE MJEKË – BABALLARË TË PASUR KOMUNALË

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit, struktura pronësore e kryetarëve të komunave është e ngjashme si ajo e funksionarëve të lartë. Ata kanë deklaruar makina, traktorë, motoçikleta, stoli ari, orë, piktura artistike, prona të patundshme dhe të paspecifikuara, si dhe llogari bankare, pjesëmarrje dhe kredi.   

Pronë më të vlefshme nga kryetarët aktualë të komunave ka deklaruar Mitko Jançev. Kryetari tridhjetë e tetë vjeçar i Kavadarit posedon pronë në vlerë prej gati 11 milionë eurosh. Prona e paluajtshme totale në Kavadar, Vatasha, Shkup dhe Ohër, të cilën e posedon Jançev dhe përfshinë toka, banesa, shtëpi dhe pronë të paspecifikuar është me sipërfaqe prej 240.770 m2 dhe është me vlerë prej 1.865.124 eurosh. Flota e tij e automjeteve përbëhet nga BMW Seria X, dy motoçikleta Aprilia dhe pesë traktorë, ndërsa bashkëshortja e tij posedon Land Rover Evoque prej vitit 2013.  

SCOOP-i që në vitin 2017 shkruante për pronat e kryetarëve të komunave. Atëherë në vendin e parë u gjet njeriu i parë i Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski nga VMRO-DPMNE-ja me pronë në vlerë prej 3.511.283 eurosh. Tani më komunën udhëheq Nikollço Iliev si kandidat mbipartiak i propozuar nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja. Ai aktualisht është në vendin e dytë sipas vlerës së pronës së tij me 7.475.131 euro. Pjesa më e madhe e pronës përbëhet nga depozita devizore të cilat i posedojnë Iliev, bashkëshortja e tij dhe fëmijët e tij. Familja Iliev posedon një shtëpi për pushim në Greqi, por kanë në dispozicion edhe pronë të paluajtshme në Koçan, Polaki dhe Jastrebnik. 

Ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Isen Shabani, i cili u zgjodh për kryetar të Komunës së Vrapçishtit në vitin 2017 peshon 3.299.988 euro. Shabani ka deklaruar në KSHPK-në pronën e përbashkët të paluajtshme në Gradec, Tetovë dhe Gostivar, e cila është numëruar në listën e tij të pronave. Ai posedon dy automobila Mercedes dhe Audi, si dhe dy libreza të kursimeve devizore me 20.000 franga zvicerane, përkatësisht 50.000 euro.  

Vendi i katërt me pronë në vlerë prej 1.367.683 eurosh i takon mjeku Albon Xhemaili, i cili udhëheq me Komunën e Bogovinës. Prona e tij nuk numëron shumë kategori për dallim nga kryetarët e mëparshëm të komunave, por megjithatë arrin një shumë milionëshe. Karakteristike për Xhemailin është se ai ka deklaruar pronën e prindërve të tij në Bogovinë dhe Tiranë – Shqipëri, si dhe “Barna në IPSH Barnatore “Elarda” të bashkëshortes së tij. Ndërsa, në emrin e tij ka deklaruar vetëm dy automjete motorike.  

Petre Shilegov, ish-avokat, e tani kryetar i kryeqytetit, ka në dispozicion pronë në vlerë prej 1.332.115 eurosh. Familja Shilegov posedon stoli ari dhe orë në vlerë prej rreth 130.000 eurosh, si dhe piktura artistike në vlerë prej rreth 50.000 eurosh. Përveç pronës së paluajtshme në Shkup, e cila numëron katër banesa dhe një shtëpi, ata kanë edhe një shtëpi me tokë në Mavrovë në vlerë prej 55.000 eurosh. Shilegov merr edhe kompensim mujor prej rreth 800 eurosh në muaj për shërbime konsultative.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, kryetar aktual i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari posedon pronë në vlerë prej 1.007.176 eurosh. Ai vozit Volvo XC që vlen afër 50 mijë eurosh dhe ka një depozitë në denarë prej afër 11 mijë eurosh. Edhe bashkëshortja e tij ka një depozitë prej 31 mijë eurosh, vozit Mercedes klasë A që vlen 1.800 euro, por posedon edhe një banesë në Shkup, si dhe stoli ari që vlen afër 22 mijë eurosh. Ata së bashku janë pronarë të pikturave artistike nga autorë maqedonas që vlejnë afër 4 mijë eurosh. Pronën tjetër e posedojnë prindërit e tij dhe përbëhet nga dy shtëpi, tokë ndërtimore, tri lokale afariste dhe oborr.

Specialisti i mjekësisë interne dhe kryetar aktual i Komunës së Ohrit, Konstantin Georgieski, i cili erdhi në funksion në muajin maj të vitit 2019, ka deklaruar pronë në vlerë prej 1.001.463 eurosh. Georgieski vozit Opel Signum, posedon një pjesë shtëpie, një kullotë dhe një lokal afarist në Ohër. Ai posedon depozita që vlejnë rreth 17 mijë eurosh, një kartelë kreditore prej 800 eurosh dhe ka borxhe prej gjithsej 67 mijë eurosh.    

Gerasim Konzullov, politikan maqedonas nga radhët e LSDM-së, kryetar aktual i komunës së Radovishit, posedon pronë në vlerë prej 949.841 eurosh. Familja Konzullov posedojnë tri kompani, Gold Prevoz DOOEL, Galaktik DOOEL dhe Konzul Trans DOOEL. Përveç pronës së paluajtshme që vlen 598.622 euro, në fletën pronësore të Konzullovit është edhe prona e luajtshme Opel Antara dhe BMW X5, si dhe prona e kompanisë që përfshin 5 kamionë, kipera dhe makinë. 

Kryetari i Komunës së Novosellës, Nikolla Andonov posedon pronë në vlerë prej 821.673 eurosh. Andonov, për 16 nga gjithsej 35 kategori në listën e tij të pronave nuk e ka shkruar vlerën e tyre. Nuk dihet se sa vlen prona e paluajtshme prej 62.123 m2 në Shkup, Novo Sellë dhe Bosillovë. Është shkruar vetëm vlera e shtëpisë dhe tokës bujqësore në Koleshinë, që vlejnë 86 mijë euro. 735 mijë eurot e tjera janë nga librezat e tija të kursimeve, dividendët dhe aksionet, si dhe nga “Biznesi” i cekur me vlerë prej 605 mijë eurosh.  

Kryetari i dhjetë më i pasur është Aleksandar Naumoski, njeriu i parë i Komunës së Gjorçe Petrovit. Naumoski posedon pronë në vlerë prej 726.341 eurosh. Në emrin e tij janë shtëpia në Kërçovë dhe dy automjete motorike, motoçikleta Aprilia dhe BMW X5 si dhe kredia prej 10 mijë eurosh. Bashkëshortja e tij ka një depozitë prej 10 mijë eurosh dhe një kredi prej 11 mijë eurosh. Ata së bashku posedojnë sende dhe koleksione artistike që vlejnë 3 mijë euro. Prona tjetër e paluajtshme që është cekur në listën e pronave të Naumoskit u takon prindërve të tij dhe përbëhet nga: një shtëpi, dy banesa, një truall, një pyll dhe tokë bujqësore. Ata posedojnë edhe një automobil Renault Megane që vlen 2 mijë euro.   

KATËR KRYETARË KOMUNASH MË TË PASUR PAS ZGJEDHJEVE LOKALE

Te katër prej kryetarëve aktualë të komunave, të cilët e kanë mandatin e tyre të dytë, është vërejtur rritje e vlerës së pronës së tyre në krahasim me të dhënat të cilat i publikoi SCOOP-i në vitin 2017, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit lokale. 

Komuna Kryetari i komunës Gjendja pronësore e vitit 2017 Gjendja pronësore e vitit 2019
Kërçovë Fatmir Dehari 301.205 euro 302.489 euro
Tearcë Isen Asani 134.756 euro 194.331 euro
Qendër Zhupë Arijan Ibraimi 96.854 euro 97.687 euro
Ilinden Zhika Stojanovski 93.702 euro 99.555 euro

Ndërsa, te shtatë kryetarë komunash ka ulje të vlerës së pronës.

Komuna Kryetari i komunës Gjendja pronësore e vitit 2017 Gjendja pronësore e vitit 2019
Bërvenicë Enver Pajaziti 1.464.341 euro 126.459 euro
Plasnicë Ismail Jahoski 794.614 euro 431.274 euro
Çuçer Sandevë Jovan Pejkovski 518.699 euro 333.333 euro
Tetovë Teuta Arifi 270.237 euro 245.725 euro
Zërnoc Bllazho Stankov 213.496 euro 168.065 euro
Petrovec Borçe Mitevski 168.130 euro 125.203 euro
Sopisht Stevçe Tërpkovski 134.793 euro 119.052 euro

Shkruaj një koment

Koment(e)