Anketa rajonale: Fishkëllyesit me më pak popullaritet në Maqedoni

SCOOP Maqedonia është pjesë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fishkëllyesve të Evropës Juglindore. Vitin e kaluar në muajin mars në Shkup, SCOOP-i organizoi ditën e parë ndërkombëtare të fishkëllyesve dhe punon në ngritjen e vetëdijes publike për përfitimet e mbrojtjes së këtyre qytetarëve, të cilët inkurajohen të raportojnë korrupsionin.

 

Anketa e perceptimit të opinionit për lajmërim në Maqedoni është zbatuar nga ana e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në vitin 2017. 1.000 të anketuar janë përgjigjur në ekzemplarin reprezentativ me më shumë pyetje lidhur me këtë.

Anketa zbulon nevojën e fortë për arsimin e përmirësuar publik dhe ndërgjegjësimin për përfitimet e lajmërimit dhe rëndësinë që lajmëruesit të mbrohen nga hakmarrja, veçanërisht në vendin e punës.

 

Shumë më pak njerëz se mesatarja e rajonit – vetëm 41 për qind – kanë thënë se njerëzit duhet të mbështeten për raportimin e shkeljeve serioze me zbulimin e informacioneve të brendshme. Tridhjetë për qind kanë thanë se njerëzit duhet të ndëshkohen për këtë. Kjo është pothuajse dyfish më shumë se mesatarja rajonale dhe dukshëm më lartë se cilido vend tjetër i anketuar.

 

Vetëm 36 për qind e të anketuarve kanë thanë se do të ndjeheshin personalisht të obliguar të raportojnë shkeljet serioze brenda organizatës së tyre – shumë më pak se mesatarja e rajonit.

 

Vetëm 1 nga 3 të anketuar mendojnë se menaxherët janë seriozë në mbrojtjen e lajmëruesve. Kjo përshtatet me anketën e vitit 2015, të zbatuar nga Transparency International Macedonia, në të cilën 2 nga 3 të punësuar thonë se do të përballen me pasojat e raportimit të abuzimit.

 

Trembëdhjetë për qind e të anketuarve kanë deklaruar se mediumet nuk duhet të përdoret kurrë si një kanal raportues për lajmëruseit – pothuajse dy herë më shumë se mesatarja rajonale. Niveli i ulët i lirisë së mediumeve mund të kontribuojë në këtë pikëpamje. Freedom House thotë se mediat në Maqedoni janë “pjesërisht të lira”, duke e renditur atë në vendin e 125-të nga 199 vende. Mes 42 vendeve evropiane vetëm Turqia renditet në vendin më të ulët. Sipas Reporterët pa Kufij, më shumë se gjysma e gazetarëve po censurojnë veten. Observatori i Mediave të Evropës Juglindore thotë se qeveria financon organizatat e mediumeve deri në pikën e “abuzimit” dhe “korrupsionit”, duke krijuar një “rrjet të mediumeve servile që raportojnë në dobi të saj”.

 

Në krahasim me rajonin, njerëzit në Maqedoni kanë një opinion pozitiv për qeverinë e tyre. Në anketën e vitit 2015, nga shtatë vende ajo u rendit në vendin e parë apo të dytë në rajon, si një vend në të cilin qytetarët besojnë se qeveria në mënyrë efikase lufton korrupsionin dhe respekton ligjin. Ajo u rendit pothuajse në krye të perceptimeve të qytetarëve për transparencën e shërbimeve publike, si dhe për shpeshtësinë e ryshfetit dhe keqpërdorimit të pushtetit nga ana e autoriteteve publike.

 

Përkundër qëndrimeve të këtilla të qytetarëve, Komisioni Evropian kritikonte përpjekjet zyrtare kundër korrupsionit. Sipas tij, këto përpjekje “nuk janë të dukshme”, kurse pushteti nuk arriti t’i hetojë akuzat serioze kundër zyrtarëve të lartë publikë.

 

Në anketën e vitit 2013 për shtatë vende të Ballkanit, më shumë se 20 për qind e njerëzve që kanë paguar ryshfet, kanë deklaruar se arsyeja më e rëndësishme për mos raportimin e përvojave të tyre personale të korrupsionit tek autoritetet është se mendojnë që pagesa është një shenjë e falënderimit. Më pak se 10 për qind e atyre që kanë paguar ryshfet thonë se arsyeja për mos raportim është shkaku se ryshfeti është një praktikë e zakonshme. Kjo tregon se qytetarët nuk e konsiderojnë ryshfetin dhe korrupsionin si probleme të konsiderueshme, që mund të shpjegonte mungesën e tyre të dukshme të mbështetjes për tregim (fishkëllim).

Si është në vendet e tjera

 

  • Shqipëria: 68 për qind e njerëzve kanë thënë që fishkëllyesit duhet të mbështeten. Kjo është shifra më e lartë midis shtatë vendeve. Më shumë se gjysma kanë thënë se kanë një obligim personal për të raportuar shkeljet dhe se menaxherët janë seriozë në lidhje me mbrojtjen e fishkëllyesve.

  • BeH: Vetëm 49 për qind e njerëzve – shumë më pak se mesatarja rajonale – kanë thënë se duhet të mbështeten fishkëllyesit dhe vetëm një e treta janë të bindur se do të ndërmerrnin masa nëse ata raportojnë shkelje serioze në organizatën e tyre.

  • Kroacia: 68 për qind e njerëzve kanë thënë se fishkëllyesit duhet të mbështeten. Kjo është shifra më e lartë midis shtatë vendeve. Megjithatë, 44 për qind – më shumë se mesatarja rajonale – thonë se në përgjithësi është e papranueshme të lajmërohet (fishkëllehet).

  • Kosova: Tre të katërtat e njerëzve – shumë më tepër se mesatarja rajonale – kanë thënë se do të reagonin për raportim dhe se menaxherët janë seriozë në mbrojtjen e fishkëllyesve. Dy të tretat thonë se fishkëllyesit duhet të mbështeten.

  • Mali i Zi: Vetëm një e katërta e njerëzve besojnë se lajmërimi është i pranueshëm në përgjithësi, vetëm 4 nga 10 thonë se fishkëllyesit duhet të mbështeten, kurse më shumë se 20 për qind – më shumë se mesatarja rajonale – thonë se duhet të ndëshkohen.

  • Serbia: Më shumë se një e treta e njerëzve – më shumë se mesatarja rajonale – nuk e dinë nëse lajmërimi është i pranueshëm në përgjithësi ose nëse lajmëruesit duhet të ndëshkohen. Vetëm një nga pesë njerëz – shumë më pak se mesatarja rajonale – thonë se mënyra më efektive për të parandaluar shkeljen është përmes kontaktimit të autoriteteve.

Shkruaj një koment

Koment(e)