GAZETARËT ALARMOJNË – GAZETARIA VAZHDON EDHE ME TUTJE TË DEVALVOJË

Autore: Mirjana Vasileva

Gazetari Hristo Ivanovski është i mendimit se, edhe përkundër tendencave moderne, tek ne ende ka media që janë të afërta me qeverinë dhe opozitën.

“Për sa kohë që mediat ndikohen nga qendra të ndryshme të pushtetit, nuk do të ketë gazetari profesionale. Vazhdimisht në media vihen në shënjestër gazetarët që të shkruajnë një tekst të porositur ose thjesht ta lexojnë atë, edhe pse ata vetë për momentin shpesh nuk e dinë se cila është prapavija”, thotë Ivanovski.

Kohët e fundit, shton ai “jemi dëshmitarë se ka përmirësime në gazetari, por nevojitet përgjegjësi më e madhe. “Në disa redaksi, ka presion të vazhdueshëm dhe shpesh nëse një gazetar refuzon të shkruajë me anshmëri për një temë të caktuar, ai përballet me gjobë nga paga ose me kërcënime për pushim nga puna nëse nuk bën ashtu siç i është thënë”.

“Kjo kërkon inkurajim që gazetari me argumente të forta të refuzojë tekste të tilla.” Përveç kësaj, të ardhurat mujore të gazetarëve nuk korrespondojnë me përgjegjësinë që e ka një gazetar”, thotë IvanovskI.

Gazetari Toni Gllamçevski konsideron se profesionalizmi është në nivel të ulët, por kjo nuk është ka të bëjë dhe nuk është faji vetëm i gazetarëve.

“Secili prej nesh ka bindjet e veta politike, ideologjike dhe fetare, por kjo nuk duhet të shndërrohet në sjellje partizane dhe t’i shndërrojë mediat në buletine partiake të njërës apo tjetrës parti, asaj që është në pushtet apo asaj që është në opozitë”. “Është bërë me të vërtetë e vështirë të bësh dallimin se çka është lajmi i gazetarit ose ndonjë tekst i marrë nga një rrjet social ose nga një zëdhënës i partisë apo qeverisë”, thotë ai.

Problem tjetër, sipas tij, është varësia financiare e gazetarëve dhe mediave nga qendrat politike dhe ekonomike të pushtetit. Ai potencon:

“Në Maqedoni janë krijuar aq shumë media, sidomos në internet, por edhe radio dhe televizione lokale dhe kombëtare, pa një tekst të shkruar të vërtetë dhe cilësor, gjë që sigurisht kontribuon në jo profesionalizmin e mediave dhe varësinë e tyre”. Bjë aspekt tjetër shton Gllamçevski, është edhe mosdhënia e mbrojtjes së mirëfilltë të gazetarëve – si profesion. “Megjithatë sindikatat dhe shoqatat ekzistuese, gazetarët prapëseprapë kanë mbetur të vetmuar kundrejt redaktorëve dhe, mbi të gjitha, kundrejt patronëve të atyre mediave”, konsideron ai.

Sipas gazetarit Dushko Arsovski, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar për mirë në hapësirën mediatike, megjithëse pritjet kanë qenë të larta.

“Të njëjtët dëmtues ndaj mediave (posaçërisht televizioneve) kanë mbetur faktorë në tregun mediatik, ashtu që pronarët në mënyrë subtile (disa brutalisht) e kanë kthyer diskun dhe tani shtiren si balancues në raportim.” Kjo u përgjigjet të gjithëve”, potencon Arsovski.

Sipas tij, pushteti i ri duhet të tregojë një dallim nga ajo e mëparshmja që e robëroi shtetin duke lidhur një pakt të ri në të cilin tani të gjithë ata që e dërmuan gazetarinë bëhen pjesë e projektit për përparimin e sferës mediatike. “Absurde me përmasa epike. Shkoi edhe një hap më tej. Ministrat pranuan me zemërgjerësi dhe pa mëdyshje pranonin intervista te dëmtuesit e gazetarisë duke ushqyer legjitimitetin e tyre, por në të njëjtën kohë duke shkelë gjithçka që ata kishin trumbetuar dhe kritikuar si opozitë”, shton ai.

Sipas tij, SHGM-ja vazhdon të jetë një kompani “kolltuqesh” që bisedon me diplomatët, organizon tryeza të rrumbullakëta, merr pjesë në dialog me pushtetin dhe tash për tash nuk ka indikacione konkrete se mediat janë të çliruara nga politika dhe ndikimi nga qendrat e tjera të fuqisë.

Për punonjësin shumëvjeçar medial nga Qendra për Zhvillimin e Mediave (QZhM), Dejan Georgievski, i cili merr pjesë në mënyrë aktive në krijimin e politikave mediale, pjesa më e madhe e dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me prezantimin mediatik të fushatave zgjedhore janë standarde për të gjithë legjislacionet e ngjashme.

“Këtu nënkuptoj detyrimin për informacion të drejtë, të ekuilibruar dhe të paanshëm dhe mbulim të aktiviteteve të kandidatëve, detyrimin që të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje tu mundësohet akses, nën kushte të barabarta, deri tek të gjitha llojet e përfaqësimit mediatik zgjedhor…”

Dejan Georgievski

Ajo që, sipas tij, është diskutabile, përkundër detyrimit të sipërpërmendur për mundësimin e një qasjeje të barabartë, Kodi Zgjedhor i mbështet në mënyrë aktive partitë e etabluara përmes trajtimit të ndryshëm në aspektin e kuotave të rezervuara për reklamim politik të paguara, ose në drejtim të kuotave për përfaqësuesit e shumicës qeverisëse dhe opozitës kundrejt partive që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend ose subjektet politike të formuara në periudhën ndërmjet zgjedhjeve paraprake dhe zgjedhjeve që janë lëndë e përfaqësimit mediatik.

EVROPA E REZERVUAR NDAJ REKLAMAVE POLITIKE

Në Evropë nuk ka qasje të unifikuar për këtë çështje. Disa vende, të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Zvicra, por edhe Suedia, Norvegjia apo Franca, kanë ndalime të pjesshme ose të plota për reklamat politike në radiodifuzion. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, lejon të ashtuquajtura “emisione politike partiake” që i referohen konventave partiake, konferencave dhe ngjarjeve të ngjashme, me çka definohen termine

specifike kohore në të cilat një “emision” i tillë patjetër të emetohet. Vende të tjera lejojnë reklamim politik vetëm gjatë fushatës zgjedhore, duke besuar se përçimi i mesazheve të tilla është thelbësore për qytetarët që të bëjnë një zgjedhje të informuar në ditën e votimit. Danimarka, nga ana tjetër, ndalon emetimin e mesazheve politike gjatë fushatës për të “mbrojtur votuesit nga ndikimi i papërshtatshëm” dhe për të penguar diskriminimin ndaj partive më të vogla ose pakicave që nuk kanë aq burime financiare sa partitë e mëdha të etabluara.

Megjithëse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut disa herë ka përsëritur se ndalimet e tilla i konsideron si kufizime të papranueshme të së drejtës së lirisë së shprehjes, ato mbijetojnë, ndërsa rregullimi ose vetë- rregullimi i çështjeve të tilla i lihet vendimmarrjes në nivel lokal/kombëtar, në varësi të kontekstit lokal, situatës apo traditës. Me këtë rast, mediat e shkruara dhe ato online i nënshtrohen një qasjeje shumë më të butë në rregullacionin. Sidoqoftë, kjo po ndryshon, veçanërisht pas përvojave të fundit me përdorimin dhe keqpërdorimin e reklamave në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2016 ose votimin në referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga BE (Brexit). Tashmë janë bërë disa hapa në fushën e rregullimit të reklamave politike në rrjetet sociale, dhe priten hapa plotësuese edhe nga ligjvënësit edhe nga platformat e mëdha teknologjike. Së fundmi, në këtë fushë e kemi vendim e Twitter-it për të ndaluar reklamimin politik në platformën, por edhe vendimin e Facebook-ut se nuk do të bëjë fact-cheking të reklamimit politik në rrjetin. Përndryshe, ashtu si dhe të gjitha llojet e tjera të financimit të partive politike, financimi i fushatave zgjedhore dhe prezantimet në media janë subjekt i rregullativës mjaft të rreptë.

Bojan Kordalov

Komunikologu Bojan Kordalov, i cili është i specializuar në proceset moderne  teknologjike në media, thotë se nevojitet që në shtetin tonë  të zbatohet një sistem i mbrojtjes së mediave, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia që qeveria të ndikojë mbi to, përfshirë shërbimin publik, ndërsa theksi të vihet në vetë-rregullimin e mediave. Ndërkaq, për sa a i përket reklamimit, thotë se ai kurrë nuk ka qenë kundërshtar i zëshëm, e as mbështetës, për arsyen e thjeshtë që kjo temë nuk është zi e bardhë siç duan të na i plasojnë partitë politike dhe eksponentët e tyre.

“Le të jemi plastikë. Qeveria e mëparshme konsideronte se duhet të promovohet dhe lavdërohet me para publike, ndërsa opozita e atëhershme ishte kundër. Kur opozita u bë pushtet aktual, zëdhënësit e saj për marrëdhënie me publikun ofruan subvencione për mediat e shkruara, dhe madje shkuan një hap më tej, duke anoncuar se ata do të financojnë histori hulumtuese në media”, thotë Kordalov.

Ai sqaron se “Qeveria dëshiron t’i bindë qytetarët se do t’i paguajë mediat për ta kritikuar atë”. “Besoni se në asnjërën prej të dyja qasjeve (të pushtetit paraprak dhe aktual) Qasja nuk do t}i bindë qytetarët dhe punonjësit mediatik se ka synim të sinqertë në marrëdhëniet me mediat, respektivisht se këto masa kanë për qëllim mënjanimin e ndikimit politik dhe qeveritar në sferën e mediave”.

KUJT I SHËRBEN SERVISI PUBLIK RADIODIFUZIV?

Me Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audio-vizuale, i cili është ndryshuar dhe plotësuar disa herë deri më tani, vendi ka arritur të afrohet me legjislacionin e BE-së, por ligji nuk është zbatuar plotësisht. Mbeti shqetësimi në lidhje me reformën e servisit publik.

Në një studim të titulluar “Ardhmëria për të tashmen inekzistente”, eksperti i mediave Klime Babunski, e trajton çështjen se cili duhet të jetë roli i srevisit publik radiodifuziv, duke pasur parasysh vlerësimet dhe rekomandimet e një grupi ekspertësh me përvojë për çështje që lidhen me sundimin e së drejtës të vitit 2017. “Mund lirisht të thuhet se ajo që i lidh të gjitha ndryshimet që po ndodhin që nga fillimi i viteve të 90- ta të shekullit të kaluar në dhe rreth RTM-së, është dështimi i tyre në vendin tonë të konstatohet dhe të funksionojë një servil radiodifuziv publik. Prandaj, RTM-ja është shumë më shumë një “rrugë qorre e tranzicionit” sesa një servis radiodifuziv publik”, konsideron ai.

Në rekomandimet e veta për krijimin e politikave që do të duhej të ndodhin në RTM, Babunski rekomandon një kthesë të domosdoshme, të madhe, kopernikiane në RTM për t’iu përgjigjur rolit dhe nevojave si një servili mirëfilltë publik.

Sipas tij, me Ligjin e ri për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale u tregua një qëllim serioz për t’i dhënë fund praktikës së deritashme klienteliste, struktura menaxhuese-vendimmarrëse në RTM të mos jetë më rezultat i lojalitetit ndaj elitës qeverisëse partiake- politike, por duhet të jetë rezultat i zgjedhjes së një modeli për revitalizimin e RTM-së. Megjithatë, qëllimi i këtillë parimor – shton Babunski – “para së gjithash çon drejt synimit të qartë që në kurriz të ndikimit partiak të rritë ndikimin shoqëror në menaxhimin me RTM-në, është i frenuar nga opozita, që do të thotë se realiteti politik edhe më tutje do ta mbajë peng RTM-në”.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i RTM-së, Marjan Cvetkovski, konsideron se modeli financiar, sipas zgjidhjes ligjore, respektohet që ky servis të ketë pavarësi. Por, thotë se ka shumë kufizime në punë shkaku se deri në fund nuk është i definuar statusi juridik i RTM-së.

“Një nga arsyet për situatën e këtillë është se disa organe shtetërore, siç është Enti Shtetëror i Revizionit, sipas ligjit të deritashëm e sheh televizionin si ndërmarrje publike, e cila duhet ashtu edhe të funksionojë, megjithëse në ligjin për media servisi publik përcaktohet si Ndërmarrje publike difuze”, thotë Cvetkovski. Një problem tjetër, sipas tij, është fakti se prej vitit 2015, të punësuarit në MRT përfshihen në grupin e punonjësve administrativë, si ofrues të shërbimeve.

“Këtu ballafaqohemi me pasoja të rënda. Për shembull, RTM-ja nuk mund ta realizojë projektin për hapjen  e qendrave të korrespondencës, aty ku në disa mjedise duhet të marrë me qira hapësirë vetëm shkaku se qeveria për leje për këtë është kompetente nuk është qeveria, por janë institucione tjera. Për shkak të kësaj, katër qendra korrespondence, të cilat janë në pronësi të RTM-së, janë të pajisura dhe ne kemi siguruar pajisje për to, por tani ato nuk mund të përdoren”, thotë Cvetkovski.

Për ministrin për llogaridhënie dhe transparencës – Robert Popovski, mënyra ose modeli i financimit për RTM mund të mos jetë ideal, por ai prapëseprapë mundëson një stabilitet më të madh financiar, me çka ky servis tani ka mundësi t’i kthejë borxhet, më lehtë të operojë, të furnizohet me programe të reja, të bashkëfinancojë koproduksione.

“Po, ka vështirësi rreth financimit nga njëra anë e pikëpamjeve, por nga ana tjetër, duhet të kujtojmë faktin se ligji për ASHMAAV kishte ngecur për një vit, dhe me të reformat duhej të kishin filluar. Tek në vitin 2018 u miratua, por nuk është implementuar plotësisht që të fillojë procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave të servisit kombëtar dhe ASHMAAV si organ rregullator, thotë Popovski.

Biljana Petkovska nga Instituti i Mediave i Maqedonisë (IMM) thotë se nga puna e të gjithë këshillave të deritashme të RTM-së, konkluzion i përgjithshëm është se asnjë prej tyre nuk e ka kryer me sukses rolin dhe detyrën e vet. “Nga studimi i IMM-së fitohet përshtypja se ata kanë funksionuar dhe vazhdojnë të funksionojnë vetëm për fromalizimin e vendimeve të partive qeverisëse. Çështja e depolitizimit të këshillit të programor të RTM-së është një çështje e rëndësishme për pavarësinë mediatike, gjë që e kemi cekur viteve të fundit, veçanërisht gjatë krizës politike që përfundoi me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo çështje do të fitojë edhe më shumë rëndësi nëse ndodh që të marrim edhe datë për negociata me BE-në”, thotë Petkovska.

Kjo histori hulumtuese është përpunuar me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Fund

Shkruaj një koment

Koment(e)