Maqedonia bëhet Las Vegasi ballkanik: standard i ulët dhe kumar i shfrenuar


 

DOKUMENTACION

(Vërejtje: Dokumentet për të gjitha kompanitë janë të bashkangjitura në linqet e emrave të tyre Për t’i parë klikoni mbi linkun DOKUMENTACION.)


 

 

Maqedonia është në fund të listës së vendeve të Ballkanit për nga investimet e huaja direkte. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitin 2013 Maqedonia ka tërhequr vetëm 251 milionë euro investime të huaja, Mali i Zi 350 milionë, Bosnja dhe Hercegovina 300 milionë, ndërsa Kosova në të njëjtin vit ka regjistruar 259 milionë euro.

Megjithatë, jo çdo gjë është aq e zezë. Në vend lulëzon biznesi me lojërat e fatit. Prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në Maqedoni nga ana e Ministrisë së Financave janë licencuar gjashtë kazino me 16 filiale dhe madje 59 sallone me aparate për poker.

dimko kokarovski

Dimko Kokarovski: Të gjitha hulumtimet tregojnë se në bastoret harxhojnë para shtresat më të varfra të popullatës. Ata 500 njerëz janë të varfër, kurse me vënien e bastit ata sot bëhen më të varfër edhe për 50 denarë, kështu që vetëm një person do të fitojë para. Me këtë bëhet një rishpërndarje të padrejtë të të ardhurave dhe rritet varfëria.

“Sa varfëria është më e madhe aq më shumë rritet numri i bastoreve dhe kazinove”, mendon Dimko Kokarovski, ish zëvendës-ministri i financave dhe profesori aktual në Fakultetin Ekonomik në Prilep.

“Sa varfëria është më e madhe aq më shumë njerëzit shpresojnë se mund të nxjerrin para shtesë nga balta. Kumari është rritur te ne. Kemi një standard të ulët dhe kumar të shfrenuar “, thotë ai.

 

Lokacionet më atraktive – vende për kumar

 

Në rrjetet sociale gjithnjë e më shumë ndërmerren iniciativa kundër kësaj dukurie me hapjen e vendeve të reja për të luajtur kumar. Shumë njerëz janë të shqetësuar se shteti lejon që ato kazino të funksionojnë në zonat qendrore të qyteteve dhe kërkojnë që ato të zhvendosen në periferi, larg nga vendbanimet.

“Mund të them se në Prilep vendet qendrore janë bastore dhe kazino. Lokacionet më të bukura në qytet nën Kullat e Markos janë të zëna nga industria e kumarit”, thotë profesori Kokarovski.

Jo vetëm në Prilep, por pothuajse në të gjitha qytetet e Maqedonisë hapen në mënyrë intensive vende me aparate për poker, të cilat tërheqin vëmendjen e kalimtarëve me dritat e tyre spektakolare, të cilat e  kanë në fokus xhek-potin, të cilin e kanë në dispozicion.

Nga Ministria e Financave thonë se kazinotë dhe aparatet për poker janë tatimpagues si të gjitha subjektet e tjera në treg.

“Organizatorët e lojërave të fatit në kazino, në përputhje me nenin 66 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, për organizimin e lojërave të fatit paguajnë një tarifë të veçantë në lartësi prej 20 për qind, e cila llogaritet në diferencën midis shumës së paguar në të gjitha automatet e atij organizatori dhe shumës së dhënë të parave të të gjitha aparateve në bazë mujore”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ministria, e marrë sipas Ligjit për Qasje të Lirë deri te Informatat.

Por, profesori Kokarovski mendon se licencat për punë që jepen për kompanitë që organizojnë lojërat e fatit janë të ardhura për buxhetin dhe ato as nuk do të nxisin dhe as nuk do të zhvillojnë ekonominë.

“Kemi një situatë ku 100 apo 500 njerëz vënë bast në bastore, ndërsa vetëm një person fiton”, thotë ai.

“Të gjitha hulumtimet”, thotë Kokarovski,  “tregojnë se në bastoret harxhojnë para shtresat më të varfra të popullatës. Ata 500 njerëz janë të varfër, kurse me vënien e bastit ata sot bëhen më të varfër edhe për 50 denarë, kështu që vetëm një person do të fitojë para. Me këtë bëhet një rishpërndarje të padrejtë të të ardhurave dhe rritet varfëria”.

Ai mendon se harxhimet shoqërore, si rritja e alkoolizmit, narkomania, dhuna në familje dhe krimi janë shumë më të mëdha sesa përfitimet që i kanë shoqëria dhe shteti nga mospagimi i të ardhurave për licencat në buxhet.

“Fëmijët që nga mosha e re janë në kontakt me kumarin si një ves i keq. Edhe pse është ndaluar me ligj, megjithatë, ata hyjnë në bastore. Më vonë nevojiten programe të veçanta për risocializimin e atyre fëmijëve të cilët shtetin do ta kushtojnë para”, thotë Kokarovski.

 

Struktura e pronësisë

Kompanitë austriake dhe ato nga vendet me lehtësime tatimore, të cilat janë të njohura si offshore qendra financiare, janë lojtarët më të mëdhenj në tregun e Maqedonisë të lojërave të fatit. Interesi gjithnjë më i madh për të investuar në këtë sektor kontribuoi që Maqedonia të emërohet si Las Vegasi ballkanik.

Sipas dokumenteve të cilat i ka në dispozicion SCOOP – Maqedonia, kazinoja “Hit International” është në pronësi të Kiro Kostovskit nga Shkupi dhe të kompanisë vendase “Mint International” nga Gjevgjelia. Si pronar i kësaj kompanie paraqitet offshore kompania “Mint International Limited”, me seli në ishujt Sent Kitts dhe Nevis.

Kazinoja “K.A.K.” është në pronësi të kompanisë “Besan Holdings PTI LTD” nga Australia dhe të shtetasit të Maqedonisë Ognen Cigovski.

Makoten” është në pronësi të “Austrian Gaming Induestries GmbH”, një kompani e cila është në pronësi të grupit “Novomatik AG” nga Austria. Kjo kompani austriake paraqitet edhe si themelues i kompanisë “HTL Makedonija DOEL Skopje”, e cila është pronare e aparateve për poker “Ma Gaming” dhe “Masterbet.” Grupi Novomatik, i cili u bë i njohur për faktin se në periudhën e viteve 1997-2003 drejtor ka qenë komisioneri aktual i zgjerimit Johannes Hahn, është i pranishëm në Maqedoni edhe përmes kompanisë “DHTCM DOEL Skopje”, e cila jep me qira ose me lizing makina, pajisje dhe të mira materiale.

Kampioni i njohur në Formula 1, Niki Lauda është brend ambasador i kompanisë Novomatik

Kazinoja “Korona International”, është në pronësi të dy kompanive nga offshore vendet “Altona Holding S.A.” nga Panama dhe “Stelar International S.A.” nga Ishujt Marshall.

Zinxhiri i kazinove me famë botërore “Princes Grup” të biznesmenit turk Sudi Ozgan, është në Maqedoni që nga viti 2003, por ka filluar me punë para rreth 6 vjet. Kazinoja e tyre është në pronësi të kompanisë “IRADA Shoqata aksionare” me seli në Lihtenshtajn. Ozgan, sipas rrjetit të raportimit për krim të organizuar dhe korrupsion (OCCRP), në Turqi ishte i akuzuar për fshehjen e tatimeve dhe larjen e parave, ndërsa me probleme është ballafaquar edhe në vende të tjera ku e zgjeron biznesin e tij, si në Panama dhe në Bullgari.

Pronarë të aparateve për poker “Astra” janë Ivana Grubar-Muftiq nga Britania e Madhe, Svetozar Nedeljkoviq nga Serbia dhe Petar Grubaç nga Sllovenia. Si pronarë të kompanisë sllovene “Interkvatro DOO Portorozh” paraqiten Zoran Jesiq dhe Ivana Grubar-Muftiq. Kjo kompani, Grubar-Muftiq dhe Petar Grubaç, së bashku me kompaninë “Moneda Investments”‘ nga Luksemburgu, paraqiten si pronarë të kazinove “Flamingo”.

Aparati për poker “Matriks” është në pronësi të Borçe Shishovskit, “Gaming International” në pronësi të Vlladimir Paunovksit, “Kazino Merkur” në pronësi të Gjulnear Alimit, “Divien” në pronësi të Vesna Belishevës, ndërsa “King Slot” është në pronësi të Mirko Nikollovit, Elizabeta Kitanova-Vellkovës dhe Toni Kitanovit.

Kazinoja “Senator”, është në pronësi të kompanisë holandeze “Flamingo Participions BV”, me seli në Amsterdam. Një strukturë shumë komplekse pronësore ka kompania me licencë për lojërat e fatit “Apeks MK”. Si pronarë të saj paraqiten katër kompani: “Kall Maks DOO Skopje” dhe kompanitë austriake “Aleks Holding GmbH”, “INTGX pjesëmarrje dhe konsalting GmbH” dhe “Unio Beteiligungs GmbH”.

 

 

Kumari si sëmundje

 

Oferta e këtyre kazinove dhe aparatet për poker bëhen gjithnjë e më atraktive për njerëzit të cilët shpresojnë për një fitim të shpejtë të parave. Nuk janë të rrallë edhe njerëzit që kërkojnë ndihmë për të heqin dorë nga kumari. Për dallim nga vendet më të zhvilluara ku pokeri dhe lojërat e fatit perceptohen si argëtim, në vendet me standard të ulët të jetesës kumari perceptohet edhe si një varësi e rrezikshme, e cila duhet të trajtohet.

“Unë nuk e di se si të shpëtoj nga kumari. Kudo që të kthehem shikoj vetëm kazino. Ajo më tërheq, më tërheq që të hyj brenda dhe ta provoj fatin tim”, thotë një burrë 44 vjeçar, i cili dëshironte të mbetet anonim. Ai është i martuar dhe është baba i tre fëmijëve.

“Të gjithë kemi ëndrrat dhe planet për një jetë më të mirë. Rreth 10 vjet më parë i thoshja vetes për ta provuar fatin tim. Atëherë fitova xhek-pot prej rreth 5 mijë eurosh. Mendoja se isha në rrugën e duhur për të pasur një standard më të mirë. Por, u gënjeva. I humba të gjitha dhe hyra në borxhe”, tregon bashkëbiseduesi ynë.

Ai thotë se në vitet e para njeriu shpreson dhe luan kumar për të fituar para, kurse në vitet e fundit për të kthyer paratë e humbura.

“Nëse i kthej të gjitha paratë që i kam humbur në këto 10 vite në kumar, ndoshta do të heq dorë. Kështu fundosem. Kur kam para në duar, menjëherë diçka më nxit të provoj fatin tim në aparatet për poker. Unë nuk mund të rezistojë, edhe pse kam humbur besimin te gruaja ime, fëmijët, te miqtë. Unë nuk e di se si të nxirrem nga kjo situatë…”, thotë bashkëbiseduesi.

pavle pavlov

Pavle Pavlov: Kur ka varfëri të madhe njerëzit gjithnjë e më shumë luajnë kumar. Sa më e lartë është varfëria aq më shumë ka kumarxhinj, ajo është një gjë proporcionale.

Psikiatri Pavle Pavllov mendon se kumari jo çdoherë është sëmundje, por nëse kalon në opsesion, atëherë duhet të trajtohet.

“Së pari kumari duhet të diagnostikohet si sëmundje. Nëse japim për lojërat e fatit deri më 10 për qind nga të ardhurat, atëherë kumari nuk është sëmundje. Nëse tejkalohet ky kufi, atëherë kumari bëhet i rrezikshëm, një gjë e cila më vonë mund të kalojë në shprehi”, mendon ai.

Sipas Pavllovit, kumari është në grupin e sëmundjeve të varësisë, si alkoolizmi ose varësia nga ushqimi.

“Ka një rritje të kumarit, që nga pavarësia e deri më sot. Për dallim nga tani, në komunizëm, ne si qytetarë të Maqedonisë nuk mundëm të hynim në kazino. Ajo ishte në dispozicion vetëm për të huajt. Prandaj edhe disponueshmëria e lojërave të fatit i nxit të varurit nga kumari të luajnë sa më shumë”, thotë Pavllov.

“Kur ka varfëri të madhe”, thekson ai, “njerëzit gjithnjë e më shumë luajnë kumar. Sa më e lartë është varfëria aq më shumë ka kumarxhinj, ajo është një gjë proporcionale”.

“Fazat e kumarit janë: argëtimi, kumari me rrezik dhe varësia. Kur do të bëhet i varur, kumarxhiu duhet patjetër të luajë. Kur do ta kapin krizat, ai është i gatshëm ta shesë edhe shtëpinë, të marrë para me hua madje edhe me një kamatë ditore prej 10 për qind. Ajo i vret, ata jetojnë me marrjen e parave me hua. Pastaj në skenë vjen krimi që të mund të sigurojnë para”, thotë Pavllov.

Në shumicën e vendeve në botë është i kufizuar numri i kazinove dhe gjithmonë kihet kujdes që ato të janë jashtë vendbanimeve.

Për shembull, në tërë Greqinë ka vetëm disa kazino. Në Selanik ka një dhe një tjetër në krahët. Pastaj ka në Athinë dhe në ndonjë ishull, në vende të tjera nuk ka. Në SHBA, kazino ka vetëm në Las Vegas dhe në një qytet tjetër. Në vende të tjera nuk ka kazino.

Edhe mjeku Pavllov mendon se kazinotë dhe bastoret duhet të jenë larg nga qytetet.

“Duhet të kufizohet se sa njerëz mund të jenë në një bastore ose në një kazino. Ajo duhet të ndalohet për të miturit dhe unë mendoj se tek ne edhe të miturit i lëshojnë të hyjnë në kazinotë dhe bastoret.

Shteti ka aplikuar licencat për lojërat e fatit dhe mendoj se e zvogëlojnë numrin e objekteve për kumar. Ato duhet të paguajnë para të mëdha për licencat”, thekson Pavllov.

“Këtu nuk është vetëm aspekti financiar”, thotë ai, duke shtuar se “kumari mund të kontribuojë shumë në rritjen e sëmundjeve të varësisë dhe në rritjen e kriminalitetit”.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

 

Shkruaj një koment

Koment(e)