Autor: Iskra Opetçeska
Punonjësit e funksioneve përgjegjëse në Ndërmarrjen Publike (NP) “Pyjet e Maqedonisë”, dega “Babuna” në Veles, e thyejnë Ligjin e pyjeve me çka në mënyrë të paligjshme përfitojnë mijëra euro në kurrizin e shtetit dhe në kurrizin e pronarëve privatë të pyjeve, – pohon Zhilbert Zhak Arsov, pronari i 42 hektarëve tokë (foto 1: Toka është në pronësi të Arsovit) me 700 metra kub dru në mesin e fshatit të Velesit Vetersko.
“Një nga problemet më të mëdha janë faturat. Të dhënat e shkruara në faturat nuk korrespondojnë me gjendjen reale në terren. Kështu për shembull, në një faturë shkruan se janë prerë 3 metra kub dru, kurse në faturën tjetër rezerve 30 metra kub dru. E gjithë kjo për arsye se duhet të ketë një balancë gjatë prerjes sepse çdo parcelë është e ndryshme. Në ndonjë parcelë ka më pak dru për prerje, ndërsa diku ka më shumë. Një tjetër problem është se kompetentët, mua si një shitës i drunjve nuk më japin një kopje të faturave. Kopjet i kanë vetëm në “Babuna”, blerësit dhe transportuesi i drunjve“, thotë Arsovi.
Për këtë shkak, por edhe për shkak të shumë parregullsive të tjera, pohon ai, humb deri në një milion euro në vit për shkak të drunjve të pashitur.
“Kam shitur dy banesa në qendër të Shkupit kështu që me paratë personale dhe me paratë e një prej bankave dhe donatorëve ndërkombëtarë, i subvencionuar nga Qeveria dëshiroja të zgjeroja pemishten ekzistuese prej 11 hektarësh brenda afatit të caktuar për sezonin 2009/2010. Por, në vend të kësaj kam hasur në shumë pengesa, mosdhënie të qëllimshme të lejeve për prerje në afatin e duhur dhe në procese të montuara gjyqësore me dëshmi mashtruese”[fjala kryesore që do të çojë deri në dokumentacionin shtesë (titulli i dokumentit 1: Aktgjykimi me dënim në të cilin gjykata ka konstatuar se nuk ka dëshmi se Arsovi ka vjedhur drunj shtetërorë)], thotë Arsovi.
Përgjegjësit presin drunjtë shtetërorë, ndërsa i fshehin në parcela private
Problemet e Arsovit fillojnë në vitin 2009, kur ka shkuar në degën e NP-së “Pyjet e Maqedonisë” – ekonominë e pyjeve (EP) “Babuna” në Veles për të marrë leje për prerjen e drunjve për të pastruar terrenin për të mbjellë pemishten, me një projekt i cili paraprakisht është miratuar. Por, siç thotë ai, për arsye të pakuptueshme për të, ai gjithmonë ka marrë të njëjtën përgjigje se teknikët kanë qenë shumë të zënë me punë. Kjo ka ndodhur deri në qershor të vitit 2010, kur pas 15 kërkesave të parashtruara ka marrë një leje për prerjen e drunjve [fjala kryesore që çon deri në dokumentacionin shtesë (Dokumenti 2: Leja për prerjen e drunjve)], por me paralajmërim se prerja mund të kryhet në periudhën prej 17.11. 2010 deri më 01.12.2010.
“Blerësit i zgjedhin vetëm ato parcela të cilat u pëlqejnë, ato pranë rrugës sepse këtu nuk ka shpenzime për sjelljen e drunjve me kamion. Kështu, një nga blerësit e licencuar nga Velesi, i cili në bashkëpunim me inxhinierët dhe teknikët e EP-së “Babuna”, policinë pyjore dhe gjyqtarët, nga 15 lejet për prerje ka realizuar tetë. Për të prerë edhe pjesën tjetër më detyruan të parashtroja kërkesa të reja. Nëse nuk e bëja këtë, atëherë ai nuk do t’i blinte drunjtë e mi, edhe pse unë vetë i gjeja blerësit. Kur i pyeta se pse nuk i presin edhe shtatë parcelat e tjera, inxhinieri i cili ishte dëshmitar i prerjes më tha se ajo është një marrëveshje e brendshme dhe se kur do të përfundojë prerja e tetë parcelave të përzgjedhura, do të realizohen edhe të tjerat. Kur kërkova të më tregojnë një dokument, ata nuk më dhanë asgjë. Nga ana e përgjegjësve për lëshimin e lejes për prerjen e drunjve kam marrë kërkesa të palogjikshme se për çmimin e shënimit dhe blerjen e drunjve duhet të merrem vesh pikërisht me atë blerës konkret që më kanë imponuar, e jo me atë të cilin e kam zgjedhur unë. Mua ma kanë imponuar dy blerës të tillë” tha Arsovi.
Darko Skenderski, koordinator kombëtar i Shoqatës së pronarëve të pyjeve private (SHPPP) pretendon se njerëzit përgjegjës në NP “Pyjet e Maqedonisë” punojnë ekskluzivisht për dëm të biznesmenëve privatë.
“Përcaktimin e sasisë së masës së drunjve për prerje nuk e kryejnë në pajtueshmëri me gjendjen e pyjeve në terren, por atë e bëjnë në zyrë. Ata e dinë se dhënia e lejes, në përputhje me kriteret dhe përcaktimin e gjendjes së pyjeve në vendin e prerjes sjell një sasi më të madhe të drunjve, prandaj tek ata pronarë që kanë një sasi të mëdha të drunjve e shtyjnë atë. E gjithë kjo bëhet me qëllim që t’i lidhin kontratat me pensionistët dhe sindikatat, si pagues më të mirë dhe më të sigurt, kurse ne duan të na parandalojnë të konkurrojmë në treg kryesisht me drurin djegës. Njëkohësisht, parashtrimin e kërkesave e regjistrojnë në arkiv, por nuk japin një kopje për këtë. Nuk japin kopje as të Kartonit të evidencës në të cilin është planifikuar sasia dhjetëvjeçare të drunjve, të cilën mund ta presë pronari. Këtë e bëjnë me vetëdije për të parandaluar procedurën e ankesave të pronarëve të pakënaqur sepse ata e dinë se gabimisht e kanë përcaktojë prerjen e drunjve”, akuzon Skenderski.
Pikërisht për këtë dëshmon edhe Arsovi, i cili thotë se gjatë prerjes së pyjeve të gjithë drunjtë e prerë regjistrohen si të jenë të prerë në një parcelë, kurse lejet për prerje për parcelat e tjera mbeten të zbrazëta. Kështu, prerja e paligjshme vazhdon në pyjet shtetërore, kurse drunjtë e prerë shtetërorë transferohen në pronën private me çka tregohet se të gjitha lejet për prerje e sipërmarrësit privat janë realizuar. (Foto 2: Titulli: Prerja e paligjshme e drunjve sipas ESHS-së)
Për shkak të kësaj, Arsovi më 29.08.2011 nga u.d. drejtori i EP-së “Babuna” Goce Petrovski ka kërkuar [fjala kryesore që çon deri në dokumentacionin shtesë (Dokumenti 3: Njoftim] një rishqyrtim të gjendjes në terren dhe të punës së përgjegjësve. Por, në vend të përgjigjes se nëse janë të vërteta gjetjet e Arsovit për raportimin e rrejshëm të sasisë së drunjve dhe manipulimet me parcelat, gjashtë muaj më vonë kompetentët që kanë punuar në këtë lëndë kanë bërë një Procesverbal [fjala kryesore që çon deri në dokumentacionin shtesë (Dokumenti 4: Procesverbali nga vlerësimi] në të cilin përgjegjësit kanë konstatuar se gjatë procedurës dhe punës në lëndën e Arsovit janë ballafaquar me probleme të shumta.
“Në ditën e daljes në terren, Arsovi nuk i dinte kufijtë e sakta të pronës së tij, për shkak të kërkesave dhe vendimeve të shumta e përziente sasinë e drunjve nga një parcelë në një parcelë tjetër, bën mobing dhe torturime ndaj të punësuarve përmes veprave të ndryshme penale. Drejtori është i njohur me të gjitha ngjarjet dhe ka procesverbale nga kontrollet e kryera. Prandaj është marrë një qëndrim se lidhur me Arsovin nuk mund të vendoset një procedurë të zakonshme pune sepse devijon nga obligimet të cilat i kanë pronarët e pyjeve sipas Rregullores për pyjet private“, shkruan në procesverbalin që e kanë bërë kompetentët e ndërmarrjes “Babuna”.
Interesat e përbashkëta të individëve e përkrahin krimin
Megjithatë për Skenderskin keqpërdorimin më të madh të pasurisë pyjore e bëjnë individët e pavetëdijshëm, ndër të cilët janë edhe koncesionerët e pyjeve. Ata, thotë ai, për përfitimet personale nuk zgjedhin as kohën e as mënyrën se si t’i realizojnë ato. Sipas dëshmisë së tij, është një gjë e zakonshme që çdo pronar pylli para se të shkonte në terren për të shënuar për prerje apo për të vulosur dhe për të pranuar drunjtë, ta gostisë mirë përfaqësuesin e ekonomisë pyjore në një kafene me qëllim që ai të jetë “i disponuar” për të kryer punën. Pronarët më të varfër, megjithatë sjellin raki dhe meze nga shtëpia dhe gostitjen e bëjnë në terren, në pyll. Ata pronarë që kanë për të shënuar një sipërfaqe më të madhe ose duhet të marrin shënimin e sasisë më të madhe të drunjve, duhet të sigurojnë edhe një automjet për në terren. Taksa është prej pesëqind deri më një mijë denarë për pylltarin, e ndoshta më shumë varësisht prej relacionit, me arsyetimin se ata kanë nevojë për para për benzinë sepse çdo pylltar ka xhipin e vet.
“Ajo punë, zakonisht, negociohet një ditë më parë. Para një kohe kishte një kamion nga Kumanova, i cili ishte i ngarkuar në rajonin e Berovës. Pronari i pyllit dhe pylltari janë marrë vesh që pylltari të jetë në një kohë të caktuar në vendin e ngjarjes, por pylltari nuk ka ardhur me arsyetim se i ka dalë ndonjë punë emergjente. Kështu, shoferi i kamionit të ngarkuar është dashur t’i ofronte pylltarit 500, 1000 madje edhe 3000 denarë vetëm për të arritur në destinacionin e duhur më së voni deri në mesnatë të njëjtën ditë deri kur i vlen fatura për ngarkimin e drunjve“, dëshmon Skenderski.
Arsovi pajtohet me pohimin e Skenderskit, por konsideron se individët nuk mund të bëjnë një krim nëse nuk ka një lidhje midis ekonomive pyjore, policisë pyjore dhe policisë së rregullta dhe gjykatave. Si një konfirmim të pohimit të tij, Arsovi thekson faktin se për tre vjet ka marrë dhjetëra kallëzime kundërvajtëse dhe penale nga policia pyjore dhe në të gjitha rastet është dënuar me gjoba më të larta me të holla ose me dënime për burgim me kusht.
“Askush nga kompetentët nuk më ka bërë problem për më shumë se 90 për qind të drunjve që ua shes blerësve të imponuar të drunjve të mi. Më bëjnë problem për drunjtë e tjerë që ia shes një blerësi të cilin e kam gjetur vet. Më së shpeshti atë e bën policia pyjore, e cila gjithmonë gjen arsye për të më dënuar“, thotë Arsovi.
Për t’u mbrojtur nga presioni që e ka ndier, por edhe për të ndaluar humbjet që i pëson, Arsovi kërkon një hetim (Dokumenti 5: Kërkesë për policinë pyjore) të rastit kur blerësi i imponuar i drunjve, siç pretendon ai, ka prerë 32 metra kub drunj në parcela të huaja, kurse në lejet e paguara për prerje është treguar se drunjtë janë prerë në parcelat e Arsovit. Por, në vend të hetimit të rastit, ai ka fituar një padi penale për shpifje, kështu që Gjykata e Velesit më 24.04.2014 e shpall fajtor dhe e dënon me gjobë me të holla në vlerë prej 100.000 denarë.
“Dhe jo vetëm në këtë rast. Edhe në procese të tjera gjyqësore gjykata çdoherë më dënon në bazë të provave mashtruese. Në një prej atyre dëshmitari pranoi (Dokumenti 6: Deklarata e dëshmitarit) se si një person i autorizuar më ka lejuar të bëjë një dërgesë të drunjve pa pasur paraprakisht leje për shkak të pamundësisë që të shkojë kamioni në atë terren. Në një rast tjetër, megjithatë, dëshmitari, gjithashtu një person i autorizuar, konfirmoi (Dokumenti 7: Deklarata e dëshmitarit), se mora një kërcënim nga një polic se nëse nuk ia jap drunjtë blerësit të imponuar, ai do të m’i marrë drunjtë pa para. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme për gjykatën kështu që në të dyja rastet unë isha i dënuar. Më vonë, dy gjyqtarë kërkonin falje nga unë duke thënë se kanë qenë të detyruar të më dënojnë pa pasur nevojë të thonë se pse kanë qenë të detyruar dhe se kush u ka dhënë një urdhër të tillë. Kjo është arsyeja se pse unë them se ka një lidhje midis gjyqtarëve, të punësuarve në NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe policisë pyjore“, thotë Arsovi.
Skenderski, të paktën tani për tani, nuk e sheh mënyrën se nëse mundet dhe si mundet të parandalohet shkatërrimi i pasurisë pyjore, sepse, siç thotë ai, lufta kundër krimit përfundon para se të fillojë.
“Askush nuk guxon të raportojë sepse ai e di që institucionet kompetente nuk do të bëjnë asgjë. Në fakt, pikërisht ato janë burimi i krimit më të madh. Ja unë personalisht kam raportuar krimin në policinë pyjore. Dhe kur do të paraqitem, unë në fakt konstatoj se policia tashmë e di për rastin konkret të cilin e raportoj. Vjedhësi i drunjve largohet, kurse nga policia më thonë se nuk mund të vijnë me arsyetim se nuk kanë benzinë për të ardhur. Ja le të inkurajohen pronarët e pompave të benzinës në zonat rurale dhe le të thonë se sa drunj kanë marrë nga NP “Pyjet e Maqedonisë” në shkëmbim për benzinë. Njëkohësisht nuk marrin asnjë dokument për atë. Kjo është diçka që ndodh në mënyrë masovike në ditët e fundit“, thotë Skenderski.
Kompetentët ose nuk mund ose nuk duan t’i thonë stop krimit
As shkresa e Arsovit deri në Inspektoratin Shtetëror të Pylltarisë, e as shkresa deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) nuk kanë qenë të suksesshme. Inspektorati ka thënë se nuk është kompetent për të vepruar mbi ankesat e tija, kurse nga MPB-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Por, nga MPB-ja pretendojnë se policia kryen inspektime të rregullta. Kështu, sipas të dhënave të siguruara për këtë hulumtim, në vitin 2014 MPB-ja ka kryer inspektim në rreth 1.900 automjeteve të udhëtarëve dhe 2.800 automjeteve të ngarkimit. Në këto inspektime, nga 262 automjete të udhëtarëve dhe 111 automjete të ngarkimit janë sekuestruar gjithsej 2.697 metra kub dru zjarri dhe 165 trungje drush. Më shumë dru janë sekuestruar në rajonin e Shtipit (839 m3) dru zjarri, pastaj në rajonin e Qendrës Rajonale Veri (485 m3) dru zjarri dhe në rajonin e Tetovës (419 m3) dru zjarri. Njëkohësisht janë ngritur 75 padi penale kundër 134 autorëve. (Foto 3: Inspektime të kryera të MPB-së)
Nga Policia pyjore konfirmojnë se Arsovi është ankuar për punën e Policisë së Velesit dhe të komandantit të atëhershëm Goran Stojanovski, por nuk thonë nëse pretendimet e tija për zhvatje, denoncime të rrejshme, konfiskimin e paligjshëm të drunjve janë të vërteta apo jo.
“Nga ana jonë janë thirrur në pyetje përgjegjësit e Policisë pyjore në Veles dhe kemi konstatuar se bëhet fjalë për një parashtrues të ankesës, i cili është një shkelës i vazhdueshëm, që shihet nga aktgjykimet e marra të cilat janë dërguar nga Policia e Velesit. Parashtruesit të ankesës i kemi përgjigjur brenda afatit të paraparë me ligj”, thonë nga Policia pyjore.
Nga atje informojnë edhe se ankesat për punën e policëve pyjorë më së shpeshti kanë të bëjnë me shkeljet e rendit të punës dhe disiplinës ose me mospërmbushjen e detyrave të punës. Në vitin 2014 ka pasur dhjetë ankesa, nga të cilat gjashtë janë marrë nga punonjësit në Policinë Pyjore.
“Nga dhjetë ankesat e dërguara, janë konstatuar nëntë parregullsi të punonjësve. Janë kryer procedime kundër punonjësve të denoncuar, ata janë marrë në pyetje, është konstatuar gjendja faktike dhe njëkohësisht për veprat e kryera janë dënuar njëmbëdhjetë punonjësit në mënyrë përkatëse“, thonë nga Policia Pyjore.
Nga Këshilli Gjyqësor, megjithatë, ku është ankuar për punën e gjyqtarëve të Velesit, ka marrë përgjigje se këshilli nuk mund të debatojë mbi ankesat e tija derisa nuk ka aktgjykime të plotfuqishme për procedurat që zhvillohen kundër tij. Nga Gjykata Themelore e Velesit konstatimin e përgjegjësisë për gjyqtarët e tyre po ashtu ia bartin Këshillit Gjyqësor.
MPB-ja: Kompanitë që i japin lejet e prerjes punojnë në mënyrë të paligjshme
31 kompani, të licencuara për dhënien e Lejeve për prerje të një pylli privat kanë punuar në mënyrë të paligjshme, tregojnë të dhënat të cilat MPB-ja i ka dërguar për qëllimet e këtij hulumtimi. Në aksionin më të madh të deritashëm për parandalimin e krimit në pyje “Pylli“, policia me urdhër të Prokurorisë Publike ka konfiskuar 7.262 Kartonë të evidentimit dhe dokumentacion tjetër zyrtar përcjellës. Krimi më shpesh është bërë gjatë dhënies së lejeve për prerjen e pyjeve në pronësi të shtetit, për dokumentacionin jo të plotë gjatë dhënies së lejeve për prerjen e pyjeve private dhe për shkrimin e të dhënave të pasakta në kërkesat për llojin e tokës për të cilën kërkohet prerja e drunjve. Në kuadër të aksionit, ministria në qershor të vitit 2014 ka kryer kontrolle në 245 objekte-depo për ruajtjen e drunjve, pasi që ka ngritur pesë kallëzime penale për kryerjen e tri veprave penale – vjedhje (konfiskimi i drunjve të një pylli të huaj, sasia e të cilëve është më e madhe se një metër kub), dy vepra penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe një vepër penale “evazion fiskal”. Gjithashtu, në depot janë konstatuar 167 shkelje, u mbyllur 49 objekte-depo për shitjen e drunjve në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe janë konfiskuar rreth 800 metra kub dru zjarri.
Sipas informatave jozyrtare nga hetimi, në aksionin “Pylli” ende nuk është akuzuar askush nga kreu i institucioneve përgjegjëse, të përziera në shkatërrimin e pyjeve për çdo një të ngarkuar të lartë, edhe pse në disa vitet e fundit nga NP “Pyjet e Maqedonisë” nga puna janë shkarkuar 120 njerëz, kurse dëmi i vlerësuar deri tani është 14 milionë euro.
(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).