Parti apo grupacione biznesi?

Me dhurimin e 300 mijë denarëve, juristi 44-vjeçar Arber Isaku ka vendosur që me mjete financiare të kontribuojë për fitoren e Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në muajin prill të vitit 2014. Ai figuron si një nga 13 donatorët në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Në këto zgjedhje, BDI-ja fitoi 19 deputetë dhe vazhdoi të jetë partner në qeverinë e VMRO-DPMNE-së.

 

Dy vjet më vonë, Isaku u zgjodh për anëtar në Këshillin e Prokurorëve Publikë, një institucion që ligjërisht nuk duhet të ketë asnjë lidhje me partitë politike.

 

A ishte donacioni i tij i vitit 2014 vendimtar për të marrë një vend në Këshillin e Prokurorëve Publikë? Çfarë fitojnë ata që kanë dhuruar një shumë më të madhe parash se Isaku?

 

“Ju nëse fitoni pozicionin e një anëtari të Këshillit Gjyqësor, nëse fitoni pozicionin e prokurorit, nëse fitoni pozicionin e drejtorit të një ndërmarrjeje publike në bazë të gjërave për të cilat po flisnim, si pritni që nesër, dikush që ka paguar funksionin, të vijë dhe t’i zbatojë standardet ku do të japë llogaridhënie, efektivitet, efikasitet dhe transparencë”, thotë Akademiku Abdylmenaf Bexheti, ish lideri i PPD-së.

 

Petar Goshev, ish-lideri i PLD-së thotë se politika shihet vetëm nga prizmi i përfitimeve konkrete. “Politika padyshim bëhet një biznes fitimprurës për individët të cilët janë të prirur për korrupsion”.

 

 BURIM SERIOZ I KORRUPSIONIT

 

 

Financimi i partive politike mbetet burimi më serioz i korrupsionit. Ekspertët mendojnë se mungesa e kontrollit serioz mbi punën e partive politike i shndërron të njëjtat në shoqata aksionare, ku më shumë fiton ai që dhuron.

 

“T’u japin tenderë, t’u paguajnë më shumë se çmimi i zakonshëm, të pranojnë një cilësi më të dobët të shërbimit të kryer nga ai që është i nevojshëm. Pra, të nxjerrin para në mënyra të ndryshme nga taksapaguesit apo buxheti i Republikës së Maqedonisë ose nga sektorit i përgjithshëm publik”, thotë Goshev.

 

Financimi i partive politike e mban të hapur dilemën se nëse këto parti janë shndërruar në kompani fitimprurëse që menaxhojnë me shtetin si të jetë ai prona e tyre private.

 

“Është e vonuar pyetja se nëse shteti mund të privatizohet nga partitë. Shteti ynë tashmë është privatizuar nga partia në pushtet dhe partneri i saj i koalicionit në sferën e asaj që është ana e tij”, thotë Sasho Ordanovski, luftëtar kundër korrupsionit.

 

Imer Selmani, ndërkaq, thotë se tani më shteti është pronë e partive. “Nuk ka nevojë që partitë politike ta blejnë Republikën e Maqedonisë, për shkak se një pjesë e madhe e funksionarëve ndihen se e posedojnë atë këtë apo në atë mënyrë”.

 

Në këto rrethana, kur kriza politike shpërtheu si rezultat i partizimit të institucioneve shtetërore dhe abuzimeve të shumta, partia është gjëja më e rëndësishme, kurse shteti përdoret vetëm si një institucion pagese nga e cila duhet të nxirren të holla për partitë.

 

“Partitë veprojnë si pronarë, me interesa materiale, me vlerësim të profitabilitetit etj. Partitë tona faktikisht po të jenë shoqata aksionare përsëri do të kenë ndonjë kontroll, madje edhe publik. Ato, thoni se po veprojnë si shoqata aksionare, si kompani, por pa mbikëqyrje, pa kontroll. Ajo është një gjë shumë më e paturpshme se sa është ajo në botën e zakonshme të tregut ekonomik, ku ka mashtrime po ashtu, por ka edhe organe të cilat do ta pastrojnë atë. Kështu që unë mendoj se ai bashkim i partisë dhe shtetit është evident edhe te prona, është evident në çdo aspekt”, thotë Stojan Andov, themeluesi dhe ish-lideri i PL-së. “Unë mendoj se korrupsioni ka hyrë në të gjitha poret e pushtetit dhe nuk mbaron këtu. Kështu nuk mund të vazhdojë më tej”.

 

Prona, të ardhura, donacione që vlejnë miliona euro, para nga buxheti në baza të ndryshme përfundojnë në arkat e partisë. Prandaj ekspertët apelojnë për t’u frenuar orekset e partive dhe për t’u vendosur rend në financimin e tyre.

 

“Unë jam i sigurt se asgjë nuk do ta kushtojë buxhetin në qoftë se ndahen 20-30 milionë euro në vit për t’i financuar partitë politike, ato parlamentare që dominojnë, por njëkohësisht edhe ato jashtë parlamentare, bile shumë më pak sesa në emër të asaj që t’i lini të vjedhin 10% të buxheti, dhe ato janë 300 milionë”, thotë Akademiku Abdylmenaf Bexheti, ish lideri i PPD-së

 

 

NDËRMARRJE PUBLIKE – DONATORË PARTISHË

 

 

Mundësi për korrupsion ka edhe në donacionet e partive politike. Në partitë politike si donatorë paraqiten edhe anëtarë edhe funksionarë, por edhe ndërmarrje publike, që është e kundërligjshme.

Në vitin 2015, 3.675 donatorë, kryesisht funksionarë dhe anëtarë të VMRO-DPMNE-së që kanë dhënë 1.4 milion euro.

 

Donatori më i madh në partinë e Gruevskit është Ilija Sërbinovski me 100.000 denarë. Kjo përputhet me emrin e ish-deputetit të partisë nga Manastiri. Emra interesantë si donatorë që përmenden janë edhe emrat Oliver Derkovski, i cili më 14 korrik ka dhuruar 50.000 denarë, pastaj Jordan Vitanov, në të njëjtën datë ka dhuruar 50.000 denarë. Në të njëjtën datë, 14 korrik 2015 pothuajse të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore në Shtip kanë paguar nga 50.000 denarë si donacion për partinë.

 

Deputetët Ivan Ivanov dhe Vesna Pemova më 15, përkatësisht 16 korrik të vitit të kaluar kanë paguar nga 20.000 denarë, ndërsa kolegia e tyre Ane Lashkoska në të njëjtën ditë ka paguar 50.000 denarë në llogarinë e partisë.

 

Deputeti Andon Çibishev ka paguar 60.000 denarë më 27 tetor, kurse kolegu i tij Viktor Kamilovski dy ditë më vonë partisë së tij amë i ka dhuruar 20.000 denarë.

Në donacionet e VMRO-DPMNE-së nuk ka shkelje të Ligjit për financimin e partive politike, edhe pse disa ish liderë kanë dyshime në vërtetësinë se VMRO-DPMNE-ja ka mbi 3.500 donatorë.

“Kemi njerëz që nuk kanë dhuruar asgjë, por janë të shënuar atje se kanë dhuruar nga 1.000 ose 5.000 euro e kështu me radhë. Kjo është mënyra që më pas të arsyetohen shumat që kanë dalë nga llogaria për financimin e partisë”, thotë Goshev.

 

+

 

Sipas tij, nuk ka asnjë anëtar mesatar, asnjë qytetar mesatar në Republikën e Maqedonisë që ka kapacitet për të dhënë 1.000 euro ose 5000 euro si donacion për partinë.

 

“Së pari, ata funksionarë të tyre që kanë paga dhe privilegji, së pari ata nuk japin aq para, të mos flas për anëtarë të tjerë të zakonshëm. Ndërsa, për ata milionë të shpenzuar për funksionimin e partisë, për bërjen e fushatave të tilla të shtrenjta, fushatave të tilla bujare bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. Nuk ka një anëtarësi të tillë që mund të financojë atë”, nënvizoi Goshev.

 

TELEKOMI KA DONUAR PËR LSDM-në

 

Në LSDM-në, donatori më i madh është sekretari i partisë Oliver Spasovski, i cili në vitin 2015 ka dhënë për partinë 70.000 denarë. Lideri i partisë Zoran Zaev ka dhuruar 60.000 denarë në arkën e LSDM-së, ndërsa Stojko Paunovski 3 herë ka dhënë nga 49.000 denarë.

 

Është simptomatike që si donator në LSDM paraqitet edhe Telekomi i Maqedonisë me vlerë prej rreth 20.000 denarësh. Ky donacion është në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit për financimin e partive politike, ku thuhet se: “Partitë politike nuk mund të financohen nga ndërmarrjet që kanë të paktën 20 për qind pjesëmarrje të kapitalit shtetëror”.

 

“Partitë politike duhet të jenë ato që duhet të sigurojnë, pa dallim nëse janë në pushtet apo në opozitë, funksionimin ligjor të sistemit. Në qoftë se jeni në pushtet, e aq më tepër në qoftë se jeni në opozitë, kur do të vini në pushtet dhe është e qartë se nëse ju vetë si subjekt merreni me aktivitete të paligjshme rreth financimit të vet dhe të them të organizatave, zyrave dhe ekstensioneve tuaja të tjera, ju nuk mund të jeni garantues i funksionimit ligjor të gjithë vendit. Kështu që nuk duhet shumë mençuri të konkludohet se struktura kriminale, të cilat funksionojnë në një mënyrë kur janë parti, nuk mund të funksionojnë shumë ndryshe në situatë kur janë në opozitë apo në pushtet”, thotë Sasho Ordanovski, luftëtar kundër korrupsionit.

 

Shkelja e Ligjit për financimin e partive politike ka edhe te BDI-ja.

Partia qeverisëse si donatorë i ka Postat e Maqedonisë, Shtëpia Shtetërore e Studentëve, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë dhe Aeroportet e Maqedonisë.

 

Kjo, gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit për financimin e partive politike.

 

Por, edhe përkundër të gjitha gjërave, nuk ka asnjë përgjegjësi për financim të paligjshëm.

 

“I vetmi politikan që ka pësuar për financimin e parregullt të fushatës është z-ri Boshkovski. Unë nuk po them se ai ka pasur të drejtë, por thjesht do të ju them se nga viti i 90-të e këndej, pra, nuk ka asnjë politikan serioz i cili nuk ka marrë para të gatshme në dorë për nevojat e financimit të partisë së tij politike. Kur i shihni personat politikë në Maqedoni, pra ata në ndonjë fazë kanë bërë krim në këtë vend, më shumë apo më pak. Nëse ndonjë politikan insiston se nuk ka marrë para, ai me siguri është një politikan i parëndësishëm, dikush nga liga e katërt e politikanëve, kështu që askush nuk i ka dhënë para”, thotë Lubço Gjeorgjievski, lideri i VMRO-së Partia Popullore.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)