Prona e partive – e padukshme në raportet

Financat e partive janë nën vëzhgimin e institucioneve, por jo aq edhe prona e tyre, e cila do të duhej të ishte publike për opinion, komentojnë ekspertët pas storjes së publikuar të SCOOP-Maqedonia, ku kemi publikuar hollësisht fletët pronësore të katër partive më të mëdha. Edhe pse nga partitë pretendojnë se ata rregullisht bëjnë regjistrim dhe këto dokumente i dërgojnë në institucionet shtetërore, megjithatë, në faqet e tyre të internetit nuk mund të shihen as raportet vjetore financiare, e jo më atë që e posedojnë. Madje edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit thonë se prona e partive është përmendur vetëm kalimthi në raportet, por fokusi i tyre është mbi financat që hyjnë në llogaritë partiake.

Nëse shihen raportet financiare të partive të cilat i harton Enti Shtetëror i Revizionit, prona e partive është përmendur vetëm kalimthi edhe atë vetëm në raste kur auditorët kanë konstatuar gjendje të caktuara. Për shembull, në Raportin vjetor të punës së VMRO-DPMNE-së për vitin 2012, të publikuar në vitin 2013 arrihet në përfundimin se partia gjatë vitit 2012 ka nënshkruar 69 kontrata për marrje me qira të hapësirave me persona fizikë. Por, mungon evidenca për numrin dhe mënyrën e përdorimit të këtyre objekteve. Pastaj, në Raportin vjetor të punës së LSDM-së së atij viti thuhet se numri e organizatave komunale në atë kohë ishte 80. Revizioni ka konstatuar se 10 organizata komunale janë të vendosura në objekte që janë në pronësi të partisë, ndërsa të tjerat janë në objekte të trashëguara nga subjekti i mëparshëm juridik ose janë marrë me qira. Por, auditorët nuk kanë marrë të dhëna se ku janë vendosur 42 organizatat e tjera komunale.

Në të njëjtin vit auditorët nuk kanë marrë të dhëna për mënyrën e rregullimit të të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella të partisë BDI me subjektet juridike ose personat fizikë, ku partia përdor hapësirën afariste, përveç për selinë e partisë. Ndërsa, me revizionin e kryer te partia PDSH në vitin 2012, megjithatë, është konstatuar se “partia nuk posedon prova të mjaftueshme për të konfirmuar numrin e degëve që përdorin hapësira afariste, selinë e tyre dhe mënyrën e përdorimit të tyre (me ose pa kompensim).

“Objektivi primar i Entit Shtetëror të Revizionit është të kryejmë revizion të punës financiare dhe materiale të partisë dhe njëkohësisht e kontrollojmë edhe pasurinë e partive, por për këtë gjë nuk bëjmë raporte të veçanta, por ajo është përmendur në raportet e rregullta të cilat i përpilojmë për partitë politike”, tha Mijallçe Durgutov, zëdhënësi i Entit Shtetëror të Revizionit.

vanja mihajlova

Vanja Mihajllova

Vanja Mihajllova, ekspert kundër korrupsionit thotë se është e habitur nga fakti se sa e madhe është prona të cilën e posedojnë partitë politike. Sipas saj, puna e partive duhet të jetë publike.

“Prona blihet me para, kurse Drejtoria e të Hyrave Publike i kontrollon ato. Partitë duhen që në llogarinë e tyre përfundimtare të thonë se nga e kanë prejardhjen ato mjete me të cilat kanë blerë pronën dhe nëse është paguar tatimi. Roli kryesor në kontrollin e pasurisë së partive duhet ta ketë DHP-ja. Për fat të keq, asnjëra parti nuk është transparente aq sa duhet në lidhje me burimet e financimit, edhe pse ligjet i obligojnë që puna e tyre të jetë publike”, thekson Mihajllova. Të njëjtin qëndrim e ka edhe ish-kryetari i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit, Dragan Malinovski, i cili thotë se blerja e pronës së partive duhet të jetë në fokusin e interesit të auditorëve. Ai shton se partitë duhet që në raportin vjetor t’i shkruajnë edhe të dhënat për pasurinë e fituar.

Saso-Ordanoski

Sasho Ordanovski

“Në Maqedoni ka ligje të mjaftueshme që rregullojnë pronën e të gjithëve, madje edhe të partive. Në këtë kuptim, ka dhjetëra institucione përgjegjëse për origjinën e asaj prone: DHP-ja, Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit, Prokuroria Publike, Policia Financiare etj. Unë nuk mendoj se nevojitet një ligj të ri për shkak se kjo çështje rregullohet me ligjet ekzistuese. Për shembull, kur do të paguani 1.7 milionë dollarë për lobistët në Uashington, ka të paktën pesë institucione të cilat duhet të reagojnë,  të ju thërrasin dhe të ju pyesin se nga i keni ato mjete. Për shkak se në Maqedoni nuk funksionojnë institucionet merret një përshtypje se ka nevojë për ligje shtesë për fushat që tashmë janë të rregulluara me ligj”, komenton analisti Sasho Ordanovski.

suad misini

Suad Misini

Analisti Suad Misini mendon se partitë janë tërësisht jo transparente në raportimin dhe posedimin e pronës. “Kjo dëshmohet në dy mënyra – nëse prona është e blerë, ajo nuk shihet përmes raporteve financiare, kurse nëse është e dhuruar, ajo nuk mund të shihet përmes regjistrit të donacioneve, i cili, sipas ligjit, duhet të publikohet dhe të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët”, thotë ai. Misini shton: “Në ciklet e mëparshme zgjedhore, VMRO-DPMNE-ja kishte, nëse mund të them kështu, një ngjarje me blerjen e pronave të cilën Enti Shtetëror i Revizionit e shënoi si një problem në lidhje me raportimin e kontratave për marrje me qira të shtabeve komunale, lokale dhe partiake, por nuk iu referua pronave të cilat më vonë u dëshmua se janë të blera, gjegjësisht VMRO-DPMNE-ja deklaroi se i ka blerë ato”.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)