QENTË ENDACAKË VIKTIMA TË NJERËZVE TË ÇMENDUR – INSTITUCIONET “TË VDEKURA”

Autorë: Evgenija Janakievska dhe Nikolla Rasho Radullov

 

Në kushte kur institucionet nuk kujdesen për qentë endacakë, i gjithë problemi është lënë në duart e organizatave joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

 

Gazetarja Meri Jordanovska është një nga aktivistët e parë në Maqedoni, e cila lufton për një trajtim më të mirë të institucioneve dhe njerëzve ndaj kafshëve.

Vetëm qytetarët dhe ata që nuk i duan kafshët dhe ata që i duan shumë kafshët përpiqen të alarmojnë se ekziston problemi. Shurdhësia e institucioneve në këtë pjesë është enorme”, thotë ajo.

Përveç gazetarisë, Jordanovska është aktiviste edhe në Asociacionin e aktivistëve për të drejtat e kafshëve. Ajo thotë se këtu problemi me kafshët endacake duhet të trajtohet si një problem komunal, ndërsa trajtohet si një problem i rastësishëm.

Trajtimi i qenve dhe kafshëve të tjera shtëpiake, fati i të cilave në vend të jetë pronari është rruga, dhe gjendja ku ata janë të uritur dhe të maltretuar, është një pasqyrim i johumanitetit të përgjithshëm shoqëror dhe mungesës së kulturës.

KOMUNAT NUK KANË AS PARA, AS SENS PËR PROBLEMIN   

Për këtë çështje, Republika e Maqedonisë ndër vendet evropiane është në fund. Legjislacioni është modest, institucionet janë inerte. Qeniet e pafajshme thjeshtë e gjejnë fatin e tyre tek një numër i vogël i dashamirëve të përkushtuar ndaj kafshëve të braktisura shtëpiake dhe te disa organizata joqeveritare aktive.

Ne nga Asociacioni përpiqemi që t’i ushqejmë, t’i vaksinojmë, t’i sterilizojmë, por nuk kemi mjete të mjaftueshme”, thotë Jordanovska.

Por, jo të gjithë kanë një sjellje humane ndaj kafshëve. Realiteti në Maqedoni janë helmimet masovike të kafshëve endacake nga individët, por edhe në mënyrë të organizuar nga disa komuna. Rrahjet dhe torturat e çdo lloji janë një dukuri e përditshme. Mediumet kanë regjistruar edhe përdhunime të çmendura të kafshëve, rrahje me një shkop elektrik të një qeni të qetë nga një polic me qëllim që ta provojë shkopin, pastaj varje të qenve në dru në mes të vendbanimit.

Situata u përshkallëzua me vrasjen e paradokohshme të pandjeshme dhe me gjakftohtësi të qenit Idriz në lagjen e Shkupit Bunjakovec, para kafesë “Radio Bar”. Një banor i fqinjësisë, nën pretekstin se qeni Idriz ka sulmuar një anëtar të familjes së tij, përpara shumë dëshmitarëve me goditje me sëpatë në mes të rrugës dhe në mes të ditës e vrau kanakarin e mëhallës.

Qytetarët dolën në protesta para shtëpisë së personit i cili vrau qenin. Nën presionin e tillë të opinionit, MPB-ja ngriti kallëzim penal kundër kryerësit. Por, deri tani nuk ka njohuri se deri ku është procedura, as për këtë rast, e as për ndonjë rast të ngjashëm.

Institucionet janë inerte dhe për shkak të këtij fakti qentë endacakë dhe kafshët e tjera shtëpiake, fati i të cilave është rruga, edhe më tej mbeten të pambrojtur dhe në rrezik të njerëzve me sjellje çnjerëzore.

Nuk kushtohet vëmendje derisa nuk ndodh diçka, siç ishte rasti në Kërçovë, kur kafshët shtëpiake sulmuan një fëmijë, që pastaj të ngrihet çështja edhe për praninë e kafshëve endacake, ndërsa nga ana tjetër komunat marrin shumë pak të holla që të mund të ballafaqohen me problemin. Bëhet fjalë për rreth 5.000 eurosh në vit, kjo shumë aspak nuk është e mjaftueshme që të mund të reagohet në mënyrë përkatëse për këtë problem“, tha Jordanovska.

“Dhe kështu, mendon ajo, ata mbeten të shurdhër për këtë problem, nuk kanë para të mjaftueshme për të hapur stacionarë”.   

Por, Jordanovska thotë se komunat nuk kanë as sens të mjaftueshëm që të kujdesen për sterilizim, të kërkojnë mjete nga jashtë, nga burime të tjera, të kërkojnë projekte, të realizojnë ndonjë bashkëpunim me organizatat joqeveritare.

 

SHQETËSIM PËR KAFSHËT, POR EDHE PËR FËMIJËT

 

Nga Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima mundi”, thonë se për ngjarje të ndryshme siç ishte rasti me qenin Idriz, do të ngrihen kallëzime penale për më shumë arsye. Dënimi mund të jetë edhe deri pesë vjet burgim e ndoshta më shumë.

Shumë pronarë i braktisin qentë e tyre. Të frikësuara për vdekje ose të rrezikshme dhe agresive, kafshët endacakë janë lënë në mëshirë të fatit. Kafshët shumohen në mënyrë të pakontrolluar, numri i tyre në rrugë në të gjitha qytetet është në rritje nga viti në vit. Problemi përshkallëzohet gjithnjë e më shumë, ndërsa institucionet kompetente janë vetëm me lëvdata për punën e tyre, por edhe me arsyetime dhe me bartje të kompetencës.

 

Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të shqetësuar seriozisht për kafshët, dhe një pjesë e tyre kanë frikë për veten dhe fëmijët e tyre. Në Facebook – grupet ku janë anëtarë dashamirët e kafshëve dhe vullnetarët e shoqatave aktiviste publikohen për çdo ditë paralajmërime për helmime masovike nëpër komunat e Republikës së Maqedonisë. Ka shumë dëshmi për sjelljen e pamëshirshme të shërbimeve të kapësve të qenve endacakë dhe sjelljen brutale ndaj kafshëve nga ana e individëve, të cilët kalojnë pa u ndëshkuar.

Situata me kafshët endacake në vend është jashtë kontrollit.

 

Anketa e realizuar nga ana e ekipit të gazetarëve të SCOOP-it tregoi se qytetarët kanë pothuajse mendime të ngjashme. Sipas tyre, duhet patjetër të gjendet një mënyrë për të ndryshuar situatën. Zgjidhja më e shpeshtë e mundshme shihet në ndërtimin e stacionarëve. Qytetarët e anketuar dënojnë sjelljet e dhunshme të individëve dhe mosinteresimi i institucioneve. Disa nga ata kanë frikë nga qentë, por megjithatë dënojmë çdo dhunë ndaj tyre.

 

ÇFARË NDODH ME STACIONARIN “VARDARISHTE”?

 

Ky është i vetmi stacionar në vend. Me informacione jo të përditësuara të faqes së internetit dhe pa adresë elektronike. Aktivistët me sloganin “Dry për stacionarin Vardarishte” me indinjatë tregojnë për situatën në stacionar dhe disa herë në vitet e fundit dilnin në protesta kundër trajtimit të qenve endacakë.

Por, në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” nga Shkupi thonë se çdo gjë është në rregull. Në përgjigjen e tyre ndaj kërkesës sonë për qasje të lirë deri te informatat, thuhet se “Stacionari Vardarishte punon me hapësira adekuate për një trajtim mjekësor dhe me kafaze-boksa për strehim“.  “I ka në përgjithësi dhe u përmbahet rregullave të përcaktuara në Rregulloren për kushtet teknike të strehimoreve, sigurojnë shërbime veterinare dhe një organizatë referente veterinare për trajtimin e kafshëve endacake – Spitali Veterinar SHPK Shkup, si dhe një personel i trajnuar që kujdeset për qentë e kapur endacakë”.

Në përgjigjen thuhet se “Për eutanazinë e kafshëve shtëpiake vendos mjeku i mjekësisë veterinare në bazë të rregullave ligjore, ndërsa pas vdekjes, kafshët e vdekura largohen në bazë të rregullave – varrosen në gropën e ndërtuar të posaçme për varrim në deponinë sanitare Drisla”.   

Por, Meri Jordanovska nga Asociacioni i aktivistëve për të drejtat e kafshëve thotë se stacionari “Vardarishte” është një institucion jashtëzakonisht jo transparent.

“Kur do ta shihni furgonin e stacionarit ‘Vardarishte’ në të cilin shkruan “Trajtimi human i qenve endacakë”, ju keni një ndjenjë se bëhet fjalë për një vend idilik, me bar mbi të cilin vrapojnë qentë. Por, kur do të hyni atje do të shihni se është në të vërtetë një vend horor”, thotë ajo.   

Sipas Jordanovskës, sapo do të hyni, në derë shkruan se fotografimi ose incizimi është i ndaluar.

Një institucion që duhet të japë një trajtim human, nuk do të duhej të më jepte ndjenjën se kur do të hyj atje do të ndjehem sikur të kem hyrë në DSK-në”, thekson ajo.

Jordanovska thotë se deri para një kohe stacionari “Vardarishte” nuk punonte gjatë vikendeve, ndërsa gjatë javës punonte deri në orën 14. Aktivistët nuk kanë pasur mundësi të hyjnë për t’i shëtitur dhe për t’i ushqyer qentë.

“Ne shikonim atje bushtra të kapura me 10 këlyshë të cilët në të vërtetë vdesin të mbyllur në një kafaz dhe askush nuk kujdeset për ta. Mendoj se njerëzit që punojnë atje nuk janë dashamirë të kafshëve”, konsideron Jordanovska.

Aktivistja Venera Petkovska thotë se kur është hapur stacionari “Vardarishte”, shpresat se do të zgjidhet problemi me kafshët endacakë kanë qenë të mëdha. Dashamirët e kafshëve e kanë paramenduar atë si një idil.

Stacionari ‘Vardarishte’ si një objekt është shumë i mirë, por e menaxhojnë njerëz të papërgjegjshëm dhe të paaftë. Ka ndodhur që të vdesë një qen dhe ne të vijmë për të ndihmuar. E shohim qenin, thërrasim të punësuarit, por ata nuk reagojnë. Ata nuk janë të shqetësuar nga momenti se qeni vdes”, thotë ajo.  

Vildana Sadikoska nga shoqata “Animalija” nga Ohri thotë se kompetentët me vite të tëra të vetmen gjë që e bëjnë është dislokimi i qenve.

“Ne bëjmë një shkëmbim midis qyteteve, kurse shoqatat mendojmë se çfarë të bëjnë me ata qen. Është një sekret publik se i helmojnë qentë, por deri më tani nuk kemi gjetur asnjë provë. Periudha kur bëhet kjo, konkretisht në Ohër, është në periudhën e verës, para sezonit”, thotë ajo.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë na u përgjigjën se për regjistrimin e kafshëve endacake, shënimin e tyre me çipa dhe vaksinimin e tyre janë përgjegjëse strehimoret, përkatësisht komunat. Pastaj, në pyetjen se cila është strategjia e tyre për ballafaqimin me problemin e kafshëve endacake në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016, në u përgjigjën se momentalisht janë duke punuar në një strategji për mirëqenien e kafshëve, duke përfshirë edhe kafshët endacake, ndërsa në pyetjen se cilat janë rezultatet e tyre të matshme nga aktivitetet e deritanishme, na u përgjigjën se ende nuk kanë asnjëfarë rezultatesh të matshme.

Kemi dërguar një kërkesë për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik deri te të gjitha komunat në territorin e Republikës së Maqedonisë. Pothuajse asnjë nga komunat e Maqedonisë nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për t’u ballafaquar me këtë problem. Edhe pse nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i kanë identifikuar pikërisht vetëqeverisjet lokale si përgjegjëse për këtë çështje. Deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje nga të gjitha komunat, ndërsa nga ato nga të cilat kemi marrë përgjigje, asnjë nga ato komuna nuk ka regjistër. Vetëm një pjesë e komunave bashkëpunojnë me shërbimet e kapësve të qenve endacakë, kurse pjesa më e madhe e tyre nuk ndërmarrin asnjë masë, vaksinimi i kafshëve, shënimi i tyre me çipa ose strehimi. Një pjesë e tyre u përgjigjën se momentalisht janë duke hartuar një strategji për të ardhmen.

 

Ligji për mirëqenien e kafshëve:

kafshët të trajnohen si qenie të gjalla në mënyrën që është më e përshtatshme për nevojat e tyre në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat nënligjore të miratuara në bazë të këtij ligji;

personat që janë përgjegjës për kafshët dhe mbrojnë mirëqenien e tyre të sigurojnë që:

kafshët të mos ekspozohen në uri dhe etje;

kafshët të mbrohen nga parehatia dhe të vendosen në një ambient që është i përshtatshëm për llojin e tyre;

kafshët të mbrohen nga dhembja, lëndimi ose sëmundja;

për kafshët të mundësohet një sjellje normale dhe

kafshët të mos ekspozohen në frikë dhe ankth.

zëvendësimi dhe zvogëlimi i përdorimit të kafshëve në procedura dhe përmirësimi i kushteve të strehimit, trajtimit dhe përdorimit të kafshëve në procedura;

mbikëqyrja dhe kontrolli efikas i zbatimit të dispozitave të këtij ligji;

të nxitet një bashkëpunim efektiv midis subjekteve që janë kompetente për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve.

pronarët nuk guxojnë ti braktisin kanakarët shtëpiakë 

ndalohen këto intervenime ndaj kafshëve: intervenime kirurgjike për modifikimin e dukjes së kafshëve, shkurtimi i bishtit dhe prerja e veshëve, devokalizimi, prerja e kthetrave dhe heqja e dhëmbëve.    

komuna, komunat e Qytetit të Shkupit, gjegjësisht Qyteti i Shkupit, janë kompetentë të kryejnë mbledhjen e qenve endacakë, përkatësisht të qenve të paregjistruar dhe atyre të regjistruar nëse i gjejnë në hapësira publike pa praninë e pronarit dhe t’i vendosin përkohësisht në objekte adekuate – strehimore.

gjuajtja e qenve endacakë kryhet nga ana e personave të kualifikuar në mënyrën e cila nuk do të shkaktojë një dhembje ose vuajtje të panevojshme.

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)