- Në Maqedoni ekzistojnë mes 300 dhe 400 mijë qytetarë të cilët janë me aftësi të kufizuara ose të lidhur me persona me aftësi të kufizuara
- Vetëm 19% e komunave kanë një qasshmëri të tërësishme, ndërsa 34% janë jo të qasshme
- Personat me aftësi të kufizuara, nëpërmjet Koçovskës nga Polio plus, kanë një porosi shumë të fortë për institucionet dhe opinionin: Qasja e pabarabartë është e barabartë me shkelje!
Shkruan: Goran Lefkov
Elena Koçoska është udhëheqës programi në organizatën joqeveritare “Polio Plus”. Një luftëtare e madhe për nga natyra. Ajo përpiqet që përmes aktivitetit të saj ta ndihmojë veten dhe pjesën tjetër të personave me aftësi të kufizuara.
“Nga 15 deri 20% e popullsisë së përgjithshme i takon komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, pa marrë numrin e personave të cilët janë të prekur në mënyrë indirekte nga situata e aftësive të kufizuara. Kështu që, në Maqedoni ka një numër mjaftë të madh të personave me aftësi të kufizuara”.
Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Maqedoni ekzistojnë mes 300 dhe 400 mijë qytetarë të cilët janë me aftësi të kufizuara ose të lidhur me persona me aftësi të kufizuara.
“Për fat të keq, e drejta për qasshmëri në vendin tonë është kuptuar shumë pak nga ana e institucioneve, por edhe nga njerëzit pa aftësi të kufizuara. Në një nga hulumtimet të cilat i kemi pasur këtë vit, ku i kemi pyetur vetë personat me aftësi të kufizuara nëse e kanë realizuar të drejtën e qasshmërisë, 99% kanë thënë se nuk mund ta gëzonin të drejtën e qasshmërisë”, thotë Koçovska. “Mosrealizimi i së drejtës së qasshmërisë të personave me aftësi të kufizuara paraqet diskriminim. Kjo do të thotë se shteti bën një diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuara.”
INSTITUCIONET NUK MBAJNË LLOGARI PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Se është ashtu, ekipi i SCOOP-it u bind në Kumanovë. Para ndërtesës komunale kishte një person me aftësi të kufizuara që donte të hynte në ndërtesë. Por, tri shkallët që mundësojnë hyrjen në ndërtesën e komunës, për këtë person ishin si tri male. Nga komuna e Kumanovës nuk doli askush për ta ndihmuar atë. Së pari menduam se nuk e kanë vërejtur, por së shpejti u paraqit një njeri nga komuna. Menduam se po dilte për të ndihmuar djalin e mjerë. Por, shpejt e kuptuam se në fokusin e interesit të nëpunësit komunal është kamera e SCOOP-it Maqedoni, kështu që ai na pyetën se çfarë po incizonim. Që saga dhe hidhërimi në shpirtin e njerëzve me aftësi të kufizuara në Kumanovë të jetë edhe më i madh, në pothuajse 20 metra nga ndërtesa e komunës gjendet gjykata themelore, por në këtë institucion kishte sadopak qasje për personat me aftësi të kufizuara.
Talat Agush, banor i ri i Kumanovës dhe jurist i diplomuar, i cili mori pjesë në hulumtimin për zbatimin e parimeve Sigma për qeverisjen e mirë për territorin e Kumanovës, Kratovës dhe Kriva Pallankës, nuk ishte i kënaqur me rezultatet në pjesën e qasshmërisë.
“Nuk janë të qasshme ndërtesat e komunave, gjegjësisht komuna e Kriva Pallankës është e qasshme në hyrjen e saj, por në katet e tjera ku ka shkallë nuk është e qasshme. Nuk janë të qasshme komunat për personat me aftësi të kufizuara.”, thotë Agush. “Nga tri komunat, që është interesante, vetëm komuna e Kratovës ka emëruar një person i cili është përgjegjës për personat me aftësi të kufizuara.”
GATI GJYSMA E INSTITUCIONEVE – JO TE QASSHME
Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve, të grumbulluara nga komunat në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike”, qasshmëria për personat me aftësi të kufizuara deri te ndërtesat e komunave është e parealizuar. Vetëm 19% e komunave kanë një qasshmëri të tërësishme, ndërsa 34% janë jo të qasshme.
Qasshmëria njësoj sikur në Kumanovë është problematike edhe në Veles. E kemi pyetur Kryetarin e komunës Ace Kocevski se sa është e qasshme ndërtesa komunale, ai nuk na u përgjigj nëse është e qasshme, por se çfarë do të bëjnë në të ardhmen lidhur me qasshmërinë.
“Kemi planifikuar të ndërtojmë një platformë që të mund të lejojmë një qasje deri në katin e sipërm për personat me aftësi të kufizuara. Në institucionet e tjera po përpiqemi të bëjmë rampa me qasje, madje në bibliotekën kemi bërë një konstruksion që ta bëjmë të jetë e qasshme për personat me aftësi të kufizuara”, thotë ai.
Problemet të cilat i kanë personat me aftësi të kufizuara janë shumë të mëdha. Komunat nuk janë të qasshme për ta, ndërsa hyrja brenda është një mision i pamundur.
“Në përgjithësi, komunat nuk kanë siguruar një qasshmëri deri në ndërtesat e tyre, e të mos flasim për brenda. Ato nuk kanë një shteg përkatës për t’i arritur deri tek ato, nuk kanë një vend të shënuar parkimi pranë tyre, më shpesh kur do të shihni se kanë shënuar ose kanë vendosur ndonjë rampë, ajo rampë në fakt nuk është rampë”, thotë Koçovska. “Ekzistojnë disa standarde të cilat Maqedonia është detyruar se do t’i respektojë dhe t’i zbatojë. Ne, për fat të keq, nuk i zbatojmë këto standarde. Jo se ne nuk i njohim, por nuk i zbatojmë ato.”
Hulumtimi i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve tregoi se 83% e komunave kanë emëruar një person për t’i ndihmuar qytetarët me aftësi t kufizuara, por 78% prej tyre nuk e kanë publikuar këtë informatë në faqet e internetit të komunave.
Për dallim nga Velesi dhe Kumanova, ndërtesa komunale e Studeniçanit ka bërë diçka për t’i ndihmuar personat ne aftësi të kufizuara.
Burhanedin Nuhiju, sekretar i Komunës së Studeniçanit, thotë se komuna ka një person, i cili është vendosur në faqen e internetit si person përgjegjës për komunikim me personat me aftësi të kufizuara. “Kemi një rampë për qasje që është vendosur në hyrjen e ndërtesës administrative. Kemi dërguar një njoftim deri te të gjitha institucionet publike, siç janë ambulancat, shkollat se janë të detyruara me ligj për të vendosur rampa për qasje.”
Por, a është kjo e mjaftueshme që të mund të lëvizen personat me aftësi të kufizuara?
“Personi duhet vetë të mund të kalojë rampën pa e shtyrë dikush atë. Nëse e shtyn dikush, atëherë ka problem. Rampa nuk është rampë. Nëse duhet të më dërgoni mua që ta kaloj rampën, atëherë kemi problem.”, thotë Koçovska nga Polio plus. “Me Ligjin për ndërtim, të gjitha objektet publike dhe private kanë obligim që të kenë një qasje deri ato dhe brenda tyre për qytetarët me aftësi të kufizuara dhe përveç kësaj ato kanë një obligim shtesë që të bëjnë shtigje taktile për personat me shikim të dëmtuar dhe të shënojnë vende parkimi për personat me aftësi të kufizuara me sinjalizim horizontal dhe vertikal.”
LIGJET I GARANTOJNË TË DREJTAT, INSTITUCIONET NUK I RESPEKTOJNË
Kompetentët thonë se bëhet fjalë për implementimin e ligjeve të cilat garantojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por në terren gjendjet janë të ndryshme.
Por jo vetëm qasshmëria fizike është pengesë për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
“Duhet shumë më tepër të punohet për qasshmërinë fizike të personave me aftësi të kufizuara në ndërtesat e komunave dhe në ndërtesat e të gjitha institucioneve shtetërore, por ajo që nuk duhet të lihet pas dore është zhvillimi gjithnjë më i madh i teknologjive digjitale dhe avancimi i të ashtuquajturës qasshmëri elektronike ose qasshmëria në internet për personat me aftësi të kufizuara”, thotë Martin Todevski, Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve.
Koçovska, ndërkaq, vlerëson se përveç mungesës së qasshmërisë fizike, komunat nuk kanë, e as nuk kanë rregulluar se do të japin informacione të qasshme ose nuk kanë në dispozicion informacione për qytetarët me aftësi të kufizuara. “Asnjë informacion nuk e kanë të qasshme dhe nuk kanë në dispozicion në formatin e duhur.”
Kristijan Llazarev nga OJQ-ja “Hapni dritaret” thotë se faqet e internetit të komunave të Republikës së Maqedonisë janë shumë pak të qasshme ose pjesërisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. “Këtu duhet të përmend se për disa kategori të aftësive të kufizuara, ajo qasshmëri është më e madhe, ndërsa për disa kategori është më e vogël.#
Megjithatë, punët lëvizin ngadalë drejt implementimit të teknologjisë ndihmëse.
“Kohët e fundit, faqet e internetit deri në njëfarë mase janë të qasshme, për dallim nga 10 më parë kur as vetë softueri nga pjesa ndihmëse, i cili na ndihmon, nuk ishte i zhvilluar.”, thotë Lazarev. “Në Maqedoni ende ka shumë hapësirë që të bëhen shumë punë për të arritur në një ambient të mirë në të cilin, kur do të lidhemi me internetin, kur do të shkojmë atje, të kemi mundësi të punojmë edhe ne që jemi persona me aftësi të kufizuara, të ndjehemi të barabartë sikurse personat e tjerë pa aftësi të kufizuara.”
KOMUNAT NUK KOMUNIKOJNË ME PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve tashmë një kohë të gjatë i ndjek gjendjet e faqeve të internetit të komunave.
“Në kuadër të projektit, kemi analizuar të gjitha faqet e internetit të komunave, lidhur me atë se sa e përmbushin standardin e qasshmërisë në internet, për këtë gjë ka mjete të automatizuara për testim dhe ka treguar se mesatarisht ka nga 25 gabime në ballinën e faqeve të internetit, sepse i kemi analizuar ballinat e faqeve të internetit”, thotë Martin Todevski nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve. “Personat me epilepsi të ndjeshme ndaj dritës kanë problem kur kanë qasje deri tek elementet e shkëlqyeshme, siç janë për shembull banerat që shkëlqejnë”.
Llazarev nga organizata joqeveritare “Hapni drityret” thotë se, në këtë kohë të zhvillimit të shpejtë teknologjik, mund të gjendet zgjidhja pikërisht në teknologjinë. “Në pjesën e softuerit hyjnë kryesisht lexuesit e ekranit, ajo është një teknologji të cilën e përdorin personat me shikim tërësisht të dëmtuar dhe shikim pjesërisht të dëmtuar, pastaj hyjnë disa përforcues të zërit, këtu hyjnë edhe “klouse kapchers”, si ta quaj atë në maqedonisht, ajo është një teknologji që përdoren njerëzit e shurdhër dhe e përdorin për të kuptuar ndonjë pjesë verbale të disa videove ose të ngjashme.”
Personat me aftësi të kufizuara, nëpërmjet Koçovskës nga Polio plus, kanë një porosi shumë të fortë për institucionet dhe opinionin: Qasja e pabarabartë është e barabartë me shkelje!
* Ky hulumtim u prodhua me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike në ruajtjen e vlerave të qeverisjes së mirë”. Përmbajtja në video është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Gazetarinë Hulumtuese SCOOP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.
* Storja mbështetet nga QGH SCOOP Maqedonia në kuadër të projektit të NED “Promovimi i përgjegjësisë përmes raportimit investigativ”.