SHEQERINSKA, XHAFERI, DURLLOVSKI DHE RASHIDI: KUSH ËSHTË MË I PASUR?

Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

Zëvendës-kryeministrja dhe ministre e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska është përgjegjëse për ta udhëhequr njësinë e pestë zgjedhore, së bashku me deputetin aktual, Jovan Mitreski. Në krye të listës së VMRO-DPMNE-së është emëruar këngëtari i operës Igor Durllovski, BDI-ja do të udhëhiqet nga spikeri Talat Xhaferi, ndërsa koalicioni ASH-Alternativa nga Surija Rashidi.

Të gjithë me një karrierë të pasur politike dhe institucionale dhe me fletë mjaft të gjata pronësore.

Njësia zgjedhore 5 është një nga gjashtë njësitë zgjedhore në Maqedoni. Kjo njësi zgjedhore përfshin komuna të Maqedonisë jugperëndimore, gjithsej 14, ndër të cilat janë: Manastiri (pjesa më e madhe), Ohri, Struga, Kërçova (një pjesë), Resnjë, Demir Hisari, Krusheva, Dollneni, Vevçani, Pllasnica, Dibra, Mavrova dhe Rostushi, Debarca, Krivogashtani (një pjesë) dhe Qendra Zhupë.    

SHEQERINSKA ME PRONË ME VLERË PREJ 330 MIJË EUROSH, DYFISH MË SHUMË SE MITRESKI

Radmilla Sheqerinska vjen në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes në vitin 2017. Paraprakisht, ajo ishte zëvendës-kryeministër i integrimeve evropiane në periudhën e viteve 2002-2006, ndërsa nga viti 2006 deri në vitin 2008 është kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.

Kur vjen në funksionin e ministres së mbrojtjes, ajo deklaron pronë në vlerë prej 330.957 eurosh. Nga kabineti i Radmilla Sheqerinskës në një deklaratë për SCOOP-in atëherë kanë konfirmuar gjendjen pronësore të ministres, me përjashtim të së dhënës për garanci për kredinë konsumatore në vlerë prej 6.907 eurosh.

Në qershor të vitit 2019 u shënua ndryshim në pronën e Sheqerinskës. Në fletën e saj pronësore ajo ka shtuar automjetin motorik “BRBCAN AM Outlander MAX XT-P1000 T 3 B ABS” me vlerë prej 15 mijë eurosh, në pronësi të bashkëshortit të saj. Ajo ka marrë edhe një kredi me vlerë prej 25 mijë eurosh, afati për kthim i së cilës është viti 2024.

“Bëhet fjalë për një automjet të ri motorik, të deklaruar në mënyrë të drejtë si një pronë e re e fituar e shokut martesor në vlerë prej 927.000 denarësh, për pagesën e të cilit, siç është specifikuar në formularin e KSHPK-së për deklarimin e ndryshimeve të gjendjes pronësore, është marrë një kredi konsumatore me afat të shlyerjes deri në vitin 2024”, deklaruan atëherë nga kabineti i ministres Sheqerinska.

Në hulumtimin GJASHTË MINISTRAT MË TË PASUR PESHOJNË 35 MILIONË EURO, SCOOP-i mori informacion se Radmilla Sheqerinska është e vetmja nga ministrat aktualë e cila nuk ka automobil.

Gjendja aktuale pronësore e zëvendës-kryeministres nuk është në dispozicion në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK), për të cilën gjë nuk morëm shpjegim.   

Jovan Mitreski është deputet aktual në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me ardhjen e tij në këtë funksion, Mitreski deklaron në Komisionin Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit pronë në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh. Prona e tij atëherë, por edhe sot, sepse nuk janë specifikuar ndryshime, përbëhet nga pjesëmarrje në vlerë prej 5.174 eurosh dhe një kredi me shumë prej 6.829 eurosh. Bashkëshortja e tij ka një kredi me shumë prej 9.756 eurosh dhe një depozitë në denarë me shumë prej 6.829 eurosh. Ajo posedon edhe dy automobila “Lada Niva” me vlerë prej 1.951 eurosh dhe “Ford Mondeo” me vlerë prej 2.927 eurosh. Prindërit e Mitreskit posedojnë pronë në Strugë, edhe atë: vresht në vlerë prej 16.260 eurosh, një shtëpi me vlerë prej 73.171 eurosh, një shtëpi për pushim në vlerë prej 9.756 eurosh, tokë me vlerë prej 8.455 eurosh dhe një tokë ndërtimore me vlerë prej 8.130 eurosh. 

Në hulumtimin e SCOOP-it DEPUTETË-BIZNESMENË NUK I KANË DEKLARUAR FIRMAT E TYRE NË KSHPK-në, deputeti Mitreski, sipas të dhënave të Regjistrit Qendror të Maqedonisë që i ka marrë SCOOP-i, u përmend si pronar i kompanisë “ANA KONSALTING”, shoqatë të cilën ai nuk e ka specifikuar në fletën e tij pronësore.

 

DURLLOVSKI “PESHON” 270 MIJË EURO

Igor Durllovski është këngëtar maqedonas i operës. Ai ishte një nga prijësit e protestave të organizuara nga organizata “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilat përfunduan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill 2017, për të cilën gjë mori arrest shtëpiak.   

Durllovski, ndryshe ishte profesor në Fakultetin e arteve muzikore dhe drejtor i Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Menjëherë pas ngjarjeve të së enjtes së përgjakshme ai theksoi se tërhiqet nga organizata “Për Maqedoni të përbashkët”, e pastaj vijonte edhe tërheqja nga të gjitha funksionet e tija në vend.

Në faqen e internetit të KSHPK-së ende qëndron fleta pronësore e Igor Durllovskit si drejtor i OBM-së, e cila është me vlerë prej 270 mijë eurosh dhe përbëhet nga një shtëpi dhe një tokë në Shkup dhe automjetet motorike “KIA Sportage” dhe “Chrysler Grand Voyager”, të gjitha në emër të tij.     

 

XHAFERI KA DEKLARUAR PRONË NË VLERË PREJ 266 MIJË EUROSH, RASHIDI E KA RRITUR PRONËN E TIJ

Talat Xhaferi është politikan, ish ministër i mbrojtjes dhe kryetar aktual i Kuvendit të Maqedonisë. Në zgjedhjet e ardhshme, ai do të jetë prijës në njësinë zgjedhore 5.

Fleta momentale pronësore e Xhaferit, e deklaruar në KSHPK-në, është me vlerë prej 266 mijë eurosh dhe përbëhet nga një shtëpi në fshatin Forinë, banesë në Shkup, katër automjete motorike ndër të cilat “BMW”, “Volkswagen Buba” në emër të fëmijëve të tij dhe dy automjete Audi A4 të specifikuara si pronë personale. Përveç kësaj, në fletën pronësore ka specifikuar edhe rrogën e shokut martesor, si dhe dy kredi. Në krahasim me pronën e tij paraprake si deputet, për të cilën shkruante paraprakisht SCOOP-i, dallimi është vetëm në automjetin e shtuar “BMW” në emër të fëmijëve të tij.

Në hulumtimin e SCOOP-it Nepotizëm: Pushtetet ndërrohen, “të afërmit” mbeten  u zbulua se kompanitë shtetërore ESM dhe MEPSO dolën si kompani në të cilat u punësuan të afërmit e afërm të funksionarëve të garniturës qeverisëse. Konkretisht, në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” u punësuan më shumë të afërm të emrave të njohur, ndër të cilët edhe bija e spikerit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Deputeti aktual Surija Rashidi në zgjedhjet e ardhshme do të jetë bartës në njësinë zgjedhore 5 si përfaqësues i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Deputeti Surija Rashidi ka deklaruar dy automjete motorike. Njëri “Audi A4” është në pronësi të tij me vlerë prej 14.984 eurosh dhe tjetri “Seat Kordoba” në pronësi të bashkëshortes së tij me vlerë prej 8.000 eurosh. Vlera e pronës së deklaruar të Surija Rushidit fillimisht kishte vlerë prej 21.984 eurosh. Me ndryshimin e gjendjes pronësore në të cilën u shtuan një tokë, një livadh, dy vreshta, një pyll dhe një truall me vlerë prej 109.628 eurosh, prona e tij është me vlerë prej 131 mijë eurosh.

Shkruaj një koment

Koment(e)