STRASBURGU – SATISFAKSION PËR GJYQËSINË E PADREJTË TË MAQEDONISË

Daniella Tërpçevska, gazetar redaktor

Angella Rajçevska, gazetar reporter

 

Politikanët, personat publikë, biznesmenët, madje edhe një pjesë e gazetarëve në Maqedoni jo vetëm që ndiejnë një dhimbje më të madhe shpirtërore sesa qytetarët e thjeshtë, por edhe lehtë vendosin të ngrenë padi. Gjykatat, në anën tjetër duket se ua lehtësojnë atyre praktikën e këtillë të frikësimit, duke pranuar edhe paditë në të cilat, sipas përvojës së Strasburgut, nuk ka bazë për shpifje dhe fyerje.

Marroq, idiot, teveqel!” Në qoftë se këto fjalë i përdorni ndonjëherë në një tekst, kolumnë ose koment të tekstit në ndonjë nga mediat në vend, lehtë mund të ndodhë që të përfundoni në gjykatë për shpifje dhe fyerje. Derisa për Gjykatën e Strasburgut këto terma janë të pranueshme nëse nuk bëhet fjalë për një sulm personal ndaj një personi publik, në vendin tonë ato mund të jenë shkak për një padi që mund t’ju kushtojë për disa mijë euro.

 

MAKRADULI, GELEVSKI, FOKUSI PRESIN HABERIN E STRASBURGUT

 

Të zhgënjyer nga rezultati i proceseve gjyqësore, gjobat e larta me të holla, procedurat e gjata dhe të rënda, moszbatimi i përvojave dhe praktikave gjyqësore evropiane, një numër gjithnjë më i madh i qytetarëve vendosin që ta kërkojnë drejtësinë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Edhe pse në vend, edhe para edhe pas miratimit të Ligjit për dekriminalizimin “vlon” nga padi për fyerje dhe shpifje, lëndët e këtilla rrallë përfundojnë në Gjykatën Evropiane. Në fakt, mund të thuhet se Maqedonia deri më tani nuk ka pasur asnjë lëndë që lidhet drejtpërdrejt me shkeljen e nenit 10 – liria e shprehjes nga Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Por, në periudhën e ardhshme pritet që të ngrihen shumë padi në këtë bazë, por edhe të merren aktvendimet e para për të dyja aplikacionet që tashmë janë dërguar në Strasburg – rasti “Gelevski” dhe “Makraduli”. Për dallim nga këtu, lëndë që kanë lidhje me shkeljen e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, e cila ka të bëjë me lirinë e shprehjes, shpesh gjenden në praktikën e Gjykatës së Strasburgut. Numri më i madh i aplikacioneve kanë të bëjnë me vendet e zhvilluara me traditën e gjatë demokratike, siç janë Gjermania, Italia, Austria, Franca, Spanja. Në vendin e parë është Britania e Madhe, edhe pse bëhet fjalë për një vend i cili mund të lavdërohet me një liri të madhe të mediave, por edhe me numrin e madh të padive për shkak të kërcënimit.

Sipas Byrosë së Avokimit të Republikës së Maqedonisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), në bazë të nenit 10 deri më tani janë parashtruar aplikacione për lëndën e Nikolla Gelevskit, si dhe dy aplikacione të bashkuara të parashtruara nga Jani Makraduli, për të cilat ende pritet të merret aktgjykimi. Edhe Gelevski edhe Makraduli ende nuk kanë asnjë haber për rezultatin e ankesave në Strasburg. Në këtë gjykatë, “satisfaksionin moral” kanë vendosur ta kërkojnë edhe redaktorja e javores “Fokus”, Jadranka Kostova dhe gazetari Vllado Apostolov, sërish për aktgjykim për një tekst të publikuar ku rastin e ka fituar paditësi – ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.

Edhe ky rast përfundoi me një aktgjykim të plotfuqishëm dhe tani është në Strasburg“, thotë avokati i tyre, Filip Medarski.

Avokati i Qeverisë, Kostadin Bogdanov thotë se GJEDNJ-ja ka metodologjinë dhe politikën e saj të punës dhe të veprimit, dhe në bazë të kësaj disa lëndë kanë përparësi para të tjerave. Zakonisht, përparësi u jepet rasteve që kanë të bëjnë me nenin 2 (e drejta për jetë), nenin 5 (e drejta për liri dhe siguri), por edhe aplikacionet të cilat trajtojnë disa çështje të tjera të cilat kërkojnë veprim të menjëhershëm, por vetëm me kërkesë të GJEDNJ-së.

“Kjo, sipas përvojës së Byrosë, nuk tregon për një ngecje më të madhe në kohën e nevojshme për komunikacionin e aplikacioneve në bazë të nenit 10 dhe marrjen e aktgjykimit, duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve që janë në fazën e trajtimit në GJEDNJ-në“, thonë nga Byroja e Avokimit.

Vetëm aktgjykimi për rastin “Popovski” tani për tani ka të bëjë me rastin e shprehjes së deklaratave shpifëse të publikuara në një artikull në një gazetë, si një shkelje të së drejtës për respektimin e reputacionit të aplikuesit, të përfshirë me nenin 8 (e drejta për jetë private dhe familjare), me ç’rast është konstatuar edhe shkelja e nenit 6 (e drejta për gjykim të drejtë). Bëhet fjalë për ankesën e Risto Popovskit (daja e Jovan Vranishkovskit), të ngritur kundër shtetit në vitin 2007. Aplikacioni është parashtruar për shkak të procedurës gjyqësore që është zhvilluar paraprakisht në vend për një artikull në gazetën “Utrinski Vesnik” me titull “Daja ka vjedhur, Jovani ka bërë rojë”. Popovski është ankuar para gjykatës së huaj se procedura në Maqedoni ka qenë e tepërt dhe se shteti i paditur, duke pasur parasysh mosefikasitetin e procedurës penale për shpifje, nuk ka arritur ta mbrojë të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Me aktgjykimin në Strasburg të datës 31 tetor 2013, shteti është dashur t’i paguajë paditësit një kompensim prej 4.500 eurosh si një dëmshpërblim të dëmit jo material dhe 2.650 euro për kostot dhe shpenzimet.
Më 10 janar të këtij viti, Gjykata e Strasburgut ka marrë aktgjykimin e parë për Republikën e Maqedonisë lidhur me lirinë e shprehjes për ankesën e Naser Selmanit dhe të tjerëve kundër Republikës së Maqedonisë, i cili u botua më 9 shkurt. Aktgjykimi për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012, kur gazetarët u dëbuan me dhunë nga galeria e Kuvendit, sipas kryetarit të SHGM, Naser Selmani është një konfirmim se nuk respektohet liria e shprehjes dhe është aktgjykimi i parë me të cilin konstatohet shkelja e së drejtës për lirinë e shprehjes dhe për një gjykim të drejtë.

 

EDHE MBI SHEFIN KA NJË SHEF

 

Sipas paralajmërimeve, së shpejti në rendin e ditës mund të gjendej aplikacioni i social-demokratit Jani Makraduli, i cili pothuajse dy vjet pret rezultatin e ankesës së parashtruar në Gjykatën e Strasburgut. Në fakt, bëhet fjalë për dy aplikacione të parashtruara në shtator të vitit 2011 dhe në prill të vitit 2013, të cilat kanë qenë “të komunikuara” (të dërguara) pranë Byrosë më 12 Maj 2015. Bëhet fjalë për dy padi të parashtruara nga ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov, të cilat përfunduan me një aktgjykim në favorin e tij – në rastin e parë Makraduli është dashur t’i paguante Mijallkovit 520.000 denarë ose rreth 8.500 eurosh. Deputeti dhe nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit, në bazë të aktgjykimit, ka shpifur drejtorin e DSK-së se ka keqpërdorur pajisjen për përgjim. Makraduli ka humbur edhe rastin e dytë rreth deklaratave se kush qëndron prapa “lokacionit atraktiv prapa qendrës tregtare Ramstor, ku është dashur të ndërtohej një kompleks hotelesh”. Edhe kësaj here gjykata vendosi se është dëmtuar nderi dhe reputacioni profesional i paditësit Mijallkov. Pas rezultatit të këtillë të procedurave gjyqësore në Shkup, Makraduli ka vendosur të “trokasë” në derën e Gjykatës së Strasburgut për të dëshmuar se nuk kishte kryer asnjë shpifje.

“Për mua gjëja më e rëndësishme ishte që të përfundonte rasti. Tani do të parashtroj një ankesë në Strasburg, sepse unë e di se drejtësia është në anën time dhe do ta fitoj rastin. Në Evropë, asnjë deputet nuk mund të dënohet për shpifje. Gjykata e Strasburgut tashmë ka marrë tri aktgjykime në favor të dy deputetëve nga Spanja dhe një nga Portugalia”, deklaroi Makraduli, pasi Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë kërkesën e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të qytetarit, të përcaktuara në nenin 110, paragrafin 3 të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me lirinë e mendimit dhe shprehjen publike të mendimit dhe ndalimin e diskriminimit të qytetarëve në bazë të përkatësisë politike.

Betejën në gjykatat, si dhe në institucionin më të lartë gjyqësor në vend – Gjykata Kushtetuese, e humbi edhe kolumnisti Nikolla Gelevski. Kryeredaktori i televizionit kombëtar “Sitel” dhe kryeredaktor i gazetës “Veçer”, Dragan Pavloviç Llatas ka fituar padinë private për fyerje dhe shpifje kundër ish-kolumnistit të gazetës “Utrinski Vesnik”, Nikolla Gelevski. Procesi gjyqësor, i cili zgjati gati një vit, është ngritur për shkak të tekstit “Megafonat e sokakut të Firerit”, të publikuar më 31 mars të vitit 2009, me të cilin Gelevski i ka lënduar ndjenjat e Llatasit.

Unë vendosa që pikërisht nga kokëfortësia, pa pritje të mëdha, ta parashtroj ankesën, vetëm për të mos hequr dorë, thjesht për të dëshmuar se edhe mbi shefin ka një shef – dhe se megjithatë diku ka drejtësi“, thotë Gelevski për SCOOP, i cili gjithashtu ka dy vjet që pret rezultatin e vendimit të Strasburgut.

Kjo është një nga dy rastet që i përfaqëson avokati Filip Medarski. Kontesti i dytë është ai ku paditësi ishte ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov, ndërsa u dënuan redaktori i javores “Focus”, Jadranka Kostova dhe gazetari Vllado Apostollov. Padia është ngritur në vitin 2013, për shkak të dy artikujve të publikuar, tekstet e të cilëve janë të bazuara në deklaratat e ish-ambasadorit Igor Ilievski, i cili shpreh akuza kundër ish-shefit të DSK-së. Të gjitha mundësitë juridike rreth aktgjykimit në vend kanë rënë në ujë kur Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën e gazetarëve për të mbrojtur liritë dhe të drejtat, lidhur me aktgjykimin me të cilin ata u gjobuan me të holla për shkelje të nderit dhe reputacionit të Mijallkovit.

Autori i tekstit Vllado Apostollov thotë se edhe sot e kësaj dite nuk e ka të qartë se pse është marrë aktgjykimi kundër tij, kur nuk kishte asnjë bazë për të. “Ne patëm një deklaratë të ambasadorit, i cili akuzoi Mijallkovin se i ka bërë presion, nga Mijallkovi atëherë nuk morëm deklaratë, nuk e morëm as versionin e demantit. E patëm vetëm njërën anë të storjes. Në fund të fundit, gjykata me atë proces, i cili kishte probleme të tjera teknike, le te themi edhe administrative, nuk lejoi që e vërteta të dalë në sipërfaqe, e kjo është puna jonë“.

 

ARSHINËT E NDRYSHËM TË GJYKATAVE

 

Kryeredaktorja e javores Fokus, Jadranka Kostova, duke iu kujtuar procesit të vështirë gjyqësor, thotë se gjyqtarët kanë arshinë të ndryshëm – respektojnë disa standarde evropiane kur padisin eshalonët më të ulët, por kur bëhet fjalë për funksionarë të profilit të lartë, atëherë për të njëjtët gjyqtarë vlejnë disa rregulla të tjera.

Ne e pamë atë kur Sasho Mijallkov paditi kolegun Vllado Apostollov si autor i tekstit dhe mua si kryeredaktor. Padia u pranua fillimisht si një padi nga Sasho Mijallkovi pa asnjë identifikim se kush është. Provoni ju kështu të parashtroni një ankesë, nëse do të kalojë ajo gjë. Gjëja më banale është se që nga vetë fillimi ishim të dënuar për një deklaratë të publikuar nga ish-ambasadori në Çeki. Sipas aktgjykimit, del se ai nuk është një burim relevant për shkak se ai ka qenë ish-ambasador, por edhe për shkak se ka pasur probleme familjare dhe nuk mund të trajtohet si një burim serioz?!”, thotë Kostova.

Një vit pas fillimit të procesit, gjykata mori vendim që javorja “Fokus” t’i paguajë një kompensim Mijallkovit prej rreth 9.000 eurosh për cenim të nderit dhe reputacionit të tij. Për këtë rast Kostova dhe Apostollov kanë aplikuar në Gjykatën e Strasburgut, por janë të vetëdijshëm se i pret një rrugë të gjatë deri në drejtësinë.

„Derisa merret aktgjykimi mund të kalojnë edhe pesë vjet. Por, problemi më i madh është se ajo gjë nuk ka asnjë ndikim ndaj funksionarëve të cilët padisin. Madje gjykata e Strasburgut edhe ta marrë aktgjykimin, të dëmtuarit marrin të holla nga buxheti i shtetit, e jo nga ai që ka bërë gjithë shoun gjyqësor vetëm për të fituar ndonjë “tapi reputacioni”, thotë Kostova

 

 

PËR 15 VJET GJITHSEJ 719 ANKESA PRANË GJEDNJ-së

 

Byroja i Avokimit të Republikës së Maqedonisë pranë GJEDNJ-së nuk ka na dispozicion të dhëna statistikore se sa prej aplikacioneve kanë të bëjnë me ankesat sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me të cilin garantohet liria e shprehjes, e sa kanë të bëjnë me procedurat për shpifje dhe fyerje, të cilat u zhvilluan paraprakisht në gjykatat e Maqedonisë. Raportet vjetore, siç shpjegojnë nga Byroja, nuk përmbajnë një pasqyrë të detajuar nëse bëhet fjalë për procedura për shpifje dhe fyerje.

Në të njëjtën kohë, në Byronë nuk arrijnë të gjitha aplikacionet e parashtruara në Strasburg kundër Republikës së Maqedonisë, por vetëm një pjesë të vogël prej tyre, për të cilat GJEDNJ-ja do të konstatojë se i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë sipas nenit 35 të Konventës dhe si të tilla janë të përshtatshme për të trajtuar më tej“, thonë  nga Byroja e Avokimit.

Sipas terminologjisë së gjykatës, aplikacionet fillimisht “komunikohen” (dërgohen) në Byronë dhe te agjenti qeveritar për shkak të prononcimit me anë të parashtrimit të vërejtjeve me shkrim mbi bazën dhe pranueshmërinë e aplikacionit konkret. Madje pas dy prononcimeve të tilla, duke përfshirë edhe përgatitjen e vërejtjeve dhe komenteve të Qeverisë lidhur me kërkesën e aplikuesve për një kompensim të drejtë, GJEDNJ-ja mund ta procedojë lëndën më tej derisa të merret aktgjykimi.

Si aplikues, në procedurën para Gjykatës së Strasburgut, mund të paraqiten persona fizikë ose juridikë, një organizatë joqeveritare ose një grup individësh që pretendojnë se janë viktimë e shkeljes së të drejtave të Konventës ose të Protokolleve.

 

Duke analizuar strukturën e lëndëve kundër Republikës së Maqedonisë, të cilat janë komunikuar (dërguar) deri te Qeveria e Maqedonisë gjatë 15 viteve të fundit, në periudhën prej vitit 1997 deri në vitin 2015 ka pasur gjithsej 719 ankesa deri në Gjykatën e Strasburgut. Vërejtje më të madhe ankuesit kanë pasur për zhvillimin e procedurave civile, e sidomos atyre kontestuese në sistemin gjyqësor vendas, por një numër të konsiderueshëm të ankesave kanë të bëjnë me procedurat penale dhe administrative.

Ministria e Drejtësisë po shqyrton mundësinë e aplikimit të një forme të veçantë të aktgjykimeve për shpifje dhe fyerje, të bëra sipas shembullit të atyre të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Bëhet fjalë aktgjykime koncize, të qarta, të argumentuara mirë, të cilat në vetvete do të përmbanin përgjigjet e të gjitha pyetjeve që i vlerëson Gjykata e Strasburgut në vendimet e saja. Kështu, qytetarët e pakënaqur të Maqedonisë, të cilët do të vendosin ta padisin shtetin para Gjykatës Ndërkombëtare, shumë më lehtë do të merrnin një përgjigje nga gjykatësit evropianë se nëse në rastin e tyre konkret është shkelur Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

VIJA E KUQE E ETIKËS SË GAZETARËVE

 

Kufiri i shprehjes së gazetarëve është definuar në Kodin e gazetarëve të Maqedonisë. Është shumë e rëndësishme që gazetarët t’i kontrollojnë informacionet e tyre para publikimit të tyre, të paktën nga dy burime të pavarura, por kur është e pamundur ajo gjë duhet të shkruajë se bëhet fjalë për informacione të pakonfirmuara apo spekulime. Gazetarët duhet të sigurojnë palën e dytë në storje, sidomos kur gazetari shpreh dyshime apo akuza për dikë apo kur dikush është objekt i sulmit dhe kritikës. Ajo është vija e kuq e etikës së gazetarëve, të cilën asnjë gazetar profesional nuk duhet ta kalojë.

Sa i përket kufizimit ligjor të lirisë së fjalës, Gjykata Evropiane e kufizon vijën e kuqe me qëllimin e keq të gazetarit. Kjo është situata kur një gazetar me vetëdije shpif dhe fyen me qëllim që të cenojë reputacionin dhe dinjitetin e ndonjë personi. Gjykata gjatë shqyrtimit të këtyre lëndëve, përveç verifikimit të fakteve, kontrollon nëse gazetari ka pasur një qëllim të keq kur ka publikuar ndonjë storje. Gjykata do të mendojë se gazetari nuk ka pasur qëllim të keq të shpifë nëse dëshmon se nuk ka pasur arsye personale të fyejë dikë, ka bërë një përpjekje të mjaftueshme për ta kontrolluar informacionin, ka kërkuar një deklaratë nga pala e përfshirë dhe shkruan storjen sipas standardeve profesionale të objektivitetit dhe paanshmërisë.

“Nuk është karakteristike për një gazetar profesional të përdorë një gjuhë vulgare në komunikim me opinionin. Ai ka një detyrë si gazetar për të ruajtur kulturën e të folurit dhe etikën, sepse duhet të marrë parasysh reputacionin dhe dinjitetin e gazetarisë si profesion. Në vendet e lira dhe demokratike politikanët në përgjithësi nuk padisin gazetarët dhe mediat. Këtë mësim duhet ta mësojnë edhe politikanët e Maqedonisë”, thotë kreu i SHGM-së, Naser Selmani.

Mendime të ngjashme ka edhe ish-ministrja e drejtësisë, Meri Mlladenovska. Sipas saj, personat publikë dhe bartësit e funksioneve politike dhe shtetërore me vetë faktin se kanë pranuar të jenë bartës të funksioneve të këtilla, shkalla e tyre e tolerancës në lidhje me të gjitha çështjet që mund të imponohen në opinion për mënyrën në të cilën e kryejnë funksionin duhet të jetë shumë më e gjerë që të mund të flasim se bëhet fjalë për një shoqëri demokratike.

“Është më shumë për t’u pritur që ndonjë qytetar i zakonshëm, i cili nuk kryen asnjë funksion në qoftë se ndihet i shpifur dhe i fyer, të ngrejë një padi sesa një person publik. Por, në Republikën e Maqedonisë përkundrazi si më të ndjeshëm u tregua në vitet e fundit se janë bartësit e funksioneve shtetërore”, është e qartë Mlladenovska.

Ish-gjykatësja në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska, thotë se në Maqedoni ka një zbatim të kundërt të praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Politikanët në Maqedoni nuk kuptuan se ata janë një objekt i monitorimit më të madh nga ana e opinionit, se ata kryejnë një funksion publik dhe se është normale që interesi për sjelljen e tyre të prezantohet edhe nëpërmjet mediave në të gjitha format.

Ajo që ata ndjehen, në një situatë të caktuar, të ofenduar ose të shpifur, në shumicat e rasteve të lëndëve nuk është në përputhje me standardet e KEDNJ-së në pjesën e lirisë së shprehjes dhe kryerjen e veprimtarisë gazetareske, e cila duhet të kryhet në mënyrë profesionale dhe gazetari t’i ketë parasysh të gjitha standardet që janë bazë edhe për një gazetari të mirë edhe për t’i shmangur kurthet, në të cilat ndoshta politikanët mendojnë se kanë rënë “, shton ajo.

 

GJYQËSIA E MAQEDONISË “E SHURDHËR” PËR VËREJTJET E GJYKATËS EVROPIANE

Edhe pse kohët e fundit gjithnjë e më shumë kërkohet që praktika e gjykatave evropiane të zbatohet edhe në vendin tonë në aspektin e padive për shpifje dhe fyerje, është fakt që gjyqësia e Maqedonisë ende nuk ka një ndjeshmëri të mjaftueshme për këtë çështje. Megjithatë, mund të thuhet se ka një zhvendosje të lehtë në aspektin e zbatimit të praktikave të Strasburgut në gjyqësinë e Maqedonisë në krahasim me gjendjen e mëparshme.

Mungojnë njohuri tek ata që zbatojnë praktikën e Strasburgut, e në raste të caktuara edhe për arsye të tjera, nuk zbatohet ajo. Ka edhe një presion politik, sipas mendimit tim, që të merret një vendim të duhur në një drejtim të caktuar dhe një vendim i tillë merret edhe pse ai është tërësisht i kundërt me praktikën e Strasburgut“, thotë për SCOOP avokati Filip Medarski.

 

Politikanët dhe personat publikë duhet patjetër të kenë një prag më të lartë të tolerancës ndaj kritikës, sepse me pranimin e funksionit publik, me vetëdije kanë pranuar që privatësia e tyre të jetë objekt i kritikave. Gjykatat, megjithatë, gjatë marrjes së aktgjykimit duhet ta respektojë praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës, liria e shprehjes përfshin mundësinë e provokimeve, kur bëhet fjalë për temat e interesit publik. Gazetarët duhet të provokojnë, kurse politikanët duhet të kenë durim dhe t’i pranojnë kritikat. Për dallim nga praktika evropiane, në gjykatat e Maqedonisë rrallë mund të shihet një aktgjykim, në arsyetimin e të cilit citohen qëndrime të Gjykatës Evropiane.

Nga Gjykata Themelore Shkup 2 nuk japin të dhëna konkrete për përqindjen e rasteve në të cilat janë zbatuar vërejtjet evropiane, por thonë se në procedurën për konstatimin e përgjegjësisë për shpifje dhe fyerje dhe kompensim të dëmit, gjykata krahas dispozitave të ligjeve të vendit, i zbaton edhe Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku janë paraparë kriteret dhe rrethanat që ndikojnë mbi përcaktimin e vlerës së dëmit.

Megjithatë, analiza e të dhënave statistikore nga gjykatat brenda vendit, tregon se në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2016 janë ngritur mbi 1.000 padi për shkak të  fyerjes dhe shpifjes. Vetëm në njëzet aktgjykime, të cilat janë të plotfuqishme, gjykatësit janë mbështetur në nenin 8 ose 10 të KEDNJ-së dhe në lëndë konkrete nga juridiksioni i kësaj gjykate. Për shembull, në Gjykatën e Kumanovës në vitin 2011 dhe 2012, nga gjithsej 18 lëndë – në 5 nga rastet gjatë marrjes së aktgjykimit, gjykatësi është mbështetur në nenin 8 ose 10 të KEDNJ-së. E ngjashme është situata edhe në vitin 2014, ku e njëjta gjykatë nga gjithsej 6 lëndë, në 2 raste është mbështetur në praktikat dhe përvojat evropiane. Në Gjykatën e Velesit, megjithatë, në vitin 2014, nga tetë lëndë për fyerje dhe shpifje – në 4 prej aktgjykimeve gjykata është mbështetur në praktikën e Gjykatës Evropiane. Ndërsa në vitin 2015 – vetëm në dy raste.

Praktika evropiane, edhe pse jo në nivel të mjaftueshëm, megjithatë, ka arritur të “depërtojë” edhe në Gjykatën e Shtipit, ku nga gjithsej nëntë lëndë për fyerje dhe shpifje në vitin 2014 – në dy prej tyre gjykatësit janë mbështetur në përvojat e Strasburgut. Për dallim nga ato, gjykatat në Manastir dhe Strumicë ende nuk i kanë hapur dyert për përvojat nga jashtë. Në Gjykatën e Strumicës, nga 78 lëndë të përfunduara në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2016 – në asnjë prej lëndëve gjykatësit nuk janë mbështetur në nenin 10 dhe lëndët konkrete nga juridiksioni i GJEDNJ-së.

Nga lëndët që kanë arritur deri më tani në Gjykatën e Strasburgut, nga ana e gjykatësve të Maqedonisë, ende nuk përdoret ose mjaft ose siç duhet praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, konfirmon edhe ish-gjykatësja në GJEDNJ, Mirjana Llazarova Trajkovska.

Praktika e Gjykatës Evropiane vazhdimisht përmirësohet, zgjerohet, shpjegohet. Në këtë kontekst, se sa është e rëndësishme liria e shprehjes mund të shihni edhe nga fakti se në dy vitet e fundit, nga gjithsej 40 aktgjykime të Këshillit të madh gjyqësor (i cili konstaton aktgjykimet më të rëndësishme), 10 aktgjykime janë të lidhura me aspekte të ndryshme të lirisë së shprehjes”, shpjegon gjykatësja Trajkovska.  

 

DY AKTGJYKIME – UDHËRRËFYES PËR GJYKATËSIT

Në praktikën e deritanishme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ka një numër të madh të rasteve ku gazetarë, redaktorë dhe media i kanë fituar kontestet gjyqësore, të cilat me vite të tëra i kanë humbur vazhdimisht në institucionet gjyqësore të vendit. Dy aktgjykime janë veçanërisht të rëndësishme për praktikën e Gjykatës së Strasburgut, në të cilat ajo ka zënë qëndrime të rëndësishme lidhur me lirinë e shprehjes të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Karakteristike për këto aktgjykime është se në të dyja rastet aplikuesit janë dënuar nga gjykatat kombëtare për veprën penale shpifje, që pastaj gjykata të gjejë se me aktgjykimin e këtillë është shkelur liria e shprehjes.

Rasti “Lingens kundër Austirsë

Rasti i gazetarit austriak Lingens, i cili ka qenë redaktor i revistës “Profili”, është një nga rastet më karakteristike që kanë kaluar nëpër labirintet e gjyqësorit të Austrisë që në fuind të kenë një aktgjykim edhe në Gjykatën e Strasburgut. Nga pozita e të paditurit, ai në fund të procesit jo vetëm që ka fituar kontestin gjyqësor në favorin e tij, por atij i është paguar një kompensim të lartë financiar, për shkak se është lënduar liria e tij e shprehjes.

Gjithçka ka filluar në tetor të vitit 1975, pas zgjedhjeve parlamentare në Austri, kur Simon Wiesenthal, Presidenti i Qendrës Hebre të Dokumentacionit, e ka akuzuar kryetarin e Partisë Liberale të Austrisë, Friedrich Peter se ka shërbyer në SS-divizionin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për një njësi që ishte e njohur për atë që në disa raste ka kryer masakër të civilëve në Rusi. Gazetari Lingens ka publikuar dy artikuj për “rastin Peter”, në të cilët, ndër të tjera, ka kritikuar kryetarin e pensionuar të Partisë Socialiste të Austrisë, Bruno Kreisky, i cili në një intervistë televizive i ka dhënë mbështetje Peterit.

Një muaj pas teksteve të publikuara, gazetari Lingens ka marrë dy padi penale private. Kreisky, i cili ndër kohë është bërë kryeministër i Austrisë, ka menduar se artikujt janë të dëmshëm për nderin dhe reputacionin e tij. Gjykatat vendase në disa raste kanë marrë aktgjykim me të cilin gazetari është dënuar dhe është detyruar të paguajë 20 mijë shilinga për shkak të përdorimit të shprehjeve “oportunizëm i pabazuar”, “jo moral” dhe “i padenjë”. Pasi ka përdorur të gjitha ankesat në gjykatat në Vjenë, gazetari i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Në vitin 1986, gjykata ka marrë vendim në favor të gazetarit dhe ka detyruar Austrinë t’i paguajë atij mbi 280.000 shilinga, duke vlerësuar se dënimi i tij është një ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Gjykata ka konstatuar se të gjitha faktet në artikujt janë të vërteta, po edhe se liria e shprehjes është një nga liritë themelore në shoqërinë demokratike dhe një nga parakushtet kryesore për progresin e saj. Madje edhe kur publikohen informacione që mund të fyejnë, të shokojnë ose të shqetësojnë.

 

Raportin e plotë të kësaj storje mund ta lexoni KËTU.

Intervistën me Mirjana Trajkovska, ish gjykatëse në GJNDNJ, mund ta lexoni KËTU.

 


Kjo histori investigative është prodhuar në kuadër të projektit “Gazetaria investigative-gardian I demokracisë dhe i të drejtave të njeriut”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada britanike në Shkup. Përmbajtja e kësaj historie hetues është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Britanike në Shkup.

Historia hetimore është përgatitur në kuadër të kontratës së grantit “Mbrojtja e të drejtave përmes gazetarisë hulumtuese”, i financuar në kuadër të projektit ” Gazetaria investigative-gardian I demokracisë dhe i të drejtave të njeriut”” dhe i zbatuar nga Qendra për Administrim me Ndryshime dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut. Përmbajtja e tregimit hetimore nuk pasqyrojnë pikëpamjet e organizatave zbatuese të projektit.

       

Shkruaj një koment

Koment(e)