VENDI I LIDERËVE TË PASUR

Një shtëpi modeste me pak mobilie, Volkswagen Buba e vitit 1987 dhe pronë tjetër me vlerë prej vetëm 2 mijë dollarësh amerikanë. Kjo është fleta anketuese e Presidentit të Uruguait, Jose Mujisa, i cili është i njohur për titullin e presidentit më të varfër në botë.

Në Maqedoni është e vështirë të gjendet një fletë të tillë anketuese modeste. Edhe pse të dhënat që shkruhen nuk janë të plota, funksionarët në Maqedoni megjithatë ka me se të “lavdërohen”.

Llogari të plota bankare, depozita të afatizuara, toka, aksione, shtëpi dhe banesa figurojnë si pronësi edhe të liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni: VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.

 

Gruevski nuk ka pronë në emër të tij, por ka shumë kartela dhe depozita

Imoti-Grujo-690x660

 

Kryetari i Qeverisë, Nikolla Gruevski, hyri në politikën e Maqedonisë si ministër i ekonomisë, një resor i cili pothuajse nuk kishte buxhet dhe mjete themelore për punë në vitin 1999.

Në vitin 2003 ai u zgjodh si kryetar i VMRO-DPMNE-së, kurse vetëm pas tre vitesh u ul në postin e kryeministrit. Që nga viti 2006, ai është Kryeministri i Republikës së Maqedonisë.

SCOOP-Maqedonia ka hetuar nëse kryeministri ka në pronësi patundshmëri në emër të tij në tërë territorin e Maqedonisë. Nga Agjencia për Kadastrën e Patundshmërive e Republikës së Maqedonisë, në bazë të kërkesës sonë për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, morëm përgjigje se “Personi nuk është i regjistruar si bartës i së drejtës në Kadastrën e Patundshmërive.”

Gjithashtu, asnjë kompani e regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë nuk është e lidhur me emrin e kryeministrit, që do të thotë se ai personalisht nuk zotëron biznese.

Është një sekret publik që Gruevski së bashku me familjen jeton në një nga këto banesa, në rrugën “Pavell Shatev”, por është një enigmë se në cilën emër është regjistruar banesa në të cilën, gjoja, banon kryeministri.

Edhe pse hulumtimi i SCOOP-Maqedoni tregoi se në dokumentet kadastrale ai nuk zotëron tokë dhe pasuri të patundshme, rivalët e tij të mëdhenj nga LSDM-ja dy herë me dokumente pohonin se jo vetëm kushëriri i tij, drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov është njeri i pasur, por edhe nëna e tij Nadezhda. Më 1 qershor 2011 LSDM-ja tregoi dokumente sipas të cilave nëna e Gruevskit është pronare e madje 4 banesave në Shkup, kurse ditën e ardhshme opozitarët pretendonin se familja e Gruevskit ka edhe dy banesa të tjera. Të gjitha janë blerë nga viti 2000 e këndej. Kryeministri menjëherë u përgjigj se nëna e tij i ka blerë banesat me kredi, por LSDM-ja pyeti se si është e mundshme që një infermiere në pension të paguajë këstin e 7.050 eurove në muaj për katër banesa. Dhe këtu diskutimi u përfundua.

LSDM-ja kërkonte që Prokuroria Publike dhe Komisioni Kundër Korrupsionit ta ndjekin penalisht kryeministrin pasi nuk e ka deklaruar tërë gjendjen pronësore. Përveç për banesat, para një kohe LSDM-ja e sulmoi Gruevskin se ai dëshiron të blejë një parcelë në Vodno me vlerë prej 17 milionë eurosh. Në të ashtuquajturën Bomba 13, LSDM-ja pretendon se ai, gjoja “ka gënjyer në lidhje me parcelat e tija në Vodno.” Nuk kishte asnjë reagim nga ana e kryeministrit, përveç deklaratës standarde të VMRO-DPMNE-së se “Zoran Zaevi po punon për shërbimet e huaja”.

Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Gruevski ka deklaruar një listë mjaft të gjatë të pronave të cilat i zotëron. Në listë mund të shihen mbi tridhjetë depozita në denarë dhe deviza, libreza të kursimeve dhe kartela kreditore. Edhe në vitin 2007 kryeministri ka deklaruar se ka në pronësi 12 kartela kreditore, si dhe depozita, libreza të kursimeve… me atë dallim që atëherë Gruevski ka deklaruar se posedon 31.000 euro, 6.100 franga, 1.200 dollarë amerikanë, 565 funte dhe 85.000 denarë ose të gjitha së bashku janë 40.179 euro.

Kryeministri edhe tani ka deklaruar se zotëron kartela dhe depozita, kurse për gjysmën e tyre “nuk ka shkruar të dhëna” në kolonën për prejardhjen e parave dhe të pronës. Gjegjësisht, të dhëna për prejardhjen e parave nuk ka shkruar për rreth 15.400 eurosh në depozita bankare, 1.6 milionë denarë apo për rreth 27 mijë eurosh, 1.312 frangash zvicerane, 204 dollarësh amerikanë dhe 246 funtesh britanike.

Në bazë të deklarimit të definuar si “fitime në mënyrë tjetër”, si depozita bankare Gruevski ka deklaruar se zotëron 6.6 milionë denarë ose rreth 108 mijë eurosh, 31. 928 eurosh, 4.984 dollarësh, 1.054 frangash dhe 595 funtesh. Gjithsej, Gruevski si depozita bankare ka deklaruar 48.839 euro, 5.188 dollarë, 2.366 franga zvicerane, 8.330.542 denarë dhe 841 funte britanike.

Llogaritur me euro, prona e përgjithshme e Gruevskit e deklaruar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit del se është 200.433 euro (sipas kursit të sotëm të këmbimit të NBM-së), që në krahasim me vitin 2007 është për pesë herë më shumë. Të paktën, në krahasim me atë që e shkruanin atëherë mediat duke iu referuar të dhënave të Komisionit kundër Korrupsionit.

 

 

Zaevi “peshon” rreth 750.000 euro

Imoti-Zaev-690x663

Para se të promovohej si shef i Social-Demokratëve, Zaevi është konsideruar si një njeri për të cilin politika është një luks për shkak të statusit të një qytetari të pasur të Strumicës. Mediat e kanë lidhur me disa kompani të të afërmve të tij të ngushtë, por do të mbahet mend për një deklaratë me të cilën u vendos në klasën e mesme:

“Personalisht, unë ende i përkas klasës së mesme, por vij nga një familje e pasur, e cila ka 820 të punësuar. Kapitali është vlerësuar në gjashtë-shtatë milionë euro, në kredi kanë hyrë absolutisht po ashtu pesë ose gjashtë milionë, për t’u dëshmuar para shoqërisë, duke u përpjekur për të dhënë rregullisht paga dhe për t’i paguar rregullisht taksat ndaj shtetit dhe për të gjeneruar produkte të reja, prodhime të reja, që do të thonë investime të reja. Çdo gjë që kemi është këtu në Maqedoni. Fleta ime anketuese realisht është në dispozicion të opinionit. Pasuria ime personale së bashku me automjetet e mia dhe ato të gruas është në vlerë prej 60-70-80 mijë eurosh”, tha Zaevi në një intervistë të dhënë para Vitit të Ri për TVM-në.

Megjithatë, numrat në fletën e tij anketuese edhe atëherë edhe tani flasin diçka tjetër. Në fletën anketuese, si pronë e përbashkët Zaevi ka deklaruar një shtëpi me vlerë prej 18.450.000 denarësh ose 300.000 eurosh, pastaj një banesë me vlerë prej 1.854.000 denarësh ose 30.146 eurosh dhe një tokë bujqësore me vlerë prej 2.460.000 denarësh ose 40.000 eurosh. Përveç kësaj, Zaevi ka deklaruar se zotëron edhe një hapësirë afariste me vlerë prej 3.690.000 denarësh ose 60.000 eurosh. Si një pronë e përbashkët janë edhe aksionet me vlerë prej 12 milionë denarësh, ose 195.121 eurosh, si dhe 616.506 denarë ose 10 mijë euro si të ardhura nga shitja e një automjeti. Si një pronë personale Zaevi ka deklaruar edhe një kërkesë në bazë të një huazimi të dhënë me vlerë prej 4.300.000 denarësh ose 69.918 eurosh dhe një depozitë të afatizuar në deviza me vlerë prej 984.000 denarësh apo 16.000 eurosh. Gruaja e tij ka pasur të ardhura nga shitja e një automjeti në shumën prej 92.250 denarësh, kurse ka një depozitë të afatizuar në deviza me vlerë prej 153 mijë denarësh. Një depozitë në deviza kanë edhe fëmijët e tij në vlerë prej 1.233.000 denarësh.

Llogaritur me euro, Zaevi “peshon” rreth 750 mijë eurosh (ose saktë 744.496 euro sipas kursit të sotëm të këmbimit të NBM-së), nga të cilat 431.000 janë pasuri të patundshme, rreth 20 mijë eurosh janë letra me vlerë, rreth 12 mijë janë në bazë të “të ardhurave të tjera”, ndërsa rreth 40 mijë eurosh janë depozita bankare.

SCOOP-Maqedonia ka hulumtuar se sa zotëron Zaevi. Në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, emri i tij nuk paraqitet në strukturën e pronësisë së ndonjë kompanie apo organizate joqeveritare. Sipas Agjencisë për Kadastrën e Patundshmërive e RM-së, Zaevi nuk zotëron asnjë pronë në emër të tij. “Personi nuk është i regjistruar si bartës i së drejtës në Kadastrën e Patundshmërive,” shkruan në përgjigjen të cilën e morëm sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.

Në korrik të vitit 2008, lideri i opozitës Zaev u arrestua së bashku me pesë persona të tjerë, të gjithë së bashku të akuzuar për keqpërdorime financiare lidhur me ndërtimin e objektit “Global” në Strumicë. Dy javë më vonë, kreu i atëhershëm i shtetit Branko Cërvenkovski nënshkroi një vendim për faljen e Zaevit dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

 

Ahmeti është “më i varfër ” për më shumë se 300.000 euro

Imoti-Ahmeti-690x620

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, zotëron rreth 140 mijë eurosh (ose më saktë 138.276 euro), nga të cilat pasuri të patundshme në vlerë prej 120 mijë eurosh, rreth 12 mije eurosh në depozita bankare dhe pasuri të tundshme në vlerë prej 7 mijë eurosh. Kjo është pasuria e tij të cilën e ka deklaruar me fletën anketuese në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Maqedonisë. Si pasuri e patundshme posedon një tokë bujqësore me një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë në Shqipëri me vlerë prej 30 mijë dollarësh amerikanë dhe një shtëpi në Kërçovë me sipërfaqe prej 254 metrash katrorë, e cila është vlerësuar me 100 mijë dollarë amerikanë.

Ahmeti ka deklaruar depozita bankare në vlerë prej 758.482 denarësh, për të cilat është shkruar se “janë fituar në një mënyrë tjetër”. Ai nuk ka deklaruar se zotëron automjet, por vetëm Volkswagen Polo të vitit 2010, me një vlerë prej 7000 eurosh si pronë e bashkëshortes.

Për dallim nga viti 2013, Ahmeti është më i varfër për më shumë se 300 mijë euro. Në fletën më të re anketuese të Ahmetit nuk qëndron shtëpia në Shkup, me një sipërfaqe prej 803 metrash katrorë, vlera e së cilës ishte 150 mijë euro, si dhe toka bujqësore në Kërçovë, e cila ishte vlerësuar me rreth 153.000 eurosh.

Edhe dokumentet të cilat SCOOP-Maqedonia i ka siguruar nga Agjencia për Kadastrën e Patundshmërive e Republikës së Maqedonisë, thonë se Ahmeti nuk figuron  si “bartës i së drejtës së pronës” dhe ai nuk lidhet as me subjekte juridike në Regjistrin Qendror.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit nga viti 2006, vëllai i Ahmetit, gjoja ka lidhur një marrëveshje me “NP Kullotat” në vlerë prej 120 mijë eurosh (mjete të Ministrisë së Bujqësisë), për të ndërtuar katër stane, e për të cilat mediat shkruanin se bëhet fjalë për vila luksoze. Për çdo stan, në bazë të “modernizimit” nga arka e “NP Kullotat”, siç thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit, janë paguar nga rreth 30 mijë eurosh.

Vetëm Thaçi është regjistruar në Kadastrën e patundshmërive

Imoti-Thaci-690x618

Më shumë se 20 vjet aktiv në skenën politike, lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Menduh Thaçi, peshon më shumë se gjysmë milioni euro. Ai zotëron saktë 613.406 euro (sipas kursit të sotëm të këmbimit të NBM-së) si pasuri të patundshme, të tundshme dhe depozita bankare, të dhënat që janë të deklaruara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

Rreth 75.000 euro janë të deklaruara si borxh në bazë të kredisë.

Nga ajo që është deklaruar në KSHPK, në emrin e tij personal figurojnë dy shtëpi në Tetovë, nga të cilat e para është me sipërfaqe prej 1.186 metrash katror dhe është vlerësuar me 213 mijë euro, ndërsa e dyta është me sipërfaqe të përgjithshme prej 205 metrash katrorë dhe është vlerësuar me 750 mijë euro. Shtëpia e parë është fituar në bazë të trashëgimit, ndërsa e dyta në bazë të kontratës së shitblerjes.

Si një pronë e tundshme janë deklaruar dy automjete, nga të cilat në emrin e tij figuron automjeti i tipit “BMW” nga viti 1996, me vlerë prej 50 mijë eurosh, ndërsa automjeti “Peugeot” i vitit 2005 vlerësohet me rreth 7000 eurosh dhe është deklaruar si pronë e bashkëshortes. Të dy automjetet është deklaruar se janë fituar në bazë të kontratës së shitblerjes.

Thaçi gjithashtu ka deklaruar se ka kërkesa në bazë të një huazimi të dhënë në vlerë prej 23.300 eurosh. Për këto mjete është deklaruar se janë fituar ” në një mënyrë tjetër”.

Si depozita bankare, Thaçi në emrin e tij personal ka deklaruar rreth 173 mijë eurosh, prej të cilave 1.463.198 denarë janë në llogarinë e tij bankare, rreth 99.000 eurosh janë depozita në deviza, ndërsa 3.134.416 denarë janë deklaruar si mjete në librezën e tij të kursimeve. Për të gjitha këto depozita bankare Thaçi nuk ka dhënë detaje për prejardhjen e tyre.

Nga ana tjetër, sipas dokumentit të cilin SCOOP-Maqedonia e ka marrë nga Agjencia për Kadastrën e Patundshmërive e RM-së, Thaçi “është regjistruar në Kadastrën e Patundshmërive” edhe atë në tetë fletë anketuese, të gjitha në Tetovë. Nga këto prona të patundshme, gjashtë janë në Komunën Kadastrale Tetova 1, një është në Tetova 2 dhe një është jashtë qytetit.

Nga ana e BDI-së, Thaçi është apostrofuar si pronar i fshehur i kompanisë “Interpromet” nga Tetova, në pronësinë e së cilës është një pjesë e madhe e pronës publike të Tetovës. Kompania u privatizua në vitin 1999, kur në pushtet ishte PDSH-ja me VMRO-DPMNE-në. Në mars të vitit 2014, BDI-ja paralajmëroi një padi penale kundër Thaçit për “privatizimin kriminale të kompanisë Interpromet nga ana e Thaçit”, i cili, sipas kësaj partie “inkason mbi 200 mijë euro në muaj vetëm në bazë të qirasë”. Akuzat dolën para zgjedhjeve parlamentare, kurse nga Prokuroria Publike kanë mohuar më vonë se BDI-ja e ka parashtruar padinë penale kundër Thaçit.

Pasuria e vërtetë me prejardhje të panjohur

 

Ish-Kryetari i Komisionit Kundër Korrupsionit, Dragan Malinovski, ka dyshime në numrat e publikuara në lidhje me gjendjen pronësore të liderëve. Ai veçanërisht është i habitur nga fakti se në disa raste nuk deklarohet prejardhja e një pjese të pronës e cila deklarohet.

“Ata janë detyruar me ligj për të dhënë edhe këtë të dhënë. Duhet ta plotësojnë fletën anketuese sipas formularit. Mosdhënia e një të dhëne të tillë do të thotë fillimi i një procedure administrative para DHP-së. Nëse gjendet një pronë që nuk është deklaruar apo një pronë e cila nuk është deklaruar se si është fituar, atëherë DHP-ja përcakton një tatim me një normë tatimore progresive prej 70%. Nëse ka elemente të veprës penale, atëherë do të përfshihet edhe prokuroria”, thotë Malinovski. “Shikoni këtu mendohet për gjithë pasurinë familjare të funksionarit, e jo vetëm pasurinë e tij personale”, shton ai.

Sipas tij, KSHPK-ja duhet të ndërmarrë masa, gjegjësisht të ngrejë një procedurë kundërvajtëse, pastaj një procedurë administrative para DHP-së, dhe nëse ka prova për një vepre penale – të parashtrojë një padi në Prokurorinë Publike.

Malinovski thotë se mosplotësimi i kolonës për prejardhjen e pronës është pjesa beninje e problemit me mungesën e transparencës së funksionarëve.

Edhe Vanja Mihajllova, eksperte për anti-korrupsion, thotë se me mosplotësimin e kolonës për prejardhjen e të hollave ose të pronës tjetër shkelet neni 36 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas saj, jo vetëm te disa prej funksionarëve kryesorë të shtetit, por ky problem me mosdeklarimin e prejardhjes së pasurisë është i pranishëm pothuajse te të gjithë funksionarët.

“Në gati çdo fletë anketuese mungon ndonjë të dhënë. Komisioni Kundër Korrupsionit deri më tani është dashur të fillonte procedura për këtë gjë, të cilat janë të detyruara në bazë të nenit 36 ​​të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit”, thotë Mihajllova.

Kryetarja e Transparency International Maqedoni, Sllagjana Taseva, thotë se liderët e partive duhet të deklarojnë edhe pronën e të afërmve të tyre, dhe jo vetëm pronën e tyre personale. Ajo mendon se gjendja e deklaruar pronësore e liderëve është mjaft reale sepse e njëjta mund të kontrollohet.

“Transparenca mundëson që qytetarët të komentojnë dhe të japin mendimin e tyre, apo të raportojnë se të dhënat janë të pasakta”, shton Taseva.

 

Ramkaja e KSHPK-ut: kë po e mbrojnë njerëzit e anti-korrupsionit?

 

Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni ka kaluar një golgotë të vërtetë duke u përpjekur për të marrë informacione bazë nga Komisioni Shtetëror Për Parandalimin e Korrupsionit derisa me komisionin kryesonte Gjorgji Sllamkov. SCOOP-Maqedonia në disa raste është përpjekur të merrte informacione për  gjendjen pronësore të politikanëve, si dhe për procedurat aktuale të cilat i bën Komisioni.

Këtu janë pyetjet të cilat muajt e fundit ia kemi drejtuar Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit:

–  Sa iniciativa janë parashtruar për procedura penale dhe kundërvajtëse për funksionarët gjatë viteve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014?

Sa është numri i paralajmërimeve publike për funksionarët që janë të parashtruara në pesë vitet e mëparshme dhe për cilët funksionarë bëhet fjalë?

Në cilën fazë janë procedurat të cilat Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ka paralajmëruar, e kanë të bëjnë me Silvana Bonevën dhe Radmilla Shekerinskën?

Sa ishin të ardhurat mujore të anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, individualisht gjatë viteve 2011, 2012, 2013, 2014?

Sa janë të ardhurat mujore të anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, individualisht në vitin 2015?

Kopja e gjendjes pronësore të funksionarëve që janë të listuar më poshtë, në fillim të hyrjes në funksionet e tyre:

  1. Ali Ahmeti, deputet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë
  2. Nikolla Gruevski, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë
  3. Zoran Zaev, Kryetari i komunës së Strumicës
  4. Menduh Thaçi, deputet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë

Për çdo kërkesë tonën, kemi marrë një përgjigjën identike:

“Kërkesa juaj nuk i përmban të gjitha elementet e nevojshme për të cilat poseduesi i informacioneve, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), kurse në lidhje me nenin 14, paragrafin 2 të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, kujdeset sipas detyrës zyrtare. Duke pasur parasysh këtë më sipër, është e nevojshme që ta plotësoni kërkesën tuaj në lidhje me nenin 16 të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik dhe dispozitat e LPPA-së kështu që:

  • Në kërkesën e parashtruar nga ana juaj do të duhet të shkruhet personi i autorizuar që përfaqëson shoqatën në sistemin ligjor dhe i njëjti do të duhet të nënshkruhet në kërkesën, si dhe duhet të ketë verifikim të nënshkrimit me vulën e shoqatës;

  • Do të duhet të parashtroni një autorizim të rregullt nga personi i caktuar në emrin e të cilit e keni parashtruar kërkesën, dhe i cili në kërkesën është caktuar si kërkues i informacioneve

SCOOP-Maqedonia në periudhën e kaluar e ka shfrytëzuar të drejtën për qasje të lirë, duke kontaktuar më shumë se pesëdhjetë institucione. Në përvojën tonë të deritanishme, vetëm Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit na kërkonte autorizim dhe na jepte një afat prej tri ditësh për ta dërguar të njëjtin. Në lidhje me këtë, SCOOP-Maqedonia ka parashtruar ankesa dhe e ka kontaktuar drejtpërdrejt Komisionin për mbrojtjen e së drejtës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. E kemi pyeturi Komisionin se pse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kërkon nga ne autorizime të veçanta kur personi, i cili i kërkonte informacionet nga ata, është një person i autorizuar nga SCOOP-Maqedonia. Nga Komisioni na kanë shpjeguar se për ta është e palogjikshme sjellja e komisionit, kur qëllimi i Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik është pikërisht që ai të lejojë një qasje të pandërprerë deri te informatat me karakter publik, e jo t’i kufizojë ato.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)