ADMINISTRATA E STËRNGARKUAR DHE JOFUNKSIONALE, REFORMAT ENDE PARALAJMËROHEN

  • Edhe pse komunat deklarojnë në mënyrë deklarative se sigurojnë dokumentet sipas detyrës zyrtare nga institucionet e tjera, në praktikë vetëm 15% e komunave e bëjnë atë
  • Damjan Mançevski: Vendi i punës i këtyre njerëzve nuk do të jetë i pasigurt. Këtu ata do të ndihen shumë më të dobishëm dhe më të përmbushur në sektorin real
  • Borçe Davitkovski: Ne duam të zvogëlojmë administratën, e të mos largojmë nga puna, gjoja se do t’ia ofrojmë ata sektorit privat.

 

Shkruan: Goran Lefkov

 

Qytetarët shpesh janë të detyruar të shkojnë nga institucioni në institucion për një dokument të thjeshtë. Administrata, duke përfshirë atë të pushtetit lokal, do të duhej të synonte sigurimin e shërbimeve sipas nevojave të qytetarëve, dhe t’i sigurojë ato në mënyrë cilësore dhe efikase.

I pakënaqur nga administrata lokale është edhe ministri i shoqërisë informative dhe administratës, Damjan Mançevski.

Damjan Mançevski

Ka njerëz që nuk punojnë asgjë, apo as mjaftueshëm e as siç duhet”, thotë ai.

Hulumtimi në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike për ruajtjen e vlerave të menaxhimit së mirë”, të zbatuar në periudhën gusht-dhjetor 2017, u fokusua në analizimin e shërbimeve që ofrohen nga ana e të gjitha komunave në vend, me pjesëmarrje të 14 organizatave lokale të shoqërisë civile. Ekipi i SCOOP-it shkoi në Kumanovë te një nga organizatat që kanë fituar grant për këtë hulumtim. OJQ-ja “Jeff Macedonia” i ka hulumtuar komunat e Kumanovës, Kriva Pallankës dhe Kratovës.

 

Talat Agush

 

“Në Komunën e Kumanovës, ku unë banoj, qytetarët ankohen se ndonjëherë i dërgojnë në më shumë institucione për të fituar një shërbim, i dërgojnë nga një institucion në një institucion tjetër për të nxjerrë më shumë dokumente.”, thotë Talat Agush, anëtar i OJQ-së “Jeff Macedonia”.

 

EDHE PSE E KANË PËR OBLIGIM, 85 PËR QIND E KOMUNAVE NUK SIGUROJNË DOKUMENTE

 

Edhe pse komunat deklarojnë në mënyrë deklarative se sigurojnë dokumentet sipas detyrës zyrtare nga institucionet e tjera, në praktikë vetëm 15% e komunave e bëjnë atë, ndërsa shumicat sigurojnë vetëm dokumente të caktuara sipas detyrës zyrtare, më së shpeshti të lidhura me shërbimet kadastrale.

 

Duhet patjetër ta përmirësojmë efikasitetin e shërbimeve të cilat i ofrojmë. Një nga mekanizmat të cilin tani nga dhjetori do të fillojmë ta zbatojmë është hapja e zyrës së parë për hapjen e një pike për shërbime, ku 9 institucione të cilat më së shpeshti kanë kontakt me qytetarët, do t’i vendosim në të njëjtin vend për shërbime.”, thotë ministri Mançevski.

Nga Komuna e Velesit përgatiten për një objekt bashkëkohor i cili duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe ku në një vend do të marrin më shumë shërbime.

Duam të bëjmë një qendër bashkëkohore për shërbimet e qytetarëve sipas shembullit të “Front Office” dhe “Back Office”, domethënë zyra e përparme dhe e prapme, që të mund qytetarët t’i fitojnë të gjitha shërbimet në një vend, pa dallim nëse i marrin ato nga pushteti lokal ose qendror.”, thotë Ace Kocevski, kryetar i komunës së Velesit. “Që të mund qytetarët të vijnë në një vend dhe të nxjerrin një certifikatë nga libri i amzës së të lindurve, të martuarve, letërnjoftim, patentë shoferi, leje qarkullimi, fletë pronësie, të paguajnë tatimin, leje arme, madje të kenë sporteli e “Postave të Maqedonisë” dhe këtu ta rregullojnë pagesën, e jo të shkojnë nga një sportel në tjetër sportel, për shkak se institucionet shtetërore janë vendosur në shumë vende në qytet”

 

LIGJI ËSHTË I QARTË – TË GJITHA SHËRBIMET TË KRYHEN NË NJË SPORTEL

 

Sipas Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, të miratuar në vitin 2015, shërbimet që ofrohen edhe në nivelin qendror edhe në atë lokal duhet të kryhen në një sportel, gjegjësisht qytetarët më nuk duhet të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm nga institucionet e tjera, por këtë për ta do ta bëjë vetë institucioni. Qëllimi është që të lehtësohet procedura administrative, në interes të qytetarit dhe sektorit të biznesit, duke u kursyer kohë dhe shpenzime të panevojshme.

 

Juristët mendojnë se duhet të respektohet ligji për procedurën e përgjithshme dhe administrative dhe se ky është një obligim i komunave, e jo t’i dërgojnë qytetarët ose t’u premtojnë atyre se do ta ndryshojnë ligjin.

Borçe Davitkovski

 

“Po e dëgjoj kryetarin tonë të Shkupit, i cili për fat të keq është jurist dhe thotë se do të sjellë një rregullore me të cilën administrata do t’i zgjidhë lëndët e qytetarëve për 15 ditë. Po e dëgjoj dhe nuk mund të besoj. Si është e mundur kjo kur kemi ligjin për procedurën e përgjithshme dhe administrative, kjo është një vegël e organeve me të cilën punojnë ato. Atje shkruan saktë se në afat prej 30 ditësh duhet të përfundojë procedura, një rast më i ndërlikuar brenda 60 ditësh. Kjo është e detyrueshme për të gjitha organet. Nuk mundet kryetari me një rregullore të tij të kërkojë diçka asgjë prej tyre. Kjo është larg logjikës”, thotë Borçe Davitkovski, profesor në Fakultetin Juridik.

Hulumtimet e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve treguan se një pjesë e vogël e të punësuarve në administratat komunale janë të përfshirë drejtpërdrejt për të punuar me qytetarët.

Martin Todevski

 

“Rreth 23% e të punësuarve kanë kontakt të drejtpërdrejtë me palët. Kur flasim për kontaktin e drejtpërdrejtë, flasim për punëtorët në sportel ose njerëz të tjerë të cilët në cilëndo mënyrë shërbejnë ose komunikojnë me qytetarët.”, thotë Martin Todevski nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN).

Përveç se është i vogël numri i të punësuarve që punojnë me palët, edhe më i vogël është numri i atyre që janë të trajnuar për t’i pranuar kërkesat e qytetarëve.

Vetëm gjysma e këtyre të punësuarve, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me palët, kanë kaluar çfarëdolloj trajnimi për kryerjen e shërbimeve, për cilësinë e shërbimeve, për komunikim me palët”, thekson Todevski

Edhe ministri Damjan Mançevski është i pakënaqur nga mënyra e funksionimit dhe trajnimit të administratës. Ai thekson se Inspektorati nuk ka kapacitet për t’i bërë kontrollet.

“Kjo është edhe një tregues se sa janë zbatuar ligjet dhe sa janë të zbatueshme ato. Sipas ligjit, ata kanë obligime të marrin pjesë në të paktën 5 trajnime në vit. Është e pamundur, kemi një kapacitet të vogël të inspektoratit që t’i kontrollojmë të gjitha institucionet se sa trajnime kanë kaluar. Nuk është gjithmonë e thjeshtë që të bëhet kjo”, thotë Mançevski.

Për qytetarët është e rëndësishme që t’i kenë informacionet e nevojshme për atë se si mund të marrin shërbimin në komunë, cilët formularë duhet t’i plotësojnë, si dhe ku t’i paguajnë taksat dhe kompensimet administrative, etj. Një numër i madh i komunave kanë vendosur sportel ku qytetarët mund të informohen për shërbimet që ofrohen, por nga inspektimi në terren është konstatuar se në shumicën e rasteve ato nuk funksionojnë.

Komunat duhet të kenë mjaft kanale për të komunikuar me palët ose t’i informojnë mjaft ato se si duhet të kryejnë një shërbim të caktuar. Në kuadër të projektit tonë vizituam të gjitha komunat në terren që të informohemi se si ofrohen shërbimet në terren”, thotë Todevski nga QMN. “Të dhënat treguan se vetëm 17% e komunave publikojnë në një vend transparent informata se si të fitohen shërbimet. Vetëm 28% kanë publikuar se si të paguhen taksat administrative, dhe 25% kanë formularë të printuar ose formularët janë në dispozicion në vendin ku kryhet shërbimi”.

Anketa e opinionit publik, e zbatuar në kuadër të këtij projekti në të gjitha komunat, tregoi se shumica e të anketuarve janë neutralë në lidhje me kënaqësinë e punëtorëve në sportel, ndërsa vetëm 13% e qytetarëve shprehën se janë SHUMË të kënaqur me sjelljen e tyre.

 

KOMUNAT ARSYETOHEN ME MUNGESËN E DECENTRALIZIMIT FISKAL

 

Për kryetarin e Velesit, Aco Kocevski, një pjesë e arsyeve qëndrojnë edhe në financat e komunave.

Gjendjet janë dramatike, do të thosha madje edhe alarmante. Komunat nuk kanë aspak mjete të mjaftueshme financiare që me sukses t’i kryejnë kompetencat e fituara me ligj dhe të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët”, thotë Kocevski. “Po pres që në periudhën e ardhme të punohet në decentralizimin fiskal, në momentin decentralizimi fiskal është një pengesë, Maqedonia konsiderohet si një nga vendet më të centralizuara fiskale në Evropë, ende është shumë e vogël pjesa nga konsumi publik ose nga Bruto Produkti i Brendshëm që shpenzohet në nivelin lokal, në krahasim me pjesën që shpenzohet në nivelin shtetëror.”

Burhanedin Nuhiju, sekretar i Komunës së Studeniçanit, pohon se financat janë problem edhe për ta, por theksojnë se po përpiqen t’i zgjidhin problemet me një administratë kaq të vogël. Thotë se qytetarët janë të kënaqur, gjë që është vërtetuar në zgjedhjet e fundit.

“A janë të kënaqur, para një viti patëm zgjedhjet dhe i njëjti kryetar mori besimin e qytetarëve. Ai ishte kryetar edhe në mandatin paraprak, por edhe në këtë mandat”.

Nga pushteti qendror paralajmërojnë reforma në administratë, të cilat do t’i mundësojnë biznesit një administratë më fleksibile dhe një racionalizim të institucioneve në vend.

“Benefiti i shtetit do të jetë se ai do të paguajë më pak para për paga, firmat do të fitojnë një fuqi më të lirë të punës sepse tani do të fitojnë subvencione për pagat e këtyre njerëzve. Vendi i punës i këtyre njerëzve nuk do të jetë i pasigurt. Këtu ata do të ndihen shumë më të dobishëm dhe më të përmbushur në sektorin real”, thotë Damjan Mançevski, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës.

Por, me pikëpamjet e këtilla nuk pajtohen ekspertët e vetëqeverisjes lokale.

“U bë modë në vendin tonë të bëjmë reforma pa shkarkime. Unë nuk e kam parë atë, ndoshta dikush do të fitojë çmimin i Nobelit në Maqedoni që të bëhet kjo. Anglia bëri atë reformë në vitet e 80-ta, Amerika e bëri, Gjermania dhe të gjitha bënë reformat e administratës publike, por ato ishin të dhimbshme, kishte largime nga puna. Ja Serbia fqinje i bëri ato dhe largoi 35.000 njerëz nga administrata publike. Ne duam të zvogëlojmë administratën, e të mos largojmë nga puna, gjoja se do t’ia ofrojmë ata sektorit privat. Sektori privat të marrë njerëzit e administratës të cilët gjithë ditën pinë kafe. Cili pronar privat është budalla t’i marrë këta njerëz”, thotë Borçe Davitkovski, profesor në Fakultetin Juridik.

Komunat duhet t’i reformojnë shërbimet të cilat i ofrojnë në sportelet, sidomos tani – në kohën e zhvillimit dhe zgjerimit të përdorimit të kompjuterëve dhe internetit, komunat duhet të investojnë edhe në sigurimin e shërbimeve elektronike, si një alternativë e atyre fizike. Të dhënat e marra tregojnë se komunat shumë pak ofrojnë shërbime elektronike. Kjo, para të gjithash, kufizohet në shërbimet e organizuara nga institucionet shtetërore qendrore të cilat menaxhojnë me sisteme të unifikuara elektronike, si për shembull miratimet elektronike të ndërtimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

 

*Ky hulumtim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Monitorimi i parimeve të administratës publike për ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”. Përmbajtjet në video janë përgjegjësi e vetme e Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

*Storja është mbështetur nga QGH SCOOP Maqedonia në kuadër të projektit NED “Promovimi i transparencës përmes raportimit hulumtues”.   

Shkruaj një koment

Koment(e)