Antikorrupsioni në krizë: 520 mijë euro dhe vetëm 1 denoncim

Pasi Kuvendi në vitin 2002 miratoi Ligjin për parandalimin e korrupsionit, në vend u formua një komision të posaçëm me një spektër të gjerë të kompetencave për të luftuar kundër këtij fenomeni negativ. Në atë kohë, kur korrupsioni u bë kërcënimi më i madh për demokracinë, ky komision dha një shpresë për qytetarët se më në fund do të niset nga ndonjë pikënisje me pastrimin e kësaj të keqe shoqërore.

Të mos harrojmë, ai ishte njëri nga institucionet e para kundër korrupsionit në rajon dhe më gjerë. Ne shërbenim si model. Unë e di se e kam prezantuar modelin dhe mënyrën e punës së Komisionit kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës, ku u krijuan parimet themelore për atë se çfarë duhet të përmbushet që të ekzistojë një institucion i suksesshëm kundër korrupsionit“, thotë d-r Sllagjana Taseva, kryetarja e parë e KSHPK-së.

14 vjet më vonë ky komision sikur ta ketë humbur kuptimin e ekzistencës. A është shndërruar nga një trup për të luftuar korrupsionin në një vëzhgues të tij të heshtur?

“Do ju kisha lutur që këtë temë ta mbyllim njëherë e përgjithmonë për mot të moteve, amin”, tha Goran Milenkov, ish-kryetari i KSHPK-së, gjatë një konference muaj më parë duke ngjallë reagime në opinion.

 

SEKRETI SHKON BASHKË ME KORRUPSIONIN

 

Me një fjalim emocionues dhe bindës, ish-kryetari i Komisionit kundër Korrupsionit dhe anëtar i tij aktual, Milenkov, u përpoq për ta fshehur gjendjen pronësore të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Në vend që të hulumtojë se nga kanë ardhur paratë në llogaritë e Gruevskit dhe banesat e nënës së tij, ai vendosi që t’i dekurajojë gazetarët në përpjekjet e tyre për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet.

Në vitet e fundit, aktiviteti i anëtarëve të Komisionit Kundër Korrupsionit shënon një rënie të vazhdueshme. Përveç disa rasteve margjinale të konfliktit të interesit, anëtarët e Komisionit Kundër Korrupsionit nuk kanë arritur të nisin iniciativa për rastet më të mëdha të korrupsionit.

Sjellja e Komisionit ndaj pushtetit aktual sot është më shumë se servile, ata jo vetëm që nuk e kontrollojnë pushtetin, por edhe punojnë për të, që është një gjë edhe më e keqe“, thotë Dragan Malinovski, anëtari i përbërjes së parë të KSHPK-së.

Kemi kërkuar një deklaratë nga kryetari i mëparshëm dhe ai aktual i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por ata nuk ishin në dispozicion. Në vend të transparencës, heshtja dhe fshehtësia vazhdojnë të jenë mënyra e tyre e funksionimit.

Fshehtësia nuk shkon së bashku me luftën kundër korrupsionit. Fshehtësia shkon së bashku me korrupsionin. Fshehtësia është në favor të asaj që doni ta fshihni. Kur kam studiuar krimin e organizuar në fund të viteve të 90-ta, rregulla e Omertës, gjegjësisht ndalimi i të folurit ishte një rregull nga e cila më së shumti përfitonte mafia“, thotë Taseva.

Edhe pse efikasiteti vazhdimisht ishte në rënie, buxheti i komisionit rritej gradualisht. Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedonia, duke përdorur Ligjin për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, erdhi deri te dokumentet të cilat flasin se buxheti i Komisionit kundër Korrupsionit e ka tejkaluar shumën prej gjysmë milioni euro të parave të popullit.

Me ardhjen e Goran Milenkovit në kreun e tij, buxheti i komisionit u rrit nga 352.000 euro sa ishte në vitin 2014, në 520.000 euro në vitin 2016. Numri i të punësuarve u rrit nga 24 sa ishte në vitin 2014, në 31 në vitin 2016.

 

SHUMË PARA, PAK REZULTATE 

 

Kryetari i mëparshëm i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Goran Milenkov, për më pak se një vit ka marrë gati 12.500 euro nga buxheti i RM-së për të luftuar kundër korrupsionit.

Kryetari i tanishëm, Igor Tanturovski ka marrë gati 12.000 euro, Zhaklina Damçevska 11.200, Suzana Taskova Axhikotorçeva 10.800 dhe Najdo Spasevski 11.300 euro. Më shumë para për paga dhe shpenzime të udhëtimit prej tyre kanë marrë Farije Aliu, 17.600 euro dhe Sejdi Halili, 14.200 euro për më pak se një vit.

budzet alb

Derisa ish-kryetari i komisionit Milenkov nuk u përgjigjej thirrjeve tona për të shpjeguar për punën e këtij trupi, ish-kolegët e tij thonë se ai e ka shndërruar komisionin në një mbrojtës të korrupsionit.

Vendosin gardhe të tilla, mbrojtje të tilla për të gjithë atë që është kontroverse dhe shihet se është një sjellje e paligjshme kështu që ai shndërrohet në një antipod, e kundërt e Komisionit kundër Korrupsionit, ai u shndërrua në një komision të korrupsionit. Një komision që mbron korrupsionin, në vend se një komision që lufton kundër korrupsionit“, thotë Taseva.

zakletva alb

Është fakt se në periudhën e kaluar me sjelljen e tij, Komisioni kundër Korrupsionit është bashkëpjesëmarrës në veprimet e shumta devijante në Republikën e Maqedonisë“, thotë Malinovski.

Pasi është vendosur në funksion në vitin 2015, kjo përbërje e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka parashtruar vetëm një denoncim. Kjo është më së paku  në rajon. Për ngecjen në luftën kundër korrupsionit në Maqedoni tregojnë edhe shembujt e vendeve të rajonit.

Agjencia për Luftën Kundër Korrupsionit e Serbisë ka parashtruar 183 denoncime, Agjencia e Bullgarisë 116, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kroacisë ka parashtruar 458 denoncime dhe Komisioni i Malit të Zi ka parashtruar 89 denoncime.

mapa alb

Komisioni i Maqedonisë është themeluar në vitin 2002, ai i Sllovenisë është themeluar në vitin 2003, ai i Serbisë është themeluar në vitin 2010 dhe madje në vitin 2011 filloi të punojë në mënyrë efektive. Periudha e ekzistencës së hershme të komisionit tonë kundër korrupsionit, ai ishte lider në Evropën Juglindore sipas suksesit“, deklaron Taseva.

Për punën e keqe të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit flitet edhe në raportin e fundit të Bashkimit Evropian për progresin e Maqedonisë, në të cilin thuhet:

Në vitin paraprak nuk është bërë asnjë përparim lidhur me problemet e identifikuara të pazgjidhura. Korrupsioni mbetet shumë i përhapur.

Gjatë zgjidhjes së mangësive që janë theksuar më poshtë, vendi duhet të kushtojë vëmendje dhe të tregojë një vullnet politik në luftën kundër korrupsionit në formën e masave autonome dhe efektive nëpërmjet trupave për zbatimin e ligjit dhe nëpërmjet trupave mbikëqyrës, veçanërisht kjo vlen për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Dhe derisa anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të cilët marrin rrogë, i  mbrojnë pasuritë e funksionarëve nga opinioni, vendi gjithnjë e më shumë mbytet në korrupsion.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)