LOJTARËT KYÇ NË BIZNESIN E MEDIAVE: KUSH I ZOTËRON MEDIAT NË MAQEDONI?

Shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë pa shumë debat dhe mendim, e hodhi poshtë projekt-ligjin mbi reformat në sferën e mediave vetëm pak ditë para se të shpërbëhet parlamenti. Propozimi i përpiluar sipas këshillave të ish-ndërmjetësuesit Peter Vanhoutte, pritej të shqyrtohej në mënyrë serioze nga ana e të zgjedhurve të popullit për shkak të nënshkrimit të liderëve të tyre në Marrëveshjes së Përzhinos. Por, me refuzimin e këtij propozimi ka mbetur edhe një detyrim të paplotësuar në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor. Organizatat e mediave si propozues edhe një herë mbetën të zhgënjyer nga mungesa e vullnetit politik për të rregulluar më në fund sferën e mediave në Maqedoni.

Vendi u ballafaqua me nevojën për të reformuar sektorin e mediave në një periudhë kur kriza politike arriti kulmin. Ky hapi disa pyetje: kush zotëron mediat në Maqedoni dhe njëkohësisht kush ka pjesëmarrjen më të madhe në formimin e opinionit publik? A angazhohen mediat private për interesin publik ose janë vetëm një mjet për realizimin e interesave konkrete të lidhura me qendrat politike dhe ekonomike të fuqisë?

SCOOP ka hetuar strukturën e pronësisë të mediave më të mëdha, kështu që i ka zbuluar lojtarët kryesorë në sferën e mediave, të cilat kanë pjesëmarrjen më të madhe në formimin e opinionit publik në Maqedoni.

 

NGA DIPLOMACIA, NËPËRMJET AFERAVE, DERI NË MEDIAT

 

Opinioni më i gjerë e ka njohur d-r. Sërgjan Kerim jo vetëm për shkak të kryesimit të tij me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por edhe për angazhimin e tij në biznesin e mediave në Maqedoni. Si përfaqësues i grupit gjerman të mediave WAZ, në vendin e drejtorit të përgjithshëm të firmës “Media Print Maqedoniaa”, e cila boton tri gazetat e përditshme me tirazh më të madh në Maqedoni, “Dnevnik”, “Utrinski” dhe “Vest”, Kerim u emërua në vitin 2003 dhe më vonë ai u emërua si përfaqësues i grupit WAZ në Beograd. Një funksion të ngjashëm ka kryer edhe në Kroaci.

Në mediat u zgjerua lajmi se drejtori shumëvjeçar ekzekutiv i grupacionit MPM, pronari i të cilit është “Qendra grafike (Grafiçki centar)”, e cila boton gazetat më të mëdha të përditshme  “Vest”, “Dnevnik” dhe “Utrinski”, Sërgjan Kerim pensionohet nga ky funksion. Por, edhe pse parashtroi kandidaturën për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, megjithatë ai nuk ka hequr dorë nga pronësia e gazetave. Sipas dokumenteve nga Regjistri qendror, kompania e tij “Mireks Plus Dooel” ende ka të njëjtën pjesëmarrje në strukturën e pronësisë të “Qendrës grafike”, si dhe në “Orka Holding” dhe “Internet Grup Investment Dooel”.

Edhe pse duket me stil dhe është i njohur për fjalorin e tij diplomatik, Kerim, megjithatë, e kanë ndjekur edhe një varg skandalesh në karrierën e tij jashtëzakonisht të pasur. Që në kohën kur ishte ministër dhe ambasador, Kerim ishte kritikuar në media, gjoja, për shkak të lukseve të tija. Në vitin 2010, në opinion “plasi” afera “shishe”, në të cilën, siç raportonin mediat ishte përfshirë shoferi i Kerimit, në automjetin e të cilit në kufirin hungarez, sipas mediave, janë gjetur 750.000 euro në shishe. Edhe pse autoritetet tatimore në Maqedoni kanë nisur një hetim për këtë rast, megjithatë, procedura është mbyllur si një rast i pastër.

Kerim publikisht nuk ka fshehur afërsinë e mediave të cilat i menaxhon me partinë qeverisëse. “Dnevnik ka një politikë redaktuese e cila është orientuar sikurse është orientuar politika e Qeverisë. Nga tri gazetat tona, të dy janë kundër qeverisë, kurse njëri është pro-qeverisë. Prej kujt e mbroni Qeverinë? Qeveria është një qeveri e partive politike. Ata shkojnë në zgjedhje dhe janë të zgjedhur. Kanë votuesit e tyre që qëndrojnë pas tyre. Në qoftë se një gazetë ka një orientim të tillë, atëherë çfarë është e gabuar këtu? Siç nuk është e gabuar që keni media që shkruajnë kundër qeverisë dhe nuk pajtohen me të”, deklaroi Kerim në intervistën për TV 24 lajme, të publikuar vjet, duke theksuar se çdo medium duhet ta ndjekë politikën redaktuese të gazetës. Në intervistën ai shtoi se “nuk kanë nevojë ta shpenzojnë letrën për të publikuar bombat (e opozitës), por se mjafton që i publikojnë informacionet për të”.

 

 

NË KRYE TË BIZNESIT, NË MIQËSINË ME PUSHTETIN

Edhe biznesmeni dyzet e gjashtë vjeçar Orce Kamçev është njëri nga pronarët e tri gazetave me tirazh më të madh “Utrinski vesnik”, “Dnevnik” dhe “Vest”. Ai figuron në strukturën e pronësisë edhe të një varg kompanish në më shumë fusha. AI rritej në hijen e babait të tij, Ilija Kamçev, ish-drejtor i firmës “Makedonija sport”, i cili në biznesin në Maqedoni depërtoi përmes kompanisë e cila më vonë u bë markë „Orka“.

Në vitet e fundit i riu Kamçev e zgjeroi biznesin e tij. Është bashkë-pronar në spitalin “Axhibadem Sistina”, “ZIK Pelagonija Bitola”, “Beton Shtip”, si dhe njëri nga pronarët e kompanisë MPM, e cila zotëron gazetat “Dnevnik”, “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”.

Në Regjistrin Qendror Orce Kamçev paraqitet në strukturën e pronësisë të vetëm tri kompanive: Shoqata për prodhim dhe tregti “Mlekara Zdravje Radovo DOO”, Shoqata Klubi i boksit  “Jordan Mijallkov” dhe Fondacioni “Sveti Maçenik Dimitrij Solunski Skopje”. Në qumështoren “Zdravje Radovo”, Kamçev është bashkëpronar së bashku me biznesmenin e njohur rus Sergej Samsonenko, si dhe me njërin e themeluesve të kompanisë “Pelisterka”, Cvetan Pandeleski.

Pandeleski është pronar i shumicës së pakos së aksioneve të kompanisë “Pelisterka”, përmes kompanisë së tij Shoqata tregtare për punësimin e personave të me aftësi të kufizuara për prodhim dhe tregti “CIP Produkt DOOEL Skopje”.

Kamçev paraqitet si themelues i klubit të boksit “Jordan Mijallkov” dhe është në shoqërinë e njeriut të parë të “Telekomit të Maqedonisë”, Zharko Llukovski, me ish-drejtorin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov, si me dy anëtarët e tjerë të familjes së tij, djali Jordan dhe vëllai i tij Vlladimir Mijallkov.

Kamçev paraqitet si pronar i Fondacionit “Sveti Dimitrij Solunski”, ku gjithashtu paraqitet edhe emri i ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, si vëllai i tij, Vlladimir Mijallkov.

Numri i kompanive, ku në strukturën e pronësisë figuron kompania e tij “Orka Holding”, është shumë më i madh: Shoqata për hotelieri dhe turizëm “Arhi DOO Skopje”, Shoqata për reklama, marketing, tregti dhe shërbime “O.K. Idea DOOEL Skopje”, Shoqata për prodhim, tregti dhe shërbime “MONT DOOEL Skopje”, “Axhibadem Sistina”, Shoqata për ndërtim, tregti dhe shërbime “OK Hotel DOOEL Skopje”, Shoqata për tregti dhe shërbime për pajisje mjekësore “Axhibadem Sistina Medikal Kompani”, Shoqata për hotelieri, tregti dhe shërbime “OK Restorants & Bars DOOEL Skopje”, Shoqata për prodhimin, tregti dhe shërbime “BET KOM KO. DOO Skopje”, Agjencia turistike “OK Travel DOOEL Skopje” e të tjera.

Kamçev konsiderohet si njëri nga njerëzit më të pasur në Maqedoni. Por, jo shumë kohë më parë, emri i tij është përmendur vazhdimisht në media për shkak të gjoja fshehjes së tatimeve, gjë të cilën Kamçev e përshkroi si një fushatë diskreditimi kundër tij dhe firmës së tij Orka, për të cilën gjë u arrestua dhe më vonë e pagoi tatimin prej 20.000 eurosh. Kamçev dhjetë vjet më parë u akuzua për fshehje të tatimeve në vlerë prej një milion eurosh.

librin “Demokracia e robëruar”  të OJQ-së Transparencë Maqedonia është shkruar:

“Në vitin 2004, Prokuroria Publike ka parashtruar një sërë aktakuzash penale kundër udhëheqjes së kompanisë “Orka Holding” për gjoja falsifikim të dokumenteve dhe shpalljen e falimentimeve të rreme në shkurt të vitit 2003, dhe më pas edhe për arritjen e likuidimit falimentues të disave prej kompanive të tyre (“Hil- debrands”, “Naska”, “Teks-Teks”, të gjitha të themeluara në periudhën e viteve 1998/1999). Nëpërmjet falsifikimit gjoja të dokumentacionit të kompanive, pronarët e familjes Kamçev (nëna Ratka, bija Kristina dhe biri Jordan), kinse kanë fshehur tatim prej 3.7 milionë eurosh ndaj shtetit, aktakuza për të cilat familja Kamçev gjithmonë kanë pretenduar se janë me një prapavijë politike. Në fund të vitit 2004, pranë xhipit të Kamçevit, të parkuar para ndërtesës ku jeton ai, kanë shpërthyer dy granata dore. Kush i ka hedhur bombat në lagjen e Shkupit, në të cilën jetojnë edhe biznesmenë dhe politikanë të tjerë të njohur, nuk u zbulua kurrë, por në opinion ky shpërthim u interpretua edhe gjoja si një paralajmërim për biznesmenin nga disa “qarqe ruse” për llogari të pashlyera biznesi. Një kohë para shpërthimit të bombave, u qëllua edhe një automjet tjetër (Porsche) në pronësi të familjes Kamçev, por edhe ky incident nuk u zbardh, ndërsa Kamçev kishte pohuar se këto incidente janë “vepër e një strukture në polici”.

Në vitin 2005, siç raportonin mediat, kundër kompanisë “Orka Holding” përsëri janë ngritur hetime për fshehje të tatimeve me vlerë prej disa miliona eurosh, këtë herë në periudhën 2002- 2004 për transaksione të ndryshme gjatë ndërtimit të fabrikës “Orka” në Shkup, te vendi Kodra e lepurit (Zajçev rid), si dhe për spitalet “Sistina” dhe “Mala Bogorodica” dhe kompani të tjera nga Shkupi dhe Demir Hisari. Rasti u bë i njohur me emrin “Piramida tatimore”.

“Shteti akuzonte kompaninë “Orka Holding” se nuk ka regjistruar të punësuarit, për shitjen e mallrave pa deklaracione dhe shuma të mëdha (3-4 milionë euro) për rimbursimin e paligjshëm të TVSH-së në dëm të shtetit. Prokurori publik i Shkupit ka deklaruar se ka lëshuar urdhër arrest për Orce Kamçevin, por ai nuk mund të zbatohej për shkak të qëndrimit të tij jashtë Maqedonisë. Pas kthimit të Jordan Kamçevit në vend dhe pas 12 orësh qëndrim në paraburgim dhe kaucioni prej 60.000 eurosh, paraburgimi 30 ditor kundër tij u anulua me mundësi për t’u mbrojtur në liri. Duke u ankuar për gjetjet e prokurorisë, familja Kamçev pretendonte se aktakuzat penale ishin “të motivuara politikisht” dhe se bëhet fjalë për “një fushatë të gjatë diskreditimi që bëhet kundër kompanisë”. Në maj të vitit 2006, për Kamçevin kishte spekulime nëpër mediat se në vitin 2002 në mënyra të dyshimtë ka blerë një tokë atraktive shtetërore në qendër të Shkupit për vetëm 25 euro për metër katror, në marrëveshje me funksionarët e atëhershëm të BDI-së nga qeveria e koalicionit të LSDM-së. Por, Kamçev e mohoi këtë“, thuhet në librin “Demokracia e robëruar”.

Siç thuhet në të njëjtin libër, në korrik të vitit 2006 kundër Jordan Kamçevit është ngritur edhe një aktakuzë penale për rimbursimin e TVSH-së nga shteti si rezultat i një eksporti fiktiv të uniformave ushtarake në SHBA-të të furnizuesit “Global Finance Group” nga Newcastle. Eksportet, kinse nuk kanë ndodhi kurrë.

Rezultati nga aktakuzat penale që janë ngritur deri tani kundër Kamçevit për opinionin mbeti i panjohur. Përveç marrëdhënieve të biznesit me përfaqësues të pushtetit, Kamçev shihet shpesh edhe në shoqëri me ta, për të cilën gjë vazhdimisht raportojnë edhe mediat.

 

KOMPJUTERË, TELEVIZION DHE OF-SHORE

 

Për Bill Gates-in serb, Veselin Jevrosimoviq, opinioni në Maqedoni ka mësuar në kohën e blerjes së televizionit TV Alfa.

Në fund të vitit 2012, mediat në Maqedoni kanë raportuar se Jevrosimoviq është bërë pronar i televizionit TV Alfa, ku ka blerë shumicën e pakos së aksioneve. Në të njëjtën kohë, mediat kanë raportuar se gjysmën e aksioneve të kompanisë MPM Kamçev ia ka shitur një partneri nga Serbia.

“Menjëherë pas blerjes së MPM-së, tashmë në fund të gushtit të vitit 2012, Kamçev 50% e pasurisë së tij së re që ka arritur ia ka shitur “partnerit strategjik” nga Serbia, kompanisë “Internet grup”, e cila është pronare e portalit elektronik “Telegraf ” (www.telegraf.rs). Në këtë portal kompania prezantohet si “e specializuar për aspekte të ndryshme të punimit online, për krijim të përmbajtjeve, për organizimin e ngjarjeve të markave të mëdha online, për zhvillimin e projekteve të mëdha të internetit etj. Nga kompania e Kamçevit, megjithatë, me një njoftim për opinionin kanë informuar se shitja e gjysmës së pronësisë së veprimtarisë publikuese është me qëllim që të konsolidohen të gjitha kompanitë e Kamçevit në një kompani – e cila do të quhej “Telegraf MKD” – e cila do të merrej me krijimin e platformës elektronike në internet të të gjitha gazetave të shtypura të grupacionit MPM dhe versionet e tyre elektronike”, thuhet në librin “Demokracia e robëruar”, duke e përshkruar mediat aktuale të punëve.

Struktura e pronësisë së televizionit “Alfa” lidhet me Antilet Holandeze. Pronar i televizionit është kompania “Alfa Skop doo” nga Shkupi, sipas dokumenteve të Regjistrit Qendror, ka të njëjtën adresë me televizionin. Kjo kompani, megjithatë, ka katër pronarë: Makoshped SHA Shkup, Tehnometal Vardar, SHA Evropa dhe “CHS Invest Group”, e cila ka shumicën e kapitalit në firmë. Nga 25 mars 2013, në Gazetën Zyrtare të Republikës së Serbisë, qëndron se kompania “Komtrade Holding N.V. – Kurakao” nga Antilet Holandeze, është pronar njëqind për qind i kompanisë “CHS DOO” nga Beogradi, e cila është themelues i kompanisë me të njëjtin emër në Maqedoni.

Përndryshe, si menaxher i kompanisë Alfa Skop DOO, e cila është njëri nga pronarët e televizionit TV Alfa, paraqitet Simonida Kazhiq, e cila është menaxhere e kompanisë “CHS Invest Grup DOOEL Skopje”, pronari i së cilës  “CHS DOO” në Beograd është e regjistruar në të njëjtën adresë Savski Nasip nr. 7 në Beograd, si dhe “Internet Group DOO” nga Beogradi, pronar i kompanisë “Internet Grop Investment DOOEL” nga Shkupi, e cila paraqitet si një nga pronarët e “Qendrës grafike”, botuesi i gazetave të përditshme “Vest”, “Dnevnik” dhe “Utrinski Vesnik”.

Lidhur me pronarët e rinj të televizionit TV Alfa dhe grupacionit MPM, Këshilli i atëhershëm i Radiodifuzionit paralajmëroi se do të shqyrtojë përqendrimin e mundshëm në media, por më vonë nuk gjeti asnjë gjë të tillë. Shpjegimi të cilin atëherë ia dha SCOOP-it ishte se “Jevrosimoviq ka dorëzuar një deklaratë të vërtetuar në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd se nuk i shkel dispozitat e Kapitullit III të Ligjit për veprimtarinë radiodifuzive dhe se nuk krijohet një përqendrim të paligjshëm në media”.

Si pronar i kompanisë “Komtrade” paraqitet manjati serb Veselin Jevrosimoviq, i cili përmes kompanisë nga Maqedonia “CT komputers MK” e fiton projektin “Kompjuter për çdo fëmijë”. Për këtë projekt, Zëvendës-ministri shtesë i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandar Kiracovski para një kohe doli me akuza se prapa këtij projekti qëndron një krim që peshon mbi 200 mijë euro.

Për Jevrosimoviqin mediat shkruanin se ishte i afërt me njeriun e parë të Telekomit të Maqedonisë, Zharko Lukovski.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

 

NË PJESËN E TRETË DO TË LEXONI: Në mes të përfitimeve personale dhe interesit publik: A janë mediat fajtore për krizën?

Shkruaj një koment

Koment(e)