Mbi 100 milion euro shkuan, nëpër spitale mbetën aparate jofunksionale

Autore: Biljana Bogdanovska

Gjithsej 199 pajisje mjekësore në 74 institucione shëndetësore publike kanë marrë epitetin “jo funksionale” në prill të vitit 2015, kur Ministria e atëhershme e Shëndetësisë dërgoi Informacion në Qeveri për gjendjen e pajisjeve nëpër spitale. Bëhet fjalë për pajisje të blera dhe të instaluara nga 1 janari i vitit 2006 deri në prill të vitit 2015 – pjesa dërmuese e tyre në kuadër të prokurimeve të mëdha që i bënte qeveria e mëparshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Kjo është një lista e parë e tillë e detajuar për gjendjen me aparatet medicinale deri në të cilat erdhëm përmes një Kërkese për qasje në informacione me karakter publik. Informacioni përmbledhës tregon: 37 aparate për të cilat ka qenë e financiarisht e padobishme që të servisohen; 17 të cilat nuk kanë munduar fare të servisohen; 21 aparate kanë mbetur në stok; për 39 ka qenë në vijim servisimi, 64 janë vënë në funksion, ndërsa për edhe 21 është dashur të shpallet prokurim publik nga Ministria e Shëndetësisë. Më shumë se një e treta e tyre janë blerë në vitin 2010, 2011, 2012 dhe 2013.

Prokurimet filluan me 40 milion euro, rrugës “u rritën“ për të paktën trefish

Se sa kushtuan ato prokurime, shteti kurrë nuk dha informacion të saktë. Ish-ministri Imer Selmani në vitin 2007 kalkulonte me një shifër prej 40 milion euro. Bujar Osmani, si ish-ministër i shëndetësisë në vitin 2010 foli për prokurime me vlerë 68 milion euro. Ministri i fundit i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, duke u përgjigjur në interpelancën që LSDM-ja e parashtroi për të në Kuvend në vitin 2015, njoftoi se deri atëherë “gjithsej mbi 100 milion euro janë investuar në prokurimin e pajisjeve të reja, më bashkëkohore  mjekësore”.

Ministrat ndërroheshin, shifrat rriteshin

Ministria e shëndetësisë, nga ana tjetër, edhe pas më shumë se një muaji që kur i dërguam pyetje dhe pas pesë rikujtimeve se jemi në pritje të përgjigjes, nuk tregoi nëse është bërë revizion i prokurimeve kryesore të aparateve mjekësore dhe sa mjete në total janë shpenzuar nga buxheti i Ministrisë për ato prokurime për periudhën nga viti 2006 në vitin 2015.

Mençe Toçi, gazetare e cila ka shumë vite që e ndjek nga afër shëndetësinë, thotë se asnjëherë nuk u mor vesh se sa tenderë për pajisje mjekësore kishte gjithsej, dhe as sa detyrime si shtet kemi për këtë.

Mençe Toçi: Një pjesë e madhe e këtyre aparateve mbetën të kalben nëpër bodrume, dhe shumicës së tyre do tu prishej ndonjë pjesë, spitalet nuk mund t’i blinin ato.
  • A janë marrë me kredi apo me mjete buxhetore? Nëse do të ishin vetëm mjete buxhetore, parashtrohet pyetja se nga kanë ardhur aq shumë para në buxhet kur Ministria e financave refuzonte të financohen rikonstruksione të spitaleve të caktuara që shkatërroheshin, me justifikimin se para nuk ka. Do ta marr si shembull tenderin më të madh për pajisje mjekësore në shëndetësi të cilin aq shumë e “bymyen” sa që arriti deri në 120 milion euro. U bë prokurim i paplanifikuar i pajisjeve mjekësore, pajisja diku u përdor, por diku i skadoi garancia derisa u trajnua kuadri për të punuar me të. Një pjesë e madhe e këtyre pajisjeve mbetën të kalben në bodrume, ndërsa për shumë prej tyre kur do tu prishej ndonjë pjesë, spitalet nuk mund ta blinin pjesën për shkak të kostove të larta, pjesët janë shumë të shtrenjta. Madje edhe para zgjedhjeve, qeveria e atëhershme shpalli një tender për blerjen e 3.700 aparateve me vlerë 33 milion euro. Sikur të mos mjaftonte paraprakja. Shumë nga ato aparate që u blenë, ndryshken edhe shkaku asaj se nuk ka kush të bëjë intervenime të caktuara mbi to”- na deklaroi Toçi.

Sipas saj, është sekret publik se në projekte kaq të mëdha, në tenderët e mëdhenj për pajisje mjekësore çmimet janë shumë të larta, aparatet janë tepër të shtrenjta, dhe kështu mundësia për korrupsion ka më shumë të ngjarë.

– Gjërat e tilla kontraktohen në katër sy, ndërsa dihet edhe që kompanitë paguajnë provizion të lartë për ta fituar tenderin. Ku përfundojnë ato para, mundemi vetëm të supozojmë – thotë Toçi.

Por, në të njëjtën kohë përderisa qeveria po blinte aparate, qytetarët ankoheshin se nuk mund të incizohen në mamograf, në kompjuter, në rezonancë magnetike … nuk kishte termin, pritej gjatë për termin ose aparati nuk punojka. Këtë e dinin mirë edhe pacientët edhe mjekët, për çka në vitin 2017, ish-ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, i urdhëroi drejtorët e klinikave dhe të spitaleve që të kontrollonin se çfarë pajisje kanë dhe sa punojnë ato.

  • Të gjithë e dinim se ekzistojnë aparate të ndryshme që ishin blerë, ndërsa nuk përdoren. Diku kjo ndodhi sepse mjekët dolën në pension, kështu që nuk kishte njeri që të punonte me to, nuk kishte kuadër të trajnuar, diku aspak nuk u vunë në funksion, diku u dërguan aparate për të cilat nuk kishte hapësirë, kështu që rrinë nëpër magazine. Kur unë isha ministër, kërkova nga të gjithë drejtorët e të gjitha institucioneve shëndetësore që të më dërgonin listën e aparateve me të cilat disponojnë, cilat janë në funksion, cilat nuk janë, por nuk e mora atë listë, sepse 15 ditë më vonë kandidova për kryetar komune. Këto lista me gjasë janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Qëllimi im ishte, kur tanimë i kemi, të vihen në funksion, dhe për shembull, ndonjë aparat që është dërguar në ndonjë spital dhe nuk përdoret për ndonjë arsye, të transferohet në një tjetër spital ku do të vihej në funksion – na deklaroi Taravari .
Arben Taravari: Të gjithë e dinim se ekzistojnë aparate të ndryshme që ishin blerë, ndërsa nuk shfrytëzohen

Prej aparateve që nuk ishin në funksion, e të cilat duhej të riparoheshin përmes një tenderi të Ministrisë së Shëndetësisë për pjesë këmbimi të aparateve mjekësore, të listuara janë: aparati klasik RTG në Qendrën Shëndetësore Negotinë, i blerë në vitin 2007; RTG digjital në Spitalin e Prilepit, i blerë në vitin 2009; madje 8 aparate CTG në Spitalin special për gjinekologji dhe obstetrikë në Çair, të blera në periudhën 2008 – 2012 dhe të tjerë.

Gruevski: “Kapital i qëndrueshëm për shëndetësinë e Maqedonisë“

Ish kryeministri Gruevski asokohe i paraqiste prokurimet e mëdha dhe të shtrenjta të pajisjeve mjekësore për klinikat dhe spitalet si “kapital i qëndrueshëm për shëndetësinë e Maqedonisë”. U përpoqëm, por nuk arritëm të marrim përgjigje nga ish-ministri i shëndetësisë Todorov, për më shumë pyetje se si është bërë prokurimi, shpërndarja dhe përdorimi i atyre pajisjeve.

Që nga ardhja në pushtet, LSDM-ja e filloi “procesin e rehabilitimit të sistemit shëndetësor”, siç e quajti partia në një nga kumtesat e saja. Por, edhe pse opozita dyshonte në tenderë të trukuar, alarmoi për aparate të blera ndërsa jo funksionuese, deri më tani nuk ka përgjigje në pyetjen – si përfundoi ajo pajisje, a përfitoi dikush dhe sa nga tenderët shkuan në llogari të qytetarëve?

Tani, Ministri Venko Filipçe thotë se ata kanë hartuar një strategji për pajisjet e nevojshme, por deri më taninuk ka ekzistuar.

Gurë-themeli për bunkerin e akceleratorit SPQ “Tetë Shtatori” u vendos në vitin 2016
  • Kjo është një tomograf kompjuterik në Gjevgjeli, ku po ndërtohet një krah i ri i spitalit. Për më tepër, një tomograf kompjuterik që duhet të zgjerohet për shkak se do të lëshohet një krah i ri në spitalin e Strumicës. Rezonancë magnetike për herë të parë në Ohër, Gostivar dhe Manastir. Me kërkesë të Klinikës së Gjinekologjisë diçka për kujdes intensiv, gjithashtu në Klinikën e Pediatrisë, kërkesa individuale nga Institucione të caktuara të shlëndetësisë për diçka që kanë nevojë, qoftë për ndonjë metodë të re, qoftë për diçka që është jashtë funksionit ose prishet shpesh. Një aparat në Klinikën e Hematologjisë që do të përdoret për zbatim të një metode të re për transplantimin e palcës së eshtrave por për fëmijët, sepse ato

tani dërgohen jashtë vendit. Ka një kërkesë nga Klinika e Radiologjisë për angiograf të ri sepse ky është me të vërtetë me performanca që duhet të mbindërtohen dhe angiografi që prishet shumë shpesh dhe tani nuk punon në Manastir – na deklaroi Filipçe.

Akceleratori 4 vjet qëndroi në magazinë – tani blihet i ri

Përderisa zgjaste hetimi, në SPQ “8 Shtatori”ishte montuar akceleratori linear, i blerë në vitin 2015 për 1.8 milion euro. Së shpejti pritet të lëshohet në përdorim, pasi që katër vite qëndroi i paketuar nëpër kuti në një magazinë të një firme të Shkupit.

  • Te ne, problem ishte akceleratori. Ani e montuan atë. Ai është aparati që qëndroi në magazinë për një kohë të gjatë. Është vendosur, të gjitha punimet teknike kanë përfunduar. Madje e lëshuan për ta provuar, por akoma nuk janë transferuar të drejtat nga Ministria e Shëndetësisë në SPQ “8 Shtatori” dhe në fakt nuk është në pronësinë tonë. Kur do ta bëjnë këtë, nuk e di. Nga ekipi që duhet të punojë në të, kemi një mjeke që është në specializim, e cila së shpejti do ta kalojë provimin e specializimit, dhe një fizikan i cilido ashtu nuk ka mbaruar ende. Por, me aparatin do të operojnë ekspertë të Klinikës së Onkologjisë – na deklaroi dr. Hristijan Kostov, drejtor i SPQ “8 Shtatori”.

Prokurimi i akceleratorit, i evidentuar me aktin e pranim-dorëzimit nr.17-24/138, të datës 15.12.2015, u pasua me dyshime që në fillim: se MSH kishte shpallur procedurën dhe kishte përgatitur dokumentacionin e tenderit me çka ka favorizuar një operator ekonomik. Së pari u zgjodh kompania “MEDIMPEX” SHPK nga Sarajeva, dhe më pas u eliminua me arsyetimin se nuk kishte listë reference. Në këtë mënyrë, Ministria e

Shëndetësisë ka marrë mendimin e ekspertëve nga IPSH Klinika universitare e radioterapisë dhe onkologjisë, sipas të cilit, akceleratori i ofruar i operatorit ekonomik të zgjedhur fillimisht dhe të eliminuar më vonë, në lidhje me rezultatin përfundimtar është kompatibil me atë të kërkuar nga ana e MSH-së.

Në SPQ “Tetë Shtatori“ finalizohet instalimi i akceleratorit të ri linear

“MEDIMPEKS“ ka parashtruar padi para Gjykatës administrative, por është refuzuar si e pabazuar.

  • Është një akcelerator i cili për momentin nuk mund të vendoset në asnjë prej dy bunkerëve të lirë ekzistues. Diku rreth 60 milion denarë duhej të ndaheshin për ndërtimin e bunkerit, ndërsa për 90 milion denarë mund të blinim të ri. Ashtu që tani do të furnizoheshim me aparat të ri, shumë më të sofistikuar. Ajo që do ta bëjmë tani është të furnizojmë një të ri të cilin do ta vendosim në bunkerin ekzistues, në mënyrë që të mos ndërtojmë bunker të ri, ndërsa atë që është në kuti do ta përdorim për të zëvendësuar një nga ato tre që janë shumë të vjetër. Ne nuk e ndërrojmë tani sepse nëse vihet një në funksion, ndjeshëm do të rritet lista e pritjes – sqaroi Filipçe për nevojat e hulumtimit tonë.

Për atë se çfarë po ndodh me këtë akcelerator, e pyetëm edhe drejtorin e Klinikës së onkologjisë, dr. Nino Vasev

  • Ju e dini që nga qeveria e mëparshme kemi lënë në magazinë një aparat të ri nga prodhuesi “Varian”, i cili duhet të vendoset diku. Pra, të ndërtohet bunker, të sigurohen kushte për të. Nën garanci ishte, do ta ekstendojnë garancinë. Jemi duke bërë plan me ministrinë, kur do të vihet në funksion në spitalin “8 Shtatori” … Unë këtë e dija, më zuri koka … Është një aparat i ri, por sigurisht që nuk mund të qëndrojë përjetshëm …, tha Vasev.
Dr. Nino Vasev: është një aparat i ri, por me siguri se nuk mund të qëndrojë përjetësisht

Ky problem përmendet edhe në Raportin përfundimtar të Ministrisë së Shëndetësisë për raportet financiare dhe revizionin e harmonizimit për vitin 2017, të cilin Enti Shtetëror i Revizionit e publikoi në maj të vitit 2019,  “Duke  pasur  parasysh  se  pajisja  nuk  është  lëshuar  akoma  në  përdorim  për  shkak  të  vonesave  në ndërtimin e bunkerit në të cilin do të vendoset, ndërsa afati i garancisë do të skadojë në vitin 2019, shfaqja e defekteve të mundshme pas vënies në punë të pajisjeve pas skadimit të periudhës tre vjeçare, nuk do të mbulohen me garancinë dhe srevisimi eventual do të duhet të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, me çka kostoja e pajisjes së blerë do të rritet edhe në mënyrë plotësuese .. ” ka konstatuar revizori.

Akeceleratori shfrytëzohet për terapi të pacientëve me kancer. Ai mundëson precizitet maksimal në planifikimin dhe mbajtjen e trajtimeve, duke pasur parasysh që shënjimi i rrezes së trajtimit bëhet me rubina, ndërsa të gjitha aparatet tjera bëhen me pasqyra. Në nivel vjetor, në Maqedoninë e Veriut regjistrohen 5.100 – 5.200 pacientë të rinj me sëmundje malinje.

Në Qendrën emergjente, e cila në nivel vjetor përkujdes nga 35.000-40.000 pacientë, nuk ka asgjë nga furnizimet e mëdha që janë bërë

Qendra emergjente me një tomograf kompjuterik – edhe ai është donacion

Sipas cilave kritere është vendosur se cili institucion shëndetësor do të marrë aparat, çfarë aparati dhe kush ka pasur përparësi? Qendra Klinike e Emergjencës, spitali më i madh në vend i cili merr në përkujdesje raste emergjente, nuk ka marrë asgjë nga prokurimet kryesore, na deklaroi dr. Albert Lleshi, udhëheqës i Qendrës së emergjencës.

  • Fatkeqësisht, tek ne nuk ka asgjë nga ato prokurime të mëdha që janë bëheshin. Nuk kishte as kompjuterë as monitorë. Kishte një tomograf kompjuterik, por edhe ai ishte donacion Në fillim funksionte, por teknologjia tashmë është e vjetruar, rëntgenologët nuk zotohen ta punojnë atë. Nëse punon, mund të incizohen në të 100-120 pacientë, aq sa pranojmë çdo ditë. Ndërkohë, në tre vitet e fundit, kemi blerë disa aparate të domosdoshme. Tani kërkuam një tomograf kompjuterik dhe pajisje të plotë për sallën e operacionеве – thotë dr. Lleshi.
Rentgenologët nuk zotohen ta punojnë këtë tomograf kompjuterik– ndërsa edhe ai është donacion

Qendra e Urgjencës në Shkup ka nga 35.000 – 40.000 pacientë në vit.

Në spitalet e përgjithshme nëpër gjithë vendin janë dërguar aparate të cilat nuk u kanë kryer  punë mjekëve. Në spitalin e Kumanovës, kjo ka ndodhur me një aparat anestezie, të blerë në vitin 2010.

  • Aparati për anestezi “Siare” nuk është përdorur kurrë. Aparat të njëjtë paraprakisht morën Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale dhe Spitali i Përgjithshëm të Koçanit. Për shkak të përvojave negative, gjatë punës me këto aparate, të njëjtit u tërhoqën nga sallat e operacionit si të pasigurta për pacientët, pa mundësi që me servisim të përmirësohet siguria e tyre për shfrytëzim – thuhet në përgjigjen që morëm nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës.

Këtu u soll edhe makina për larje automatike dhe dezinfektim të endoskopëve fleksibil nga kompania “Sonics”, e blerë në vitin 2015. Nuk u vu në përdorim për shkak të një problemi me zorrët për furnizimin me ujë dhe kullim, konfirmuan nga spitali në përgjigjen për ne.

Aparatet e papërdorura dhe të pashfrytëzuara gjenden edhe në spitalin e përgjithshëm në Ohër. Në aparatin gjinekologjik me eho 4D me ultra zë, të blerë në vitin 2013, ehoja 4D nuk ka punuar në momentin kur aparati ishte vënë në funksion, kështu që prej asaj kohe deri më tani punon vetëm aparati 3D. Inkubatori për të sapolindurit e parakohshëm, me pacient monitor, për shkak të mosfunksionimit të sensorëve të caktuar nuk është vënë në funksion prej kur është sjellë, thuhet në shkresën që e morëm nga IPSH Spitali i Përgjithshëm – Ohër.

Ilustrim: Qendra klinike “Nënë Tereza“

Në  Spitalin  special  për  оrtopedi  dhe  тraumatologji  “Shën  Erazmo”-  Ohër,  nuk  është  në  funksion sterilizatori me avull Top Getinge, i blerë në vitin 2009, për shkak të riparimeve të shpeshta. Aparatet e diagnostikimit tomografik dhe të diagnostikës RTG të blera në vitin 2015, ndërsa të vëna në funksion në vitin 31.05.2017 për shkak të “kryerjen së punëve të rikonstruktimit” në pjesën ku është dashur të instalohen.

Në Spitalin e Përgjithshëm në Manastir më 25 maj 2017, hynë hetuesit e PSP-së dhe kërkuan dokumente për prokurimin grupor të aparateve rëntgen të bërë nga Ministria e Shëndetësisë, në rastin e kompanisë “Visaris” të Ivona Talevskës.

Kishte informacione se në “Shën Erazmo”ka një pjesë të pajisjeve të kontestueshme të “Visaris”, prej ku

thonë se pajisje të tilla nuk kanë mbërritur tek ata.

  • Ndërmarrja “Visaris” ngriti procedurë kundër nënshkruesve të marrëveshjes kornizë për prokurim të aparateve, ndër të cilat edhe IPSH “Shln Erazmo” e Ohrit. Më 26.06.2019 është sjellë aktgjykimi nr. 53TC- 21/17 me të cilën është refuzuar si e pabazuar – na u përgjigjën nga “Shën Erazmo”.

Saktësisht dy vjet më parë, në mesin e 7 hetimeve të reja për korrupsion dhe vepra penale të kryera nga ish zyrtarë të qeverisë, PSP-ja e bëri publik edhe rastin “Rentgen”. Në fakt, PSP-ja nisi një hetim për blerjen e katër rëntgen-aparateve nga ana e Todorovit në vitin 2012, me ç’rast është i dyshuar se e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe si ministër ka favorizuar një kompani për biznes milion dollarësh për blerje të rëntgen- aparateve. Pasi zbardhjes së këtij rasti në opinionin publik, Todorov e anuloi kontratën me “Visaris”, por  sipas PSP-së, ai në kundërshtim me Ligjin për prokurime publike ka lidhur kontratë me kompaninë e ranguar si e dyta, edhe pse është dashur që në tërësi ta anulojë prokurimin. Në këtë rast, sipas PSP-së, dëmi i bërë mbi buxhetin arrin në 860 mijë euro. Ende nuk ka zgjidhje apo ndëshkim për këtë rast, sepse ende punohet me lëndën.

  • Lënda “Rentgen”, si edhe të tjerat, u mor nga PTHP-ja. Ajo është në fazë hetimi, dhe në periudhën e ardhshme hetimi do të vazhdojë. Lënda më është caktuar mua përsëri dhe do të vazhdojmë me hetimin – na tha prokurorja speciale Elizabeta Josifovska, e cila e udhëhiqte lëndën.

LSDM-ja, kur ishte në opozitë, akuzonte se çmimet e aparateve medicinave të blera nga qeveria e

atëhershme ishin 60% deri 100% më të larta se ato reale.

  • Në paketën e parë të pajisjeve mjekësore prej 68 milion eurosh, që e promovoi Qeveria, ka diferencë prej 28 milion eurosh nga premtimet fillestare të Gruevskit. Në xhepat e kujt do të përfundojë kjo diferencë prej 28 milion eurosh në çmime? A janë këto 28 milion euro të mjaftueshme për të kënaqur orekset personale dhe ato partiake, pyeti zëdhënësi i atëhershëm i partisë Emilian Stankoviq. Si shembuj ai i theksoi: kardiografin e blerë me një çmim prej 820 mijë eurosh është dy herë më i lirë, 450 mijë euro; rezonanca magnetike e blerë për çmimin prej 1 milion e 380 mijë eurosh, ndërsa vlen 790 mijë euro, si dhe dyshimin që akceleratori linear është blerë me një çmim dy herë më të lartë se normalja.
Vlladimir Llayareviq: “Tek ne, besoj se kriteri më i rëndësishëm është “kush më shumë do t’i inspirojmë

ata të cilët paguan“

Vlladimir Llazareviq, kryetar i “Heltgruper“, projekt ndërkombëtar për shkëmbimin e informatave nga shëndetësia, thotë – furnizimi me pajisje në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka qenë dhe mbeti i centralizuar skajshëm dhe ai centralizim mban çmimin e vet. Sipas tij, spitalet akoma as kanë para, ndërsa me gjasë as ide vetë të furnizohen me pajisje dhe presin nga Qeveria dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

E pyetëm, cilat kritere janë më të rëndësishmet gjatë blerjes së pajisjeve, dhe ku në atë procedurë janë më të mëdha mundësitë për aktivitete korruptive?

  • Ka aq shumë kompani dhe opsione, saqë me të vërtetë kjo nuk është detyrë e lehtë. Te ne, besoj se kriteri më i rëndësishëm është “kush më shumë do t’i frymëzojë ata që paguajnë më shumë”. Ua lë juve të interpretoni se çfarë do duhej të thotë frymëzimi. Sidoqoftë, për sa kohë që prokurimet zhvillohen në nivel qendror, dhe përderisa spitalet nuk kanë një sistem të ri plotësisht të decentralizuar të menaxhimit, me involvimin e komunitete lokale, bizneseve dhe të ngjashme, problemet do të vazhdojnë, deklaroi Llazareviq.
Ilustrim: Aparatet mjekësore nëpër korridoret e klinikave

Sipas Toçit, megjithatë, prej kur shpërtheu skandali me tenderin për reagensë, është e qartë se pushteti aktual është gjithashtu në një “tokë të rrëshqitshme”.

  • Megjithëse në agjendën e LSDM-së nuk kishte paralajmërim për Partneritet publik privat, papritmas kjo u bë prioritet i ministrit aktual të shëndetësisë. Plan apo strategji për prokurim nuk ka, respektivisht nuk kanë treguar se ka një gjë të tillë. Edhe analizat ose studimet e fizibilitetit për projekte të caktuara nuk bëhen publike. Mungon transparenca. Nuk ka paralajmërim për tenderë të mëdhenj për pajisje mjekësore, por prandaj këtu është Partneriteti publik privat për sterilizim, për shembull, një projekt madhor në të cilin do të bëhet edhe prokurimi i pajisjeve për sterilizim dhe automjete, do të bëhet edhe riorganizim. Kafshatë tepër e madhe,që në Shqipërinë fqinje rezultoi si projekt i pasuksesshëm, i shtrenjtë – thotë ajo.
Grafikoni nr.1: Distribuimi i investimeve kapitale sipas nënprogrameve në shëndetësi për periudhën v/ 2010-16 (‘000.000МКД)
Burimi: “Finance Think“, “Efektet e investimeve të shtetit në shëndetin publik 2010-2016“

Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Politika “Finance Think” në shkurt të vitit 2018, publikoi një Studim të titulluar “Efektet e Investimeve të shtetit në shëndetin publik 2010-2016” http://www.financethink.mk/en/publikacii/studii-za-politikite/. Bazuar në parametrat ekonomik dhe shëndetësor, në të rekomandohet që – para se t’i qasemi blerjes së ndonjë pajisjeje të re, përveç vendimit të bazuar në analizën farmakoekonomike, është e nevojshme të sigurohet se janë përmbushur të gjitha parakushtet edhe në aspekt të hapësirës edhe në aspekt të sigurimit dhe edukimit të kuadrit për ta vendosur në përdorim menjëherë pas dërgesës.

Dyzet e tre analizat e bëra krahasimore me vendet e tjera evropiane, tregojnë se sistemi ynë shëndetësor ka ende nevojë për furnizim të vazhdueshëm të pajisjeve të mëdha diagnostikuese siç janë tomografia kompjuterike dhe rezonanca magnetike. Megjithatë, para se të vendoset për një cikël të ri investimesh të këtij lloji, duhet të bëhet një analizë më e hollësishme paraprake në aspekt të shfrytëzueshmërisë së pajisjeve ekzistuese dhe përdorimit të tyre racional, shkruan në studim.

Kjo storie hulumtuese është përpiluar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton aspektet e Bashkimit Evropian.

Shkruaj një koment

Koment(e)