Gjevgjelia, ky qytet jugor i Maqedonisë, vitet e fundit ka qenë sinonim për kumar. Por, parajsa e kumarxhinjve është kthyer në ferr për qindra mijëra refugjatë dhe për policët e Maqedonisë.
Është herët në mëngjes, ora 4. Në stacionin hekurudhor në Gjevgjeli vluan si në shportë. Emigrantët dhe refugjatët të cilët përmes Maqedonisë duan të arrijnë deri te El Doradoja e tyre, Gjermania, presin transportin për në tokën e premtuar. Nervozet dhe grindjet e ndërsjella ndalen për një moment kur paraqitet treni i kaltër i Hekurudhave të Maqedonisë i cili duhet t’i transferojë deri në Tabanoc.
Policia siguron qasjen deri në tren, kurse emigrantët presin me padurim për të hipur në të. Pjesa më e madhe e tyre voziten pa bileta. Abdullah nga Siria, e ka dërguar birin e tij për të shtyrë përpara sportelit të Hekurudhave të Maqedonisë për të blerë 14 bileta. Sapo arriti treni refugjatët filluan të kërcenin nëpër dyert, dritaret, përdornin hapësirën ndërmjet vagonëve nëse kishin pasur mundësi.
Më shumë se gjysma e emigrantëve nuk kanë as dokumente për të qëndruar në vend. Në duart mbajnë vetëm një fletë letre me fotografinë e tyre. Dokumenti është shkruar në gjuhën greke. Për këtë dokument, vajza 18 vjeçare Mersiha, studente e Fakultetit Ekonomik në Bagdad, ka pritur 20 ditë në Greqi.
“Në ishullin Kos (Greqi) kam ardhur me nënën time, babain tim, dy vëllezërit, motrën time, dhëndrin tim dhe beben e tyre 6 mujore. Policia greke shumë ngadalë i lëshonte dokumentet për qëndrim“, thotë Mersiha.
Babai i saj nuk lejoi ta fotografonim e as të botonim çfarëdo videoje me të.
Familja e Mersihës ishte me fat të hipte në tren, por mbeti dhëndri i saj me beben e vogël. Me ndërhyrjen e policisë dhe të një përfaqësuesi të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, edhe ata hipën në tren.
Treni u nis për në Tabanoc. Refugjatët të cilët hipën në tren bërtisnin të gëzuar fjalë të mira për Maqedoninë. Të lumtur me ta ishim edhe unë dhe kolegët e mi nga Suedia, të cilët xhironin një film dokumentar me refugjatët. Më në fund pas 10 orësh pakënaqësi dhe nervoze, emigrantët tanë shkuan.
Turë të re, garniturë të re
Vajza la një përshtypje të fortë te tre kolegët e mi nga Skandinavia. Emocionet e tyre ishin të përziera. Nga njëra anë kishin keqardhje që u ndanë nga familja e Mersihës, kurse nga ana tjetër ishin të lumtur që Mersiha shkon në rrugën e saj të planifikuar, e ajo është Gjermania.
Stacioni hekurudhor në Gjevgjeli papritmas zbrazet. Nga peronet e mbushura me refugjatë mbeti vetëm era e madhe e keqe dhe shumë plehra të shpërndara në të gjitha anët.
Kemi vozitur rreth një kilometri drejt brezit kufitar dhe gjatë rrugës kemi takuar një familje kurde nga Siria me nënën e tyre të moshuar në një karrocë për invalidë. E kanë vozitur karrocën sepse gruaja e moshuar ka qenë e lodhur dhe nuk mund të shkonte. Kemi zbritur nga makina dhe një nga kolegët tanë e hipi gjyshen dhe nipërit e saj dhe i transferoi deri në stacionin hekurudhor. U kthyen për 20 minuta dhe vazhduam drejt gurit kufitar.
Dhe atje një fotografi edhe më dramatike. Dhjetëra policë me armë të lehta, disa prej tyre vetëm me shkopinj gome, mbajnë rreth 1.500 refugjatë që të mos hynë në vend. Përtej kufirit në distancë prej 200 metrash, autoritetet greke dërgojnë në mënyrë të organizuar dy autobusë të bardhë të mbushur me refugjatë. Autobusët shkarkohen nga njerëzit dhe kthehen të marrin refugjatë të rinj nga Selaniku. Më shumë se 150 njerëz filluan të shkonin në drejtim të Maqedonisë.
Tensioni rritet. Kur refugjatët panë se iu afruam me kamera, u inkurajuan edhe më shumë. Papritmas janë shtyrë në policët dhe një grup prej 30 emigrantësh kanë shkuar drejt stacionit hekurudhor në Gjevgjeli.
Një djalë i ri 20 vjeçar të cilin emigrantët na tregonin para 10 minutash se ishte para kolapsi, vraponte nëpër shinat për t’u larguar nga grupi dhe për të arritur më shpejt deri te stacioni hekurudhor. Qëllimi i fundit, Gjermania, iu pa më afër, mori forcë dhe fjalët se nuk mund dhe se do të rrëzohet në tokë nuk vlenin më.
Stacioni hekurudhor si kamp
Stacioni hekurudhor në Gjevgjeli ishte i qetë vetëm disa orë, nuk kishte asnjë zhurmë. Atje mbetën vetëm shitësit e frutave, lëngjeve, cigareve, ujit, kartelave për telefonat mobilë. Një fëmije qante me zë të lartë. Zëri i tij dëgjohej nëpër gjithë stacionin hekurudhor. Ai i drejtohet në gjuhën arabe policit kufitar. Zëri i saj dëgjohej në gjithë rrethinën. Polici e pyeste se çfarë problemi kishte. Ajo nuk e dinte se si të shpjegonte. E gjithë drama zgjati 10 minuta. U paraqit një aktivist i Kryqit të Kuq. Një shtetas i Maqedonisë me prejardhje arabe, i cili me sa duket mirë e dinte gjuhën arabe. Bisedonte me të dhe u kap për kokën. I shpjegoi policit se vajza tash është zgjuar nga gjumi dhe prindërit e saj dhe grupi i saj janë zhdukur. Ata kanë shkuar me trenin për në Tabanoc derisa fliste ajo. Qarja e fëmijës prekte në zemër të pranishmit në stacionin hekurudhor.
U organizuan shpejtë dhe me një automjet të Kryqit të Kuq vajza u largua nga Gjevgjelia.
Rasti me vajzën e humbur komentohej në të madhe në mesin e refugjatëve. Grupohen nga 15 njerëz dhe vetëm një shkon për të marrë ndonjë informacion të vlefshëm, si për shembull, kur do të arrijë treni i ardhshëm për në Tabanoc ose kur do t’i marrin dokumentet nga policia, me të cilat do të mund të shkojnë ligjërisht për në Serbinë.
Në grup me nënën e tij e takojmë edhe Irfanin 13-vjeçar. Ai është kreu i familjes. Me të janë edhe nëna e tij 56 vjeçare dhe dy motrat e tija më të vjetra.
“Ne duam të shkojmë nga Siria në vendet perëndimore. Kemi një gjysmë motër në Suedi dhe do të shkojmë atje. Në Siri ka mbetur vetëm babai im. Ai është profesor i historisë së Islamit në Universitetin e Alepo-s“, thotë Irfani.
E shqetësuar nga fotografia me vajzën 12-vjeçare është edhe nëna e tij. Ajo nuk e lejon atë të shkojë dhe të presë në radhë për marrjen e statusit të refugjatit në Maqedoni. Ajo nuk dëshiron që të ndahen fëmijët e saj, nga frika që t’i mos humbë ata.
“Unë jam nga pakica kurde në Siri dhe jam profesoreshë e gjuhës angleze në një shkollë të mesme. Në Siri ka luftë. Është shumë e rrezikshme për të qëndruar atje. Në njërën anë janë forcat e Bashar al-Asad-it, kurse në anë tjetër janë terroristët e shtetit islam“, thotë 56 – vjeçarja Zejnep, nëna e Irfanit.
Derisa flisnim me Zejnepin, u dëgjua fishkëllima e trenit. Emigrantët u shqetësuan. Filloi zhurma dhe buja se kush i pari të renditet në peron. Por, pastaj thanë se fishkëllima është nga një lokomotivë që tërheq kompozicionin e vagonëve ngarkues për në Selanik. Pasionet u qetësuan.
Grupi i këtyre refugjatëve shkoi natën tjetër në orën 2. Hekurudhat e Maqedonisë lëshuan një tren të veçantë për refugjatët i cili i mblodhi të gjithë nga stacioni hekurudhor dhe shkuan për në Tabanoc.
Kemi shitur gjithçka që të largohemi nga Siria
Të nesërmen rreth orës 7 jemi përsëri në stacionin hekurudhor në Gjevgjeli. Fotografia është e njëjtë si ajo e ditës paraprake.
“Tre vjet është kështu për çdo ditë. Është e vështirë për ta, por është e vështirë edhe për ne. Nga ndërmarrja komunale i mbledhin mbeturinat dhe spërkatin peronet me ujë, por është për kot, kundërmon shumë“, thotë një banore 70-vjeçare nga ndërtesa mbi stacionin hekurudhor në Gjevgjeli.
Lëshojmë stacionin dhe shkojmë përsëri në brezin kufitar. Atje atë mëngjes pritnin për të hyrë rreth 200 refugjatë.
E takojmë mësuesin e letërsisë angleze në moshën e mesme Ahmed Kelani. Ka ardhur këtu me bashkëshorten e tij, dy fëmijët më të mëdhenj dhe dy fëmijët më të vegjël.
“Duam të shkojmë në Gjermani, Holandë apo Norvegji. Kërkojmë një jetë të re atje. Në Siri nuk jetohet më. Kam shitur gjithçka atje, edhe shtëpinë, edhe makinën, gjithçka“, thotë Kelani.
Me të është edhe miku i tij, Mustafa. Ai ka punuar si avokat në qytetin Kobane.
“Kam 60 vjet, dhe kjo është ndoshta misioni im më i rëndësishëm në jetë. Ta nxjerr familjen time nga Siria. Unë jam kurd dhe mendoj se në Evropën Perëndimore ka shumë kurdë. Shpresoj se fëmijët e mi do të gjenden mirë atje. Në Siri nuk jetohet më“, thotë 60-vjeçari Mustafa.
Për rreth gjysmë ore formohet një grup më i madh dhe policia i lejon të hyjnë në Maqedoni.
Taksi për 100 euro apo tren pa para deri në Serbi
Familjet e Mustafës dhe Ahmedit kanë ardhur për një orë nga guri kufitar deri në stacionin hekurudhor.
Ahmedi ka raportuar familjen e tij në stacionin policor dhe për rreth 3 orësh ka marrë dokumentet për të qëndruar në vend në afat prej tri ditësh. Ka filluar të negociojë me shoferët e taksive lokale për të transportuar familjen e tij në Tabanoc.
Gjënë e parë të cilën e kanë kërkuar prej tij shoferët e makinave të verdha në Gjevgjeli ishte dokumenti për qëndrim. Kur e panë se ai ishte ligjërisht këtu thanë se mund të merren vesh.
“Nuk mund të transportojmë udhëtarë pa dokumente. Dënimet janë disa mijëra euro dhe vijon konfiskimi i automjetit dhe dënim me burgim“, thotë një qytetar 43 vjeçar nga Gjevgjelia, pronar i një automjeti taksi, i cili nuk deshi të përmendnim emrin e tij.
Ahmedi arriti të merrej vesh me dy taksistë t’i transportojnë për 200 euro gjashtë anëtarët e tij deri në kalimin kufitar Tabanoc.
Mustafa e priste trenin e parë udhëtarësh dhe me të, pa dokumente dhe vetëm me dy bileta treni (nuk mund të nxirrte më shumë) e akomodoi familjen në trenin e emigrantëve dhe në orën 20, shkoi për në Tabanoc.
Edhe ne kemi vendosur të shkonim me automobil deri në kalimin kufitar në Kumanovë.
(Vazhdon)